DAIM ILAZI
Gjatë këtij viti, më 19 dhe 26 tetor në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohen zgjedhjet vendore. Nisur nga gjendja e përgjithshme politike dhe socialekonomike në vend, sipas ekspertëve dhe politologëve, por dhe siç “duken bathët” në terren, këto zgjedhje pritet të jenë më të ashprat në të gjitha aspektet.
Ja pse është me rëndësi jetike që të gjithë zgjedhësit atje, maqedonas dhe shqiptarë të shfaqin përmbajtje, kulturë dhe frymën e BE-së; aty ku po duam prej dekadash të hyjmë dhe ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme në të gjitha nivelet janë standard dhe kërkesë jetike. Ndaj dhe zhvillimi i tyre i rregullt, duke filluar qysh tani me fushatën zgjedhore do të ishte hap i madh premtues me ndikim pozitiv në shëndoshjen e gjendjes në vend, forcimin e kohezionit social dhe për rrjedhojë dhe në procesin historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
E theksuam ndihmesën e të gjithë shtetasve dhe zgjedhësve pa përjashtim, sepse dihet që si zgjedhjet ashtu dhe gjithë procesi kompleks i ndërtimit të një shteti të qëndrueshëm, demokratik dhe të drejtë nuk është përgjegjësi e një komuniteti të vetëm, por mision i përbashkët i të gjithë qytetarëve të tij – pa dallim etnie apo feje. Maqedonia e Veriut është një mozaik i pasur kulturor dhe etnik, ku maqedonasit dhe shqiptarët përbëjnë dy shtyllat kryesore, përkrah komuniteteve të tjera si turqit, romët, boshnjakët, serbët, vllehët e të tjerë. Në këtë realitet, ndërtimi i shtetit duhet të mbështetet fuqimisht në bashkëjetesë, barazi dhe tolerancë të ndërsjellë.
Së pari, duhet ta pranojmë se dallimet tona nuk janë pengesë, por janë vlerë. Gjuha, kultura dhe traditat e ndryshme nuk duhet të jenë shkak për ndasi, por një pasuri që na bashkon. Kjo kërkon vullnet të mirë, respekt reciprok dhe institucione që garantojnë barazi reale në të gjitha fushat: arsim, punësim, përfaqësim politik dhe shërbime publike. Një shtet është i fortë vetëm kur çdo qytetar ndjehet i përfaqësuar dhe i trajtuar me dinjitet.
Në këtë frymë, mund të përmendim deklaratën e fuqishme të Adem Demaçit, i mbiquajtur “Mandela” i Kosovës dhe Ballkanit, – simbol i qëndresës paqësore shqiptare – dhënë në Beograd pas bombardimeve të NATO-s:
“Këtu kam ardhur jo si shqiptar, por si njeri. Uroj që edhe te pala serbe të mendojnë si njerëz, jo vetëm si serbë. Sepse kur kemi menduar vetëm si shqiptarë apo vetëm si serbë, jemi vrarë e gjakosur. “Ky mesazh universal, që tejkalon kufijtë etnikë, duhet të jetë udhërrëfyes për politikanët tanë – maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjak, serbë, romë, vllehë e të tjerë.
Ndryshe, pa pranimin e ndërsjellë dhe pa respektimin e të drejtave të njëri-tjetrit, nuk ka shtet funksional, por vetëm tension dhe izolim.
Shqiptarët janë pjesë e pandashme e kësaj toke – “den baba den”, që nga koha iliro-romake – dhe gjithmonë kanë qenë konstruktivë, luajalë dhe kontribues në shtet. Shqipëria dhe Kosova e njohin Maqedoninë e Veriut si shtet, pa asnjë dilemë, e njohin kombin maqedonas, gjuhën dhe kishën e tij dhe kanë qenë çdo herë bashkëpunues. Megjithatë, fyerjet dhe ofendimet në libra shkollorë dhe në disa botime zyrtare, në Enciklopedinë maqedone nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, ku shqiptarët paraqiten si ardhacakë nga Azia, Çerkezë apo Mongolë janë tejet shqetësuese; ato janë qëndrime të papranueshme dhe të rrezikshme për kohezionin tonë shoqëror. Po ashtu, koncepti i “20% pa emër” në Kushtetutën tonë është një fyerje e hapur ndaj shqiptarëve, d.m.th. jemi popull në masën 20 për qind pa emër.
