Nga Dan GASHI / Njujork
Shumica e shteteve të vogla nuk posedojnë burime të veta energjetike dhe as mundësi për të ndikuar në rrjedhat globale, duke u bërë fushë ideale tranziti dhe poligone për projeksionin e ndikimit dhe sferave të interesit të aktorëve relevantë gjeopolitikë. Edhe Ballkani, si urë lidhëse mes Evropës dhe Azisë, është pjesë e strategjisë së projekteve energjetike dhe interesave afatgjata të fuqive globale. Projektimet e bëra mbi shtetet e vogla ballkanike nuk janë pa interes dhe strategji të caktuar, por janë të mirëmenduara politikisht dhe strategjikisht, me pasoja afatgjata për rajonin. Përcaktimet që këto shtete bëjnë, vetë apo nga presioni i aktorëve relevantë, qoftë për gazin rus, LNG-në amerikan apo kreditë joshëse infrastrukturore kineze, nuk janë thjesht një çështje ekonomike, teknike apo financiare, por jane strategjike me pasoja afatgjata.
Ndërhyrja në Venezuelë, kërcënimi për aneksimin e Grenlandës, protestat në Iran dhe presionet konstante mbi shtetet që eksportojnë energji drejt Kinës nuk mund të kuptohen nëse shihen të ndara nga lufta globale për kontrollin e tregtisë, teknologjisë dhe burimeve strategjike. Shtetet si Irani dhe Venezuela, edhe pse mbajnë qëndrim të pavarur, në realitet janë thellësisht të involvuara në një konflikt më të gjerë të fuqive të mëdha, ku burimet dhe kontrolli i tyre përfaqësojnë armën kryesore, ndërsa destabilizimi shërben si mjet “legjitim” i politikës. Krizat e brendshme sociale, demonstratat, ndërmarrjet kriminale si tregtia me drogë, madje edhe tentativat për rrëmbimin e liderëve shtetërorë, nuk janë më anomali, por elemente funksionale të një strategjie të gjatë dhe sistemike të zbatuar nga vendet e fuqishme, e sidomos nga SHBA-ja.
Në këtë tablo gjeopolitike, Kina figuron si aktori qendror nga Lindja. Edhe pse fuqia e saj ekonomike dhe teknologjike shpesh mbivlerësohet, ndërsa varësia e saj energjetike nënvlerësohet varësisht kontekstit dhe qëllimeve. Kina mbetet tejet e ndjeshme dhe e vetëdijshme për pamjaftueshmërinë energjetike, por me ambicie të theksuara industriale, urbanizim masiv dhe avancim në inteligjencën artificiale, teknologji ushtarake e programe hapësinore, që padyshim kërkojnë një rrjedhë të qëndrueshme, të mjaftueshme dhe relativisht të lirë të energjisë . Ajo importon më shumë se dy të tretat e naftës, ku një pjesë e madhe e këtij importi vjen nga rajone politikisht të paqëndrueshme ose kalon nëpër rrugë që janë nën mbikëqyrjen direkte ose indirekte të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Ky realitet gjeopolitik dhe gjeoekonomik përcakton pothuajse të gjitha vendimet gjeopolitike kineze.
Janë vetëm dy shtete që momentalisht janë jashtë sferës dhe kontrollit të SHBA-së dhe aleatëve të saj, Irani dhe Venezuela. Irani i mundëson Kinës marrëveshje afatgjata energjetike jashtë sistemeve financiare perëndimore, duke mundësuar pagesën jashtë sistemit të petrodollarit. Kurse Venezuela ofron sasi potencialisht të mëdha nafte në hemisferën perëndimore, duke anashkaluar konfliktet e Lindjes së Mesme. Pikërisht për këtë arsye, këto dy vende kanë qenë për dekada nën presionin e sanksioneve, izolimit politik dhe demonizimit mediatik. Edhe pse ndryshimi i regjimit propagandohet vazhdimisht, qëllimi nuk është domosdoshmërisht rrëzimi i tyre, por krijimi i një paqëndrueshmërie të përhershme që i pengon këto shtete të jenë partnerë të besueshëm për Pekinin.
Protestat në Iran janë padyshim të shkaktuara nga probleme serioze të brendshme: kriza ekonomike, inflacioni, papunësia, korrupsioni, hendeku i brezave dhe aparati represiv i regjimit teokratik. Politika konfrontuese e elitës politike të Iranit ndaj Perëndimit dhe fqinjëve arabë nxiti sanksionet që shkatërruan në mënyrë sistematike ekonominë iraniane, duke kufizuar eksportin e naftës dhe duke pamundësuar qasjen normale në tregjet globale. Efekti i këtyre lëvizjeve mjafton për të rritur rrezikun politik dhe për të dekurajuar investimet në projektet afatgjata me Kinën. Në këtë kontekst duhet parë edhe tentativa për largimin e dhunshëm të Nicolás Maduros. Ky operacion tregoi realitetin e ri të ndërhyrjes si normë në gjeopolitikën bashkëkohore: regjimet mund të përmbysen edhe pa tanke apo ushtarë të rregullt, mjafton një kombinim sanksionesh, propagande mediatike, ngulfatjeje ekonomike, rrjete kriminale dhe lufte hibride.
E gjithë kjo strategji amerikane është në shërbim të luftës së heshtur ndaj ekspansionit ekonomik kinez. Zhvillimi i hovshëm kinez i gjysmëprocesuesve, inteligjencës artificiale dhe automjeteve elektrike varet nga furnizimi i qëndrueshëm energjetik. Tajvani shfaqet si pikë qendrore këtu; kontrolli mbi prodhimin e çipave të avancuar ku Tajvani furnizon 90% të tregut botëror, do të ishte një avantazh strategjik kolosal për Kinën, prandaj SHBA-ja po bën përpjekje maksimale për ta parandaluar një pushtim eventual. Ky pozicionim e shtyn Kinën drejt një aleance gjithnjë e më të afërt me Moskën.
Përvojat e Iranit dhe Venezuelës shërbejnë si mesazh për shtetet e vogla, varësia energjetike pa fuqi politike çon në cenueshmëri. Shtetet e Ballkanit që nuk janë pjesë e BE-së po manifestojnë simptoma të fragmentimit dhe krizave të brendshme që mund të instrumentalizohen lehtësisht. Siria mbetet shembulli ku fati vendoset jashtë kufijve nga aktorët kyç gjeopolitikë, duke konfirmuar se interesi i fuqive të mëdha peshon më shumë se e drejta ndërkombëtare.
Kosova dhe Shqipëria nuk duhet ta injorojnë këtë leksion. Kur flitet për “realitetin në terren” apo “zgjidhje funksionale”, duhet të kuptojmë se shpesh janë eufemizma për ndarje të mundshme përmes marrëveshjeve ndërkombëtare. Alepo, si referencë, paralajmëron se ndarjet vijnë gradualisht përmes lëshimeve politike, gjegjsishte zhvillimeve ne teren. Kur fati i shtetit u lihet marrëveshjeve të të tjerëve, çmimi paguhet gjithmonë me territor dhe jetë njerëzish.
Në fund, kontrolli i energjisë mbetet fati i botës bashkëkohore. Kina tentohet të ngadalësohet përmes kontrollit të rrjedhave energjetike, ku Irani dhe Venezuela shërbejnë si eksperimente laboratorike. Ballkani ndodhet brenda të njëjtës matricë, në ekuacionet e fuqive të mëdha. Shtetet e vogla shpesh detyrohen të luajnë me rregullat e të tjerëve, duke paguar jo rrallëherë çmimin e vlerësimeve të tyre të gabuara politike.
