Nga Dr. Agi KRASNIQI
Ekspert i te Drejtës Publike dhe Qeverisjes
Çështja e zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, në pamje të parë, mund të duket si një procedurë e zakonshme parlamentare. Por në thelb, ajo është betejë shumë më e thellë, përplasje mes dy qasjeve mbi vetë kuptimin e Kushtetutës: një qasje teknike, e mbështetur te interpretimi literal i normave, dhe një qasje filozofiko-kushtetuese, e cila i jep përparësi frymës dhe parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Qasja teknike, e përfaqësuar nga interpretimi i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani dhe e përqafuar në disa vendime të mëvonshme të Gjykatës, thotë se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët, përfshirë edhe atë nga komuniteti serb.
Në dukje kjo shihet si e drejtë: leximi strikt i formulimit të nenit përkatës të Kushtetutës dhe të vendimit të vitit 2014 e mbështet këtë logjikë. Por, problemi është se ky interpretim i ftohtë juridik, i shkëputur nga fryma e dispozitave themelore, i jep një komuniteti të vetëm fuqi disproporcionale bllokuese mbi institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve.
Nga ana tjetër, qasja filozofiko-kushtetuese e sheh Kushtetutën jo vetëm si tekst normativ, por si akt filozofik që mishëron parimet themelore të shtetësisë. Kapitulli i parë i Kushtetutës, veçanërisht nenet 1 dhe 3, e përcakton Kosovën si shtet unik, sovran dhe demokratik, me shoqëri shumë etnike, por jo me strukturë federale dhe as me të drejtë vetoje për komunitetet. Nëse pranojmë logjikën e “të gjithë nënkryetarëve”, ne praktikisht e shndërrojmë Kuvendin në arenë ku një pakicë e vogël mund të pengojë funksionalitetin e shtetit, duke cenuar kështu frymën e nenit 1 dhe 3.
Ky precedent është veçanërisht i rrezikshëm në kontekstin e pretendimeve të vazhdueshme të Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Përmes këtij projekti, Beogradi synon të krijojë një mekanizëm paralel që i jep komunitetit serb kompetenca bllokuese brenda shtetit të Kosovës.
Nëse Gjykata Kushtetuese mban gjallë logjikën se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa nënkryetarin serb, atëherë hapet rruga që e njëjta logjikë të zgjerohet edhe më tej, duke legjitimuar një strukturë asociacioni që bie ndesh me parimin e shtetit unik.
Duhet theksuar se Kushtetuta është më shumë sesa një manual teknik i funksionimit institucional. Ajo është “dogma e lirisë” mbi të cilën ndërtohet shteti.
Ligjet e zakonshme dhe aktet nënligjore janë thjesht instrumente teknike, por Kushtetuta është themeli filozofik dhe politik i rendit shtetëror.
Në këtë kuptim, interpretimi i saj nuk mund të bëhet vetëm me sy teknik, sepse rrezikon ta reduktojë shtetin në formulë të brishtë, të ekspozuar ndaj manipulimeve të brendshme dhe të jashtme.
Në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese u shpreh se “Kuvendi konsiderohet i konstituar kur zgjidhen Kryetari dhe nënkryetarët”. Ky formulim, nëse lexohet në frymën e Kushtetutës, nënkupton zgjedhjen e mjaftueshme të nënkryetarëve për të garantuar funksionalitetin e Kuvendit dhe jo domosdoshmërisht zgjedhjen e të gjithëve. Por, kur këtij formulimi i shtohet fjala “të gjithë”, atëherë ndryshon thelbësisht kuptimi: Kosova përballë një “vetoje kushtetuese” që nuk i përket rendit kushtetues të shtetit unitar, por logjikës së një federate të fragmentuar.
Nëse Gjykata Kushtetuese nuk mban qëndrimin e saj mbi frymën e Kushtetutës, por mbetet peng i interpretimit teknik, atëherë ajo do të kontribuojë në prishjen e rendit kushtetues të Kosovës. Ky është rrezik real: kalimi i Kosovës nga shteti unik në një entitet të federalizuar nëpërmjet mekanizmave bllokues që i jepen një pakice. Për pasojë, çështja e nënkryetarit serb nuk është debat mbi procedurat e Kuvendit, por betejë për vetë ardhmërinë e shtetit.
Sot jemi në një moment kyç ku vendimet kushtetuese nuk duhet të lexohen vetëm si tekst, por si garanci për mbijetesën e shtetit. Dhe është detyrë e gjyqtarëve kushtetues, politikanëve dhe qytetarëve të mos lejojnë që interpretimet e ngushta teknike të shndërrohen në shteg për federalizimin e Kosovës.
Kosova nuk është federatë, por shtet unik e sovran, i mbështetur mbi sakrificat dhe gjakun e mijëra qytetarëve të saj.
Çdo qasje që ia jep një pakice fuqinë për të bllokuar institucionet, është jo vetëm e rrezikshme, por edhe antikushtetuese në frymën e saj më të thellë. Prandaj, interpretimi i Kushtetutës duhet të mbetet i përqendruar te parimet e saj themelore, si garanci e shtetit të pavarur dhe funksional që qytetarët e Kosovës kanë ndërtuar me aq mund.