Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Vështrimi “Konferenca e Sigurisë Mynih 2026: Rendi ndërkombëtar multipolar kundrejt rendit multivektorial” analizon transformimin aktual të sistemit ndërkombëtar në kontekstin e debatit strategjik të zhvilluar në Konferencën e Sigurisë në Mynih 2026, duke argumentuar se bota po kalon nga rendi liberal pas Luftës së Ftohtë drejt një faze tranzitore të pasigurisë strukturore.
Këtu trajtojmë konkurrencën konceptuale midis multipolaritetit, që përshkruan shpërndarjen e fuqisë ndërmjet disa qendrave globale, dhe multivektorialitetit, që shpjegon mënyrën se si shtetet orientojnë politikën e tyre të jashtme përmes drejtimesh të shumëfishta strategjike.
Analiza argumenton se multipolariteti nënkupton rikthimin e politikës klasike të fuqisë, fragmentimin e institucioneve ndërkombëtare dhe rritjen e rivaliteteve strategjike, ndërsa multivektorialiteti paraqitet si model adaptimi për shtetet — veçanërisht ato të vogla dhe të mesme — përmes diversifikimit të aleancave, partneriteteve ekonomike dhe orientimeve të sigurisë. Duke u mbështetur në teorinë realiste dhe neo-realiste, si dhe në qasjet bashkëkohore të gjeopolitikës së rrjeteve, studimi propozon konceptin e “vektorëve strategjikë” si një kornizë analitike për të kuptuar sjelljen fleksibile të shteteve në një sistem ndërkombëtar plural dhe të fragmentuar.
Në planin evropian, punimi interpreton autonominë strategjike të Bashkimit Evropian dhe modelin e “Evropës së disa rrathëve” si shprehje praktike të logjikës multivektoriale, ku integrimi nuk është më linear, por diferencues dhe funksional. Brenda këtij transformimi, hapësira shqiptare fiton rëndësi të re strategjike: Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe Kosova përmes arkitekturës euro-atlantike të sigurisë kalojnë nga periferi politike në zonë funksionale sigurie.
1. Hyrje
Konferenca e Sigurisë e Mynihut (MSC) 2026 që zhvilloi punimet e saj për tri ditë radhas [13,14 e 15 shkurt] në një moment historik tranzicioni sistemik, ku debati kryesor nuk është më vetëm mbi krizat konkrete të sigurisë, por mbi vetë arkitekturën e rendit ndërkombëtar.
Konferenca e Sigurisë në Mynih po zhvillohet në sfondin e një politike të re dhe agresive të fuqive të mëdha. SHBA-të nuk duken më si një fuqi globale e besueshme. Shih për këtë refruesit në këtë konferencë njëzëri shtruan pyetjen e ligjshme: A jemi të sigurt në Evropë?
Dy koncepte konkurrojnë për të shpjeguar dhe orientuar këtë transformim: rendi multipolar dhe rendi multivektorial.
Kjo analizë ka për objekt trajtimi sistemin ndërkombëtar (multi-) vektorial në krahasim me konceptin e një rendi ndërkombëtar (multi-)polar.
Kjo analizë është një vazhdim dhe thellim i studimeve të mia paraprake mbi rikthimin e gjeopolitikës dhe ndeshtrashat e pritshme të shteteve të vegjël.
Qëllimi i kësaj analize është të hedhë dritë mbi elementet e rendit ndërkombëtar multivektorial në kontrast me multipolaritetin, duke nxjerrë edhe konkluza se si mund të zbatohet ai në politikën e jashtme të shteteve, respektivisht çfarë ndikimi do të mund të kishte ai në procesin e krijimit të Federatës Shqiptare duke i dhënë përmasat reale që ka – nga një çështje kombëtare në variabël gjeopolitike.
2. Konferenca e Sigurisë në Mynih 2026
Wolfgang Ischinger, kryetari me shërbim të gjatë në krye të MSC-së, përdori një gjuhë jashtëzakonisht të fortë në vigjilie të konferencës. Ai deklaroi se që kur mori për herë të parë kryesinë në vitin 2008, nuk kishte pasur kurrë kaq shumë luftëra dhe konflikte njëkohësisht sa ka tani. Ish-ambasadori, duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, deklaroi si të mirëqenë një “krizë të konsiderueshme besimi dhe besueshmërie” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ai pohoi se po merremi me “sfida serioze, në disa raste sistemike”.1 Kush do ta kishte menduar këtë?
