Nga Dr. Xhevat Hasani
Qeveria VMRO-iste e Maqedonisë në krye me racistin Mickoski, gjatë shtatorit të këtij viti 2025 tabllonë e mozaikut të saj anti-shqiptar, e ka plotësuar edhe me aktin e largimit nga uniformat e reja policore të mbishkrimit «POLICIA» në gjuhën shqipe, duke mbetur kësisoj në uniformat policore vetëm mbishkrimi “Полиција“ në gjuhën maqedone i shkruar në alfabetin qirilikë dhe mbishkrimi «Police» në gjuhën angleze.
Heqja e mbishkrimit «Policia» në gjuhën shqipe nga uniformat policore të Maqedonisë, paraqet aktin e 20-të antishqiptar, që qeveria raciste VMRO-iste ka ndërmarrë kundër të drejtave legjitime të shqiptarëve, ç`prej se ajo ka ardhur në pushtet në majin e vitit 2024.
Por ky nuk është akti i vetëm që qeveria VMRO-iste maqedone ka ndëmarrë kundër gjuhës shqipe, sepse ajo ka ndërmarrë paraprakisht edhe tre hapa të tjerë për reduktimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni.
1. Hapi i parë, ka pasur të bëj me përpjekjet qeverisë VMRO-iste për abrogimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, ligj ky sipas të cilit në vendbanimet e banuara me së pakut 20% me shqiptarë, krahas gjuhës maqedone edhe gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare. Por ky hap për shkak të kudërshtimeve ligjore të shqiptarëve ka dështuar.
2. Hapi i dytë, ka pasur të bëj me heqjen e emërtimve në gjuhën shqipe të vendbanimeve shqiptare nga tabelat e mëdha të autostradave dhe rrugeve magjistrale të Maqedonisë, hap ky që është realizuar plotësisht.
3. Hapi i tretë, ka pasur të bëj me heqjen e emërtimeve të rrugëve brenda vendbanimeve shqiptare me emra të figurave historike shqiptare të shkruara në alfabetin latin, hap ky që është realizuar pjesërisht.
Kështu, heqja e mbishkrimit «Policia» në gjuhën shqipe nga uniformat e policisë së Maqedonisë, paraqet hapin e katërt me radhë, që qeveria raciste VMRO-iste ka ndërrmarrë kundër përdorimit të gjuhës shqipe në MAQEDONINË BIETNIKE (maqedono-shqiptare) dhe në MAQEDONINË MULTIETNIKE, në të cilën përveç shumicave kombëtare maqedone dhe shqiptare, jetojnë edhe rreth dhjetë pakica kombëtare të ndryshme.
Qeveria VMRO-iste është pozicionuar ndaj gjuhës shqipe sikur shqiptarët ne Maqedoni të përbënin 3% të poullatës dhe jo 30% të popullatës së gjithmbarshme të vendit, siç qëndron realisht. Kështu, Qeveria VMRO-iste ndër të tjera ka nevojë edhe për një leksion të ftohtë matematikor!
S’ka dyshim se në javët dhe muajt në vazhdim Qeveria raciste e VMRO-së në pushtet, do të ndërmarrë hapa të tjerë kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani ajo mesatarisht për çdo muaj ka ndërmarrë një deri dy hapa kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Për mendimin tim të gjitha veprimet e tilla antishqiptare të Qeverisë VMRO-iste, janë në funksion të shkaktimit të luftës së armatosur në mes të ushtrive dhe policive monoetnike maqedone, në njërën anë, dhe shqiptarëve në viset e tyre në Mqedoni, në anën tjetër. Dhe krejt kjo me qëllim të fundit gjenocidizimin dhe spastrimin etnik rrënjësor të shqiptarëve nga Maqedonia drejtë Kosovës dhe Shqipërisë.
Mendoj se Qeveria raciste VMRO-iste është në pritje të përhapjes edhe më të madhe të vatrave të luftërave nëpër botë, në mënyrë që ajo, duke shfryëzuar mjegullajat e luftërave t`i gjenocidizoj dhe spastroj etnikisht shqiptarët, pa marrë asnjë përgjegjësi ndërkombëtare.
Meqë Presidentja e Maqedonisë, Davkova dhe Kryeministri i Maqedonisë Mickoski, ushqehen aq shumë me racizëm anti-shqiptar, ata nuk kanë nevojë që të marrin edhe tri herë në ditë ushqim të lëngshëm apo të thatë! Mbipesha askujt nuk i bën mirë!