Nga Dr. Selim IBRAIMI
Historikisht, shtetet kanë qenë të interesuara jo vetëm për territore. Krahës kësaj, luftërat, keqkuptimet dhe konfliktet lokale kanë vazhduar deri më sot. Dhe do të vazhdojnë për interesa kombëtare, burime dhe sigurisht për ideologji. Në kohë ndryshimesh globale, të gjitha janë ndikuar pak nga pak nga ndryshimet në sistemin ndërkombëtar dhe shumë më tepër.
Shqetësimi në rritje tani është se si shtetet do të mbijetojnë në kushte të tilla nga sfidat aktuale e të ardhshme, të paraqitura jo vetëm nga aktorët jo-shtetërorë, por drejtpërdrejt nga politikëbërësit.
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me SHBA-të si aktorin kryesor global, rregullat kanë qenë vetëm një: vazhdim i rendit të vjetër të dominimit të Perëndimit, deri në 2010 me paraqitjen e botës shumëpolare.
Pas kësaj vazhdimi i status-quos shkonte në favor të shteteve në ngritje dhe deri diku të botës perëndimore. Mirëpo gjatë tre viteve të fundit, status- quoja mori fund me rrezik të erozionit të të gjithë ligjeve ndërkombëtare, duke treguar një shqetësim i madh për kthimin në rregullat e para të Luftës së Ftohtë. Vazhdimi i situatës mbart një rrezik të lartë që gjendja aktuale të reflektohet në luftëra të vogla në të gjithë botën.
Në këtë drejtim, SHBA-të, Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për shkëmbim të burgosurish në Abu- Dabi, në një moment të tentativës për vrasje të oficerit rus të inteligjencës GRU.
Siç e kemi parë, Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Evropa ende kanë potencial për luftëra në të njëjtat kushte të konkurrencës së vjetër të përsëritur, jo vetëm për burime, rrugë strategjike të transportit detar, por edhe për prestigj. P.sh. Kanada, pas marrëdhënieve të nivelit të ulët me SHBA-në, ka filluar zhvillimin e raporteve jashtë sferës së ndikimit amerikan. Pas vizitës në Kinë, kryeministri Mark Carney sinjalizoi hapje për një bashkëpunim më të thellë me Turqinë.
Carney tha se Kanadaja sheh “disa mundësi për të thelluar marrëdhëniet tregtare me Turqinë”, duke vënë në dukje se kanë filluar diskutimet formale me presidentin Rexhep T. Erdogan. Kryeministri Carney shtoi se bashkëpunimi mund të shtrihet në mbrojtje dhe energji bërthamore, ndërsa theksoi lidershipin global të Turqisë në prodhim e më gjerë.
Në një zhvillim të tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha: Dëgjoj sinjale për njohjen e territoreve të pushtuara ukrainase si ruse për t’i dhënë fund luftës. Kjo nuk do të ndryshonte asgjë. Jo të gjithë do ta pranonin këtë. Territoret tona mbeten tonat.”
Ndërkohë Norvegjia publikoi vlerësimin e saj vjetor kombëtar të kërcënimeve. Në raport thuhet se ndryshimi më i madh në mjedisin global të sigurisë gjatë vitit të kaluar kanë qenë SHBA-të, me sjelljen e Uashingtonit që tani formëson drejtpërdrejt mënyrën se si Rusia dhe Kina i llogarisin rreziqet dhe mundësitë.
Shefi i inteligjencës norvegjeze, Nils Andreas Stensones, e identifikoi Rusinë si sfidën më të rëndësishme të sigurisë, duke vënë në dukje se, ndërsa Moska synon të minojë unitetin dhe mbështetjen perëndimore për Ukrainën, asaj i mungojnë mjetet ekonomike dhe diplomatike për të arritur qëllimet e saj në mënyrë efektive.
Raporti paralajmëron se infrastruktura kritike norvegjeze dhe sektori i energjisë janë objektiva të mundshme për spiunazhin, operacionet e ndikimit dhe sabotimin rus.
Në këtë kuadër, ashtu siç e kemi vënë re, vendet e Ballkanit kanë shpejtësi të ndryshme në anëtarësimin në BE, gjë që i jep rajonit një pamje të ndryshme. Vazhdimi i kësaj pamje të ndryshme është skenari më i keq për të ardhmen e Ballkanit.
Zhvillimi ekonomik, ndikimi i jashtëm, sistemi gjyqësor, sistemi i besimeve, dallimet etnike dhe shumë më tepër janë kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e Ballkanit.
Veçanërisht Serbia, ka përparësi të dallueshme të sigurisë kombëtare që i lënë shtetet e tjera të Ballkanit në një pozicion të brishtë, duke krijuar mundësi për ndikim nga aktorë të jashtëm.
Për shkak të ndërhyrjes së SHBA-së në Hemisferën Perëndimore, Rusisë në Ukrainë dhe, natyrisht, ngritjes së Kinës në një fuqi botërore me një ekonomi të madhe, përbën rrezik që marrëdhëniet ndërkombëtare të kalojnë në gjendjen e para Luftës së Parë Botërore (LPB).
Për të lundruar në një mjedis të tillë gjeopolitik dhe ekonomik, është shumë e rëndësishme të kuptohen prioritetet e sigurisë. Për shembull, në Ballkan, qeveritë duhet të anëtarësohen në BE nëse është e mundur, në NATO gjithashtu, dhe sigurisht, të forcojnë bashkëpunimin rajonal sipas aleancave.
Duhet të pranojmë se jetojmë në kohë të trazuara, të cilat kërkojnë të ndjekim disa rregulla dhe ndonjëherë të tjera.
Në këtë drejtim, largimi nga status quo-ja do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm që shtetet duhet të ndërmarrin, sepse jemi afër dekadës së tretë me një botë të ndryshme me aktorë të ndryshëm.
