Nga Dr. Dani Rodrik [Project Syndicate]
Tarifat e pamatura dhe vetëshkatërruese të presidentit amerikan, Donald Trump, i kanë dhënë Evropës, Kinës dhe fuqive të ndryshme të mesme një mundësi për të treguar se kush janë dhe atë që ato përfaqësojnë. Me pak përjashtime, përgjigjet e tyre kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Kritikët e Amerikës gjithmonë e kanë paraqitur atë si një vend egoist që ushtron ndikimin e vet pa pasur shumë konsideratë për mirëqenien e të tjerëve.
Por politikat tregtare të presidentit Donald Trump kanë qenë aq të gabuara, të paqëndrueshme dhe vetëshkatërruese, saqë edhe përshkrimet më të karikaturizuara të këtij lloji duken madje si komplimente.
Megjithatë, në një mënyrë të shtrembëruar, marrëzitë e tij tregtare kanë nxjerrë në pah edhe dështimet e vendeve të tjera, duke i detyruar ato të reflektojnë mbi atë që reagimet e tyre tregojnë për synimet dhe aftësitë e tyre.
Thuhet se karakteri i vërtetë i një individi zbulohet përballë vështirësive dhe e njëjta gjë vlen për vendet dhe sistemet e tyre politike. Sulmi i drejtpërdrejtë i Trump ndaj ekonomisë botërore ishte një tronditje për të gjithë, por gjithashtu u dha Evropës, Kinës dhe fuqive të mesme të tjera një mundësi për të treguar se kush janë ato dhe çfarë mbështesin.
Ishte një ftesë për të artikuluar një vizion për një rend të ri botëror, që do të kapërcente pabarazitë, disbalancat dhe qëndrueshmërinë e munguar të rendit të vjetër – dhe që nuk do të varej nga udhëheqja (për mirë apo për keq) e një shteti të vetëm të fuqishëm. Por pak kush iu përgjigj kësaj sfide.
Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian ka qenë ndoshta zhgënjimi më i madh. Në terma të fuqisë blerëse, ai është pothuajse aq i madh sa Shtetet e Bashkuara – duke përbërë 14.1% të ekonomisë botërore, krahasuar me 14.8% të SHBA-së dhe 19.7% të Kinës.
Për më tepër, pavarësisht rritjes së fundit të së djathtës ekstreme, shumica e vendeve evropiane kanë shmangur kthimin drejt autoritarizmit. Si një bashkësi shtetesh kombëtare demokratike, ambiciet gjeopolitike të të cilave nuk përbëjnë kërcënim për të tjerët, Evropa ka si fuqinë, ashtu edhe autoritetin moral për të ofruar udhëheqje globale.
Në vend të kësaj, ajo hezitoi dhe më pas iu nënshtrua kërkesave të Trump.
Aspiratat e Evropës gjithmonë kanë qenë të kufizuara dhe të përqendruara në interesa të ngushta; por duke u përkulur para Trump-it, nuk është e qartë nëse ajo mbrojti qoftë edhe interesat e saj të menjëhershme. Marrëveshja me shtrëngim duarsh e korrikut mes Trump dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lë në fuqi tarifa 50% për eksportet evropiane të çelikut dhe aluminit, vendos tarifa 15% për shumicën e eksporteve të tjera dhe e detyron Evropën të importojë sasi qesharake të mëdha të energjisë nga SHBA-ja.
Rrallëherë është shfaqur më qartë dobësia strukturore e BE-së si një konfederatë vendesh pa një ndjenjë kolektive identiteti.
Kina ka ndjekur një linjë më të ashpër, duke kundërpërgjigjur me tarifa të sajat dhe duke kufizuar eksportet e mineraleve kritike drejt SHBA-së. Politikat hakmarrëse dhe vetëshkatërruese të jashtme të Trump e kanë ndihmuar Kinën të zgjerojë ndikimin e saj dhe të përforcojë besueshmërinë e saj si një partner i qëndrueshëm për botën në zhvillim.