Konferenca më e rëndësishme e sigurisë në botë tashmë është shndërruar de fakto në një pasqyrë të rendit global. Në rrjedhat e zhvilimeve në frontet e luftës në Ukrainë; por edhe më ndjeshë në ndeshtrashat që po shkakton rivaliteti midis SHBA-ve dhe Kinës, me theks në dobësimin e institucioneve ndërkombëtare dhe polarizimin politik të theksuar në shoqëritë perëndimore, do të jenë temat bosht të kësaj konference historike.
Konferenca si e tillë vazhdon ruaj rolin e saj specifik: nuk është një vend për negociata formale ose miratimin e deklaratave, por më tepër një hapësirë ku takohen rivalët, testohen mesazhet politike dhe formulohen vizionet strategjike. Për këtë arsye, Mynihu shpesh bëhet një skenë ku manifestohen publikisht ndryshimet që vetëm më vonë marrin formë institucionale.
Në këtë kontekst, pritjet për konferencën aktuale janë rritur përsëri. Diskutimet rreth të ardhmes së NATO-s, autonomisë potenciale të mbrojtjes evropiane, perspektivës së luftës në Ukrainë dhe ripërcaktimit të marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën do të zhvillohen së bashku me çështjet e stabilitetit të brendshëm të demokracive perëndimore.
Fokusi programatik i konferencës pasqyron njëkohësinë e krizave globale. Të premten, axhenda përfshin multilateralizmin, sigurinë ekonomike, mbrojtjen e klimës, luftën hibride, rreziqet bërthamore dhe garën globale të inteligjencës artificiale.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut nuk simbolizon më sigurinë në kuptimin klasik, por më tepër pasigurinë e një bote në të cilën rendi i vjetër po shkatërrohet dhe ai i riu nuk është përcaktuar ende qartë.
Në fjalimin e tij, Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marko Rubio, pavarësisht dieferencave, theksoi unitetin midis SHBA-së dhe Evropës në Mynih. Wolfgang Ischinger, kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, shprehu lehtësimin e tij. Por, tute, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e bëri të qartë: SHBA-të dhe Evropa i përkasin njëra-tjetrës. Ato janë pjesë e të njëjtit qytetërim dhe të lidhura nga lidhje të thella kulturore dhe historike. Por Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pret reciprocitet, tha Rubio. Nëse është e nevojshme, SHBA-të do të krijojnë rrugën e tyre. Megjithatë, preferenca është “ta bëjmë këtë së bashku me Evropën”. Ai vazhdoi: “Ne duam që Evropa të jetë e fortë. Ne besojmë se Evropa duhet të mbijetojë”. SHBA-të gjithmonë do të “mbeten fëmijë të Evropës”.2
Megjithatë, Rubio ashtu si Vance vitin e kaluar, ai erdhi në Mynih me deklarata të qarta. Amerikanët janë të përkushtuar ndaj partneritetit me Evropën – por sipas kushteve të tyre.3 Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes të jenë administratorët e sjellshëm të rënies, tha Rubio.
Shih për ktë, tutje, pyetja thelbësore mbetet e hapur: nëse Konferenca e Sigurisë e Mynihut 2026 do të jetë më shumë sesa thjesht një klub debati i nivelit të lartë?
Historia tregon se diskutimet joformale në periferi të ngjarjes zyrtare janë shpesh më të rëndësishme sesa fjalimet kryesore. Në hapësirat e mbrojtura të hotelit Bayerischer Hof, disa nisma diskrete diplomatike janë nisur në të kaluarën. Nëse kjo do të ndodhë përsëri këtë herë, në një botë që po braktis me shpejtësi strukturat shumëpalëshe, mbetet për t’u parë.
