Nga Dr. Albulenë HALILI
Ka vite që në Mynih flitet për kriza, për kërcënime hibride, për teknologji përçarëse dhe për sfida të reja. Por këtë radhë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih atmosfera qe pakëz më ndryshe. Nuk qe thjesht ankth për krizën e radhës, por ndjesi e qartë se një epoke po i afrohej fundi. Fjalimi i Marco Rubio-s nuk u përqendrua në ruajtjen e rendit liberal siç e kemi njohur pas vitit 1991. Sekretari amerikan u kursye nga korrektesa politike, duke bërë me dije se rendi që kemi njohur deri tani nuk është më korniza e vetëkuptueshme e stabilitetit global.
Për më shumë se tri dekada, Perëndimi u mbështet në një supozim optimist, se zgjerimi i institucioneve, ndërvarësia ekonomike dhe integrimi gradual i rivalëve do ta zbusnin realpolitikën. Siç e ka artikuluar G. John Ikenberry, hegjemonia liberale synonte ta fuste fuqinë amerikane brenda rregullave dhe institucioneve, duke e bërë atë të pranueshme dhe stabilizuese për të tjerët. Zgjerimi i NATO-s shihej si zgjerim i zonës së sigurisë, jo si riformatim i ekuilibrit të fuqive.
Lufta në Ukrainë e shpërbëri këtë narrativë. Ajo riktheu realitetin, të cilin Evropa e kishte zhvendosur në periferi të mendimit strategjik. Rendi ndërkombëtar nuk vetëmbrohet përmes normave, nëse nuk mbështetet nga kapaciteti. Një aktor si Rusia, që është i gatshëm të përdorë forcë për të ndryshuar kufijtë, e vendos sistemin përballë një zgjedhjeje të prerë: kundërekuilibrim ose precedent.
Në këtë pikë, mendimi i Henry Kissinger tingëllon pothuajse i pakëndshëm për këtë kohë. Kissinger e ka theksuar vazhdimisht se stabiliteti ndërkombëtar buron nga një ekuilibër i pranueshëm fuqish, jo nga universalizimi i vlerave. Sa herë që një fuqi arrin epërsi disproporcionale, sistemi hyn në gjendje tensioni, dhe nëse ky tension nuk menaxhohet, ai shndërrohet në konflikt. Ukraina është simptoma më e dukshme e një ekuilibri evropian të lëkundur që nga viti 2014.
Deri në fillim të shekullit XX, ekuilibri i fuqive përcaktohej kryesisht brenda kontinentit. Me hyrjen e SHBA-së në dy luftërat botërore, marrëdhëniet ndërkombëtare u globalizuan dhe ekuilibri i fuqisë mori dimension transatlantik. Sot, për herë të parë pas një shekulli, sfida kryesore ndaj këtij rendi nuk vjen nga Evropa, por nga Azia. Në horizont qëndron Kina dhe me të Indo-Paqësori si qendra e re e gravitetit strategjik. Nëse Rusia përfaqëson kërcënimin e menjëhershëm ndaj ekuilibrit evropian, Kina përfaqëson sfidën strukturore ndaj vetë arkitekturës së fuqisë globale. Kina nuk sfidon me tanke në kufij, por me kapacitete prodhuese, me kontroll të zinxhirëve të furnizimit, me investime masive në teknologjitë e së ardhmes dhe me një projekt të artikuluar për riformatimin gradual të rendit ndërkombëtar. Kështu, Indo-Paqësori është bërë prioriteti strategjik amerikan, meqenëse aty nuk përcaktohet vetëm stabiliteti rajonal, por struktura e fuqisë botërore për dekadat që vijnë.
Në një botë kaq të ndërvarur, Ukraina dhe Kina nuk duhet parë si dy kapituj të ndarë. Ato janë dy faqe të së njëjtës provë. Ukraina teston vullnetin perëndimor për të ruajtur ekuilibrin, ndërkaq Kina – kapacitetin për ta bërë këtë në afatgjatë. Nëse besueshmëria dëmtohet në Evropë, ajo domosdoshmërisht që do të ndikojë në përllogaritjet në Azi. Nëse kapacitetet shpërndahen pa prioritet të qartë strategjik, rreziku i tejshtrirjes bëhet i pashmangshëm.
Arkitektura transatlantike ka lindur pikërisht nga kjo logjikë. NATO nuk është vetëm një marrëveshje politike. Ajo përbën para së gjithash një mekanizëm të institucionalizuar të ekuilibrit të fuqisë në Evropë. Kjo i lejon SHBA-së të projektojë stabilitet pa qenë e detyruar të mbajë barrën e plotë të sigurisë kontinentale. Në këtë kuptim, ajo përfaqëson një formë të institucionalizuar të asaj që teoria realiste e përshkruan si offshore balancing, një strategji ku fuqia detare ruan ekuilibrin në rajonet kyçe duke mbështetur aktorët lokalë dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejt vetëm kur ekuilibri rrezikon të shembet.
