Nga Dr. Selim IBRAIMI
Zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së kanë arritur një marrëveshje për të parandaluar një luftë tregtare, e cila do të dëmtonte BE-në dhe SHBA-në. Pas bisedimeve midis presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe presidentes së Komisionit Evropian (KE) Ursula Leyen në Skoci, palët ranë dakord për një tarifë amerikane prej 15 përqind për të gjitha mallrat e BE-së.
Aktualisht, SHBA-ja dhe BE-ja kanë një shkëmbim tregtar prej 1.7 trilion dollarësh amerikanë në vit të kombinuar së bashku me një treg që përfshinë 800 milionë banorë. Për javë të tëra, Brukseli dhe Uashingtoni kanë punuar për një marrëveshje për të shmangur vendosjen e tarifave të larta amerikane. Ndërkohë, sipas qeverisë amerikane, marrëveshja e arritur në Skoci midis dy palëve forcon ekonominë dhe aftësitë prodhuese të SHBA-së. Sipas raporteve zyrtare të SHBA-së, deri në vitin 2028, “BE-ja do të blejë 750 miliardë dollarë në kapacitetin energjetik të SHBA-së dhe do të bëjë investime të reja prej 600 miliardë dollarësh në SHBA”. Shtëpia e Bardhë, në një njoftim për shtyp, njoftoi përmbajtjen e marrëveshjes së arritur, e cila përfshin disa kushte.
Përveç investimit të 600 miliardë dollarëve në SHBA, BE-ja është zotuar të rrisë ndikimin e saj në fushën e energjisë. Sipas marrëveshjes, kjo do të forcojë dominimin amerikan në fushën e energjisë dhe do të zvogëlojë varësinë e vendeve evropiane nga fuqi të tjera si Rusia dhe Kina. Deklarata thotë më tej se “BE-ja dhe SHBA-ja do të punojnë për të eliminuar tarifat në sektorë të ndryshëm dhe do të ofrojnë kuota kuptimplote për produkte të tjera, të cilat kur kombinohen do të krijojnë mundësi të konsiderueshme tregtare për akses në treg për një sasi të konsiderueshme të eksporteve amerikane në BE, duke mbështetur vende pune amerikane me cilësi të lartë”.
“BE-ja do të punojë për të adresuar një numër shqetësimesh amerikane në lidhje me kërkesat e vendeve evropiane që janë të rënda për eksportuesit amerikanë. Për më tepër, të dyja palët do të angazhohen për eliminimin e barrierave tregtare për eksportet bujqësore amerikane. Kjo do të krijojë një mundësi për të thjeshtuar çertifikatat sanitare për produktet e qumështit në SHBA që kërkohen nga vendet e BE-së”. Në fushën e tregtisë digjitale, marrëveshja thotë se të dyja palët do të adresojnë barrierat e panevojshme. SHBA-ja do të mbajë zero tarifa për pajisjet elektronike evropiane.
Kështu, SHBA-ja dhe BE-ja kanë hyrë në një marrëveshje që do të rrisë bashkëpunimin, do të forcojë sigurinë, dhe do të zgjerojë më tej eksportet amerikane në tregjet e vendeve evropiane. Një theks i veçantë i vihet vazhdimit të blerjes së pajisjeve ushtarake amerikane nga vendet evropiane. Jo shumë kohë më parë, BE njoftoi gjithashtu përmes një deklarate se partneriteti transatlantik SHBA-BE është shumë i rëndësishëm në këtë kohë të vështirë për të dyja palët. Sipas BE-së, marrëveshja rikthen sigurinë për qytetarët, për bizneset amerikane dhe evropiane, duke ruajtur, sipas Brukselit, “zinxhirët e vlerave thellësisht të integruar”. Sipas deklaratës së KE-së, angazhimet kryesore të BE-së dhe SHBA-së përfshijnë vendosjen e një kufiri të vetëm dhe gjithëpërfshirës tarifor të SHBA-së prej 15 përqind për mallrat e BE-së. “Ofrimi i trajtimit të veçantë për prodhimet strategjike si avionët dhe pjesët e avionëve nga vendet e BE-së, ilaçet gjenerike… kthehen në nivelet para janarit”. Marrëveshja parashikon bashkimin e forcave në mbrojtjen e sektorëve të çelikut, aluminit dhe bakrit nga konkurrenca e padrejtë. SHBA-të dhe BE-ja do të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë ekonomike.