3. Rendi multipolar: rikthimi i logjikës së fuqive të mëdha
„Under destruction“ [nën shkatërrim] është titulli i raportit për Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe mesazhi i tij është i qartë: bota siç e njihnim është një gjë e së kaluarës.4 bota siç e njihnim gjatë tri dekadave pas Luftës së Ftohtë po shpërbëhet gradualisht. Rendi ndërkombëtar liberal, i ndërtuar mbi rregulla, institucione shumëpalëshe dhe besim relativ ndërmjet aktorëve kryesorë, nuk po transformohet përmes reformave evolutive, por po hyn në një fazë erozioni strukturor.
Pavarësisht pranisë së vazhdueshme, Shtetet e Bashkuara, për vite me radhë, e kanë inkurajuar Evropën të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e vet; kjo nuk është diçka unike për administratën e Presidentit Trump. Raporti vëren se midis viteve 2021 dhe 2025, anëtarët evropianë të NATO-s rritën buxhetet e mbrojtjes me rreth 41 përqind. Ky është një ndryshim i prekshëm, megjithëse boshllëqet në aftësi vazhdojnë. Paralelisht, diskutimet rreth lidershipit evropian brenda strukturave komanduese të NATO-s sugjerojnë një rikalibrim gradual të përgjegjësive.
Ndërsa është e parakohshme ta etiketojmë këtë si një transformim strukturor, ai mund të sinjalizojë një lëvizje të vërtetë drejt të ashtuquajturës “NATO Evropiane”.5
Normat qendrore të këtij rendi — respektimi i sovranitetit, mekanizmat kolektivë të sigurisë dhe institucionet ndërkombëtare — nuk po sfidohen më vetëm retorikisht; ato po dobësohen sistematikisht ose po vihen në pikëpyetje në mënyrë të qëllimshme nga vetë aktorët shtetërorë. Në vend të gradualizmit institucional, politika ndërkombëtare po karakterizohet gjithnjë e më shumë nga rikthimi i politikës së fuqisë, rivaliteti strategjik dhe prioritizimi i interesave kombëtare afatshkurtra.
Raporti i Sigurisë i Mynihut 2026 përshkruan një realitet global ku besimi ndërmjet shteteve është në rënie, ndërsa bashkëpunimi shumëpalësh po humbet legjitimitetin politik dhe mbështetjen shoqërore. Një tendencë veçanërisht shqetësuese është gatishmëria në rritje e aktorëve politikë për të çmontuar struktura ekzistuese sigurie pa ofruar alternativa të qëndrueshme institucionale. Ky proces prek jo vetëm organizatat ndërkombëtare, por edhe partneritetet tradicionale dhe garancitë e sigurisë që për dekada konsideroheshin të qëndrueshme.
Në këtë kuptim, rendi multipolar nuk paraqitet si një sistem i ri i stabilizuar, por si një fazë tranzitore e pasigurisë strategjike, ku fuqitë e mëdha rikthehen si aktorë dominues dhe konkurrenca gjeopolitike zëvendëson gradualisht logjikën e bashkëpunimit universalist.
Për Evropën, raporti paralajmëron pasoja të thella. Ndryshimet në balancat globale të fuqisë, luftërat e vazhdueshme në periferi të kontinentit dhe pasiguritë në marrëdhëniet transatlantike imponojnë një domosdoshmëri të re: forcimin e kapaciteteve autonome në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Evropa nuk mund të mbështetet më ekskluzivisht në arkitektura të trashëguara sigurie; ajo duhet të zhvillojë aftësi veprimi strategjik të pavarur.
Në këtë kontekst, bëhet edhe më e qartë urgjenca strategjike për dy republikat shqiptare — Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosovës. Transformimet e rendit ndërkombëtar nuk janë zhvillime abstrakte globale; ato prodhojnë pasoja konkrete për hapësirat periferike të Evropës, veçanërisht për rajone me kapacitete të fragmentuara shtetërore dhe peshë të kufizuar negociuese.
Rikthimi i logjikës së fuqive të mëdha nënkupton se siguria nuk garantohet më automatikisht nga normat ndërkombëtare, por nga koherenca strategjike dhe kapaciteti institucional. Në një mjedis të tillë, fragmentimi politik shndërrohet në vulnerabilitet strukturor, ndërsa koordinimi dhe integrimi funksional bëhen kushte mbijetese strategjike.
