Nga SPARTAK TOPOLLAJ /Historian, Diplomat/
Le ta nisim këtë shkrim, me kryelajmin nga Prishtina, ku më në fund, pas një odiseade gati 60 seancash, me 73 vota pro, u zgjodh nga Kuvendi i Kosovëë, kryetari i tij i ri, Dimal Basha i Vetëvendosjes, i diplomuar në SHBA dhe një nga bashkëpunëtorët shqiptar të kongresmenit dhe mikut të shquar të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, Elliot Engel!
Natyrshëm Beogradi dhe Vuçiçi nxijnë, ngaqë nuk lanë gurë pa lëvizur, për destabilizim dhe kundër Qeverisë së Albin Kurtit! Aspak e habitshme kjo për ne, por habia qëndron në faktin, se ende Edi Rama, sado i njohur për aktrim dhe hipokrizi, vonon, apo edhe mund të mos bëjë fare, qoftë edhe një urim formal protokollar, duke u ndjerë komod vetëm me formalitetin e urimit nga Elisa Spiropali! Dhe kjo patjetër që gëzon mikun e tij serb, Aleksandar Angjelko Vuçiç, këtë Gëbbels të Milosheviçit! Dhe ja pse duhet njohur mirë kush ishte Gëbbelsi dhe ku qëndron ngjashmëria e tij me Vuçiçin: E gjithë bota e di mirë se kush ishte Gëbelsi (Paul Joseph Goebbels 29.10.1897 – 01.05.1945), famëkeqi ministër i Propagandës naziste të Hitlerit, ndoshta trushpëlarësi më i madh që ka njohur historia, i cili fill pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe Ewa Braunit, më 30 prill 1945, u emërua Kancelar i Gjermanisë naziste nga Fyhreri, për më pak se 48 orë! Por në Europën aktuale, pra, më 2022-shin paradoksalisht, jo vetëm mbretëron i qetë në Beograd, por edhe llastohet nga BE-ja Gëbelsi i Sllobodan Millosheviçit, Kryekasapit të Ballkanit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kush është në të vërtetë Vuçiqi?
I lindur më 5 mars 1970 dhe i diplomuar për drejtësi në Beograd, ai u bë pjesë e Partisë Radikale të Vojislav Shesheljit, ekstremist nacionalist shoven. I martuar së pari me Ksenijan më 1997, u divorcua prej saj më 2011 dhe më 2013 martohet me Tamara Gjukanoviç. Me Ksenian, që ndërroi jetë në këtë janar, patën dy fëmijë, Milicën dhe Danilon (pjesë e ultrasve huliganë, tifozë të Crvena Zvezda-s), ndërsa me Tamarën kanë djalin Vukan. Ashtu si me bashkëshorten e parë, Vuçiç divorcohet politikisht edhe nga Sheshelji, i deklaruar dhe i dënuar si kriminel lufte nga Haga, si edhe Radovan Karaxhiç e Zllatko Mlladiç, duke iu bashkuar një grupi prej 20 deputetësh, me në krye Tomislav Nikoliçin, që formojnë një parti me emër më të “bukur”, Partia Progresiste Serbe…! Pikërisht në kohën e gjenocidit, krimeve të luftës, masakrave, përdhunimeve në masë, djegieve, shkatërrimeve dhe deportimit me forcë nga trojet e hershme amtare të shqiptarëve në Kosovë, Vuçiçit, në një qeveri koalicioni të kryesuar nga kryesocialisti serb, Sllobodan Milosheviç, i besohet nga ky i fundit, posti delikat, tejet i rëndësishëm, i ministrit të Informacionit dhe Propagandës, post të cilin e mbajti për mbi dy vite e gjysmë (mars 1998– tetor 2000), pra në vitet kur Serbia agresoi egërsisht Kosovën, çka detyroi SHBA-të dhe NATOn të ndërhyjnë ushtarakisht, madje të bombardojnë dhe ta detyrojnë Milosheviçin të kapitullojë me turp. Për aftësinë në të gënjyer dhe përkushtimin si ministër i (des)informimit dhe Propagandës, Vuçiç shpërblehet dhe caktohet ministër Mbrojtjeje, zv.kryeministër, kryeministër dhe që nga marsi i 2017, President i Serbisë.
