Nga Dr. Jorgji KOTE
Përshkallëzimi i agresionit rus kundër Ukrainës, pa pothuajse asnjë shans për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme, bashkë me publikimin e strategjisë së re amerikane të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare janë kambanat më të reja të alarmit për vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Ato kanë tronditur nga themelet rendin e sotëm ndërkombëtar; kjo për shkak të ndryshimeve epokale që ato pritet të shkaktojnë me largimin gradual të SHBA-ve nga roli i tyre i mëparshëm si polic ndërkombëtar, ngushtimin e angazhimeve të saj gjeopolitike, heqjen dorë nga promovimi i demokracisë liberale dhe shtetit ligjor, etj. Pavarësisht nga fjala plot sharm diplomatik për Europën i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mark Rubio në Munih, dyshime serioze që ato krijojnë për një krisje dhe thyerje të aleancës tradicionale amerikane me Europën liberale dhe demokratike mbeten në fuqi.
Ndërkohë, Moska ka shtuar shantazhet, incidentet dhe kërcënimet edhe në hapësirat ajrore të vendeve anëtare të NATO-s. Tanimë është e qartë se synimi gjeostrategjik i Putinit është kapitullimi i Ukrainës dhe vazhdimi i ofensivës ushtarake kundër Europës; me shpresa të shtuara se shumë shpejt kjo e fundit të mbetet praktikisht pa mbështetjen SHBA-të, duke ia lehtësuar kësisoj ndjeshëm objektivin final- ringritjen e Perandorinë së dikurshme cariste/sovjetike.
Në këto kushte dhe rrethana të reja tejet kërcënuese, në Europë vazhdojnë të ngrihen me tone përherë e më të larta shqetësimet mbi sigurinë, aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të vendeve europiane anëtare të NATO-s, për tui bërë ballë dhe zbrapsur sulme të tilla ruse, të cilat tashmë janë sa evidente aq edhe eminente.
Kjo trysni që sa vjen e rritet tregon drejtësinë e reformave madhore të BE-së edhe në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë veçanërisht riarmatimin e saj historik.
Nisur nga sa sipër, edhe në Konferencën e 62 Ndërkombëtare të Sigurisë në Munih ( 13 – 15 Shkurt 2026) u ripërsërit me forcë nevoja e riarmatimit dhe europianizimit të NATO-s, me qëllim që shumë shpejt Europa të jetë në gjendje të mbrojë edhe e vetme sovranitetin dhe integritetin territorial nga çdo sulm ushtarak armiqësor. Në këtë linjë, në fjalën e tij të hapjes, Kancelari Friedrich Merz rikonfirmoi rolin drejtues gjerman në Europë dhe angazhimin madhor të qeverisë së tij që brenda pak viteve, Gjermania të ketë ushtrinë më të madhe konvencionale të Europës.
Mirëpo, ashtu siç edhe pritej, krahas miratimit në përgjithësi, kjo kthesë historike gjermane ka hasur edhe në hezitime, rezerva, frikë dhe kundërshti, brenda dhe jashtë vendit. Kjo kryesisht nisur nga e kaluara e saj naziste dhe frika për përsëritjen e historisë tragjike kur Gjermania u bë shkaktare e dy luftrave botërore.
Megjithatë, siç do të shihet edhe më poshtë, në këtë rast, asgjë e keqe por vetëm të mira do të vijnë nga Gjermania. Për t’u bindur për sa sipër, më poshtë po bëjmë disa kontraste dhe krahasime midis Gjermanisë perandorake nga viti 1914, asaj naziste deri më 8 Maj 1945 dhe Gjermanisë së sotme moderne dhe demokratike.
Dihen tashmë pasojat e mëdha tragjike njerëzore, financiare dhe materiale të Luftës së I Botërore që shpërtheu në vitin 1914 për të gjithë e sidomos për Gjermaninë.
Gjendja erdhi duke u rënduar akoma më shumë, kryesisht si pasojë e dy faktorëve madhorë të jashtëm me ndikim të drejtpërdrejtë mbi Gjermaninë. Traktati i Paqes i Versajës ( 28 Qershor 1919) vendosi sanksione tejet të rënda e praktikisht te papërballueshme për Gjermaninë. Kështu, nga 2 milion vetë më 1926, brenda 5 vjetëve papunësia atje u trefishua! Më e keqja ndodhi gjatë periudhës 1929 – 1933, kur Depresioni i Madh Ekonomik pllakosi gjithë botën dhe sidomos Gjermaninë.
Nacional-socializmi i Hitlerit po fitonte përherë e më shumë terren ndër masat e gjëra të popullsisë, si alternativa e vetme shpëtimtare për Gjermaninë e madhe.