Prandaj, sfida për hapësirën shqiptare nuk është vetëm adaptimi ndaj rendit multipolar, por ndërtimi i një forme të re veprimi politik që mund të përballojë pasigurinë sistemike — një arkitekturë bashkëpunimi që rrit kapacitetin kolektiv për siguri, zhvillim dhe përfaqësim ndërkombëtar.
Në një botë ku rendi i vjetër po shpërbëhet dhe ai i riu ende nuk ka marrë formë të qartë, pyetja thelbësore nuk është më nëse ndryshimi do të ndodhë, por nëse aktorët e vegjël do ta përballojnë atë si objekte të politikës globale apo si subjekte strategjike të saj.
Rendi ndërkombëtar po vihet nën presion në rritje: Normat qendrore, mekanizmat dhe institucionet e rendit botëror të bazuar në rregulla jo vetëm që po sfidohen, por po dobësohen ose vihen në pikëpyetje qëllimisht.6 Në vend të reformave graduale, qasjet politike shkatërruese, politika e fuqisë dhe interesat kombëtare afatshkurtra po formësojnë gjithnjë e më shumë veprimin ndërkombëtar.
Nëse raporti i MSC-së paralajmron për pasojat e përmasave të gjera për Evropën në dritën e ndryshimeve gjeopolitike të fuqisë, luftërave të vazhdueshme dhe pasigurive në rritje në marrëdhëniet transatlantike, forcimi i aftësive të saj në politikën e jashtme dhe të sigurisë është i nevojshëm7, është më se e qartë se dy republikat tona [Shqipëria politike dhe Republika e Kosoëvs] çfarë urgjence kanë për të përballuar këto pasoja të pritshme.
3.1 Karakteristikat kryesore
- Balancë klasike fuqie (balance of power)
- Rivalitet strategjik afatgjatë
- Fragmentim i institucioneve ndërkombëtare
- Rajonalizim i sigurisë
- Rritje e politikës së deterrencës ushtarake
Në këtë kuptim, lufta në Ukrainë dhe tensionet SHBA–Kinë shihen si simptoma të një sistemi që po rikthehet drejt logjikës së shekullit XIX, por me teknologji të shekullit XXI.
Multipolariteti presupozon stabilitet përmes ekuilibrit — por edhe rrezik më të madh për përplasje strukturore.
4. Vektorët në Marrëdhëniet Ndërkombëtare: Një kornizë teorike për analizën e Rendit multivektorial
Në kushtet e transformimit të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë dhe veçanërisht në dekadën e tretë të shekullit XXI, analiza klasike e aleancave binare apo e blloqeve ideologjike rezulton gjithnjë e më e pamjaftueshme. Sjellja e shteteve nuk mund të shpjegohet më vetëm përmes kategorive tradicionale të aleancës dhe kundër-aleancës. Në këtë kontekst, koncepti i vektorëve strategjikë paraqitet si një instrument analitik që mundëson kuptimin e orientimeve të shumëfishta të politikës së jashtme.
Vektorët përfaqësojnë drejtimet e diferencuara të angazhimit ndërkombëtar të një shteti — në siguri, ekonomi, teknologji dhe identitet politik — të cilat zhvillohen paralelisht dhe jo domosdoshmërisht në mënyrë ekskluzive.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, “vektorët” janë një metaforë analitike e marrë nga fizika dhe matematika, që përdoret për të përshkruar drejtimet strategjike të politikës së jashtme të një shteti.
Pra, një vektor nuk është aktor apo institucion — por një drejtim orientimi politik, ekonomik, ushtarak ose civilizues.
Kuptimi etimologjik i fjalës vektor vjen nga latinishtja dhe rrjedh nga fjala latine “vector” (bartës), e cila njihet edhe si “vehere” (të bartësh) (Portali i Gjuhës Kroate, 2026). “Koncepti i vektorit u zhvillua nga teoria e gjatësive të drejtuara. Një gjatësi e drejtuar AB është një gjatësi AB me një pikë fillimi të përcaktuar A dhe një pikë fundore B dhe përfaqësohet grafikisht nga një shigjetë nga A në B” (Enciklopedia Kroate, 2026). Çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën/diplomacinë e jashtme?