Mali i Zi, qysh më 3 qershor 2006 ishte shkëputur dhe ishte shpallur i pavarur me Filip Vujanoviçin dhe Milo Gjukanoviçin, dy herë President dhe katër herë Kryeministër. Aleksandar Vuçiç ka ndërruar vendet edhe me ish-zëdhënësin e Partisë Socialiste Serbe të Milosheviçit, Ivica Daçiç, më pas ministër i Jashtëm, i Brendshëm, Kryeministër e aktualisht ministër i Jashtëm i Serbisë. Që të tre, Vuçiç, Nikoliç dhe Daçiç, kanë qenë, janë e me sa duket do të mbeten kundërshtarë konsekuentë e të palëkundur të pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), njohur si e ligjshme edhe nga GJNDja, por edhe nga 116 shtete, përfshi SHBA-të dhe 22, nga 27 shtete të BE-së.
Në Jugosllavinë apo Serbinë e Milosheviçit, Vuçiçit e të tjerëve, u vranë Presidentë si Ivan Stamboliç (25 gusht 2000), Kryeministra si Zoran Xhinxhiç (12 mars 2003), deri dhe kapomafiozë paramilitarë milosheviçianë të krimeve më të përbindshme si Zheljko Razhnatoviç Arkan (15 janar 2000) Tigri i “Tigrave” famëzinj, që kapardisej me Cecën (Svjetlana Veliçkovic -Razhnatoviç) këngëtaren e njohur, bashkëshorte e dytë e tij, se të parën, Natalja Martinoviç, me katër fëmijë, e kish flakur si të plakur, pas 10 viteve martesë…! A nuk ishte Vuçiç një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviçit, kryekasapit të Ballkanit?! Po ashtu edhe Ivica Daçiç, (ish-kryeparlamentar, tashmë i rikthyer si ministër i Jashtëm), që veç Sllobos, ky bir polici xhahil e katil ndaj shqiptarëve, lindur në Prizren, ishte edhe mik i Mira (Mirjana) Markoviç – Milosheviç, bashkëshortes së korruptuar të Stalinit serb, strehuar në gjirin e mëmës Rusi të Putinit, së bashku me djalin e degjeneruar Marko dhe vajzën Marija. Si u harruakan kaq shpejt nga politika, diplomacia, apo teknoburokratët e Brukselit, si edhe nga Edvin Rama, krimet e tmerrshme të Armatës, Milicisë dhe Paramilitarëve serbë, bashkë me mercenarë sarhoshë, burgaxhinj ordinerë, vrasës e aventurierë rusë në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë?!
A nuk ishte bash vetë ky Vuçiç, ministri i Milosheviçit, i ngarkuar të dezinformonte opinionin publik ndërkombëtar dhe të mashtronte botën mbarë për çka ndodhte në ishJugosllavi, shndërruar nga paranojaku delirant i madhështisë e protagonizmit serb, Milosheviç, në thertore me 250.000 viktima (vetëm në Kosovë rreth 13.000, nga të cilat, gati 2000 prej tyre ende nuk iu “gjenden” dot trupat nga Vuçiçi, ky ujk, e dhelpër e vjetër i shndërruar në qengj)?! A nuk i kryen serbët masakrat e mëdha në Kroaci me gjithsej 20.000 të vrarë, që kulmuan me Masakrën e Vukovarit të rrethuar deri më nëntor 1991, ku u vranë 5403 persona?! Po masakrat në Bosnje-Hercegovinë, që kulmuan me atë më të llahtarshmen, të Srebrenicës 6-25 korrik 1995, me 8.372 viktima nga myslimanët boshnjakë, kush i bëri?! Dhe këtu të mos harrojmë indiferencën e pafalshme të forcave holandeze të UNPROFOR-it, që lejuan “Skorpionsat” e Mlladiçit të bënin gjenocid në këtë zonë nën mbrojtjen dhe garancinë e forcave të OKB-së?! Po masakrat në Kosovë, si ajo në Raçak (15 janar ‘99), me 45 të masakruar, e njohur botërisht nga denoncimi i ambasadorit amerikan në OSBE në Kosovë, William Wolker etj., etj., pas së cilës bota demokratike reagoi fuqishëm?! Ja disa nga masakrat më të mëdha të kriminelëve serbë të Sllobos, armatës, milicisë dhe paramilitarëve të llojit “Tigrat” e Arkanit: Në Poklek, Likoshan, Çirez dhe e njohura botërisht në Prekaz, ku u vranë 59 shqiptarë dhe vetëm nga Jasharajt e Heroit Adem Jashari u vranë gjithsej 55 njerëz, 32 meshkuj e 23 femra! Në Izbicë, 114 viktima dhe më pas u gjetën të tjerë (146 të vrarë në një varr masiv).
