Nga Dan GASHI
Atentati i organizuar nga një qelulë terroriste serbe ndaj trashëgimtarit të Perandorisë Austro-Hungareze ishte shkaku i fillimit të Luftës së Parë Botërore (L1B); kjo është përafërsisht narrativa që mësohet në shkolla. Ky version i thjeshtëzuar anashkalon kalkulimet strategjike afatgjata e sidomos faktorin kyç ekonomik, arsyenë e vërtetë të luftërave të perandorive përgjatë shekujve.
Për të kuptuar pse miliona njerëz vdiqën në hendeqe e fortifikime dhe pse harta e Lindjes së Mesme duket kështu siç është sot, duhet të shikoni përtej hartës së sotme. Duhet parë harta e botës në fillim të viteve 1900 për të kuptuar çka e tmerronte superfuqinë e atëhershme, Perandorinë Britanike, më shumë se çdo ushtri apo marinë. Nuk ishte kërcënimi i drejtpërdrejtë nga armiqtë, Gjermania apo Austro-Hungaria, por ishte një linjë e vetme treni, ajo e hekurudhës Berlin-Bagdad.
Kjo hekurudhë ishte më tepër se një linjë transporti; ishte lidhja e zemrës së Evropës me fushat e naftës në Lindjen e Mesme për të anashkaluar kontrollin detar britanik mbi tregtinë globale. Njëherësh, është edhe historia se si Perandoria Osmane, tani e falimentuar, u përpoq t’i shpëtonte skllavërisë financiare të Londrës dhe Parisit, vetëm për të rënë drejt e në një kurth që do ta shkatërronte atë plotësisht.
Në fillim të shekullit të 20-të, Perandoria Britanike ishte superfuqia e padiskutueshme e botës. Fuqia e saj imponuese mbështetej në dy shtylla:
- Marina Mbretërore (Royal Navy): E cila monitoronte dhe kontrollonte çdo rrugë kryesore detare.
- Kanali i Suezit në Egjipt: Rruga e vetme detare e shpejtë për të arritur në Indi, koloninë dhe thesarin më të madh britanik.
Anglia që kontrollonte Kanalin e Suezit, kontrollonte edhe tregtinë me Lindjen. Në të njëjtën kohë, në qendër të Evropës po ngrihej një fuqi e re e bashkuar në vitin 1871. Gjermania po bëhej një gjigant industrial, por ishte e rrethuar dhe e izoluar nga tregjet globale prej flotës britanike. Në juglindje shtrihej Perandoria Osmane, e njohur si “njeriu i sëmurë i Evropës”.
Problemi më i madh i Perandorisë Osmane ishte borxhi enorm. Në vitin 1881, ajo kishte falimentuar dhe ekonomia e saj kontrollohej nga një konsorcium bankierësh evropianë. Sulltan Abdyl Hamiti II e kishte kuptuar gjendjen dëshpëruese dhe synonte të modernizonte shtetin dhe infrastrukturën, por ata që mund ta ndihmonin, britanikët dhe francezët, ishin po ata që e kishin shtrydhur dhe falimentuar atë.
Gjermania në ngritje, me ambiciet e veta ekspansioniste, përputhej me politikën dhe qëllimet e osmanëve. Kaiseri Vilhelm II, që kërkonte edhe ai koloni përtej oqeanit, pa një mundësi tejet premtuese; një hekurudhë që lidhte Berlinin me Stambollin dhe më pas me Bagdadin dhe me një pjesë të madhe të botës islame. Për strategët anglezë ky ishte një makth; një rrugë hekurudhore që mund të transportonte mallra dhe trupa pa u kontrolluar kurrë nga anijet britanike.
Por, përveç tregtisë, ishte edhe një faktor tjetër shumë më i madh-Nafta. Epoka industriale e qymyrit dhe avulloreve detare, përmes të cilave Marina Britanike kontrollonte botën, tani po zëvendësohej nga një burim i ri, shumë më efikas dhe praktik. Nafta, të cilën Anglia dhe Evropa nuk e kishin në atë kohë. Gjeologët anglezë (dhe jo vetëm ata) kishin zbuluar burime të mëdha nafte në Irakun e sotëm dhe rruga e hekurudhës së projektuar kalonte përmes atyre burimeve. Gjermanët, si financues dhe ndërtues të këtij projekti, kishin siguruar të drejtat minerare për 20 km në të dyja anët e hekurudhës.
Nga frika e pasojave që mund të sillte një depërtim gjerman në atë sferë të botës, Britania vendosi që kjo hekurudhë nuk duhej të përfundonte kurrë. Fillimisht, britanikët përdorën diplomacinë, duke bllokuar daljen në Gjirin Persik përmes Kuvajtit. Pastaj përdorën propagandën nëpër gazetat britanike, duke i paraqitur osmanët si barbarë. Në fund, refuzuan edhe të financonin pjesërisht investimet në projekt.
Kur shpërtheu lufta në 1914, ajo u propagandua si luftë patriotike dhe mbrojtje e nderit kombëtar nga aktorët kyç të këtij konflikti. Në esencë, ky konflikt me përmasa botërore kishte fare pak të bënte me krenarinë kombëtare; ishte luftë për kontrollin ekonomik të botës, gjë që u pa menjëherë. Aleanca Britani-Francë-Rusi u krijua posaçërisht për të rrethuar Gjermaninë. Osmanët hynë në luftë krah Gjermanisë me shpresën se fitorja do t’i lironte nga borxhet.
Po ta shikojmë hartën e sotme të Lindjes së Mesme, të vizatuar fshehurazi në vitin 1916 përmes marrëveshjes Sykes-Picot, ato vija në hartë përputhen pothuajse saktësisht me rrugën e propozuar të hekurudhës dhe vendndodhjen e burimeve të naftës. Ngjashmërinë me këtë histori po e shohim edhe sot. Kina është si “Gjermania e re”, SHBA-ja është “Perandoria Britanike e re”, dhe nisma “Një brez, një rrugë” (Belt and Road) e filluar nga Kina është “hekurudha e re e Bagdadit”.
Ashtu si në vitet 1900, një fuqi detare po përpiqet të bllokojë një fuqi tokësore që kërkon të bashkojë Euroazinë përmes infrastrukturës për ta dominuar më vonë. Mësimi i hekurudhës së Bagdadit është se infrastruktura nuk është kurrë neutrale. Sikurse nuk ishte as hekurudha Mitrovicë-Shkup. Një rrugë nuk është thjesht një rrugë, por është një levë, një mjet fuqie. Perandoritë ndezin luftëra para se të lejojnë rivalët e tyre të kontrollojnë rrjedhën e tregtisë.
Mbuluar nën rërën e konflikteve të sotme në Lindjen e Mesme gjenden binarët e ndryshkura të një projekti gjerman që nuk arriti të përfundohej kurrë. Aty gjejmë provën e pamohueshme se kufijtë nuk u vizatuan për të krijuar kombe, por për të ndaluar një tren që do të vizatonte harta tjera nga këto që ekzistojnë sot
