Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Inxhinjeringu politik dhe krijimi i liderit të kontrollueshëm janë dy koncepte të ndërlidhura që shfaqen veçanërisht në kontekste ku elitat politike, strukturat e pushtetit të thellë (deep state), apo faktorë të jashtëm përpiqen të konstruktojnë figura politike të kontrollueshme për qëllime të caktuara – shpesh për stabilitet artificial, manipulim të opinionit publik apo ndikim gjeopolitik.
Inxhinjeringu politik është praktikë e përdorur kryesisht nga partitë, nga qeveritë ose nga grupe të veçanta të interesit për të ndryshuar artificialisht rezultatet elektorale ose për të manipuluar proceset demokratike, ndërkaq jo rrallë është aplikuar edhe për të imponuar lider politik. Kjo mund të bëhet nëpërmjet ligjeve elektorale, ndarjes së zonave të votimit (gerrymandering), kontrollit të mediave, censurës, ose edhe nëpërmjet mashtrimeve të drejtpërdrejta gjatë votimit.
Inxhinjeringu politik dhe krijimi i “Liderit të kontrollueshëm”
Inxhinjeringu politik nuk manipulon vetëm rezultatet e zgjedhjeve, por edhe procesin e formimit të liderëve politikë, duke krijuar figura të kontrolluara që shërbejnë interesave të forcave të fshehta (oligarkët, partitë e fuqishme, qarqe korruptive, ose shtete të huaja).
Inxhinjeria politike nuk prodhon vetëm zgjedhje të manipuluara, por edhe liderë të kontrolluar, duke e bërë demokracinë një teatër ku aktorët kryesorë janë të paracaktuar. Lideri “i zgjedhur” shpesh është thjesht një maskë e elitave të fshehura.
Inxhinjeringu politik e medial për krijimin e liderve deri në përmasat mesianike ndër ne në Kosovë nuk është fenomen i ri. Nëse marrim në konsideratë zanafillën e sprovës së tij (1989), mund të mirret me mend, se kush qëndron edhe prapa kësaj që u shpërfaq së fundmi në njërën prej mediave më kontraverze në hapësirën tonë mediale.
Por, përzgjedhja e individëve për këtë rol, dihet se vazhdimisht është bërë nga segmente të establishmentit serb që drejtonte Jugosllavinë. Rrjedhimisht individët e përzgjedhur i kanë shërbyer, secili në mënyrën e vet, interesave serbe, duke e dëmtuar rënd marshin e historisë dhe etapat politike që do t’i krijonin rrethanat për çlirimin e Kosovës dhe faktorizimin e Kombit.
Në këtë kapërcyell epokash që po kalojmë, ndërmarrje të kësaj natyre (të inxhinjeringut politik qoftë ky edhe si kiç), përmes formulave alkimike me konotacione pilitike donkishoteske, duke shpresuar se do t’i shërbejnë përkohësisht idesë për mbajtjen peng të Republikës, fundin do ta kenë jo më të mirë se sprova e parë e talljes me minatorët (1989) dhe me emocionet e popullit. Epoka e haxhiqamilve është stivuar tashmë në sirtarët e historisë.
Që ky lloj i inxhinjeringut politik të marrë përmasat e një kiçi një kontribut të ndjehsëm kishte dhënë edhe i intervistuari, para së gjithash me këtë pasues:
“Duhet reflektuar pse edhe pas sulmit në Banjskë, Kosova u qortua nga ndërkombëtarët në rrafshin diplomatik dhe medial. Kritikat dhe presioni ndaj Beogradit ishte tepër elegantë. Edhe pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepenc, përsëri fare lehtësisht në mediat ndërkombëtare dhe qendrat vendosëse ngritën dilemën a ishte akt sabotazhi nga Serbia, apo veprim elektoral lokal. Askush nuk mund t`i fuste në lajthitje mekanizmat ndërkombëtarë. Ata e kontrollojnë edhe tokën edhe qiellin e Kosovës.”
Të gjithë ata që kanë përcjell që të dy aksionet terroriste të Serbisë ndaj Kosovës, si në rastin e Banjës [shtator 2023] edhe në atë mbi infrastrukturën jetike siç është kanali i ujit Ibr-Lepenc [nëntor 2024] dhe reagimin e shtypit të jashëtm e diplomacisë perendimore, e kanë të qartë se nuk kishin ngritur kurrfarë dilemash të kësaj natyre, siç bën ish presidenti i Republikës!
Fakti që Serbia, kreu i saj, e kishte organizuar vet ndërhyrjen në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, është përcaktues për mënyrën si Beogradi pretendon ta zgjidhë “nyjën” e Kosovës. Kjo është shumë e qartë. Prandaj ai aksion shtetëror terrorist nuk kishte si të trajtohej si krim lufte nga Beogradi zyrtar, meqë ka në prapavijë përlogaritje gjeopolitike. Por pse përjashtohet kjo përgjegjësi e Beogradit, duke e ndërlidhur atë me interesa elektorale edhe të palës kosovare, nuk ka si të mos ishte produkt i këtij operacioni që ndëridhet me inxhinjeringun politik.