Masakra në burgun e Dubravës 19 – 22 maj 1999, me 97 të burgosur të ekzekutuar me gjakftohtësi?! Krusha e madhe me masakrën e 26 – 27 marsit ‘99, 243 viktima. Masakra e Mejës, 27 prill ‘99, 376 viktima Masakra e Qyshkës, Zahaq e Pavlan, 14 maj, 77 viktima, Suharekë 48 viktima, pothuaj e gjithë familje e madhe Berisha Abri e Epërme, Drenas, Kotlinë, Bellacerka – Suharekë, Rezallës, Sllovisë-Lipjan Koliq, Makoc, Grashicë, Nakaradë. Shkritorja e Zveçanit, ku digjeshin të vrarët! Në Danub, afër Klladovës, 86 të vrarë u gjetën në një autofrigorifer etj., etj.. Pas kësaj, a mund të quhet e mjaftueshme dalja para Tribunalit për krime lufte dhe gjenocid në Hagë i disa kriminelëve ekstremistë drejtues e komandantë stalinisto-hitleriane, të pjesës shovene të racës serbe, si Karaxhiç, Mlladiç apo edhe disa të tjerëve si ata?! Kjo nuk mund të jetë kurrë ngushëllim për familjet e një çerek milioni viktimave, të një çmendurie të paparë, qysh nga mbarimi i Luftës II Botërore! Më 1 nëntor 2024, në kryeqytetin e Vojvodinës, krahinë Autonome Serbisë, me mazhorancë popullsie hungareze, ndodhi një incident i rëndë, kur në orën 11.50 minuta, nga shembja e strehës prej betoni të Stacionit Hekurudhor, humbën jetën 15 persona.
E gjithë tragjedia ndodhi për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit, një rast ky, plotësisht korruptiv, në të cilin ishin përzier oligarkë dhe pushtetarë lokalë apo qendrorë. Menjëherë, shpërthyen protesta të fuqishme, madje jo vetëm lokale, por edhe në të gjitha qytetet e Serbisë, kulmuar me ato të Beogradit, drejtuar kundër qeverise autokratike dhe të korruptuar të Vuçiçit. Protestave të pandalshme që prej gati 10 muajsh, iu bashkuan edhe mijëra studentë universitarë, por regjimi autokratik serb po i shtyp egërsisht me dhunën e një policie të armatosur deri në dhëmbë, me pajisjet më të sofistikuara dhe me arrestime të shumta, sidomos të organizatorëve, të cilët siç ndodh përherë në ngjarje të tilla me diktatorët dhe autokratët, akuzohen se janë nxitur nga fuqi të huaja?! Edhe më 27 gusht u ndërhy me dhunë, nga Milicija e Xhandarmëria e Vuçiçit, në Universitetin e Novi Sadit! Ndërsa shtypja me dhunë e tyre, në shumicën e TV-ve të botës pasqyrohet në krye të emisioneve të lajmeve, televizionet tona, përfshi ato të njohura si kombëtare, i japin pak sekonda në fund, ose aspak fare, sikur të ndodhnin në Ishujt Tonga?!
