Nga Dr. Selim IBRAIMI/ Njujork
Pasiguria vazhdon si për vendet e vogla ashtu edhe për ato të mëdha. Ndërkohë, vërejmë disa zhvillime të pazakonta në botën perëndimore dhe strukturën e saj të mbrojtjes ushtarake. Ngjarjet aktuale sjellin në vëmendje paradoksin dhe maksimën e vjetër se “miqtë e djeshëm mund të shndërrohen në armiq të nesërm”. Në veçanti kjo, vlen për SHBA-në dhe anëtarët evropianë të NATO-s në lidhje me Grenlandën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi të premten një paralajmërim të ri të vendosjes së tarifave kundër vendeve që kundërshtojnë planin e tij për të blerë Grenlandën. Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, dhe Shefi i Mbrojtjes Michael Wiggers Hyldgaard gjatë një konferencë për shtyp kanë konfirmuar një prani të shtuar ushtarake daneze dhe të NATO-s në dhe përreth Grenlandës. Presidenti i Francës Emmanuel Macron njoftoi se ushtarët e parë francezë në Grenlandë do të mbështeten “nga asete tokësore, ajrore dhe detare”.
Në një raport të gazetës franceze Le Monde, presidenti Macron ka deklaruar se Evropa është duke u tronditur në disa nga siguritë e saj. “Kontinenti evropian tani ka “konkurrentë që nuk prisnim t’i shihnim”. “Po jetojmë në një botë në të cilën forcat destabilizuese janë zgjuar”, ka theksuar Macron. “Me kërkesë të Danimarkës, kam vendosur që Franca të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta të organizuara nga Danimarka në Grenlandë, Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë”, tha Macron.
Shefi i Mbrojtjes së Danimarkës Michael Wiggers Hyldgaard tha se Forcat e Armatosura Daneze do të vendosin kapacitete dhe njësi në lidhje me një sërë ushtrimesh, duke përfshirë ruajtjen e instalimeve me rëndësi sociale, ndihmën ndaj autoriteteve të Grenlandës, pritjen e trupave aleate, vendosjen e avionëve luftarakë dhe operacionet detare.
Hyldgaard theksoi se stërvitjet do të zhvillohen në tokë, në det dhe në ajër. Ndërsa, ministri i Mbrojtjes i Danimarkës Troels Lund Poulsen vuri në dukje se prania e shtuar do të jetë e përhershme krahasuar me stërvitjet ushtarake të vitit 2025. “Nëse sulmoheni, duhet të mbrojmë Mbretërinë”, duke shtuar se skenarët që përfshijnë SHBA-në janë thjesht hipotetikë. Gjithashtu me ftesë të Danimarkës, Gjermania, Suedia, Norvegjia dhe disa shtete të tjera do të marrin pjesë në këtë mision në Grenlandë.
Sipas analistëve, qëllimi është të shqyrtohen kushtet kornizë për kontribute të mundshme ushtarake në mbështetje të Danimarkës. Për dallim nga shtetet tjera të NATO-s, kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia nuk do të dërgojë ushtarë në Grenlandë, duke shtuar se një sulm nga një vend i NATO-s në territorin e një tjetri do të ishte “fundi i botës siç e njohim ne”.
Danimarka dhe aleatët e BE-së kanë marrë përsipër pasojat e dështimit të bisedimeve në SHBA dhe tani janë gati të bëjnë më shumë duke ju kundërvënë kërcënimeve të Uashingtonit. Absurditeti tani është se vendet anëtare të NATO-s po “luftojnë” njëra-tjetrën. Rusia dhe Kina po shikojnë. Kryeministri i Grenlandës në këtë betejë fjalësh dhe mostërheqje nga pozicioni, Jens Frederik Nielsen ka përsëritur se ata do të zgjidhnin Danimarkën-NATO-n mbi SHBA-në nëse detyrohen, por duke theksuar të drejtën për vetëvendosje.
Delegacioni danez dhe ai i Grenlandës në Uashington të mërkurën, gjatë takimit me zv.presidentin JD Vance dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit Marco Rubio, nuk kanë arritur asnjë marrëveshje mbi të ardhmen e Grenlandës. Mediat kanë raportuar se SHBA-të nuk janë tërhequr në asnjë mënyrë për të marrë Grenlandën. Nga ana tjetër sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Levitt tha të enjten se takimi me palën daneze dhe grenlandeze ka qenë i frytshëm. “Ishte një takim produktiv.
Ishte një takim i mirë dhe në atë takim, të dyja palët ranë dakord të krijojnë një grup pune që do të vazhdojnë të zhvillojnë bisedime teknike mbi blerjen e Grenlandës.” “Këto bisedime do të zhvillohen çdo dy deri në tre javë. Pra, këta janë bisedime që administrata synon të vazhdojë të zhvillojë me danezët dhe me delegacionin e respektuar nga Grenlanda.”
“Presidenti e ka bërë mjaft të qartë përparësinë e tij. Ai dëshiron që SHBA- të blejnë Grenlandën.” “Nuk mendoj se trupat evropiane në Grenlandë do të ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së presidentit Trump ose në qëllimin e tij për të blerë Grenlandën”, shtoi Levitt. Danimarka e ka kundërshtuar këtë qëndrim të ri amerikan. Ministri i Jashtëm i Danimarkës Lars Lokke Rasmussen tha se nuk ekziston asnjë marrëveshje për të diskutuar ndonjë blerje dhe nënvizoi një vijë të qartë të kuqe daneze.