“Sigurimi i aksesit të besueshëm në energji kritike dhe furnizime të orientuara drejt së ardhmes mbetet jetik për të dyja palët”. Në fushën e sigurisë energjetike, BE-ja ka paralajmëruar se ofrimi i opsioneve të reja të furnizimit me energji do të kontribuojë në sigurinë e BE-së. “Ne do ta zëvendësojmë gazin dhe naftën ruse me blerje të konsiderueshme të LNG-së, naftës dhe karburanteve bërthamore amerikane”, thuhet në deklaratën e KE-së.
“Çipat amerikanë të inteligjencës artificiale do të ndihmojnë në fuqizimin e gjigafabrikave të inteligjencës artificiale dhe do të ndihmojnë SHBA-në të ruajë avantazhin e saj teknologjik ndaj të tjerëve”.
Marrëveshja përfshin gjithashtu pika të tjera të rëndësishme për të dyja ekonomitë si një mburojë për të luftuar fuqinë ekonomike të shteteve aziatike në tregjet e SHBA-së dhe Evropës. Përpara takimit në Skoci, presidenti i SHBA-së Donald Tramp e kishte kërcënuar BE-në me tarifa prej 30 përqind ose më shumë, të cilat, sipas Komisioneres Von Leyen, do të nënkuptonin në mënyrë fundin e tregtisë midis BE-së dhe SHBA-së. Gjatë muajve të fundit, Komisioni Evropian hartoi gjithashtu kundërmasa ndaj planeve të SHBA-së për të vendosur tarifa të larta për prodhimet evropiane.
Ndërsa bisedimet morën një kthesë pozitive, të dyja palët i kanë lënë pas dallimet e tyre për momentin, me përjashtim të reagimeve franceze dhe hungareze që thonë se nuk pajtohen me të gjitha pikat e marrëveshjes. Sa i përket vendeve të Ballkanit, Serbia do të përballet me një tarifë të lartë prej 35 përqind të vendosura nga SHBA-ja. Bosnja-Hercegovina me 30 përqind. Maqedonia e Veriut i ka ulur ato në 15 përqind, dhe Kosova me 10 përqind. Qeveria në Prishtinë njoftoi se ka ndryshuar politikën e saj në zero tarifa për prodhimet amerikane. Mali i Zi dhe Shqipëria do të përballen me një tarifë më të ultë prej 10 përqind.
Në vitet e ardhshme, mbetet të shihet nëse do të kemi më shumë prodhime amerikane në tregjet e BE-së dhe të Ballkanit që konkurrojnë me prodhimet nga Kina ose Turqia. Vendet e Ballkanit tregtojnë më shumë me vendet e BE-së, Turqinë, Kinën dhe Rusinë. SHBA-të, e kanë ndihmuar Ballkanin me mjete financiare që nga Lufta e Dytë Botërore (LDB) dhe rënia e Murit të Berlinit, por janë renditur poshtë vendeve të përmendura për sa i përket tregtisë.
Tani është koha për të ndryshuar, dhe vitet e ardhshme do të tregojnë efektin e marrëveshjeve të tilla të bëra nga administrata amerikane. Shtëpia e Bardhë njoftoi se tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht 2025. “Masat e ndërmara nga administrata amerikane janë pjesë e një strategjie më të madhe për të ristrukturuar tregtinë ndërkombëtare, mbrojtur punëtorët amerikanë, dhe zvogëluar deficitin tregtar të SHBA-së përmes tarifave”.