Prof. Dr. Myslim Pasha
Republika e Greqisë, dy ditë më parë, ka shpallur dhe zyrtarizuar një plan gjeohapësinor me pretendimet e saj në hapësirën detare, në një hartë të detajuar për pretendimet e saj në hapësirën detare, sipas marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin. Këtu përfshihen, gjithashtu, ZEE-të (Zonat Ekskluzive Ekonomike).
Në të gjitha dokumentet që gjer tash janë bërë të ditur, Shqipëria nuk përmendet, por është përfaqësuar me vizatime në hartë, ku paraqiten kufijtë detarë të Jonit të Veriut, nga Ngushtica e Otrantos dhe në gjithë shtrirjen e Kanalit të Korfuzit.
Nga hartografimi detar mungon përcaktimi i mungesës së marrëveshjes së delimitimit midis dy vendeve, për të cilën ka një histori të gjatë që nga viti 2010, kur kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Për gjithë këtë gjeohapësirë vlen të bëhet e ditur se ka pasur takime dhe negociata, të cilat nuk kanë gjetur zgjidhjen e duhur të ndërsjellë.
Pala e Republikës Greke e ka plotësuar mungesën e Marrëveshjes së Delimitimit duke përdorur ndarjen e hapësirës detare në mënyrë vizatimore në hartë, sipas parimit të “Vijës së Mesme (median line)”, çka është e papranueshme, sepse kjo metodë ndarjeje nuk përfshihet në Ligjin e Detit (Konventa e Detit e vitit 1982).
Në arsyetimin tekniko-ligjor të palës greke thuhet:
“Në pjesët ku mungon një marrëveshje bilaterale, kufijtë janë përcaktuar në bazë të vijës së mesme, sipas ligjit grek 4001/2011.”
Para se Greqia të afirmonte të drejtën për ndikimin e saj në brigjet kontinentale, ishujt dhe formacionet shkëmbore, si edhe ZEE-të, duhej të merrej pëlqimi i Republikës së Shqipërisë, gjë që nuk është realizuar.
Terminologjia e përdorur lidhur me “zgjerimin e Greqisë deri në 12 milje sipas Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit” vë në dukje një indiferencë lidhur me praninë bilaterale të Shqipërisë. Veç kësaj, ky vendim ka një ndikim në rregullimin e gjendjes së hapësirës detare midis dy vendeve.
Koxias shprehet për: “një marrëveshje ku është përfshirë zgjerimi i hapësirës ujore territoriale greke në 12 milje (22 km) largësi nga bregdeti grek”.
Mirëpo, në veprimin e palës shqiptare nuk ka transparencë, por mosnjohje të problemit të kufirit detar, të fundit të Detit Territorial me atë të Hapësirës Ekonomike Ekskluzive, ku ishulli Othoni përbën një skaj, që tregon pamundësinë e zgjerimit në veri të Greqisë në 12 milje detare.
Plani i Hapësirës Detare, për një kohë të gjatë, zvarritet dhe nuk gjenden rrugët e marrëveshjeve me argumente që bartin dëshirat më të mira për negociata, ku duhet pranuar se pala jonë ka dështuar.
Megjithatë, Republika e Greqisë e ka hartografuar hapësirën detare pa praninë e Shqipërisë, dhe kjo është një përgjegjësi e madhe diplomatike, e cila parashtron një sërë detyrash që nuk mund t’i zgjidhë dot Gjykata e Hagës. [DITA]
