(Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit)
Nga Dr. Arben FETOSHI
Dy vjet pas inkursionit në Banjskë të Zveçanit, të kornizuar si sulm terrorist kundër rendit kushtetues të Kosovës, Ballkani vazhdon të jetë nën kërcënimin e apetiteve shoviniste të Serbisë dhe boshtit revizionist në krye me Rusinë.
Qëllimi i pandryshuar për sabotimin e Republikës së Kosovës, veç sa i ka ashpërsuar metodat perfide të manipulimit dhe mobilizimit nacionalist. Pas dështimit të Radojçiqit dhe paramilitarëve të tij, si rezultat i efikasitetit të institucioneve të sigurisë në koordinim me aleatët, Serbia e ka vazhduar luftën speciale me instrumente të sofistikuara si dezinformimi, viktimizimi, mashtrimi diplomatik dhe rrjeti i spiunazhit në Kosovë.
Goditja amerikane
Dhjetori 2021 shënoi një kthesë të madhe për veriun e Kosovës. Deri asokohe, grupet kriminale të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, sundonin të lirë dhe të paprekshëm në atë zonë të Kosovës.
Rrjeti i tij kriminal operonte si “shtet paralel”, i përkrahur nga Beogradi, i mbrojtur përmes pozitave në institucionet e Kosovës dhe i legjitimuar politikisht përmes Listës Serbe.
Por, në dhjetor të atij viti erdhi goditja e parë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Departamentit të Thesarit dhe Urdhërit Ekzekutiv 13818 (Global Magnitsky Act) vendosën sanksione kundër Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe dhjetë bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe ndaj 24 kompanive e entiteteve që përbënin bazën financiare të rrjetit.
Me këtë vendim, Radoiçiq, Veselinoviq dhe rrjeti i tyre u ekspozuan ndërkombëtarisht si aktorë të krimit dhe korrupsionit transnacional, të cilët s’mund të vazhdonin të pandëshkuar.
Pra, vendimi ishte më shumë se një sanksion, ishte një urdhër i heshtur për Kosovën që të mos e lejonte edhe më tutje sundimin e krimit në veri.
Tolerimi i bandave kriminale do ta fuste Kosovën në hartën e krimit ndërkombëtar dhe do të minonte sovranitetin e saj.
Për këtë arsye, institucionet sigurisë ndërmorën veprime konkrete për eliminimin e këtyre strukturave dhe shtrirjen e sundimin e ligjit, duke vërtetuar se rrjeti nuk kishte kurrfarë mbështetje nga qytetarët serbë.
Dështimi në Banjskë
Përballë kësaj situate, Serbia s’kishte shumë opsione. Provoi skenarin e një kaosi të kontrolluar për imponimin e një kordoni sigurie (si në vitin 1999) që minimalisht do të çonte në suspendimin e institucioneve të Kosovës përmes ndërhyrjes së KFOR-it dhe rifuqizimit të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Planit do t’i printe Radojçiq, duke organizuar sulmin e armatosur, me qëllim destabilizimin e veriut përmes provokimit të një reagimi të policisë që do të çonte në viktima civile.
Mirëpo, si rezultat i kapaciteteve të larta, efikasitetit dhe koordinimit me aleatët, skenari dështoi dhe grupi terrorist u neutralizua shpejt. Serbia u ekspozua politikisht për lidhjet e drejtpërdrejta dhe mbështetjen e strukturave terroriste, ndërkaq Kosova, me gjithë humbjen e madhe me rënien e rreshterit Afrim Bunjaku, strategjikisht doli më e fortë, duke fituar betejën për sovranitetin dhe integritetin territorial.
Megjithatë, dështimi nuk i dha fund politikës shoviniste të Serbisë, për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe “mirëkuptimit” për hir të “stabilokracisë”. Duke e shfrytëzuar këtë momentum, Serbia e zhvendosi strategjinë e luftës në forma të tjera, me intensifikim të fushatave të dezinformimit e propagandës, operacione të spiunazhit, destabilizim të brendshëm dhe përpjekje minuese në arenën ndërkombëtare.
Qëllimi i njëjtë me metoda të tjera
Sipas modelit rus të përmbysjes me gënjeshtra (Firehose of Falsehood) dhe duke aplikuar strategjinë e viktimizimit, Serbia inskenoi narrativa mashtruese për “terrorin e Kosovës ndaj serbëve”, “ngacmimin e vajzave dhe grave serbe”, rrezikimin e trashëgimisë serbe”, me qëllim të demonizimit të institucioneve të Kosovës, nxitjes emocionale, mobilizimit të qytetarëve serbë dhe manipulimit në procesin e Brukselit.
Krahas kësaj, e përdori gjithashtu spiunazhin dhe rrjetet e inteligjencës për ta shtrëmbëruar të vërtetën, duke shënjestruar ngjarje, fakte, politikanë, gazetarë dhe aktivistë, me qëllim të ndikimit psikologjik dhe politik në Kosovë. Propaganda etno-nacionaliste arriti nivele absurde, me fabrikim të rrenave për ta bombarduar opinionin serb, në funksion të nxitjes emocionale dhe mobilizimit kolektiv.
Në të njëjtën linjë, janë sajuar narrativa për trashëgiminë serbe në “rrezik” (kishat, manastiret dhe monumentet kulturore), pavarësisht se janë të mbrojtura me ligj dhe ruhen nga institucionet e sigurisë. Fushata të tilla ishin pjesë e një strategjie më të gjerë për të krijuar klimë të përhershme pasigurie te qytetarët, në mënyrë që të mbaheshin të lidhur politikisht me Serbinë si “gardiane” e tyre e vetme.
Përmes dezinformimit dhe aktiviteteve të tjera hibride, Serbia synonte jo vetëm ruajtjen e kontrollit mbi veriun, por edhe shmangien e përgjegjësisë përballë drejtësisë ndërkombëtare, sidomos në çështjen e të zhdukurve gjatë luftës. Duke e zhvendosur vëmendjen te “rreziqet ndaj serbëve”, ajo e ka mbuluar vazhdimisht përgjegjësinë për këtë plagë ende të hapur të luftës. Ndërkohë, institucionet e sigurisë kanë zbuluar po ashtu një rrjet të gjerë spiunazhi të Serbisë, i cili nuk kufizohet vetëm në Kosovë, por edhe në struktura të institucioneve ndërkombëtare.
Duke forcuar gjithnjë e më shumë lidhjet me Rusinë dhe Kinën, Serbia ka manifestuar gjatë kësaj kohe edhe orientimin strategjik anti-perëndimor, në shërbim të një agjende që e sheh si mundësi për projektin e saj të “Botës Serbe”.
Pra, dy vjetori i sulmit terrorist në Banjskë nuk na shërben si përkujtim i një beteje të dështuar të Serbisë, por na duhet si reflektim për rrezikun që vazhdon të paraqesë ajo. Koordinimi i saj me Rusinë përbën kërcënimin më serioz për paqen në Kosovë dhe rajon.