Lufta në Ukrainë, qe momenti që e bëri të domosdoshme këtë ndërhyrje, ndonëse në të njëjtën kohë, zhvendosja graduale e vëmendjes drejt Indo-Paqësorit e bën të pashmangshëm një evropianizim më të thellë të sigurisë evropiane. Andaj natyrshëm na vjen pyetja që Joseph Nye bënte përmes titullit të librit të tij “A i ka ardhur fundi shekullit amerikan?”. Aty Nye argumentonte se rënia relative e SHBA-së nuk nënkupton fundin e rolit të saj qendror. SHBA mbetet e vetmja fuqi që kombinon kapacitetin ushtarak global, rrjetin e aleancave dhe soft power-in kulturor e institucional. Njëra nga përgjigjet e përditësuara ndaj kësaj pyetjeje do të ishte se bota po shkon drejt fundit të epokës së unipolaritetit të pakontestuar, por akoma jo drejt fundit të epokës ku roli qendror amerikan në rendin ndërkombëtar mbetet vendimtar. Megjithatë, paralelisht me këtë optimizëm të matur, Ian Bremmer ka paralajmëruar për një botë G-Zero, një sistem ku mungon lidershipi i pakontestuar global dhe ku prirja “every nation for itself” (secili komb për veten e tij) fiton terren. Në një realitet të tillë, shtetet veprojnë mbi interes të ngushtë kombëtar, ndërsa koordinimi global bëhet i brishtë dhe i kushtëzuar.
Evropa sot ndodhet pikërisht midis këtyre dy vizioneve. Nga njëra anë, ajo ka kapital normativ, peshë ekonomike dhe përvojë institucionale. Nga ana tjetër, lufta në Ukrainë dëshmoi qartë se pa SHBA-në, apo më mirë, pa inteligjencën, logjistikën dhe kapacitetin ushtarak amerikan, mbështetja për Kievin do të ishte shumë më e kufizuar, për të mos thënë e pamundur. Sa më shumë që flitet për autonomi strategjike pa rritje të dukshme të kapaciteteve ushtarake dhe industriale, aq më shumë forcohet varësia strukturore.
Në Mynih, Rubio po ashtu shtroi vizionin për ndërtimin e një “shekulli të ri perëndimor”. Një frazë që më shumë se nostalgji për të shkuarën, nënkupton ambicie për konsolidim për të ardhmen. “Shekulli i ri perëndimor” duhet lexuar si vizion amerikan në cilin Perëndimi duhet të riformatojë kohezionin e vet ekonomik, teknologjik dhe ushtarak përballë konkurrencës me Kinën dhe sfidës së Rusisë, vizion i cili nuk mund të ndërtohet më mbi një arkitekturë ku barra mbetet disproporcionale.
Nëse Ukraina është testi i besueshmërisë perëndimore dhe Kina testi i kapacitetit afatgjatë, atëherë projekti i një shekulli të ri nuk mund të mbështetet në një rend ku Amerika mban disproporcionalisht peshën e sigurisë, ndërsa Evropa mban disproporcionalisht peshën e diskursit normativ. Një Perëndim që synon të mbetet faktor përcaktues në ekuilibrin global nuk mund të funksionojë me një krah strategjik të dobët. Nëse Evropa nuk rrit kapacitetin ushtarak, industrial dhe teknologjik, duke e shoqëruar këtë me vullnet politik dhe vetëdije për përgjegjësinë e saj strategjike, atëherë do ta ketë të vështirë të jetë partner i denjë përballë sfidave të mëdha që përkufizojnë këtë epokë, veçanërisht në një moment kur Amerika po bëhet gjithnjë e më selektive në angazhimet e saj globale dhe gjithnjë e më pak e prirur të mbështesë retorikë pa përmbajtje e veprim të njëmendtë.
Në këtë panoramë të re strategjike, Ballkani rrezikon që nga periferi e vëmendjes të rikthehet në periferi të pasigurisë. Historia e rajonit tregon se sa herë ekuilibri evropian është lëkundur, hapësirat e brishta kanë qenë të parat që e kanë ndjerë pasojën. Në një kontekst ku SHBA-ja po zhvendos gradualisht prioritetin drejt Indo-Paqësorit dhe Evropa ende kërkon formulën e autonomisë së saj strategjike, vakuumet e perceptuara të sigurisë mund të nxisin aktorë të jashtëm si Rusia e Kina, apo edhe fuqi rajonale, që të thellojnë ndikimin përmes mjeteve hibride, ekonomike apo politike. Për Ballkanin Perëndimor, kjo nënkupton se integrimi euroatlantik nuk është vetëm projekt normash, por garanci konkrete stabiliteti në një botë gjithnjë e më të polarizuar. Ndërkaq, për shqiptarët në veçanti, çështja e ekuilibrit transatlantik ka dimension ekzistencial. Roli strategjik i Shqipërisë si anëtare e NATO-s, siguria e Kosovës dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut janë të lidhura drejtpërdrejt me praninë dhe besueshmërinë perëndimore në rajon.
Nëse “shekulli i ri perëndimor” do të ndërtohet mbi një ndarje më të drejtë të barrës strategjike, atëherë shqiptarët, si popull me orientim të qartë euroatlantik, duhet të investojnë jo vetëm në retorikën pro-perëndimore, por në forcimin e institucioneve, kapaciteteve mbrojtëse, industriale dhe teknologjike, si dhe në kohezionin politik ndërshqiptar. Në një botë ku besueshmëria dhe kapaciteti po bëhen monedha kryesore të fuqisë, mbijetesa strategjike e kombeve të vogla varet nga aftësia për t’u ankoruar fuqishëm në arkitekturën e sigurisë dhe për të qenë kontribuues, jo thjesht përfitues të saj.