Ai tha se, në rastin më të mirë, mund të ketë vetëm një seri shumë të shkurtër takimesh nëse SHBA-të kanë ambicie të ndryshme. Senatori amerikan Thom Tillis tha se SHBA-të kishin 17 instalime ushtarake në Grenlandë. Nuk ka dyshim se Danimarka mirëpret praninë amerikane në Grenlandë për të bërë gjithçka që mundemi për të penguar agresionin rus dhe kinez në Arktik. “Le të punojmë së bashku me Danimarkën dhe aleatët tanë të NATO-s për të projektuar forcë kundër këtyre kundërshtarëve”, tha senatori Tillis. Sekretari i Brendshëm dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Energjisë Doug Burgum, në një paraqitje në Fox News tha: “Na duhet Grenlanda për t’u siguruar që Kupola e Artë do ta mbrojë Amerikën.”
Nga paraqitjet e fundit shihet se zyrtarë të lartë amerikanë deklarojnë diçka tjetër, ndërsa evropianët po punojnë për një fazë tjetër, atë të një përballje të mundshme me SHBA- të në Grenlandë. Në të gjithë këtë rrëmujë, absurditeti i përçarjes është i mundshëm për NATO-n nëse SHBA-të dhe Danimarka, me anëtarët e tjerë të NATO-s, nuk e menaxhojnë situatën si duhet në Grenlandë. Problemi është se SHBA-të nuk duan vetëm të kthehen në statusin e mëparshëm të pranisë ushtarake.
SHBA-të duan të zgjerohen në verilindje, gjë që në fund të fundit sipas Uashingtonit e bën SHBA-në më të sigurt. Se në çfarë gjendjeje janë anëtarët e NATO-s, në kontekst të pozicionit të SHBA-së ndaj aleatëve, dhe fqinjëve tregon së fundi vizita e kryeministrit të Kanadasë në Kinë, Mark Carney, vizitë cila mund të vlerësohet në disfavor të SHBA-së. Kryeministri i Kanadasë Mark Carney në Peking tha: “Ne erdhëm në Pekin për të krijuar një partneritet të ri strategjik me Kinën”. “Do të kthehemi me një marrëveshje të re tregtare dhe miliarda dollarë në tregje eksporti të hapura për punëtorët kanadezë”.
“Marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Kinës kanë qenë një burim prosperiteti dhe mundësish në të dyja anët e Paqësorit. Sot, po krijojmë një partneritet të ri strategjik. Ai ndërtohet mbi më të mirën e së kaluarës sonë dhe pasqyron botën siç është sot, në interes të të dy popujve”, tha Carney. Ndërsa gjërat po lëvizin në mënyrë kaotike, po shihet se rasti i Genlandës do t’i përkeqësojë edhe më shumë marrëdhëniet në mes SHBA-së dhe Evropës.
Komentet e fundit po u dërgojnë sinjale të këqija demokracive të tjera të brishta. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, në të gjithë këtë konfuzion gjeopolitik, siç e kemi përmendur në artikujt tanë të mëparshëm, bashkë me shtetet evropiane anëtare të NATO-s mund të ndjekin qasje të ndryshme. Disa mund të mbështesin qëndrimin e SHBA-së, disa qasjen e shteteve të BE-së dhe grupi i tretë me gjasë të vazhdojë të qëndrojë neutral me potencial për t’u zhvendosur në të ardhmen drejt aleancave të tjera. NATO është themeluar në vitin 1949.
Aktualisht ka 32 anëtarë. SHBA-të konsiderohen kontribuesi më i madh financiar se çdo anëtar tjetër i NATO-s. Në plan afatgjatë, të gjithë duhet të mendojnë se çfarë është në interes për të ardhmen e aleancës. Tensione të ngjashme në mes shteteve anëtare të NATO-s kemi hasur në vitin 1974 gjatë krizës në Qipro midis Greqisë dhe Turqisë. Përmes diplomacisë mund të ruhen aleancat. Nëse jo, atëherë kemi të bëjmë në të vërtetë me një epokë tjetër ku nuk mund të flitet më për një Perëndim të bashkuar e as për një aleancë të fortë ushtarake.
Në këtë gjendje a do të mund Perëndimi të qëndrojë në lojë me fuqitë e tjera në ngritje nëse shtetet nga të dyja anët e Atlantikut nuk do të tregojnë vullnet për të tejkaluar dallimet? Nuk ka shumë dilema se Grenlanda, Ukraina, dhe krizat tjera kanë venë në sprovë NATO-n, marrëdhëniet transatlantike e më shumë. Çështja këtu është vetë ekzistenca e NATO-s dhe botës perëndimore. Disa kritikë i shohin mosmarrëveshjet e fundit si një manifestim të ri ose të vjetër të ekspanzionit amerikan të shekujve 18 dhe 19, të paraqitur në një epokë tjetër që po prodhon bashkë me fuqitë tjera një rend të ri global, dhe sigurisht, duke i arë ish-aleatët si kundërshtarë dhe anasjelltas.
