Nga Dr, Selim IBRAIMI
Para se samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) të fillonte javën e kaluar, paraprakisht ndihmësministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës, Liu Bin, tha në një konferencë për shtyp se samiti do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike këtë vit. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi, Kina, Rusia dhe India bashkë me shtetet anëtare të organizatës, i shfaqën muskujt para Perëndimit.
Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, përfundoi duke lënë të kënaqur Rusinë dhe Kinën, ndërsa zemëroi më shumë SHBA-në. Në realitet, pamjet nga Pekini tmerruan Perëndimin. Brenda një kohe të shkurtër, presidenti amerikan Donald Tramp, lëshoi akuza të ashpra në adresë të Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Frika nga lindja e rendit të ri botëror, dhe ikja e atij liberal mbështetet nga droja e SHBA-së për zhvlerësimin e dollarit amerikan nga pjesa dërmuese e botës aziatike e më gjerë. Ndërsa për paradën ushtarake kineze, presidenti Tramp tha: “Ju lutem, jepni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vlladimir Putinit dhe Kim Jongit, ndërsa konspironi kundër SHBA-së”. Trump akuzoi presidentin kinez Xi Jiping për “konspiracion kundër” SHBA-së, duke lëshuar kritika në adresë të Indisë, Rusisë etj.
Parada ushtarake, e cila shënonte 80-vjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, nga forcat aleate, ishte një arsye më shumë për presidentin amerikan Tramp të shfaqte publikisht hidhërimin me Kinën, përarsye sepse ishin SHBA-të atëherë që ndihmuan Kinën të luftonte japonezët. “Presidentit Xi dhe popullit të mrekullueshëm të Kinës ju uroj një ditë të madhe festimi”, shkroi më tej presidenti Tramp.
Ndërsa për BE-në, ngjarja pothuajse kaloi pa reagime, përshkak se javë më parë, nga samiti në mes Kinës dhe BE-së të dyja palët u pajtuan për një bashkëpunimim më të ngushtë në shumë fusha. Pavarësisht raporteve solide në mes Kinës dhe BE-së, shtetet e BE-së e kanë vlerësuar samitin, dhe paradën ushtarake si përpjekje të Kinës për një rend botëror shumëpolar. Kështu më 10 shtator, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do të mbajë një fjalim mbi gjendjen e unionit, duke përshkruar vizionin e BE-së për një të ardhme më të fortë, më konkurruese dhe më të sigurt. “Për një Evropë të sigurt me 800 miliardë euro deri në vitin 2030 për sigurinë dhe mbrojtjen e BE-së”.
Profesori i Universitetit të Çikagos, Dali Yang, tha se SCO është një nga organizatat më të shquara rajonale që Kina ka bashkëthemeluar. “Udhëheqja e Kinës, synon ruajtjen e marrëdhënieve ekzistuese në arenën ndërkombëtare, edhe pse SCO nuk ka qenë efektive në përballimin e sfidave kryesore”, tha Yang. Ndërsa për sa i përket arsenalit ushtarak të panjohur më parë, analistë të tjerë thonë se Kina po punon shumë për të krijuar përparësi ndaj SHBA-së në Paqësor. Nga ana tjetër e botës, gjatë dy dekadave të ndikimit kinez në BE dhe në Ballkan, për të kundërshtuar ndikimin e SCO-së, BE-ja ka rritur fondet përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), dhe ka ndarë 6 miliardë euro për të integruar shtetet e rajoninit në BE. BE-ja është zotuar të finansojë hekurudhën me shpejtësi të lartë Beograd-Nish, për të konkurruar me investimet kineze në infrastrukturë.