Një vektor në politikën ndërkombëtare përbëhet nga tre elemente:
- Drejtimi – kahu gjeopolitik (p.sh. drejt NATO-s, Kinës, BE-së).
- Intensiteti – niveli i angazhimit ose varësisë.
- Qëllimi strategjik – interesi që synohet të arrihet.
Pra, një shtet mund të ketë më shumë se një vektor njëkohësisht.
Kuptimi etimologjik dhe matematik i vektorit rezulton veçanërisht i rëndësishëm në analizën e shkencës politike të marrëdhënieve ndërkombëtare. Vektori tregon një orientim të politikës së jashtme të drejtuar që ka një pikënisje të qartë në interesat kombëtare, identitetin dhe burimet e shtetit A (pika A) dhe është i drejtuar drejt shteteve të tjera specifike B, C, D, etj.8
Në këtë kontekst është e qartë, një shtet mund të ndjekë:
- Vektor sigurie → bashkëpunim me NATO-n
- Vektor ekonomik → investime nga Kina
- Vektor energjetik → marrëdhënie me Lindjen e Mesme
- Vektor politik → integrim në BE
Kjo quhet politikë multivektoriale.
5. Multipolariteti vs Multivektorialiteti
| Koncepti | Çfarë përshkruan |
|---|---|
| Multipolariteti | Strukturën e sistemit global (shumë qendra fuqie) |
| Multivektorialiteti | Sjelljen strategjike të shteteve brenda këtij sistemi |
Ky koncept aplikohet gjithnjë e më shumë meqë realiteti i sotëm nuk është më bardhë-zi (Lindje vs Perëndim). Nëdrkaq në anën tjetër, shshtete nuk duan aleanca ekskluzive, të tjerat kërkojnë autonomi strategjike, të tretët po diversifikojnë partnerët për të reduktuar rrezikun.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, vektorët janë drejtimet e diferencuara të orientimit strategjik përmes të cilave një shtet shpërndan marrëdhëniet e tij të sigurisë, ekonomisë dhe diplomacisë për të maksimizuar autonominë dhe sigurinë në një sistem ndërkombëtar plural.
Vektorët shërbejnë për të analizuar këtë politikë të balancimit fleksibël.
Kjo marrëdhënie është e matshme dhe shprehet në një nivel politik, ushtarak, ekonomik ose normativ.
5.1 Bazat teorike në realizëm dhe neo-realizëm
Në traditën e realizmit klasik (Hans Morgenthau), politika ndërkombëtare konceptohet si garë për fuqi brenda një sistemi anarkik. Aleancat janë instrumentale dhe të përkohshme, të orientuara nga interesi kombëtar. Kjo premisë krijon bazën për të kuptuar vektorët si drejtime fleksibile të maksimizimit të fuqisë.
Neo-realizmi strukturor i Kenneth Waltz-it e zhvendos fokusin nga natyra njerëzore te struktura e sistemit ndërkombëtar. Në një sistem multipolar, shtetet kërkojnë balancim për të shmangur dominimin nga një fuqi e vetme. Megjithatë, në realitetin bashkëkohor, balancimi nuk realizohet më vetëm ushtarakisht; ai shpërndahet në disa fusha njëkohësisht.
Kështu, vektorët mund të interpretohen si:
- balancim sektorial, jo vetëm strategjik;
- kombinim i balancing dhe hedging;
- mekanizëm për reduktimin e pasigurisë strukturore.
Shteti nuk zgjedh vetëm një aleancë, por ndërton një arkitekturë marrëdhëniesh të shumëdrejtuara.
5.2 Gjeopolitika e rrjeteve dhe transformimi i hapësirës së fuqisë
Qasjet bashkëkohore të gjeopolitikës — veçanërisht koncepti i gjeopolitikës së rrjeteve (network geopolitics) — sfidojnë modelin territorial tradicional të fuqisë.
Në vend të kontrollit të hapësirës fizike, fuqia matet përmes:
- rrjeteve ekonomike,
- zinxhirëve të furnizimit,
- infrastrukturës digjitale,
- rrjeteve energjetike dhe teknologjike.
Në këtë kontekst, vektorët përfaqësojnë nyje lidhjeje (nodes of connectivity) në rrjetin global.
