The New York Times / 6 prill 2026
Nga Dr. Robert A. Pape
Në vitet e fundit, mençuria konvencionale gjeopolitike ka qenë se rendi botëror po lëvizte drejt tre qendrave të pushtetit: Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. Kjo pikëpamje supozonte se fuqia rridhte kryesisht nga shkalla ekonomike dhe aftësia ushtarake.
Ky supozim nuk qëndron më. Një qendër e katërt e fuqisë globale po shfaqet me shpejtësi — Irani — i cili nuk rivalizon këto tri kombe ekonomikisht apo ushtarakisht. Në vend të kësaj, fuqia e tij e sapogjetur rrjedh nga kontrolli i tij mbi pikën më të rëndësishme të bllokimit të energjisë në ekonominë globale, Ngushticën e Hormuzit.
Ngushtica kishte qenë prej kohësh një rrugë ujore ndërkombëtare përmes së cilës mund të udhëtonin anijet nga të gjitha vendet. Por fushata e përbashkët ushtarake që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan të zhvillonin kundër Iranit këtë vit, e ka shtyrë Iranin të krijojë një bllokadë ushtarake selektive të ngushticës.
Përafërsisht një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm lëviz përmes ngushticës. Nuk ka alternativa reale për këto rrugë furnizimi në afat të shkurtër. Nëse kontrolli iranian mbi ngushticën vazhdon për muaj apo vite, siç besoj se mund të ndodhë, ai do të riformësojë rrënjësisht rendin global në dëm të Shteteve të Bashkuara.
Shumë analistë besojnë se kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit është vetëm i përkohshëm. Një pritshmëri e përhapur është se forcat detare të SHBA-së dhe aleatëve së shpejti do të stabilizojnë situatën dhe se flukset e naftës do të rifillojnë sipas linjave të njohura.
Kjo pritshmëri është e gabuar. Ajo supozon se për të vazhduar kontrollin e ngushticës, Irani duhet ta mbyllë atë fizikisht. Por siç e kemi parë tashmë, ju mund ta kontrolloni ngushticën pa e mbyllur atë. Sot, ngushtica mbetet e hapur për tankierët. Megjithatë, trafiku ka rënë me mbi 90 për qind që kur filloi lufta, jo sepse Irani ka mbytur çdo anije që hynte në ngushticë, por sepse, duke pasur parasysh kërcënimin e besueshëm të një sulmi, siguruesit tërhoqën ose rishikuan çmimin e mbulimit të rrezikut të luftës. Goditja e një anijeje mallrash çdo pak ditë ishte më se e mjaftueshme për ta bërë rrezikun të papranueshëm.
Ekonomitë moderne nuk kërkojnë thjesht naftë. Ato kërkojnë gjithashtu naftë të dorëzuar në kohë, në shkallë të gjerë dhe me rrezik të parashikueshëm. Kur kjo besueshmëri prishet, tregjet e sigurimeve shtrëngohen, tarifat e fraktit rriten dhe qeveritë fillojnë ta shohin aksesin në energji si një sfidë komplekse strategjike dhe jo si një transaksion të thjeshtë tregtar.
Problemi për Shtetet e Bashkuara është asimetria. Mbrojtja e çdo dërgese nafte që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit kundër sulmeve të mundshme — minave, dronëve, sulmeve me raketa — është një operacion me kohë të plotë. Kërkon prani të vazhdueshme ushtarake. Iranit i duhet vetëm të godasë një tankier nafte herë pas here për të hedhur dyshime mbi besueshmërinë e dërgesave botërore të naftës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha po të enjten kur deklaroi se ishte “jorealiste” hapja e Ngushticës së Hormuzit me forcë dhe se “kjo mund të bëhet vetëm në akord me Iranin”. Ai pothuajse po pranonte se rrjedha e naftës nuk mund të garantohet pa pëlqimin e Iranit.
Për dekada, Gjiri Persik kishte një marrëveshje të thjeshtë: prodhuesit e naftës eksportonin, tregjet caktonin çmimin dhe Shtetet e Bashkuara siguronin rrugën. Ky sistem lejoi rivalitetin pa paqëndrueshmëri. Tani, ai po shpërbëhet.
Shtetet e Gjirit varen shumë nga eksportet e energjisë për të dhenat shtetërore. Kur normat e sigurimit rriten dhe transporti bëhet i pasigurt, ndikimi fiskal është i menjëhershëm. Qeveritë përshtaten. Ngarkesat ri-drejtohen. Kontratat rinegociohen.