Nga kjo perspektivë, Banja [Banjska] e Albanikut për Serbinë me kohë mori përmasat e një prove gjenerale për llojin e luftimeve me të cilat mund të përballen ushtarët serbë.
Përqëndrimi i Serbisë në sferën e luftës hibride në këtë mezokohë, duke përfshirë edhe betejën për rikthimin e një qeverie kukull në Prishitnë që po zhvillohet aktualisht, duhet trajtuar edhe si një provë që i bëhet tolerancës së BE-së dhe Perendimit për nivelin e vdekjeve dhe shkatërrimit që sjell një luftë e përmasave më të gjera në përcaktimin e vijave ndarëse me karakter gjeopolitik.
***
Në këtë rastin e fundit të tentativës për një inxhinjering politik, madje me pretendime që në rrugë e sipër të shndërrohet në një makineri të përsour manipuli, ai përfundoi në kiç!
Shndërrimi i tij në kiç ndodhi meqë nuk ishte përzgjedhur as gazetari i duhur e as media që i dha zë këtij inxhinjeringu politik të pretenduar.
Kjo do të mund të thuhej edhe prë bashkëbisedimin në tri vazhdime të Azem Vllasit me Veton Surroin në KTV.
Inxhinjeringu politik kësaj radhe ka të bëjë ekskluzivisht me krijimin e mitit të një figure tejet të diskutueshme në rrafshin historik e politi, siç u pa edhe në përpjekjet pasuese, nuk kishte regjinë e duhur, mos të flasim se i mungonte përsosmëria, prandaj dështoi që në start, meqë filloi me prepotencë profsionale dhe në rrugë e sipër u bë shumë i ashpër, i dukshëm, tepër teatral, duke u bë i papranueshëm për popullin.
Ky është një shembull klasik i inxhinjerisë politike të përdorur për të destabilizuar një qeveri legjitime.
Në vitet nëntëdhjeta, derisa pushteti serb ia kishte arritur të mbante të ashtuquajturën balancë të hollë midis manipulimit dhe iluzionit të lirisë dhe demokracisë, zgjati për aq sa zgjati apart’hejdi serb mbi Kosovën, respektivisht derisa në skenë doli UÇK-ja e vegjëlisë.Aktualisht kjo balancë mes mitit për liderin politik dhe realitetit është i thellë, prandaj inxhinjeringu politik pa u mbyllur historia hynë në sirtarë si kiç i lloit të vet.
Fazat e krijimit të Liderit të kontrollueshëm
Krijimi i një figure karizmatike i përshtatshëm për pozicionin e “Liderit të kontrollueshëm” kalon nëpër disa faza.
Faza e parë ka të bëjë me identifikimiin e figurëssa më të përshtatshme, që do të duhej t’i përmbushte disa kritere bazike, të njohura. Para së gjithash ai duhet të jetë person i varur. Madje të mos ketë predispozita të krijimit të figurës së kultit dhe shkëputjes nga vaërsia politike. Ndërkaq duke mos qenë i përputhshëm me eilitën, ai do të jetë i gatshëm të egzekutoj urdhërat pa rezistencë.
Shembull: Në Rusi, Dmitry Medvedev u zgjodh nga Putini si “president i përkohshëm” sepse ishte besnik dhe aspak i rrezikshëm.
Faza e dytë ka të bëjë me procesin e ndërtimit artificial të imazhit publik. Në këtë fazë ndërhyrja e mediave është proces i pa kalueshëm. Mediat e kontrolluara vihen në veprim dhe promovojnë personin e piketuar si një “njeri të ri të shkëlqyer” ose “reformist” ose “gardian i interesave të Kombit”. Në opinion plasohen fakte të stisura (diploma, suksese të fryra, histori jorealiste).
I jepet mbështetje nga media, sondazhe artificiale, ndihmë logjistike nga struktura të padukshme. Kjo fazë shpesh shoqërohet me sabotimin e alternativave reale politike, për të kufizuar zgjedhjen e elektoratit.
Faza e tretë ka të bëjë me financimin dhe fuqizimingradual të kontrolluar. Mjetet financiare vijnë kryesisht nga burime të kontrolluara (oligarkë, korporata të afërta me pushtetin, shtete të veçanta…).
Kjo është faza kur personi i përzgjedhur për figurën e liderit fillon e rritet gradualisht në hierarkinë politike për të shmangur dyshimet.
Faza e katërt ka të bëjë me eliminimin e konkurrentëve të pavarur. Kundërshtarët e vërtetë neutralizohen me:
- Akuzime ligjore (tatimi, korrupsioni);
- Cenim deri në vrasje karakteri në media;
- Dhunë fizike (burgosje, vrasje).
