Nga Sadri RAMABAJA
Hyrje
Çështja e njohjes reciproke midis subjekteve politike përbën një nga problemet themelore të filozofisë politike moderne dhe të teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Nga konceptimi hegelian i vetëdijes si proces që realizohet vetëm përmes njohjes së tjetrit, deri te teoritë bashkëkohore të sovranitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar, marrëdhënia midis identitetit dhe njohjes mbetet nyje qendrore e rendit politik. Në këtë kuptim, konfliktet e pazgjidhura shtetërore nuk janë thjesht çështje territori apo fuqie, por shprehje e një krize më të thellë të njohjes.
Marrëdhënia midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë përfaqëson një rast paradigmatik të këtij problemi. Pavarësisht realiteteve të konsoliduara institucionale dhe mbështetjes së gjerë ndërkombëtare për shtetësinë e Kosovës, refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën si subjekt të barabartë juridik dhe politik vazhdon të prodhojë tensione të brendshme rajonale dhe pasoja gjeopolitike më të gjera. Ky refuzim nuk është vetëm qëndrim diplomatik, por një pozicion që prek mënyrën se si Serbia e koncepton identitetin e vet shtetëror, historik dhe civilizues.
Kjo ese synon ta analizojë këtë marrëdhënie përmes lenteve të filozofisë hegeliane, veçanërisht përmes dialektikës së njohjes të paraqitur në Fenomenologjinë e Shpirtit. Duke e vendosur konfliktin Kosovë–Serbi në kuadrin e problemit filozofik të njohjes reciproke, synohet të tregohet se refuzimi i njohjes nuk e ruan identitetin e një subjekti politik, por përkundrazi e mban atë të bllokuar në një formë të papërfunduar të vetëdijes historike. Në këtë perspektivë, njohja e tjetrit si i barabartë nuk paraqet humbje, por kusht për realizimin e lirisë së ndërmjetësuar që përbën themelin e shtetit modern.
Njëkohësisht, analiza do ta vendosë këtë problem filozofik në kontekstin e transformimeve të rendit ndërkombëtar bashkëkohor. Rritja e rivaliteteve të fuqive të mëdha, dobësimi i universalizmit liberal dhe rikthimi i logjikave të sferave të ndikimit e bëjnë çështjen e sovranitetit dhe njohjes edhe më të ndjeshme për shtetet e vogla dhe të mesme. Në këtë sfond, mënyra se si Serbia dhe Kosova e strukturojnë marrëdhënien e tyre nuk ndikon vetëm në stabilitetin rajonal, por edhe në orientimin strategjik dhe shkallën e autonomisë së tyre në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues.
Prandaj, duke ndërthurur analizën filozofike me atë gjeopolitike, kjo ese argumenton se njohja reciproke midis Serbisë dhe Kosovës duhet kuptuar jo vetëm si akt juridik apo kompromis politik, por si moment dialektik i pjekurisë historike — një hap nga një identitet i ndërtuar mbi mohimin drejt një identiteti të ndërtuar mbi lirinë.
1. Dialektika e zotit dhe skllavit si model i njohjes së dështuar
Pyetja nëse një subjekt politik mund ta ruajë identitetin e vet duke e njohur tjetrin si të barabartë është thelbësore për të kuptuar jo vetëm konfliktet ndërpersonale, por edhe marrëdhëniet midis shteteve. Në Fenomenologjinë e Shpirtit, Hegeli e vendos këtë problem në qendër të zhvillimit të vetëdijes: vetëdija bëhet e plotë vetëm përmes njohjes reciproke. Kjo tezë, e formuluar në mënyrë filozofike në fillim të shekullit XIX, ka një rezonancë të fortë në kontekstin bashkëkohor të marrëdhënies midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës.
Në kapitullin e famshëm mbi “të qenunit i vetëdijshëm” (Selbstbewusstsein), Hegeli përshkruan përballjen midis dy vetëdijeve që kërkojnë njohje. Secila kërkon të afirmohet si absolute, por përfundon në një marrëdhënie asimetrike: njëra bëhet zot, tjetra skllav. Problemi thelbësor është se zoti nuk merr njohje të vërtetë, sepse ajo vjen nga një subjekt i nënshtruar. Pra, njohja që nuk është reciproke është njohje e zbrazët.
Kjo figurë hegeliane ndihmon për të kuptuar thelbin e konfliktit simbolik mes Serbisë dhe Kosovës. Serbia kërkon të ruajë një pozicion ku Kosova nuk njihet si subjekt i barabartë, por si territor i kontestuar, si objekt historie dhe jo si bartëse e sovranitetit. Në këtë marrëdhënie, Serbia përpiqet të ruajë pozitën e “zotit”, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të marrë njohje reale si shtet i maturuar nga një fqinj i lirë.