Mirëpo, Evropa nuk do të pranojë një shtet që ruan mendësi të tilla primitive dhe përjashtuese. Apo siç ndodh në raste të tjera që haj të lusim a mundet me punësue nja 20 – 30 shqiptarë dhe me na lejue maksimumi nja 3 – 4 prej tyre sepse Ministria e Financave nuk jepka pëlqim; pra nënçmimin në vendin tënd që çdo herë të jemi lypsarë.
Një herë Kardinali kroat Franjo Kuhariç pati deklaruar: “Kur të vdesim, Zoti nuk do na pyesë se çfarë kombi apo feje kemi qenë, por a i kemi bërë dëm njëri-tjetrit.” Ky mesazh është thelbësor për çdo shoqëri që aspiron për drejtësi, paqe, qytetërim dhe zhvillim. Sepse siç pat thënë dikur Aristoteli: “E dua Platonin por më shumë e dua të vërtetën”!.
Një rol kyç në ndërtimin e këtij shteti e ka arsimimi i brezave të rinj. Shkollat duhet të bëhen qendra ku kultivohen toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Fëmijët maqedonas dhe shqiptarë duhet të mësojnë të jetojnë dhe të punojnë bashkë – të ndërtojnë ura komunikimi që të çlirohen nga paragjykimet e trashëguara dhe të jetojnë me dinjitet në një shoqëri të hapur.
Por bashkëjetesa kërkon më shumë se tolerancë – ajo kërkon bashkëpunim të sinqertë dhe të vazhdueshëm. Të gjithë – maqedonasit, shqiptarët dhe komunitetet e tjera – duhet të punojnë së bashku për zhvillimin ekonomik, për reforma të thella demokratike dhe për integrimin në Bashkimin Evropian.
Trenat për Bruksel vijnë e shkojnë, ndërsa ne ende nuk kemi arritur në stacion. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hipë në tren dhe kanë arritur në “paradhomën” e BE-së, ndërsa ne vazhdojmë ende të endemi nëpër mjegull. Këtu ia vlen të rikujtojmë fjalët e emblematikut Winston Çurçill: “Politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrështetasit mendojnë për ardhmëri, mirëqenie për brezat e ardhshëm.”
Ja pse ne kemi nevojë për politikanë, deputetë, ministra, burrështetas që mendojnë për fëmijët e kësaj toke, për rininë, e jo për tendera apo për zgjedhjet dhe votat e radhës. Meqenëse përmendëm votat dhe jemi në prag të zgjedhjeve vendore, një vërejtje miqësore partive të bllokut maqedonas, bllokut shqiptar dhe komuniteteve të tjera që ta kursejnë retorikën partiake, të shmangin fyerjet, të tregojnë qytetërim gjatë fushatës zgjedhore, të tregojmë se vërtet kemi sjellje e kulturë europiane dhe të mos bëhen shkaktarë të përçarjes së popullit.
Në përfundim, ndërtimi i shtetit nuk është privilegj, ekskluzivitet apo detyrë e një komuniteti të vetëm, në këtë rast vetëm i maqedonasve, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve – e të gjithë taksapaguesve që e mbajnë këtë shtet gjallë. Bashkëjetesa dhe toleranca nuk janë thjesht parulla politike – janë garancia më e mirë për një Maqedoni të Veriut të fortë, të begatë dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Maqedonasit dhe shqiptarët, si dy shtylla kryesore të kësaj ndërtese që e quajmë vendi ynë i përbashkët, bashkë me komunitetet e tjera, mund dhe duhet ta ndërtojnë këtë shtet mbi themelet e respektit, sinqeritetit, demokracisë dhe barazisë së plotë – pa hile. “Concordia patriam firmat!”
*Autori i shkrimit, Daim Ilazi është poet i njohur në Tetovë, pedagog dhe ish-diplomat karriere në Shkup, Bernë, Paris, Bruksel dhe Ankara.