Nga Xhafer SHATRI
Kur i dështuan përpjekjet për copëtimin e Kosovës, Beogradi u përcaktua për masa radikale përmes të cilave do ta aneksonte ushtarakisht veriun e saj.
Në këtë vijë, që nga fundi i vitit 2022, Vuçiqi përmes Listës serbe, mobilizoi strukturat e tij në veri të Kosovës me qëkllim krijimin e kaosit atje. Kriza u intensifikua përmes bllokimit të rrugëve, përmes sulmeve mbi policinë dhe mbi ushtarët e KFOR-it, shumë prej të cilëve u plagosën nga diversantë të stërvitur të Serbisë me snaiperë e deri në sakatim…
Me angazhimin maksimal të Serbisë, veriu i Kosovës prej vitesh ishte kthyer në tokë të askujt, ku bënin ligjin bandat e Radoiçiqit, veprimet e të cilave i koordinonte, i arsyetonte dhe i mbulonte Lista serbe.
Në të gjitha institucionet ku ishin «integruar» kuadrot e kësaj gjoja partie ato vepronin dhe silleshin si pjesëtarë falangash.
Talleshin me Kuvendin e Republikës, keqpërdornin njësitë e policisë të përbëra prej serbëve për ta frikësuar bashkësinë serbe e besa edhe për të vrarë përfaqësues të saj legjitimë, këqpërdornin paratë e buxhetit të Kosovës për të financuar aktivitetet e tyre kriminale, kontrollonin trafiqet, vidhnin rrymën për biznesin me kriptovaluta dhe për kultivimin e plantazheve me drogë…
Me një fjalë nuk linin gjë të zezë pa bërë.
Në thelb të të gjitha këtyre aktiviteteve kriminale ishin pjesëtarët dhe kuadrot e Listës Serbe që bashkëpunonin ngusht me disa liderë shqiptarë!
***
Kulmi i kësaj veprimtarie armiqësore kundër Kosovës ishte agresioni në Banjën e veriut, kur, më 24 shtator 2023, mbi 50 terroristë të armatosur deri në dhëmbë e të udhëhequr nga shefi real i Listës serbe, Milan Radoiçiq u përpoqën të organizojnë një kryengritje të armatosur.
Ky ishte një aksion i mirëkordinuar nga Ushtria, BIA dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Mjafton ta ndëgjosh fjalimin e A. Vuçiq që mbajti më 21 shtator 2023, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju-Jork, për t’u bindur se agresioni në Banjë ishte organizuar deri në imtësi nga Beogradi.
***
Lista Serbe, pa e fshehur fare, përpiqet me të gjitha mjetet e mundshme t’i acarojë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Ajo pasqyron mentalitetin etnoracist serb për shtetin. Sipas të cilit shteti duhet të jetë vetëm i serbëve dhe në shërbim të tyre, të tjerët, pra jo serbët do të tolerohen dhe janë aty për t’u shërbyer atyre; policit me u shfry në ta, administratorit për t’i zhvatë, popullsisë për t’ua sharritë drutë dhe për t’ua pastruar rrugët dhe oborret…
Ajo promovon publikisht projektin e Beogradit për ripushtimin e Kosovës.
Mendësinë kriminale dhe etnoraciste të Listës serbe më së miri i pasqyron ish ktryetari shumëvjeçar i saj, Goran Rakiq, i cili në një intervistë, në pyetjen e gazetarit se a e ka ndonjë mik shqiptar thotë me mburrje: Jo!
Merreni me mend, ka lindur në Mitrovicën multietnike, është rritur, ka krijuar familje, ka gati 60 vjet që jeton aty dhe nuk e ka asnjë mik shqiptar! Ky mund të jetë çdo gjë, por jo njeri.
Ndërkaq, zëvëndësi i tij shumëvjeçar, e në fakt shefi i mirëfilltë i Listës serbe dje dhe sot, gangsteri Milan Radoiçiq, ka vrarë jo vetëm shqiptarë por edhe serbë.
E ka terrorizuar bashkësinë serbe në Veri, e ka plaçkitur, e ka rrahur, e ka frikësuar deri në ankth…
***
E kundërta e këtyre janë Nenad Rashiq me një vistër personalitetesh serbe, që në fakt janë përfaqësuesit më legjitimë të interesave të bashkësisë serbe në Kosovë.
Përpjekja e disa kalemxhinjve shqipfolës të paguar me pare të Beogradit për ta paraqitur këtë si Sejdo Bajramoviq të Prishtinës, është një diversion vuçiqist kundër integrimit të bashkësisë serbe në Kosovë
Serbët që përfaqëson Nenad Rashiq duan të jetojnë në paqe e në harmoni me shqiptarët në Kosovë. Por këta luftohen me të gjitha mjetet nga falangat e Listës serbe, që ua vjedhin votat, ua kërcënojnë ithtarët dhe ua terrorizojnë familjet.
***
Shtrirja e pushtetit në veri të vendit është fitorja më e madhe e Kosovës në çerekshekullin e fundit. Ajo pjesë e territorit nuk është më konflikt i ngrirë dhe për këtë merita historike i takon qeverisë Kurti.
Shtrirja e pushtetit dhe shtetit ligjor në veri është mirëpritur nga të gjithë serbët që duan të jetojnë në paqe e në harmoni me shqiptarët…
Kjo është një goditje serioze për Listën serbe, e cila, me ndihmnën e pakursyer të Vuçiqit, akoma po arrin ta sundojë bashkësinë serbe në Kosovë dhe të abuzojë me të.
Prandaj, për shkaqet që u përmendën, ka ardhur koha që Lista serbe të ndalohet njëherë e përgjithmonë. E me të edhe të gjitha përpjekjet e Serbisë për ta destabilizuar vendin tonë sa herë të kenë nevojë regjimet në Beograd.
Por kjo nuk mund të bëhet as për kalkulime politike e as me improvizime qesharake përmes Komisionit zgjedhor, PZAP-it etj.
Këtë duhet ta bëjnë kryetarët e partive politike shqiptare përmes një vendimi të përbashkët politik: asnjë bashkëpunim dhe asnjë kompromis me Listën serbe.
Në anën tjetër organet e drejtësisë duhet të fillojnë një procedurë serioze hetimore të strukturave të kësaj falange dhe pasi të jenë mbledhur agumentet që janë me aq bollëk, të fillojnë procedurën për ndalimin e saj me ligj.
***
Sot, Kuvendi i Kosovës ka një rast historik për t’ia treguar vendin partisë së Milan Radoiçiqit.
Të gjitha deputetët duhet ta votojnë z. Nenad Rashiq si nënkryetar të Kuvendit të Republikës. Sepse ky akt është në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e 99% të qytetarëve të Kosovës që janë për bashkëjetesë, për paqe e harmoni mes tyre.
Duhet ta mësojnë dhe ta dijnë të gjithë se me varrmihësit e shtetit nuk ka as lojë, as kompromis.
Dhe kjo nuk është as e tëra as e vetmja: Kuvendi i Republikës duhet t’i shqyrtojë shpejt dhe seriozisht të gjitha boshllëqet e Kushtetutës, të ligjeve e rregulloreve, sidomos dykuptimësinë e tyre, që janë bërë shkak serioz për përligjjen e rrezikshme të anarkisë në vend.