Nga Dan GASHI / Njujork
Shtetet e Bashkuara po shpenzojnë miliarda dollarë në luftë me Iranin, duke futur botën në një spirale vicioze të kolapsit të çmimeve të naftës dhe krizes ekonomike. Në ndërkohë, Kina po publikon dokumentin, platformën ekonomike ndoshta më vendimtare të dekadës, pothuajse pa u vënë re. Ky ndryshim në vëmendje, jo me pompozitet si në të kaluarën, është pikërisht thelbi i problemit.
Ndërsa bota është e fokusuar në teatrin e luftës dhe luhatjet energjetike, Pekini po përcakton me shkrim arkitekturën e tij teknologjike, industriale dhe fuqinë strategjike për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.
Plani i 15-të Pesëvjeçar i 5 marsit që iu prezantua Kongresit Kombëtar Popullor, një dokument prej 141 faqesh që ka pak ritualitet dhe fare pak reflektim burokratik nga dokumentet e tilla nga tradita e kaluar. Hapësirë prominente në këtë tekst nxë inteligjenca artificiale që potencohet më shumë se pesëdhjetë herë, duke lënë të kuptohet se ajo nuk konsiderohet vetëm një sektor mes të tjerëve, por shtylla kurrizore e të gjithë transformimit ekonomik. Pekini synon të sigurojë që deri në vitin 2027, 70% e ekonomisë kombëtare të integrojë zgjidhjet e IA-së dhe që kjo pjesë të rritet në 90% deri në vitin 2030, duke e shndërruar efektivisht IA-në në një infrastrukturë po aq të përhapur sa energjia elektrike apo lidhja dixhitale.
Në këtë plan, rëndësi të veçantë i kushtohet robotikës, dhe në veçanti robotikës humanoide, si një nga shtyllat e fazës së re industriale të Kinës, me qëllimin për të dyfishuar prodhimin e robotëve brenda pesë viteve. Krahas kësaj, dokumenti përshkruan ambicie shumë të qarta në fushën e teknologjive të avancuara si rrjetet e komunikimit kuantik, fuzionit bërthamor të kontrolluar dhe zhvillimin sistematik të ndërfaqeve tru-kompjuter. Ky dokument ambicioz tregon se Kina nuk po ndjek vetëm inovacionet ekzistuese, por po synon trajektoren e teknologjive më dominuese dhe shkatërruese. Plani përcakton objektiva që qartësojnë fushëveprimin e kësaj strategie. Vlera totale e industrive lidhur me inteligjencën artificiale pritet të kalojë 10 trilionë juanë, ose rreth 1.38 trilionë dollarë, duke e renditur sektorin e IA-së ndër katalizatorët kryesorë të ekonomisë kombëtare, si dhe përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur një shkallë të lartë të vetëmjaftueshmërisë në zinxhirët e elementeve që konsiderohen kritikë: mineralet e rralla, gjysmëpërçuesit dhe komponentët e avancuar. Ky program kaq ambicioz me një dimension të veçantë ekonomik, është në sinkron me planet strategjiko-ushtarake të Kinës që përmes kontrollit të zinxhirëve të furnizimit të kontrollojë dhe të dominojë me aftësitë luftarake të çdo fuqie rivale.
Për këtë arsye, ky nuk është thjesht një plan ekonomik; përkundrazi, është një plan i vërtetë lufte për një konflikt që tashmë ka filluar, por që po luftohet në një terren që Shtetet e Bashkuara, të zhytura në luftëra konvencionale dhe kriza rajonale, vazhdojnë ta nënvlerësojnë. Washingtoni drejton burimet dhe vëmendjen te lufta e nxehtë në Lindjen e Mesme, ndërsa Pekini strukturon një luftë teknologjike, industriale dhe logjistike “të ftohtë” që synon të përcaktojë se kush do të kontrollojë mjetet materiale, kapitalin ekonomik dhe dixhital të luftërave të ardhshme.