Në terma hegelianë, Serbia mbetet e bllokuar në fazën e një vetëdijeje që kërkon afirmim përmes mohimit të tjetrit, jo përmes njohjes reciproke.
2. Njohja si kusht i lirisë së vërtetë
Për Hegelin, liria nuk është thjesht mungesë pengesash; ajo është liri e ndërmjetësuar, e realizuar brenda një bote marrëdhëniesh ku subjektet e njohin njëra-tjetrën si të lira. Në këtë kuptim, shteti modern është forma më e lartë e realizimit të lirisë, sepse ai institucionalizon njohjen reciproke përmes ligjit dhe qytetarisë.
Refuzimi i njohjes së Kosovës si shtet i barabartë tregon se Serbia nuk e ka përfunduar këtë kalim drejt një vetëdijeje shtetërore plotësisht moderne. Identiteti i saj politik mbetet i lidhur me një narrativë historike të humbjes dhe zotërimit territorial. Në vend që ta ndërtojë identitetin mbi qytetarinë dhe institucionet, ajo mbetet e varur nga një territor i simbolizuar si pjesë e “vetes historike”.
Por, sipas logjikës hegeliane, një identitet që varet nga mohimi i tjetrit është një identitet i pasigurt. Njohja e Kosovës si subjekt i barabartë nuk do ta zvogëlonte Serbinë; përkundrazi, do ta çlironte atë nga varësia ndaj një miti historik dhe do ta afirmonte si shtet që ekziston në vetvete, jo kundër dikujt.
3. Politikë amerikane bashkëkohore dhe problematika e njohjes reciproke
Dokumentet e fundit të politikës së jashtme amerikane, të cilat vënë theksin tek rifillimi i dialogut për njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, duke përjashtuar ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, respektivisht “shkëmbimin” e territoreve bazuar në parimin etnik dhe duke ngritur çështjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi si kusht i veçantë, nuk janë thjesht shqetësime teknike. Ato reflektojnë një qasje që korrespondon me idenë se njohja reciproke është kusht themelor i qetësimit të marrëdhënies.
Deklarata e Dushan Janjiqit për mundësinë e paraqitjes së një dokumenti amerikan mbi njohjen reciproke Kosovë–Serbi në muajt pranverorë nuk duhet lexuar thjesht si parashikim analitik, por si pjesë e një praktike të njohur të prodhimit narrativ në hapësirën politike serbe. Kjo praktikë nuk synon vetëm interpretimin e zhvillimeve, por ndërhyrjen aktive në to përmes krijimit të pritshmërive, frikave dhe ndjesisë së pashmangshmërisë.
Deklarata e Dushan Janjiqit për një dokument të afërt mbi njohjen reciproke nuk është vetëm episod mediatik apo spekulim diplomatik. Ajo mund të lexohet si moment simptomatik i një tensioni shumë më të thellë: tensionit midis njohjes si kusht i lirisë politike dhe refuzimit të njohjes si strategji e ruajtjes së një pozite të vjetruar gjeopolitike.
Në Fenomenologjinë e Shpirtit, Hegeli e vendos njohjen në qendër të formimit të vetëdijes. Një vetëdije bëhet e plotë vetëm kur njihet nga një tjetër vetëdije e lirë dhe e barabartë. Marrëdhënia e zotit dhe skllavit tregon pikërisht dështimin e kësaj njohjeje: zoti kërkon afirmim absolut, por njohja që merr nga një subjekt i nënshtruar është e pavlefshme. Ai mbetet i varur nga ai që nuk e njeh si të barabartë. Pra, dominimi prodhon varësi, jo liri.
Në terma hegelianë:
- Njohja reciproke politikisht e barabartë është hapi drejt një marrëdhënieje stabile ndërmjet dy vetëdijesh politike.
- Kjo përfshin jo vetëm njohjen e sovranitetit të Kosovës, por edhe garanci reale për të drejtat e komuniteteve, duke synuar njohje që nuk reflekton dominim të dikujt mbi tjetrin.
Në këtë kuptim, politika amerikane e fundit, edhe kur duket pragmatike, ndjek intuitën filozofike se pa njohje reciproke nuk ka stabilitet të qëndrueshëm.
4. Mosnjohja e Serbisë si shenjë e një vetëdijeje politike të papërfunduar
Nga këndvështrimi hegelian, mosnjohja nuk është thjesht një qëndrim realpolitik apo argument juridik; ajo është shprehje e një vetëdijeje kolektive që nuk ka arritur të formësohet si subjekt i lirë dhe i barabartë:
- Serbia e percepton veten si “shtet i madh historik” dhe Kosovën si “humbje territoriale”.
