(Modeli ruso-serb i sakralizimit të qëllimeve hegjemoniste)
Nga Dr. Arben FETOSHI
Në kontekstin e strategjisë hibride serbo-ruse, religjioni përbën një nga komponentët më të sofistikuar të fuqisë politike. Kisha Ortodokse Ruse nuk është thjesht një institucion fetar, por pjesë e arkitekturës hibride për qëllimet revizioniste të Kremlinit.
Ky model i evidentuar nga Komiteti i Helsinkit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është eksportuar dhe përshtatur nga Serbia.
Sakralizimi i revizionizmit rus
Bashkëdyzimi i shtetit me Kishën Ortodokse në Rusi konsiston në një formë të re legjitimimi të qëllimeve politike. Ato që i përjashton ligji dhe demokracia, synon t’i realizojë kisha përmes sakralizimit të politikës: Putini jo vetëm si autoritet politik, por edhe si mbrojtës i një rendi moral e civilizues.
Në këtë kontekst, Kisha Ortodokse Ruse e paraqet luftën në Ukrainë si “mbrojtje të vlerave”, e arsyeton agresionin si “detyrë historike” dhe e kornizon atë si mision shpirtëror.
Njëri nga figurat kryesore të këtij modeli, Patriarku Kirill, ka deklaruar se “konflikti s’ka të bëjë vetëm me politikën, por me mbrojtjen e botës ruse dhe vlerave të saj shpirtërore”. Si promotor i ”Botës Ruse”, ai ka predikuar se ”ata që bien duke e kryer detyrën ushtarake, do të pastrohen nga mëkatet e tyre” (Reuters, 26.09.2022). Një angazhim që derivon nga doktrina e ideologut të nacionalizmit rus, Aleksandër Dugin, për Rusinë si civilizim alternativ ndaj Perëndimit.
Pra, përmes një sërë narrativash të ndërlidhura, kisha ka shërbyer për legjitimimin e pushtetit dhe të politikave revizioniste. Shteti dhe Kisha me mision të përbashkët historik, Rusia si viktimë e Perëndimit, kërcënimi nga NATO, lufta si detyrë për mbrojtjen e ”Botës Ruse”, Rusia si civilizim kundër ”degjenerimit perëndimor”, janë disa narrativat kryesore që shpërfaqin kishës si ‘armë’ për qëllimet politike të Putinit.
Simetria e modelit etno-fetar në Serbi
Të njëjtin model misionar e ndjek Serbia në kontekstin e Ballkanit Perëndimor. Shteti dhe Kisha Ortodokse në misionin historik për ‘Botën Serbe’, duke legjitimuar pushtetin, shenjtëruar kriminelët dhe mobilizuar qytetarët përmes nacionalizmit.
Vizita e Patriarkut Porfirije më 23 prill 2025 në Moskë dhe takimet e deklaratat e tij, jo vetëm me Kirillin e përfaqësues të kishës, por edhe me Putinin, e konfirmojnë simetrinë e modelit etno-fetar për qëllimet e tyre hegjemoniste. “Perëndimi po synon ta shkatërrojë identitetin dhe kulturën serbe dhe Rusia si shpëtimtare e Serbisë”, tha Porfirije në Moskë (Nedjelnik, 23 prill 2025).
Sipas modelit të njëjtë rus – zgjatimit të vrasjes që bekon putinizmin, Porfirije e përforconte “vëllazërinë serbo-ruse” si shpëtimtare për vlerat e krishterimit dhe si garanci për interesat serbe kundrejt Kosovës në OKB.
Në të njëjtën linjë, por me konotacion tjetër fetar (shqiptarët si ekstremistë islamikë) ishte edhe deklarata e drejtorit të diplomacisë publike serbe, Arno Gujon, i cili në përvjetorin e trazirave të marsit 2004, fantazoi me kualifikimin e tyre si “krim kundër Krishterimit dhe civilizimit europian” (Kosovo Online, 17.03.2026).
Në këtë mënyrë, modeli i dyzuar shtet-kishë reflekton mekanizmin e njëjtë kundër Kosovës me narrativat mobilizuese “të tokës së shenjtë dhe djepit të Serbisë”, duke demonizuar veprimet e institucioneve si “spastrim etnik dhe politikë terrori ndaj serbëve”.
Pra, edhe në rastin e Serbisë, përdorimi i kishës është një komponent sfidues i komunikimit strategjik, për ta ruajtur narrativën e viktimizimit, për mobilizimin nacionalist, për manipulimin ndërkombëtar dhe për sabotimin e shtetit të Kosovës.
Pikërisht këtë e ka nxjerrë në pah Komiteti amerikan i Helsinkit, duke tërhequr vërejtjen që të mos neglizhohet përdorimi i fesë si ‘armë politike’ nga Rusia.

