Nga Dr. Selim IBRAIMI
Presidentja e Komisionit Evropian (KE) Urlsa von der Leyen i vizitoi shtetet e Ballkanit duke premtuar mbajtjen e integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE) si një ndër përparësitë e zgjerimit. Deklaratat e fundit nga rajoni tregojnë se Brukseli është i përkushtuar ndaj Ballkanit, por fjala e fundit ju takon qeverive të Ballkanit për të përmbushur reformat dhe kërkesat.
“Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani. Sepse nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën.” tha ajo gjatë takimit me zyrtarët e rajonit. Gjatë një samiti në Tiranë, midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit, Von der Leyen ftoi investitorët të marrin pjesë në Planin e Rritjes e cila besohet se do ta bëjë rajonin më të qëndrueshëm ekonomikisht dhe do ta ofrojë më shumë drejt BE-së. “BE është premtimi i paqes, prosperitetit dhe solidaritetit.” tha ajo.
Në Serbi, Presidentja e KE-së Urlsa von der Leyen tha fjalë të mira, megjithëse popullsia serbe ka një pikëpamje të ndryshme për BE-në dhe NATO-n, gjë që është e ngjashme me politikat e qeverisë serbe. Më tej gjatë turneut ajo u ndal në Bosnjë – Hercegovinë. “Vizita ime në memorialin e Srebrenicës më preku shumë. Nderova kujtimin e më shumë se 8 mijë djemve dhe burrave boshnjakë që u vranë në Srebrenicë 30 vjet më parë. “U bëra homazh nënave, grave dhe bijave që mbajtën peshën e humbjes për tre dekada të gjata. Është detyra jonë të ruajmë të vërtetën dhe të punojmë aktivisht për pajtim. BE do ta kujtojë gjithmonë gjenocidin e Srebrenicës.” “Bosnja-Hercegovina ka bërë një rrugë të gjatë. Negociatat e pranimit u hapën. Ky ishte një moment historik për të cilin duhet të jemi krenarë. Kjo frymë tani duhet të na çojë përpara. Negociatat e pranimit kërkojnë përqendrim, këmbëngulje dhe mbi të gjitha, unitet.” tha Urlsa von der Leyen në Sarajevë. Gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Urlsa von der Leyen i përsëriti të njëjtat pikëpamje të BE-së rreth vendit.
“Ne mbetemi plotësisht në mbështetje të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi tjetër dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimet kushtetuese të dakordësuara. Topi është në fushën tuaj BE-ja është gati.” tha Urlsa von der Leyen.
Një ditë më pas, kryeministri maqedonas deklaroi se pa garanci nga BE-ja dhe Bullgaria, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë. Më tej ajo gjatë takimit me zyrtarë të lartë të Kosovës tha: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta. Të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes.
“Në Mal të Zi, komentet e zyrtares evropiane ishin në një frymë tjetër. “Sa herë që vij në Mal të Zi, mund ta ndiej zemrën e Evropës duke rrahur. Ju nuk jeni vetëm të përkushtuar ndaj të ardhmes suaj evropiane. Ju jeni të apasionuar pas saj. Dhe kjo duket. Sepse jeni një lider në procesin e anëtarësimit.
Sipas Urlsa von der Leyen, Mali i Zi mund të arrijë ambiciet për në BE nëse qëndron i përqendruar në qëllim dhe i bashkuar. Siç e kemi përmendur në artikujt tanë të mëparshëm mbi politikën e BE-së ndaj Ballkanit, Brukseli ka luajtur një rol të madh në transformimin e Ballkanit me zhvillimin demokratik, financiar dhe ekonomik, i cili është integruar në Procesin e Berlinit, Planin e Rritjes dhe nisma të tjera. Por disa shtete të rajonit të Ballkanit kanë ndjekur politika të ndryshme të anëtarësimit në BE dhe të përafrimit me shtete jashtë unionit si shembull Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat mendojnë se ditë më të mira do të vijnë. Pavarësisht çështjeve të brendshme të BE-së, financat dhe koha që BE-ja ka shpenzuar në rajon mund të themi se ju ka qëndruar premtimeve, dhe do të vazhdojë me këtë politikë të zgjerimit. Pengesat që mbeten në rajon janë të pazgjidhura nga vetë qeveritë ballkanike. Burrështetasit e Evropës kanë bërë thirrje për një lidhje më të ngushtë në mes Ballkanit dhe të BE-së. Andaj në kohë krize, qeveritë e Ballkanit duhet të punojnë më shumë me BE-në.
Megjithatë, mbetet në vullnetin e qeverive dhe qytetarëve të rajonit të vazhdojnë me pasiguritë sociale, politike, ndëretnike etj., ose të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore dhe të brendshme. Sipas raporteve nga Brukseli, vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të bllokuara në reforma dhe në grindje me fqinjët e tyre pa një përfundim të qartë se kur shtetet problematike do të dalin nga ëndrrat e së kaluarës. Së fundmi Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Molldavia iu bashkuan transaksioneve financiare të quajtur si Zona e Vetme e Pagesave (SEPA), duke kursyer sipas BE-së deri në 500 milionë euro. Pas hyrjes së shpejtë në BE dhe NATO të vendeve të ish-Bllokut të Varshavës, disa shtete që dolën nga ish-Jugosllavia kanë ngecur dhe nuk duan të bashkohen me BE-në, duke premtuar zgjidhje të tjera strategjike.
Pavarësisht dëshirave të tyre, BE-ja mbetet partneri i tyre i rëndësishëm tregtar, një fakt që nuk mund të mohohet nga qeveritë që nuk po lëvizin drejt reformave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në fund të fundit, BE-ja mbetet zgjidhja më e mirë për qeveritë e Ballkanit, duke marrë parasysh lidhjet ekonomike, tregtare dhe të tjera. Në qarqet qeveritare ballkanike dhe më gjerë, mbizotëron një pikëpamje se BE-ja duhet të kujdeset për gjithçka pa u reformuar ose vendosur sundimin e ligjit. Por ky nuk është i vetmi paradoks. Edhe më keq, ata i duan shumë më tepër paratë e taksapaguesve evropianë sesa duan të zgjidhin problemet. Ky mentalitet duhet të ndryshohet për një zgjidhje të shpejtë dhe për të menduar se si të ecet përpara.