Një shtet mund të jetë:
- i integruar në rrjetin e sigurisë euro-atlantike,
- pjesë e rrjeteve tregtare aziatike,
- i lidhur energjetikisht me rajone të tjera.
Pra, politika e jashtme nuk është më linearitet territorial, por pozicionim brenda rrjeteve të ndërvarura.
Vektori bëhet kështu një njësi analize e marrëdhënieve në epokën e globalizimit të fragmentuar.
6. Autonomia strategjike evropiane dhe logjika multivektoriale
Debati mbi autonominë strategjike evropiane brenda Bashkimit Evropian pasqyron në mënyrë të qartë logjikën multivektoriale.
Autonomia strategjike nuk nënkupton shkëputje nga aleancat ekzistuese, por:
- diversifikim kapacitetesh,
- reduktim varësish kritike,
- aftësi veprimi të pavarur në fusha të caktuara.
Evropa synon të ruajë vektorin transatlantik (SHBA/NATO) krahas vektorit ekonomik global, por edhe vektorin teknologjik sovran dhe vektorin energjetik alternativ.
Kjo tregon se multivektorialiteti nuk është strategji vetëm e shteteve të vogla; ai po bëhet paradigmë edhe për aktorë të mëdhenj integrues.
Një politikë e jashtme shumëvektoriale, pra, i përshtat veprimet e një shteti me interesat e tij kombëtare në marrëdhëniet e tij me të gjitha shtetet e tjera që kontribuojnë në realizimin e këtyre interesave kombëtare. Shembulli klasik: Danimarka mund të kishte hyrë në një marrëdhënie vektoriale me çdo aktor tjetër që mbron interesat e Danimarkës në Groenlandë, ashtu si Kanadaja e përafroi politikën e saj të jashtme me Kinën për të kompensuar marrëdhëniet negative me SHBA-në. Ose merrni për shembull Indinë, e cila ka marrëveshje bashkëpunimi me BE-në, SHBA-në dhe Rusinë, ndërsa njëkohësisht i përket Komonuelthit me Mbretërinë e Bashkuar.
6.1 Nga integrimi linear te integrimi diferencues
Për dekada, integrimi evropian u konceptua si proces linear: të gjithë drejt të njëjtit destinacion institucional. Sot po shfaqet një paradigmë tjetër:
- rrathi i brendshëm → bashkëpunim i thelluar në siguri dhe mbrojtje,
- rrathi ndërmjetës → integrim ekonomik dhe institucional gradual,
- rrathi periferik → partnerë strategjikë të lidhur funksionalisht me BE-në.
Kjo nuk është krizë e BE-së, por adaptim ndaj realitetit multipolar.
Koncepti i një Evrope me “gjeometri të ndryshueshme” — apo i ashtuquajtur edhe modeli i Evropës së disa rrathëve — shënon një transformim thelbësor të projektit evropian. Ai sinjalizon kalimin nga ideja e integrimit uniform drejt një arkitekture fleksibile, ku shtetet nuk ecin më domosdoshmërisht me të njëjtin ritëm, por sipas gatishmërisë politike, kapaciteteve dhe interesave strategjike.
Në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ky model nënkupton një realitet të ri: Evropa nuk pret më konsensus të plotë për të vepruar. Vendet që janë të gatshme avancojnë përpara në iniciativa konkrete, ndërsa të tjerat bashkohen më vonë. Konferenca e Sigurisë në Mynih duket se e ka institucionalizuar praktikisht këtë logjikë, sidomos përmes modelit të “koalicionit të të gatshmëve” në mbështetje të Ukrainës dhe përpjekjes për forcimin e shtyllës evropiane brenda NATO-s.
Theksi i Massolo-s — se nuk ekziston alternativë reale ndaj NATO-s dhe se autonomia evropiane duhet të zhvillohet brenda saj — përbën pikën kyçe të këtij transformimi strategjik.
6.2 Çfarë nënkupton kjo për shqiptarët?
Për hapësirën shqiptare (Shqipërinë dhe Kosovën), ky zhvillim ka pasoja strategjike të drejtpërdrejta.
a) Fundi i pritjes pasive për anëtarësim
Në modelin e ri evropian, integrimi nuk është më vetëm anëtarësim formal, por pjesëmarrje funksionale paraprake.