Edhe kjo, lehtësisht e kuptueshme, po të kujtojmë se pronarët e tyre janë shpallur edhe investitorë strategjikë nga qeveria “Rama”, miku i ngushtë i Vuçiçit, që deri me tani s’i ka zënë kurrë në gojë ato, ashtu si edhe Presidenti hungarez Viktor Orban?! Më 2 gusht 2025, në Kumanovë, ndodhi një incident i rendë dhe i papranueshëm, madje idiot, kur teksa në Palestrën e qytetit luhej ndeshja e basketbollit Republika e Maqedonisë së Veriut – Rumani, një grup i organizuar gangsterësh ultras, filluan të hedhin parulla raciste antishqiptare me thirrjet: “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, apo; “dhoma gazi për shqiptarët”! Pra nuk po luante Shqipëria dhe as po arbitronin ndeshjen shqiptarë! Natyrisht këta gango, që pak rëndësi ka në ishin maqedonas, apo serbë, nuk është aspak vështirë t’i gjesh dhe t’i paguash, por e papranueshme është sjellja e Kryeministrit vendës, Hristijan Mickoski, zv.kryeministrit Stoilkoviq, ministrit të Jashtëm Toshkovski dhe kryebashkiakut Dimitrijevski etj., kur asnjeri prej tyre nuk i paska dëgjuar, duke të detyruar t’iu rekomandosh vizitë mjeksorë te otojatrit për të pastruar veshët?!… E vetmja që reagoi dhe i dënoi ashpër këto thirrje fyese histerike, ishte Presidentja e respektuar e RMV, Gordana Siljanovska-Davkova, juristja 72-vjeçare! Çuditërisht, heshti edhe kësaj herë Rama, për më tepër, edhe vetë, një ish-basketbollist (stoli te “Dinamo”), që mesa duket u mjaftua vetëm me një deklaratë, po si edhe në raste të tjera të Spiropalit?!
Një tjetër incident i shëmtuar dhe provokativ, ndodhi edhe në Stadiumin e Poznanit, në Poloni, gjatë ndeshjes për Kupën e Kampioneve në Futboll, mes “Lech Poznan” dhe “Crvena Zvezda” – (“Ylli i Kuq”) i Beogradit, ku në Trbunën përballë u vendos mbi parmak parulla sa e demoduar e provokative, aq edhe idiote: “Kosovo je Serbija” – Kosova është Serbi! Edhe në Poznan kishte tifozë serbë nga ultrasit e Zvezdës, mos qoftë edhe djali i madh huligan i Vuçiçit, Danillo (me gruan e parë ), apo edhe ndonjë tifoz polak sarhosh, dehur e bërë tapë, me birra pa fund, paguar me sa duket nga fondet e BIA-s, (Policia Sekrete e Vuçiçit)! Koha vërtetoi se historia ka edhe ajo paradokset e saj. Por paradoksi nuk qëndron vetëm te llastimi kinse strategjiko–diplomatik i Serbisë dhe Vuçiçit, Daçiçit dhe Brnabiçit, me pretekstin absurd, që të mos hidhen në gjirin, krahët dhe prehrin e mëmës Rusi të Putinit. Aleanca serbo-ruse është farkëtuar në shekuj nga krerët ekstremistë të klerit ortodoks në Serbi dhe Mal të Zi, të tipit Pavle, Irinej (Miroslav Gavriloviç), Porfirije (Prvoslav Periç), Amfilohije (Risto Radoviç, vdekur nga COVID-19 më 2020), me Patriarkun 75-vjeçar të Moskës dhe të gjithë Rusisë, Kirill I (Vladimir Mihajloviç Gundjajev), që zëvendësoi Aleksein IIë (Aleksej Mihajloviç Ridiger) më 2009. Por kryellastuesi i Vuçiçit paradoksalisht dhe për ironi të historisë është Edi Rama, në një miqësi prej inferiori dhe dashuri servile. Ai e quajti mik Vuçiçin, pasi e kish takuar vetëm dy herë nga pak minuta! A nuk është ky Vuçiç që iu bie borive të luftës dhe ngre në këmbë pakicën serbe në Veri të Kosovës, sa herë i duhet?! E pafalshme për Thaçin dhe tejet e dyshimtë mbetet firma e tij në Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, pra sajimi i një “Republika Serbska” aty, e ngjashme me atë në Bosnjë, në krye të së cilës, Vuçiçi (pasi e ekzekutuan Oliver Ivanoviçin), nuk e ka të vështirë të gjejë edhe një Millorad Dodik tjetër.
Të pranosh copëtimin e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, për të cilat Thaçit iu kërkua nga Vuçiçi me zë e figurë para kamerave, në kolltukët ngjitur ku ishin ulur në podium të panelit, kjo ka vetëm një emër: tradhti e hapur! Mbi gjakun e 13.000 të vrarëve, mes tyre dhe qindra dëshmorëve të UÇK-së, të dënon historia dhe populli e Kombi yt, se Haga është një tjetër histori! Krejt ndryshe nga Procesi i Berlinit, sorosianët që kanë dobësi për fjalën “i hapur”, shpikën “Ballkanin e Hapur”, që në të vërtetë është “Ballkani i Shqyer”, në favor të Serbisë së madhe të Vuçiçit! Dhe çuditërisht, apo aspak çuditërisht, më i zellshmi për këtë projekt antishqiptar paraqitet Edvin Rama, që nuk lë rast pa humbur, të na tregojë se e ka më shumë se mik Vuçiçin, alias Gëbelsin e Milosheviçit.
