Nga Dr. Selim IBRAIMI
Hapësira dhe interesi kombëtar janë të lidhura ngushtë. Historikisht ambicet territoriale kanë përcaktuar strategjinë gjeopolitike. Për shembull, Mbretëria Maqedonase e Filipit dhe Aleksandrit të Madh e konsideronte strategjinë e pushtimit të territoreve të reja si thelbësore dhe një mjet prestigji për të treguar imazhin e perandorisë dhe forcës. Në shekullin e 21, kjo pamje ka ndryshuar në një mënyrë shumë përcaktuese për formën se si veprojnë shtetet në sistemin ndërkombëtar. Që nga 1945-ta, Perëndimi është bazuar në argumentet e së drejtës ndërkombëtare.
Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar me ardhjen e presidentit të SHBA-së Donald Trump në vitin 2025. Zhvillimet ndryshuan drejtim pas ngjarjeve në Venezuelë më 3 janar 2026 dhe pas diskutimeve të tensionuara për të ardhmen e Grenlandës. Si duket kjo përçarje në deklaratat publike në vitin 2026? Boshti transatlantik është tronditur tashmë në mandatin e tij të dytë.
Në të dyja anët e Atlantikut, marrëdhëniet janë përkeqësuar. Ngjarjet aktuale kanë nxjerrë në dritë nëse vërtet kemi nevojë për të drejtën ndërkombëtare. Sjellja e fundit nga shtetet ka vënë në pikëpyetje të drejtën ndërkombëtare ekzistuese, duke e zëvendësuar atë ose duke e bazuar atë në nevojat dhe interesat e tyre pa asnjë përgjegjësi. Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten gjatë një takimi në Shtëpinë e Bradhë me ekzekutivët e kompanive të naftës se do të bëjmë diçka për Grenlandën, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo.
“Nëse nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin Grenlandën, dhe do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinjë”. “Do të doja të bënim një marrëveshje në mënyrën më të lehtë. Por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë.” “Unë jam një tifoz i Danimarkës… por, e dini, fakti që ata kishin një anije atje 500 vjet më parë nuk do të thotë se ata e zotërojnë tokën.”
“NATO duhet ta kuptojë këtë. Unë jam plotësisht për NATO-n. Unë e shpëtova NATO-n. Po të mos isha unë, nuk do ta kishit NATO-n tani”. Në një deklaratë, më vonë kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ndër të tjera tha se udhëheqësit e partive politike të Grenlandës dëshirojnë edhe një herë të nënvizojnë qëndrimin tonë të vendosur se shpërfillja e SHBA-së për vendin tonë duhet të marrë fund.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë. Ne nuk duam të jemi danezë. Ne duam të jemi grenlandezë. Grenlanda është një vend i qeverisur në përputhje me Aktin e Vetëqeverisjes dhe të drejtën ndërkombëtare”. “E ardhmja e Grenlandës duhet të vendoset nga populli i Grenlandës…”. Në këtë drejtim, presidenti i Turqisë Rexhep T. Erdogan në një fjalim tha se bota perëndimore po humbet gradualisht, një nga një. “Tani jemi në qendër të një lufte të pamëshirshme për përçarje, ku ata që nuk janë në tryezë vendosen në menu”.
Zv. presidenti amerikan JD Vance në një paraqitje nga Shtëpia e Bardhë po ashtu tha: “Po u kërkojmë miqve tanë evropianë ta marrin më seriozisht sigurinë, sepse nëse nuk e bëjnë, SHBA do të duhet të bëjnë diçka për këtë.” “Merreni seriozisht presidentin e SHBA-së. Lërini mënjanë reagimet e tepruara nga shtypi dhe disa njerëz në Evropë”. Çfarë ka thënë presidenti? “Grenlanda është me të vërtetë e rëndësishme, jo vetëm për mbrojtjen raketore të Amerikës, por edhe për mbrojtjen raketore të botës”.
“Së dyti, ne e dimë se ka kundërshtarë armiqësorë që kanë treguar shumë interes në atë territor të veçantë, atë pjesë të veçantë të botës”, tha zv. presidenti amerikan. Në kundërshtim me ish- partiakët e dikurshëm, ish-zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence në një intervistë dhënë CNN-it tha: “Danimarka është një aleate e NATO-s. Pavarësisht disa komenteve që janë bërë ditët e fundit, fakti është se një sulm ushtarak kundër një aleati të NATO-s do të kërkonte aktivizimin e neneve, dhe çdo aleat i NATO-s do të thirrej ose të tërhiqej nga NATO ose të vinte në mbrojtje të atij vendi.” Richard Stengel, ish-nënsekretar i Shtetit në administratën e presidentit Barak Obama në X, tha: “Ne kemi një marrëveshje të fortë 75-vjeçare mbrojtëse me Danimarkën që na jep akses ekskluziv dhe të plotë ushtarak në Grenlandë për sigurinë tonë.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kishim 50 baza atje; sot kemi vetëm 1. Megjithatë, sot, a kemi nevojë ta pushtojmë atë për sigurinë tonë? Nuk ka kuptim. Nëse do të ishte kaq jetike, do të kishim më shumë se një bazë të vetme atje.” Ndërkaq ambasadori amerikan në NATO Matthew Whitaker theksoi se Grenlanda ka një vendndodhje strategjike, kritike për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe sigurinë e aleatëve tanë në NATO. “Rajoni i Arktikut është jetik për të penguar kundërshtarët tanë dhe për të monitoruar pamjen e kërcënimeve në zhvillim”.