Kjo krijon një mundësi historike:
- të integrohesh në politika konkrete sigurie dhe mbrojtjeje edhe pa qenë ende anëtar i plotë i BE-së.
Pra, statusi juridik nuk është më pengesë absolute për integrim real.
b) Rëndësia e shtyllës euro-atlantike
Meqenëse autonomia evropiane zhvillohet brenda NATO-s:
- Shqipëria (anëtare e NATO-s) fiton peshë strategjike më të madhe;
- Kosova, përmes partneritetit të sigurisë dhe pranisë ndërkombëtare, bëhet pjesë indirekte e arkitekturës euro-atlantike.
Në këtë kuptim, hapësira shqiptare shndërrohet nga periferi politike në zonë funksionale sigurie.
7. Impakti mbi konceptin e Federatës Shqiptare
Europa e rrathëve e ndryshon edhe kuptimin e bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë.
Federata ose integrimi funksional shqiptar nuk do të ishte më projekt jashtëevropian, por një mekanizëm për hyrje më të shpejtë në rrathët e avancuar evropianë.
Sepse BE-ja e re do të favorizonte aktorë rajonalë koherentë, ashtu si edhe hapësira të integruara ekonomikisht dhe partnerë sigurie të besueshëm.
Një hapësirë shqiptare e koordinuar institucionalisht përshtatet natyrshëm me këtë logjikë.
Koncepti i autonomisë strategjike evropiane krijon një hapësirë të re për aktorë rajonalë koherentë.
Një Federatë Shqiptare mund të:
- kontribuojë në sigurinë periferike të Evropës,
- stabilizojë kufirin juglindor të kontinentit,
- shërbejë si partner operacional në politikat e mbrojtjes dhe energjisë.
Në këtë mënyrë, federata nuk do të ishte alternativë ndaj integrimit evropian, por instrument për ta përshpejtuar atë.
Si një komb i vogël në një botë multipolare, shqiptarët pavarësisht se nuk paraqesin një pol, që do të thotë se nuk posedojnë fuqi të mjaftueshme ushtarake, ekonomike ose politike, të strukturuar në një Federatë të përbërë nga dy republikat ekzistuese, në koordinim me partnerët e tyre, sidomos në aleancë me Kroacinë dhe Britaninë e Madhe, mund të formësojnë në mënyrë solide rregullat dhe strukturën globale të sistemit ndërkombëtar në përputhje me interesin nacional.
Kjo do të thotë që Federata Shqiptare mbetet e kufizuar në rrafshin strukturor nga marrëdhëniet dhe aktivitetet e fuqive të mëdha, qendrat e poleve, dhe duhet të përshtatet me hierarkinë e fuqisë që përcakton fushëveprimin e saj brenda atij poli ose blloku.
Multipolariteti do të përfaqësonte një kontekst të politikës së jashtme për Federatën Shqiptare në të cilin ekzistojnë qendra të ndryshme pushteti brenda blloqeve. Në këtë kuadër, është e nevojshme të zhvillohen dhe balancohen interesat dhe marrëdhëniet midis këtyre blloqeve. Megjithatë, është e pamundur të krijohen thjesht marrëdhënie me vendet jashtë një poli/blloku të caktuar, pasi blloqet nuk lejojnë një balancim strategjik të interesave kombëtare, por përkundrazi promovojnë bindjen ndaj bllokut.
Në praktikë, kjo do të thotë që Federata Shqiptare, megjithëse nuk do të ishte vetë një qendër fuqie, ajo do të mund të përdorte politikën e jashtme si një instrument për të maksimizuar autonominë dhe sovranitetin, për të siguruar sigurinë, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe politik dhe për të garantuar përmbushjen e interesave kombëtare, të cilat duhet të përcaktohen në dokumente të reja strategjike dhe doktrinare shtetërore.
8. Federata Shqiptare: nga një çështje kombëtare në variabël gjeopolitike
Ideja e një Federate Shqiptare, si formë bashkërendimi funksional midis Shqipërisë dhe Kosovës, nuk mund të analizohet më vetëm në kuadër historik apo identitar. Në kushtet e transformimit të rendit ndërkombëtar, ajo shfaqet si një variabël strategjike brenda një sistemi që po kalon nga unipolariteti liberal drejt një konfigurimi multipolar dhe një praktike gjithnjë më të përhapur multivektoriale.
