Nga Dan GASHI/Njujork
Sulmi i fundit izraelit ndaj liderëve të Hamasit në Doha i tregoi Katarit por edhe të tjerëve në rajon, sa fatal mund të jetë shërbimi dhe miqësia me sionistët.
Në skenën gjeopolitike të Lindjes së Mesme, Katari ka luajtur një rol thellësisht ambiguit, herë si ndërmjetës rajonal, herë si bashkëpunëtor strategjik i boshtit Uashington–Tel Aviv. Kjo ambivalencë nuk është as rastësore e as thjesht taktike; ajo buron nga vetë koncepti i politikës së jashtme të monarkive të Gjirit. Në thelb, kjo filozofi gjeopolitike është e rrënjosur në një mentalitet tregtar, ku përparësi i jepet stabilitetit, mbijetesës dhe përfitimeve diplomatike.
Lufta e Izraelit kundër palestinezëve e ka zhvendosur gradualisht Katarin nga neutraliteti dhe ndërmjetësimi drejt një bashkëpunimi aktiv me regjimin izraelit. Edhe pse strehon udhëheqjen politike të Hamasit, Katari nuk financon krahun e tij ushtarak, i cili mbështetet nga Irani. Mikpritja dhe logjistika diplomatike që Doha u ofron palestinezëve shërben, në fakt, si mjet për të rritur ndikimin mbi rezistencën palestineze, me qëllim orientimin e saj drejt një politike më pak armiqësore ndaj interesave izraelite dhe amerikane.
Kjo strategji është përdorur prej vitesh nën petkun e “ndërmjetësimit,” por në praktikë ka funksionuar si mekanizëm për të përmbajtur dhe kontrolluar lëvizjen kombëtare palestineze. Për vite me radhë, rrjeti Al Jazeera, i kontrolluar nga Doha, kishte qasje të privilegjuar në Rripin e Gazës, edhe nën bllokadën e rreptë të forcave izraelite. Ky privilegj nuk ishte “gjest i mirë” i Tel Avivit, por rezultat i një marrëveshjeje strategjike. Në këmbim të kësaj qasjeje, Al Jazeera shpërndante retorikë anti-iraniane në territoret e pushtuara, duke thelluar përçarjet sektare mes sunitëve dhe shiitëve, duke dobësuar nacionalizmin palestinez dhe duke i larguar palestinezët nga burimi real i mbështetjes së tyre ushtarake.
Megjithatë, ky ekuilibër filloi të thyhej kur Al Jazeera u bë platformë kryesore për ekspozimin e realitetit brutal të gjenocidit në Gaza. Kur prania mediatike e Katarit filloi të gjeneronte më shumë kosto sesa përfitime për Izraelin, regjimi i Netanyahut miratoi ligje censure, ndaloi Al Jazeerën dhe vrau disa nga gazetarët e saj.
Një tjetër element kyç i këtij paradoksi është baza Al Udeid, instalacioni më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Kjo bazë jo vetëm që strehon trupa dhe pajisje amerikane, por shërben edhe si platformë operacionale për asetet izraelite në misione të përbashkëta kundër Gazës, Hezbollahut dhe potencialisht Iranit. Prania izraelite në Katar është një “sekret publik” dhe ilustron mënyrën se si Doha është shndërruar në nyjë logjistike të arkitekturës së sigurisë rajonale të koordinuar nga Uashingtoni dhe Tel Avivi.
Në qershor, Irani ne shenje hakmarrje goditi me raketa këtë bazë, duke dhënë një mesazh të qartë se Katari kishte kaluar kufijtë e neutralitetit. Përgjigjja e Dohas ishte heshtja bashkëfajtore, duke injoruar protestat e brendshme dhe duke ruajtur rreshtimin me aleatët perëndimorë.
Ky qëndrim pasqyron paradoksin e thellë të politikës së jashtme të Gjirit edhe pse popullsitë e këtyre vendeve simpatizojnë fuqishëm kauzën palestineze, elitat vehabiste zgjedhin të akomodojnë projektet izraelite dhe amerikane, për sa kohë që kjo u garanton mbijetesën dinastive dhe stabilitetin ekonomik. Ky është reflektim i një racionaliteti politik të rrënjosur thellë në kulturën e shkretëtirës, të formuar nga shekuj të adaptimit pragmatik ndaj kërcënimeve ekzistenciale.
Por sot, në kontekstin e radikalizimit të konfliktit, ky ambiguitet nuk perceptohet më si strategji, por si servilizëm madje edhe tradhti. Duke refuzuar të definojë qartë pozicionin e vet dhe të shprehë solidaritet të hapur me kauzën palestineze dhe nacionalizmin arab, Katari rrezikon të tërhiqet në një përshkallëzim që vetë e ka krijuar.
Sulmet izraelite mbi Doha ua bënë të qartë qeverive arabe një të vërtetë të hidhur, servilizmi dhe miqësia me sionistët është një gabim fatal.