Pas disa zhvillimeve spektakolare në të gjitha kahjet politike, miratimi i Kushtetutës së re gjermane më 11 Gusht 1919 vulosi krijimin e Republikës demokratike të Vajmarit, e quajtur kështu mbasi Asambleja Kushtetuese u mblodh në Vajmar, sepse Berlini ishte në kaos dhe anarki të plotë.
Mirëpo, ajo Kushtetutë demokratike kishte katër difekte madhore, të cilat ndikuan në dështimin e Vajmarit, duke i çelur rrugën ngjitjes ’blitz’ të Hitlerit në pushtet.
Më konkretisht, duke qenë Republikë gjysëm Presidenciale, Presidentit i jepeshin pothuajse atributet e Monarkut. Për interesa të rendit dhe sigurisë kombëtare, Presidenti mund edhe t’i delegonte Kancelarit kompetenca të caktuara. Dhe në fakt, Gjenerali i famshëm Paul von Hindenburg i delegoi Hitlerit disa kompetenca jetike për fatet e demokracisë së re gjermane. Mirëpo, pas vdekjes së tij më 2 Gusht 1924 ato u shfrytëzuan për qëllime anti-demokratike; kështu, Hitleri, mori të gjitha fuqitë presidenciale dhe nxorri jashtë ligjit partitë politike, sindikatat, shtypin, etj.
Po ashtu, Hitleri shfrytëzoi edhe klauzolën tjetër Kushtetuese, sipas të cilës, një ligj mund t’i kundërvihej edhe Kushtetutës, nëse siguronte 2/3 e votave në Parlament!
Ca më keq akoma, Kushtetuta e Vajmarit specifikonte se Kancelari Federal mund të hiqej me shumicë të thjeshtë votash nga Parlamenti. Pikërisht kjo i hapi rrugën lëvizjeve të Hitlerit në opozitë, që pas provokimit të zgjedhjeve të parakohshme, të shoqëruara me tubime histerike, me presione radikale dhe extremiste të siguronte shumicën parlamentare si Kancelar apo si Fϋhrer ( fyrer) siç u quajt më vonë. Faktori i katërt me ndikim të madh në shkeljen e “ frymës” dhe të “ gërmave “ të Kushtetutës ishte mungesa e traditës dhe dëshirës për demokraci në Gjermani. Shumë analistë dhe historianë vënë në dukje se gjermanët vlerësonin më tepër bindjen e verbër, pasivitetin, prepotencën, arrogancën dhe “ Deutsch Kulturën”. Ndaj, periudha e Vajmarit konsiderohet si “ demokraci pa demokratë” Kësisoj, Hitleri përhapi idenë se qytetaria, kultura dhe demokracia liberale ishin vlera thelbësore për Francën, Anglinë dhe vende të tjera, por jo për Gjermaninë.
Për këto dhe të tjera arsye, pas përfundimit të Luftës së II Botërore e në vijim, përvoja e dështimit të Vajmarit është “lexuar” vazhdimisht me kujdes nga politika, media dhe opinioni publik gjerman; ajo u mbajt parasysh qysh në hartimin dhe zbatimin e “ Ligjit Bazë” Kushtetues gati 77 vjet më parë. Në 146 nenet e tij ka 19 të drejta/liri themelore të paprekshme dhe të pacënueshme në çfarëdo rrethanë!
Mbi të gjitha, në 80 vitet e fundit, Gjermania ka luftuar për të zhdukur çdo gjurmë të errët të së kaluarës së saj naziste, duke u kthyer në kampione të demokracisë liberale, kontribuese madhore e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe begatisë ekonomike në botë. Dihet se në vitin 1958, bashkë me pesë vende të tjera fituese/ humbëse të Luftës së II Botërore ajo krijoi Bashkimin Europian dhe brenda 10 viteve të para të pasluftës, Gjermania u kthye në një mrekulli ekonomike me shtet të begatë social.
Madje, Gjermania jo vetëm nuk ka shfaqur apo treguar asnjë shenjë agresiviteti ndaj ndonjë vendi, por ajo renditet ndër vendet e para në botë sa i takon ndihmës për bashkëpunim dhe zhvillim, përfshirë dhe vendin tonë. Procesi i Berlinit për Ballkanin Perendimor i nisur më 2014 nga ish Kancelarja Merkel është vetëm një nga dëshmitë e reja bindëse, krahas zgjerimit të BE-së dhe pavarësimit të Kosovës.