Pyetja qendrore nuk është më a është e mundur federata, por çfarë funksioni strategjik do të kishte ajo në arkitekturën e re ndërkombëtare?
Në një rend multipolar, fuqia globale shpërndahet ndërmjet disa poleve kryesore (SHBA, Kina, BE,
Rusia dhe fuqitë rajonale). Për shtetet e vogla dhe të mesme, sfida kryesore është shmangia e margjinalizimit.
Në këtë kontekst, një federatë Shqipëri–Kosovë do të prodhonte:
a) Konsolidim të kapacitetit shtetëror
- bashkim tregu dhe resursesh njerëzore,
- koordinim diplomatik,
- rritje të peshës negociuese ndërkombëtare.
b) Rritje të relevancës strategjike rajonale
Federata do të shndërrohej në:
- nyje stabiliteti në Ballkanin Perëndimor,
- korridor lidhës Adriatik–Ballkan–Evropë Qendrore,
- partner më koherent për NATO-n dhe BE-në.
Në logjikën realiste, madhësia relative dhe koherenca institucionale rrisin sigurinë — federata do të ishte një formë balancimi përmes integrimit.
Ndryshe nga multipolariteti, rendi multivektorial fokusohet në mënyrën se si shtetet navigojnë ndërmjet fuqive.
Federata Shqiptare do të kishte potencial të zhvillonte disa vektorë paralelë:
| Vektori | Orientimi strategjik |
|---|---|
| Siguri | NATO dhe partneriteti transatlantik |
| Integrim | Bashkimi Evropian |
| Ekonomik | korridore tregtare euro-mesdhetare |
| Energjetik | diversifikim Adriatik–Ballkan |
| Teknologjik | integrim në rrjetet digjitale evropiane |
| Diasporik | kapital social global shqiptar |
Kjo do ta kthente federatën në një aktor multivektorial funksional, jo në një projekt ekskluziv gjeopolitik.
9. Përfundim: Federata si aktor i rendit në formim
Në një botë ku rendi liberal po transformohet dhe rivalitetet globale po shtohen, shtetet e vogla mbijetojnë përmes koherencës dhe fleksibilitetit strategjik.
Federata Shqiptare mund të konceptohet si një përgjigje adekuate ndaj multipolaritetit (rritje kapaciteti), si instrument i multivektorialitetit (diversifikim strategjik), si nyje e gjeopolitikës së rrjeteve (lidhshmëri) dhe si kontribues në autonominë strategjike evropiane.
Prandaj, rëndësia e saj nuk qëndron vetëm në bashkimin politik, por në potencialin për t’u bërë aktor racional i një rendi ndërkombëtar pa qendër të vetme graviteti.
______________________________
1. https://www.kettner-edelmetalle.de/news/munchner-sicherheitskonferenz-2026-wenn-die-weltordnung-brockelt-und-europa-hilflos-zuschaut-12-02-2026
2. https://www.spiegel.de/ausland/muenchner-sicherheitskonferenz-rubio-betont-zusammenhalt-von-usa-und-europa-a-bd78fc9c-f160-4ead-ad2d-ff1957668c80
3. https://www.nzz.ch/international/rubio-an-der-sicherheitskonferenz-in-muenchen-usa-brauchen-europa-als-partner-ld.1924667
4. https://www.swr.de/kultur/gesellschaft/die-muenchner-sicherheitskonferenz-zu-viele-gefahren-im-fokus-forum-2026-02-13-100.html
5. https://thegeopost.com/analiza/veshtrime-mbi-sigurine-evropiane-nga-raporti-i-sigurise-i-mynihut/
6https://www.linkedin.com/pulse/weltordnung-im-stresstest-hanns-seidel-stiftung-qqcaf/
7. https://www.linkedin.com/pulse/weltordnung-im-stresstest-hanns-seidel-stiftung-qqcaf/
8. ttps://www.geopolitika.news/analize/visepolarni-vs-visevektorski-medunarodni-poredak/