“CHIPS Act” si një armë kundër ekspansionit
Përgjigja e SHBA-së ndaj sfidës teknologjike të Kinës ka qenë deri më tani “CHIPS and Science Act”, i miratuar në vitin 2022, për të cilin projekt u ndanë 52.7 miliardë dollarë për ngritjen dhe përforcimin në sektorin e gjysmëpërçuesve. Kjo masë e qeverisë ka nxitur mbi 640 miliardë dollarë investime private, por problemi është se ajo synon vetëm një segment të kufizuar. Disproporcioni i ambicieve dhe synimeve të SHBA-së dhe asaj të Kinës është në asimetrinë e qartë. Programi “CHIPS Act” është, në fakt, një armë e vetme e drejtuar drejt një objektivi specifik: prodhimit të çipave të avancuar, ndërsa Plani i 15-të Pesëvjeçar i Kinës i ngjan një arsenali të plotë që mbulon çdo fushë përfshirë IA në të gjithë sektorët, robotikën si shtyllë kurrizore të industrisë, infrastrukturën hapësinore, llogaritjen kuantike dhe forcimin e dominimit në përpunimin e mineraleve të rralla.
Mineralet e rralla, kompleksi ushtarak dhe “Opsioni Samson”
Çështja e mineraleve të rralla është pika ku plani ekonomik gërshetohet më qartë me dimensionin e luftës. Sot, Pekini kontrollon rreth 90% të kapacitetit botëror të përpunimit të këtyre elementeve. Çdo avion luftarak F-35 kërkon qindra kilogramë elementë të rrallë; çdo raketë Patriot apo municion i lëshuar mbi Iran mbështetet në materiale të rafinuara në Kinë.
Kjo levë tashmë është vendosur në lëvizje: në prill 2025, Pekini prezantoi kontrolle të eksportit për të gjithë 17 elementët e klasifikuar si minerale të rrallë. Në praktikë, lufta kundër Iranit po konsumon me shpejtësi sistemet e armëve, ndërsa Kina po ngulfat zinxhirin dhe prodhimin industrial të këtyre armëve.
Nga rafineritë e Iranit te shkatërrimi i infrastrukturës jetike të shteteve të rajonit
Eskalimi i shpejtë “kurthi i eskalimit” në këtë kontekst të luftës në Lindjen e Mesme merr karakteristikat e një “Opsioni Samson” që nuk është vetëm ushtarak, por edhe energjetik dhe mjedisor. Pas goditjes së rafinerive në Teheran, u goditën edhe ato të impianteve të desalinizimit të ujit. SHBA-ja dhe Izraeli i kanë dhënë efektivisht autorizim Teheranit të godasë infrastrukturën e furnizimit me ujë të Izraelit që furnizon mbi 60% të vendit me ujë. Sulme të tilla në infrastrukturën jetike të vendeve fqinje që mbajnë krahun e SHBA-së do të sulmohen mvarësisht dinamikës së eskalimit, gjegjësisht bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit. Kjo qasje me dinamikë të shpejtë eskaluese mbart në vete rrezik të trefishtë për SHBA-në:
1.Dëmtimi i marrëdhënieve me vendet prodhuese të naftës në rajon.
2.Rrezikimin e infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik, që mund të rrisë çmimin e naftës në 150-200 dollarë.
3.Pasojat afatshkurtra dhe afatgjata sistemike në ekonominë globale dhe situatën financiare të SHBA-së, inflacion dhe tensione sociale.
Rrënimi i Rendit ndërkombëtar dhe projektimi i modelit të hegjemonisë së re
Shkërmoqja e rendit ndërkombëtar që Uashingtoni dhe aleatët e tij e kanë mbajtur gjallë me sakrifica ka hyre ne rrugen pakthim.Tani është infrastruktura materiale; energjia, burimet, logjistika, teknologjitë kritike ato që po i japin konturat një Rendi botëror në formësim e sipër. Lindja e këtij Rendi të ri botëror po përcillet me kontraste simbolike. Nga njëra anë, Presidenti Trump mbështetet në slogane në mediat sociale si “shkatërrim i të gjithë armiqve të SHBA-së dhe Izraelit, aneksime, kërcënim me luftë dhe invazione etj”; nga ana tjetër, Xi Jinping në heshtje miraton një plan prej 141 faqesh që detajon se si të sigurohet kontrolli i materialeve, teknologjisë, dhe eventualisht dominimi global.
Udhëheqësi i Botës Perëndimore i kurthuar në një luftë që po përhapet shpejt dhe me tendence të një lufte globale. Ai i botës së Lindjes dhe autokracisë po projekton një rend pa luftë, me strategji për të përcaktuar kushtet strukturore dhe modelin që e bëjnë luftën e së ardhmes të qëndrueshme për veten dhe të papërballueshme për të tjerët