Në ndërkohë, zyrtarë të lartë të Evropës e kanë kundërshtuar këtë nismë të administratës amerikane për pushtimin apo blerjen e Grenlandës. Sipas evropianëve, kjo do të sillte fundin e NATO-s. Kryeminstrja e Italisë Giorgia Meloni tha se vazhdon të mos besoj në hipotezën se SHBA-të do të nisin veprime ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës. “Unë besoj se kjo nuk do t’i sillte dobi askujt, përfshirë SHBA-në”. “Mesazhi që SHBA-të duan të japin është se nuk do të pranojnë ndërhyrje të tepërta nga aktorë të tjerë të huaj në një zonë kaq strategjike për sigurinë e tyre”.
Për më shumë, Danimarka i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet amerikane. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se është krejtësisht e pakuptimtë të flitet për sekuestrimin e Grenlandës nga SHBA-të. “SHBA-të nuk kanë të drejtë të aneksojnë asnjë nga tre vendet që përbëjnë Mbretërinë Daneze. Grenlanda dhe populli i saj e kanë bërë të qartë se nuk janë në shitje dhe i kanë bërë thirrje Uashingtonit të ndalojë kërcënimin e një aleati historikisht të ngushtë dhe një populli tjetër”. Sipas njoftimeve të fundit, Grenlanda dhe Danimarka janë në përpjekje për një takim të nivelit të lartë më SHBA-në për të biseduar rreth krizë së re. Nga ana tjetër, debati ka nxjerrë të dhëna të tjera nëse banorët e Grenlandës do të pajtoheshin që të bëheshin pjesë të SHBA-së.
Danimarka ju ofron banorëve të Grenlandës disa të mira që SHBA-ja nuk është dhe nuk do të jetë në gjendje t’i plotësojë, e si shembull theksohen: Kujdes shëndetësor falas; arsim falas; pension të fortë; leje e paguar për maternitet; kujdes falas për fëmijët; pagesë transferimi vjetor prej 700 milion dollarësh etj., etj. Përkundër dallimeve, Sekretari Amerikan i Departamentit të Shtetit Marco Rubio ka planifikuar një takim me Danimarkën dhe Grenlandën javën e ardhshme. Përveç krizës së BE-së dhe SHBA-së për Grenlandën, nga ana tjetër, Koalicioni për Ukrainën ka vendosur të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë pas armëpushimit.
Pavarësisht bisedimeve, ende ka mosmarrëveshje evropiane rreth Ukrainës P.sh., Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke dhe Maqedonia e Veriut nuk morën pjesë në Samitin në Paris, gjë që tregon se çarjet janë shumë të dukshme. Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se ajo që ka ndryshuar nga Samiti në Paris është se, për herë të parë, ka pasur bashkëpunim midis ukrainasve, “Koalicionit të të Gatshmëve”, në mes evropianëve, kanadezëve dhe amerikanëve. Dhe amerikanët kanë thënë saktësisht se çfarë janë të përgatitur të bëjnë, çfarë janë të përgatitur të mbështesin dhe solidaritetin që janë të përgatitur të tregojnë. “Ata do të jenë përgjegjës për monitorimin e armëpushimit, që përfshin kontrollin nëse zona kufitare do të shkelet apo jo. Këto operacione do të kryhen nga amerikanët pasi të arrihet marrëveshja e paqes”.
Dy kriza për Ballkanin ajo e Grenlandës dhe e Ukrainës janë një rrugë pa krye për integrimin në BE dhe NATO. Nga retorika e fundit në Uashington, nuk është e qartë, siç thonë disa analistë, t’i besosh SHBA-së në rastin e bisedimeve të pasluftës në Ukrainë dhe shumë më tepër. Në këtë rast, shtetet duke vepruar jashtë përgjegjësive, dhe duke vepruar vetëm në interes të sigurisë kombëtare pa bashkëpunim të ndërsjelltë, sjellin një epokë të re marrëdhëniesh, të cilën në Ballkan disa do ta shohin si një rend të ri e të tjerë do të vazhdojnë me ëndrrat e vjetra të eurointegrimeve dhe në NATO.
Shumë luftë fjalësh dhe shumë fërkime për të ardhmen e marrëdhënieve BE-SHBA do të vënë në pikëpyetje ekzistencën dhe kredibilitetin e NATO-s. Ende nuk e dimë se kush do të fitojë. Në të dyja rastet, kundërshtarët e Perëndimit dhe të Ballkanit po presin për rastin më të mirë për të vepruar. Në një gjendje të tillë, integrimi i Ballkanit në BE dhe procese të tjera do të ngec, dhe sjelljet oportuniste të shteteve në rajonin e Ballkanit do të rriten.