Nisma “Global Gateway” e BE-së e nisur në vitin 2021 ka për qëllim të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për projektin global “Një Brez, një Rrugë” (BRI)-të Kinës, me fokus Serbinë si një përfituese kryesore e politikave kineze. Politika e jashtme shumëvektoriale e Serbisë, duke përdorur lidhjet me Kinën dhe Rusinë për të kundërbalancuar ndikimin perëndimor i ka nxjerrë shqetësime BE-së dhe SHBA-së. Pjesëmarrja e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në samitin në Kinë, tregon për përafrimin e saj me fuqitë jo-perëndimore. Lidhjet në rritje ekonomike dhe të sigurisë të Serbisë me Kinën, deri në 4 miliardë euro investime dhe blerja e pajisjeve ushtarake kineze janë një ëndërr e keqe për Perëndimin. Sipas Trading Economics, në vitin 2023, tregtia Kinë-Serbi arriti në 6.1 miliardë dollarë, me eksportet e Serbisë në Kinë deri në 1.24 miliardë dollarë.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë (AFT), që hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 2024, eliminon tarifat për 95 përqind të eksporteve serbe dhe të 8,930 të produkteve kineze, të cilat pritet të nxisin më tej tregtinë në mes dy shteteve. Sipas raportit, në dy muajt e parë të vitit 2024, tregtia arriti në 931.3 milionë dollarë, 1.3 përqind më shumë se një vit më parë. Eksportet kryesore serbe në Kinë përfshijnë xehe dhe hi (842.59 milionë dollarë), bakër (301.04 milionë dollarë), dru (36.28 milionë dollarë), pajisje elektronike (19.76 milionë dollarë) dhe makineri (17.24 milionë dollarë).
Qeveria serbe ka njoftuar se nga viti 2014 deri në vitin 2023, Kina ka investuar afërsisht 5.5 miliardë dollarë në Serbi, duke e bërë atë një nga 10 investitorët kryesorë të Serbisë. Sa i përket historisë dhe shtrirjes globale të Kinës, dihet mirë se Kina ka ekzistuar për më shumë se dy mijë vjet me ulje-ngritjet e veta. Dinastitë kryesore që luajtën një rol të madh në forcimin e Kinës ka qenë disa, duke filluar nga Dinastia Han, Tang dhe Qing, të cilat lanë gjurmë deri në zhvillimin e sotëm kinez. Lidhur me dominimin aktual kinez dhe rënien e fuqisë së Perëndimit në sistemin politik-ekonomik ndërkombëtar, në analizën krahasuese, mund të gjejmë shenja të ngjashme të rënies në ish-fuqitë koloniale evropiane.
Me të njëjtat sfida me të cilat po përballet SHBA-ja tani me tarifat në shkallë globale, më shumë se një shekull më më parë, në fillim të viteve 1900, Mbretëria e Bashkuar u përball me reagime të kundërta të politikave të tarifave, gjë që tregon se fuqitë e mëdha të mëparshme kanë kaluar nëpër të njëjtin cikël me efekte të ndryshme në çështjet e brendshme dhe globale. Organizata e Bashkëpunimit të Shangait u themelua në vitin 2001 nga Kina, Rusia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Viteve të fundit organizata u zgjerua edhe me shtete të tjera nga rajoni aziatik. Ndërsa parada në Kinë i tregoi botës fuqinë e aleancave dhe të ardhmen e ushtrive, revista amerikane Newsweek raportoi se SHBA-të po planifikojnë të ulin sigurinë në Evropë, gjë që lë një vakum të madh për ndikim më të madh të Kinës.
Përveç të gjitha zhvillimeve ndërkombëtare në disfavor të Perëndimit, në Uashington, presidenti Tramp, me një urdhër, e ka ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departamentin e Luftës, ndërsa pasiguria në rrafshin ndërkombëtar për SHBA-në vazhdon. Kina ka një PBB prej mbi 19 trilionë dollarësh, që renditet e dyta pas SHBA-së, të cilën pritet ta tejkalojë. Megjithatë, pavarësisht të gjitha ambicieve globale, faktorë të brendshëm dhe të tjerë ndërkombëtarë mund të ndryshojnë drejtimin e vendit. Në përgjithësi Kina bashkë me organizatat si SCO mbeten një sfidë e madhe për Perëndimin.