Nga Dan GASHI
Në rrethanat e reja gjeopolitike dhe në klimën gjithnjë e më konfrontuese ndërkombëtare, Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK) ka për qëllim të vazhdojë “Doktrinën Monroe” me modifikimet e nevojshme, konform rrethanave dhe realitetit të ri gjeopolitik botëror.
Presidenti Trump e paralajmeroi konceptin e kësaj strategjie në fjalimin e tij në Riad në maj të këtij viti, duke shfaqur mënyrën e tij transaksionale të formulimit të politikave; arritjen e paqes përmes tregtisë, në vend të diplomacisë dhe luftës. Kjo qasje u definua edhe më mirë në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare” të SHBA-së të 4 dhjetorit, duke u formuluar në terma të “sferave të ndikimit” në vend të hegjemonisë, dhe në menaxhimin e interesave financiare të palëve të interesuara. Frazeologjia e një “rendi të bazuar në rregulla, standarde të demokracisë dhe vlera perëndimore” është shmangur tërësisht.
Thelbi i gjeopolitikës së Trump-it, “paqe përmes tregtisë”, është një përpjekje për të shmangur rrezikun e kolapsit të SHBA-ve, që kanos edhe të ardhmen globale. Sipas metaforës së Atlasit që mban globin mbi supe, Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë ta mbajnë më tej barrën globale të vetmet.
Përqendrimi i kësaj strategjie është gjetja e zgjidhjeve për vështirësitë ekonomike që e kanë sjellë SHBA-në në këtë gjendje, si: borxhi në rritje dhe një model fiskal jashtë kontrollit, i cili, në mungesë të një zgjidhjeje, do të çonte potencialisht në shpërbërjen e SHBA-së si superfuqi. Çështja thelbësore mbetet se si të financohet dhe të mirëmbahet superfuqia botërore përballë një realiteti ekonomik të mbingarkuar dhe të keqpërdorur.
Përpjekja për ta lënë Kinën jashtë ciklit ekonomik dështoi, sepse ajo u përshtatë dhe forcoi ekonomië e saj. Në rastin e Kinës, kjo rriti rëndësinë e saj në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Ky realitet i ri ka sjellë një ndryshim të dukshëm drejt një “modeli” të ndryshëm nga ai i dominuar deri më tani nga SHBA-ja. Konkluzioni që del nga kjo strategji është se pa dominimin në fluksin e kapitalit, pa investimet masive në infrastrukturë drejt ekonomisë amerikane dhe pa hegjemoninë e vazhdueshme të dollarit, SHBA-ja do të ballafaqohet me probleme ekzistenciale.
“Strategjia e Sigurisë Kombëtare” nuk është një tërheqje nga pozita e superfuqisë, por një adaptim i modifikuar i Doktrinës Monroe për vazhdimësinë e dominimit amerikan. Ky synim shihet qartë në hyrje të dokumentit:
“Elitat e politikës së jashtme amerikane, të bindura se dominimi i përhershëm global ishte në interesin më të mirë të vendit tonë… kishin mbivlerësuar aftësinë e Amerikës për të financuar njëkohësisht një shtet masiv rregullator-administrativ të mirëqenies sociale, së bashku me një kompleks masiv ushtarak, diplomatik, të inteligjencës dhe të ndihmës së huaj.”
Strategjia e re vendos çështjen e financimit të politikës së jashtme në plan të parë, duke sulmuar ashpër sistemin e tregtisë së lirë. Trump ia hedh fajin kryesor administratave të mëparshme, veçanërisht atyre të Klintonit, Obamës dhe Bidenit: “Ata bënë baste jashtëzakonisht të gabuara dhe shkatërruese mbi globalizmin dhe të ashtuquajturën ‘tregti të lirë’, të cilat asgjësuan klasën e mesme dhe bazën industriale nga e cila varet epërsia ekonomike dhe ushtarake amerikane.”
Ky aspekt përbën ndryshimin më radikal të kursit. Ai ka të bëjë me dy arkitektura alternative ekonomike: sistemi britanik i “tregtisë së lirë” i mbështetur nga Adam Smith, kundrejt “Sistemit Amerikan” të mbështetur nga Alexander Hamilton. Dokumenti i SSK-së përfshin një refuzim të qartë të tregtisë së lirë dhe përmend specifikisht emrin e Hamiltonit.
“Sistemi Amerikan” nuk e ka origjinën në SHBA; ai u përpunua për herë të parë nga ekonomisti gjerman Friedrich List në shekullin e 19-të. Por sistemi fitoi etiketën “Amerikan” sepse u praktikua në SHBA për rreth 150 vjet përmes tarifave, subvencioneve dhe barrierave tregtare për të mbrojtur industrinë vendase. Trumpi i është referuar shpesh përdorimit të tarifave nga Hamiltoni si mjet për rimëkëmbje.
Problemi është se kalimi në një model ekonomik të mbyllur ngjashëm me atë që kanë bërë Kina dhe Rusia për t’u mbrojtur nga lufta financiare, kërkon dekada, ndërsa Trumpi është në garë me kohën. Kontradikta më e dukshme në strategjinë e tij transaksionale është se si do të shitet borxhi amerikan (bonot e thesarit) për të financuar buxhetin, kur kërkesa për dollarë në tregtinë ndërkombëtare është në rënie. Tarifat, megjithëse synojnë investimet e huaja, në fund paguhen nga konsumatori amerikan dhe janë inflacioniste.
Si pritet të funksionojë kjo qasje biznesi gjeopolitikisht? Në Ukrainë, “qasja e biznesit” supozon se zgjidhja e konfliktit kërkon një sistem ku mundësia për përfitim financiar vazhdon. Problemi shihet si një ndarje e “tortës ekonomike të Ukrainës” midis “palëve të interesuara”. Në këtë skenar, Rusia merr territorin, zyrtarët ukrainas vazhdojnë përfitimet, BE-ja ruan ndikimin financiar dhe politikanët amerikanë përdorin “projektet e rimëkëmbjes” për qarkullim kapitali.
Megjithatë, Rusia ka interes ekzistencial për një brez sigurie dhe mposhtjen e NATO-s, ndërsa elitat evropiane shpresojnë te një disfatë ruse për ta rikthyer atë në treg absolut të BE-së. Ndërkohë, SHBA-ja kërkon që evropianët të riarmatosen deri në vitin 2027, duke u lënë atyre menaxhimin e zonave të tyre, por duke u imponuar tarifa dhe kontrata ekskluzive për kompanitë amerikane.
Fokusi kryesor mbetet Hemisfera Perëndimore. Trumpi kërkon të zbatojë “Doktrinën Monroe” për të larguar kompanitë e huaja, veçanërisht ato kineze, nga infrastruktura e rajonit. Këtë e shohim në Venezuelë. Maduro i ofroi SHBA-së kontrata preferenciale për naftën dhe arin si dorëzim të sovranitetit ekonomik, por administrata Trump e refuzoi. Qëllimi nuk është thjesht nafta, por kontrolli mbi arkitekturën ekonomike të Amerikës Latine.
Vitet e fundit, Kina ka ndërtuar në Venezuelë zinxhirë furnizimi dhe porte rezistente ndaj sanksioneve. Frika e Uashingtonit është se bota po largohet nga sistemi i dollarit dhe FMN-ja. Venezuela është përplasja e parë e luftës për formësimin e arkitekturës ekonomike të ardhshme, një lojë simbolike ku mbetet të shihet nëse do të përdoren mjetet ekonomike apo ato ushtarake për zbatim.