Megjithatë, edhe lidershipi kinez ka dështuar të artikulojë një model praktik për një rend ekonomik global pas neoliberalizmit. Në mënyrë domethënëse, Kina ka treguar pak interes për të adresuar dy disbalancat globale që ka shkaktuar vetë: suficitin e saj të madh të jashtëm dhe tepricën e kursimeve të brendshme ndaj investimeve.
Ndërkohë, vendet më të vogla dhe fuqitë e mesme, në pjesën më të madhe, kanë zgjedhur të luajnë lojën e heshtur, duke ndjekur marrëveshje të pavarura me Trump-in dhe duke shpresuar të kufizojnë dëmet ndaj ekonomive të tyre. Përjashtim bën Brazili, presidenti i të cilit, Luiz Inácio Lula da Silva, është shfaqur si një nga të paktët liderë shembullorë që refuzon të përkulet para Trump-it.
Megjithëse përballet me tarifa ndëshkuese prej 50% dhe sulme personale të drejtpërdrejta, ai ka mbrojtur me krenari sovranitetin e vendit të tij, demokracinë dhe gjyqësorin e pavarur. Siç e përshkruan New York Times, “Ndoshta nuk ka asnjë lider tjetër botëror që e sfidon presidentin Trump aq fuqishëm sa zoti Lula.”
Një lidership i tillë ka munguar thellësisht në mbarë botën. Në Indi, komentatori politik Pratap Bhanu Mehta thekson se shumë elita politike dhe të biznesit po kërkojnë mënyra për të bashkëjetuar me Trump-in. Por duke vepruar kështu, sipas Mehta-s, ata po e kuptojnë gabim si atë, ashtu edhe botën që ai po krijon. Në çdo kohë tjetër, sjellja e administratës Trump do të ishte cilësuar menjëherë për atë që është: imperializëm – thjesht dhe qartë.
Imperializmi duhet gjithmonë të sfidohet – jo të pranohet – dhe kjo kërkon si fuqi, ashtu edhe vizion. Natyrisht, Amerika ka mbajtur frerët e ekonomisë botërore për një kohë të gjatë. Dollari mbetet i qëndrueshëm dhe tregu amerikan vazhdon të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme. Por këto avantazhe nuk janë më aq të fuqishme sa dikur. Do të ishte në kundërshtim me logjikën politike dhe me ligjet e gravitetit ekonomik që një vend që kontrollon vetëm 15% të ekonomisë botërore (sipas fuqisë blerëse) të diktojë rregullat për të gjithë të tjerët.
Megjithëse pjesa tjetër e botës mbetet e përçarë, të gjithë – me siguri – ndajnë një interes të përbashkët: të zmbrapsin imperializmin trumpian dhe, rrjedhimisht, të bashkohen për t’i rezistuar kërkesave të tij.
Gjetja e një qëllimi të përbashkët është ndoshta sfida më e madhe. Nëse Trump “fiton”, kjo do të ndodhë sepse ekonomitë e tjera të mëdha nuk arritën (ose nuk patën vullnetin) të artikulojnë një kuadër alternativ për ekonominë globale. Të kapurit pas multilateralizmit tradicional dhe bashkëpunimit global – siç kanë bërë shumë nga shënjestrat e zemërimit të Trump-it – është e kotë dhe tregon vetëm dobësi.
Bota ka nevojë për ide dhe parime të reja për të shmangur si paqëndrueshmëritë dhe padrejtësitë e hiper-globalizimit, ashtu edhe efektet shkatërruese të politikave të tipit “varfëroje fqinjin tënd”. Nuk është realiste të pritet një marrëveshje e re si ajo e Bretton Woods-it.
Megjithatë, fuqitë e mesme dhe ekonomitë e mëdha mund t’i modelojnë këto parime duke i zbatuar ato në politikat e tyre.
Veprimet e Trump kanë shërbyer si pasqyrë për të tjerët dhe shumica duhet ta kuptojnë se ajo që shohin në të nuk është aspak e bukur. Fatmirësisht, kjo ndjesi pafuqie është vetë-imponuar. Ende nuk është vonë për të zgjedhur vetëbesimin në vend të përuljes.