Ndërkohë, arkitektura e sigurisë dhe e mbrojtjes në Europë dhe në botë është krejt e ndryshme nga ajo para vitit 1945, kur mbizotëronte forca. Sot, pavarësisht nga tentativat për të çbërë vazhdon të sundojë e drejta ndërkombëtare; në 80 vitet e fundit kemi OKB-në me Këshillin e Sigurimit, NATO-n, BE-në, Këshillin e Europës, OSBE-në, dhjetra organizata dhe konventa ndërkombëtare në të gjitha fushat e jetës që nuk ekzistonin përpara vitit 1945.
Ndërsa në aspektin ushtarak, që ushtria e ardhëshme gjermane më e madhe në Europë nuk do të përbëjë asnjë rrezik e dëshmon edhe historiku 70 vjeçar i Bundesvehrit i cili u krijua me autorizimin e fuqive të mëdha më 12 Nëntor 1955. Mirëpo ai nuk ndryshoi vetëm emrin ’ Wermacht’ por gjithçka tjetër; duke filluar nga emri i ri ’ Bundeswehr’, fryma, qëllimet, rekrutimi, strukturat, simbolet dhe deri te helmetat; këto të fundit u kopjuan nga ushtria amerikane dhe belge.
Bundeswehr ka qenë i pranishëm me shumë forca paqeruajtëse në shumë vatra të nxehta të botës, përfshi edhe Kosovën me miratimin e Bundestagut dhe OKB-së.
Duke u kthyer dekada mbrapa, dihet se në vitet 80 të shekullit të kaluar Gjermania Perendimore u vu në pararojë të lëvizjes mbarë europiane të pacifizimit, kundër armatimit dhe luftës. Në këtë kuadër, pas shembjes së Murit të Berlinit Gjermania e ribashkuar e reduktoi ushtrinë nga gjysëm milion në vetëm 150.000 trupa, duke i vënë gërshërën shpenzimeve ushtarake për shkaqe dhe motive tashmë të njohura.
Gjermania u detyrua të “ divorcohej” përfundimisht nga ortodoksia pacifiste vetëm pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Në muajin Mars ajo mori vendimin për krijimin e Fondit gjigand mbrojtës prej 500 Miliard Euro; më tej, bashkë me të gjitha vendet e tjera anëtare, nga 2 për qind deri tani, brenda vitit 2035 ose edhe më herët, Gjermania do të japë 5 për qind të GDP-së së saj për NATO-n; në këtë linjë ajo po rikthen me shpejtësi në punë industrinë e fuqishme ushtarake dhe ka shtuar bashkëpunimin me vendet e tjera si me Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, etj. Kësisoj, ajo po kontribuon në krijimin e Bashkimit të Madh Mbrojtës të BE-së.
Riarmatimi i fuqishëm i Gjermanisë në kuadrin e BE-së merr rëndësi edhe më të madhe, mbasi siç po tregojnë rastet e fundit, një sulm rus ndaj vendeve europiane, përfshi Gjermaninë tani nuk është më tezë hipotetike, por vetëm çështje kohe.
Në këto kushte, kërcënimi ushtarak agresiv mund të bëhet akoma më i rrezikshëm dhe konkret, nëse Gjermania bashkë me BE-në nuk merr masat e nevojshme, që Rusia të detyrohet me forcë të tërhiqet nga çdo ide agresive. Sepse, krahas dialogut dhe diplomacisë, duhet edhe frikësimi i Rusisë, ose më shqip “druri dhe dajaku”!
Këto fakte dhe krahasime dëshmojnë se nuk ka asnjë motiv që duke patur ushtrinë më të madhe në Europë, Gjermania të përsërisë historinë e kaluar tragjike.
Këtë ide e përforcoi në fjalën e tij në Munih më 13 Shkurt edhe Kancelari Merz kur deklaroi se edhe në fushën e mbrojtjes Gjermania do të jetë e para, por kursesi vetëm. Përkundrazi, Berlini do të bashkërendojë objektivat dhe përpjekjet e tij në të gjithë veprimtarinë bashkë me të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Ai e ka bërë të qartë me besueshmëri se synimi strategjik i funksionimit dhe modernizimit të Bundeswehrit tij është vetëm mbrojtja e vendit, e BE-së dhe NATO-s. Madje, kjo edhe sa i takon aspekteve të sigurimit të mburojës bërthamore.
Ja pse, procesi historik i riarmatosjes së Gjermanisë dhe Europës nuk ka pse të shkaktojë frikë dhe pasiguri, por vetë besim dhe siguri; ndaj, ai është i mirëpritur dhe sa më shpejt të realizohet, aq më mirë do të jetë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë europiane dhe më gjerë. [DITA]