Shembuj në historinë tonë të shtëformimit dhe rezistencës: Në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Serbia organizon burgosjen e korifeut të kryengritjes së pavarësisë – Hasan Prishtinën. Ndërkaq qarqe otomaniste, pas krijimit të Qeverisë së Ismail Qemailit, ia dalin ta largojnë nga pozita e nënkryetarit të parë të Qeverisë At Nikollë Kaçorin, personalitetin më të arsimuar ndër shqiptarë në fillim të shekullit 20-të.
Burgosja dhe në fund likuidimi i Ukshin Hotit ndërlidhet me këtë fazë të hapjes së rrugës për liderin e kontrolluar që ishte përzgjedhur nga establishmenti serb. Ngjashëm do të ndodhë edhe me rastin e Beadin Hallaqit.
Por nëse ndaj të parit, Ukshin Hotit, megjithatë Serbia organizoi një gjyq dhe Ai kishte të drejtën e fjalës, ndaj të dytit – Behadin Allaqit, nuk pati gjyq fare.
Në fjalën e tij të mbrojtjes Ukshin hoti, ndër të tjera, sikur të donte të hidhte dritë mbi këtë akt të inxhinjeringut politik deklaron:
“Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, me kërkesën e një pese të Alternativës së Kosovës [e ka fjalën për një segment të veçantë të LDK – shpjegim imi], Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi, sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vjetësh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej barazpesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbatjes së këtij gjykimi, për të cilin personalisht kam besuar s enuk do të ndodhte.” [Ukshin Hoti: 97.f205]
Faza e pestë ka të bëjë me ruajtjen e varësisë pas arritjes së pushtetit. Në këtë fazë të inxhinjeringut politik përzgjidhen akte e materiale kompromentuese përmes të cilave lideri i kontrolluar vazhdimisht shantazhohet. Këtu hyjnë dokumente sekrete, akte korruptimi, ose të ndihmës ndërkombëtare etj. Për këtë vihen në veprim mekanizma të fuqishëm shtetëror si: ushtria, agjencitë e intelegjencies, media. Kjo e fundit këtë tip lideri mund ta shkatërroi kurdo që i konvenon lidershipit që drejton këtë proces.
Përfundim
Krijimi i liderëve të kontrollueshëm bie ndesh me parimet e demokracisë; ai është de fakto simptomë e shoqërive të pamaturuara politike dhe i mungesës së demokracisë dhe pamundësisë së funksionimit real të elitave.
Në vend të prodhimit të liderëve nga lart-poshtë, demokracia funksionale kërkon që liderët të dalin nga poshtë-lart, nga realiteti social dhe me mbështetje të vërtetë qytetare.
Inxhinjeringu politik me emrin e Thaçit me këtë intervistë është vu tërësisht në funksion të gjeopolitikës së brendshme shqiptare. Rrjedhimisht emri i tij po përdoret në këtë përplasje mes dy modeleve që kanë në esencë për objekt zgjidhjen e çështjes së veriut [Kompromis i menaxhuar me marrëveshje me ndërkombëtarët dhe atij për Integrim i plotë, pa Asociacion], e që nënkuptojnë së paku dy qasje strategjike:
I pari, që ka të bëjë me rikrijimin e një miti rreth Hashim Thaçit, në funksion të zhbalancimit të ndikimit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, të cilët refuzojnë marrëveshjet e së kaluarës dhe kërkojnë rinegocim të plotë të raporteve me Serbinë;
I dyti, në rast se ai dënohet nga Gjykata Speciale, mbështetësit e tij dhe eshaloni drejtues real i PDK-së…, atë verdikt ta kenë më lehtë ta trajtojnë si një akt “hakmarrjeje ndërkombëtare”, me qëllim që Thaçin ta kthejnë në një figurë të sakrifikuar, që ngjallë simpati dhe rikthen diskursin për “lidershipin e munguar”.
Inxhinjeringu politik mund të funksionojë përkohësisht, por në afat të gjatë krijon shtete të brishta dhe qytetarë të zhgënjyer. Ndërkaq inxhinjeringu politik për mitizimin e figurave politike dikur të kontrollueshme, heret a vonë, merrë përmasat e kiçit politik.
Në fund të ditës, përballja për e rreth Veriut nuk ka të bëjë vetëm me territor, por ka të bëjë edhe me autoritetin dhe legjitimitetin politik, meqë në pyetje janë modelet e qasjes diametralisht të kundërt:
- A do të mbizotërojë modeli i konsensusit të dobët me Serbinë?
- Apo do të imponohet një model i sovranitetit real, që s’pranon ndarje de facto?
Kjo betejë nuk është vetëm midis Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu edhe midis trashëgimisë së një shtetformimi të kontrolluar nga jashtë [e përfaqësuar nga miksi i linjës kosovacentriste me elementë abuziv të UÇK-së] dhe linjës së nacionalizmit progresiv [LVV…] që przanton një projekt të ri për një shtet të vetëvendosur.