Nëse pasiguria vazhdon, marrëveshja e Gjirit në mënyrë të pashmangshme do të ndryshojë, duke i lënë vendin një rendi rajonal të ndryshëm — një rend në të cilin shtetet e Gjirit akomodojnë gjithnjë e më shumë aktorin që mund të ndikojë më drejtpërdrejt në besueshmërinë e eksporteve të tyre. Ky aktor tani është Irani.
Pasojat globale do të jenë më të theksuara në Azi
Japonia, Koreja e Jugut dhe India varen shumë nga energjia e Gjirit. Kina, megjithëse më e diversifikuar, varet gjithashtu nga rajoni për një pjesë të madhe të importeve të saj të energjisë. Këto varësi janë të ngulitura në infrastrukturë — rafineri, rrugë transporti dhe sisteme magazinimi që nuk mund të rikonfigurohen shpejt.
Nëse ndërprerja e furnizimit me energji vazhdon, efektet do të jenë të gjera. Kostot më të larta të sigurimit dhe fraktit do të rrisin çmimet. Bilancet tregtare do të përkeqësohen. Monedhat do të dobësohen. Inflacioni do të rritet. Varësia nga energjia do të fillojë të formësojë politikën. Qeveritë do të prioritizojnë qasjen në energji. Zgjidhjet diplomatike do të ngushtohen. Veprimet që rrezikojnë paqëndrueshmëri të mëtejshme do të bëhen më të vështira për t’u mbajtur. Një botë e viteve 1970 në të cilën goditjet e naftës çojnë në vite stagflacioni nuk do të jetë më një kujtim i largët, por një realitet që po afrohet.
Përsëri, Irani do të përfitojë
Kina varet nga energjia e Gjirit për të mbajtur rritjen. Rusia përfiton nga çmimet më të larta dhe më të luhatshme të energjisë. Irani fiton influencë nga pozicioni i tij në pikën e bllokimit në Hormuz.
Secili prej këtyre tre kombeve ka stimuj që bien ndesh me stabilitetin ekonomik të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Këto tre kombe nuk kanë nevojë të koordinohen në mënyrë formale. Struktura e sistemit i shtyn ata në të njëjtin drejtim. Kështu shfaqet një rend i ri — jo përmes një aleance formale (të paktën jo në fillim), por përmes stimujve konvergjentë që përforcojnë njëri-tjetrin me kalimin e kohës.
Skenarë të tjerë të besueshëm në rendin e ri botëror në shfaqje janë edhe më të errët. Imagjinoni Iranin me kontrollin e rreth 20 për qind të naftës në botë, Rusinë me rreth 11 për qind dhe Kinën të aftë për të thithur pjesën më të madhe të këtij furnizimi. Ata do të formonin një kartel për t’i mohuar Perëndimit 30 për qind të naftës në botë. Nuk keni nevojë për analiza të sofistikuara për të njohur pasojat katastrofike: rënie të vrullshme të fuqisë për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, dhe një zhvendosje globale drejt Kinës, Rusisë dhe Iranit.
Shtetet e Bashkuara përballen me një zgjedhje të vështirë: ose të angazhohen në një përpjekje afatgjatë për të ripohuar kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, ose të pranojnë një marrëveshje të re globale të energjisë në të cilën kontrolli i SHBA-së nuk është më i siguruar.
Nëse zgjedh pranimin, rezultati është i qartë: sistemi ndërkombëtar do të riorganizohet me Iranin si qendrën e katërt të fuqisë globale. Megjithatë, nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të ripohojnë kontrollin ushtarak, ato i pret një betejë e gjatë, të cilën mund ta humbasin.
Lufta e Iranit nuk është një konflikt ushtarak nga i cili Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen thjesht, me gjërat që kthehen siç ishin më parë. Irani me siguri do të kërkonte një çmim të lartë në një akomodim të ri me Shtetet e Bashkuara — por ky çmim do të jetë sigurisht më pak kushtues se ai i së ardhmes alternative. Kjo është një luftë transformuese, dhe nëse këto ndryshime vazhdojnë qoftë edhe për pak vite, rendi global do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Robert Anthony Pape është politolog amerikan që studion çështjet e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, me fokus në fuqinë ajrore, dhunën politike, propagandën në mediat sociale dhe terrorizmin.