E po kështu, edhe disa tekno-burokratë politiko-diplomatikë të Brukselit, ku shquhen si më të zellshëm, Borrej dhe Lajçak, njëri spanjoll e tjetri sllovak, konkretisht nga dy vende të BE-së, që këmbëngulin të mos e njohin Kosovën e Pavarur (që GJND e quajti të ligjshme), por bëjnë ndërmjetësin mes Kosovës dhe Serbisë, kur ne shqiptarët e dimë mirë se me miell misri nuk pritet të dalë nga furra bukë gruri. (Lajçak, përveç ministër i Jashtëm sllovak, ka kryer edhe shumë funksione të tjera të larta, përfshi ambasador në Beograd, ku me sa duket ruan nostalgji si filoserb)?! Shqiptarëve nuk ka se si të mos u bjerë në sy pamja prej kalorësi të fytyrës së vrerosur e Ramës, sa herë takohet me Albin Kurtin dhe e kundërta, përzemërsia, madje duke i hedhur edhe dorën në qafë, mikut të tij serb, Aleksandar, që vazhdon të mos ia mësojë saktë as emrin, por e quan Aleksandër!
Është për të gjitha këto që kuotat e Ramës të jenë kaq të ulëta në Kosovë, përjashto nostalgjikët e paktë marksistë-leninistë dhe enveristë, që penetruan në radhët e UÇK-së dhe uzurpuan një pjesë të udhëheqjes së saj. Në delirin frojdian të madhështisë e protagonizmit, Rama, sidomos në intervistat e kushtueshme në mediat e huaja, bën gafa historike, por do t’ia falnim ato para deklaratave që bën, sa herë i duhet ta justifikojë apo më keq akoma ta mbrojë mikun e tij serb, Vuçiç, për raportet e ngushta me kriminelin e luftës, që shpejt e pret Haga, V.V.Putinin, rusomadhin ekstremist sllavoortodoks! Lufta, agresioni, masakrat, krimet e tij në Ukrainë, kanë marrë përmasa të gjenocidit rus, ndaj s’mund të jesh mik i ngushtë, me mikun e madh të Carit Putin?!
Krahasimet e pagoditura të Ramës, madje gafat që bën, kinse është njohës i mirë i historisë, e nxjerrin atë lakuriq, ashtu siç parapëlqen ai të dalë plazheve të Côte d’Azur në rivierën franceze. Krahasimet për raportet Kosovë-Serbi dhe gjoja ngjashmëria e tyre me raportet franko-gjermane, apo keqinterpretimi që i bën veprës së personaliteteve të mëdha europiane, si Jean Baptist Nicolas Robert Schuman dhe Charles Joseph André Marie de Gaulle, me Konrad Hermann Joseph Adenauer dhe Herbert Ernst Karl Frahm Willy Brandt tregon se ai rreket më kot të bëjë kompetentin dhe njohësin e historisë bashkëkohore?! Boll kanë paguar deri vonë, për mbi 100 vite, shqiptarët, të cilëve, ia këputën në mes trungun amtar krejt padrejtësisht, Fuqitë e Mëdha të kohës, të cilat, kanë rastin të korrigjojnë jo gabimin, por fajin historik të tyre! Me ardhjen në pushtet të Presidentit të fortë republikan, Donald Trump, ditë të këqija, si ajo e mbrëmshmja, i presin Sorosët, babë e bir dhe të gjithë ata që erdhën dhe u mbajtën në pushtet përmbi një dekadë, sidomos në Ballkan, autokratë apo diktatorë qofshin, falë interesave okulte dhe aferave të pista superkorruptive të ndërsjella! Zyra Ovale e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk do të jetë më Kishë, Xhami, Tempull, Sinagogë, apo Teqe, ku faleshin më parë, Boltonët, Blinkenët, Eskobarët, McGonigalët, apo Kimët e korruptuar majtistë, të cilëve iu priste shpata nga të katërta anët, për të prerë koka dhe shpallur ‘non grata’, ata që nuk iu pëlqenin Sorosit dhe sorosianëve! [Gazeta Panorama ]