- Ky reflektim identitar bazohet në një lidhje me të kaluarën, jo në një vetëdije bashkëkohore politike që e koncepton shtetin në terma të sovranitetit modern dhe barazisë ndërkombëtare.
- Praktikisht, Serbia kërkon që Kosova të mos ekzistojë si subjekt i barabartë, sepse kjo do të nënkuptonte humbje të monopolit të saj për të përcaktuar narrativën historike dhe statusin e Kosovës.
Hegeli do ta interpretonte këtë si mosrealizim të kushtit të lirisë — përvoja e vetëdijes së lirë kërkon njohje të barabartë nga tjetri, jo dominim simbolik.
5. Dhe çfarë do të thotë kjo për arritjen e paqes dhe stabilitetit?
Në qoftë se Serbia refuzon njohjen reciproke:
- ajo mbetet e kapur në një dialog simulues, ku bisedimet shërbejnë për të fituar kohë ose për të ushqyer narrativën e dominimit.
- çdo marrëveshje që nuk bazohet në njohje të barabartë dhe të pakushtëzuar do të jetë e brishtë dhe do të përballet gjithësesi me kriza të reja.
Nga perspektiva hegeliane, pa njohje reciproke bie ndesh me lirinë e subjektit, ndërkaq marrëdhënia politike mes atyre subjekteve mbetet e ngulfatur nga hierarkitë simbolike, jo e ndërtuar mbi bashkëjetesë të lirë.
6. Nga dialektika filozofike te varësia gjeopolitike
Hegeli e përshkruan marrëdhënien zot–skllav si një marrëdhënie varësie të ndërsjellë, ku zoti përfundon i varur nga skllavi për njohje dhe për punën që e mban botën e tij. Në kontekstin bashkëkohor, kjo figurë merr një dimension gjeopolitik.
Sa kohë që Serbia e bazon identitetin e saj shtetëror mbi mosnjohjen e Kosovës, ajo ka nevojë për një fuqi të jashtme që e mbështet këtë pozicion. Rusia ka luajtur pikërisht këtë rol: ajo i ofron Serbisë njohje ndërkombëtare për narrativën e saj mbi Kosovën, duke e forcuar një vetëdije politike që mbetet e lidhur me të kaluarën.
Kjo krijon një formë të re të varësisë: Serbia kërkon njohje nga një fuqi e madhe për të shmangur njohjen reciproke me një fqinj më të vogël. Në këtë mënyrë, ajo mbetet e kapur në një marrëdhënie asimetrike, jo me Kosovën, por me Rusinë. Liria e saj strategjike kufizohet nga nevoja për mbështetje të jashtme për një pozicion që e pengon integrimin e plotë evropian.
7. Gjeopolitika e re dhe nevoja për njohje reciproke
Rendi ndërkombëtar po kalon nga një fazë e dominimit liberal universalist drejt një faze më të fragmentuar, ku fuqitë e mëdha ripozicionohen dhe rajonet marrin peshë të re strategjike. Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor nuk është më periferi e parëndësishme, por pjesë e rivaliteteve më të gjera midis blloqeve të fuqisë.
Pikërisht në këtë moment historik, njohja reciproke midis Serbisë dhe Kosovës do të kishte një funksion hegelian: do ta transformonte një marrëdhënie konflikti të ngrirë në një marrëdhënie midis dy subjekteve sovrane që bashkëjetojnë brenda një rendi më të gjerë evropian. Kjo do t’i lejonte Serbisë të çlirohej nga balancimi i përhershëm midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ta afirmonte veten si aktor autonom.
Por konteksti gjeopolitik ka ndryshuar. Lufta në Ukrainë, rikthimi i logjikës së sferave të ndikimit dhe polarizimi i ri global e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e konflikteve të ngrira si mjete manovrimi. Hapësirat gri po ngushtohen. Në këtë rend të ri, shtetet që mbeten të varura nga konflikte të pazgjidhura rrezikojnë të shndërrohen në zona të ndërmjetme ndikimi, jo në aktorë sovranë.
Kjo e vendos Serbinë përballë një dileme hegeliane: ose ta njohë Kosovën si subjekt të barabartë dhe, përmes këtij akti, të çlirojë edhe veten nga varësia strukturore ndaj konfliktit dhe tutorëve të jashtëm; ose të mbetet në pozitën e një vetëdijeje të paplotë, që kërkon madhështi simbolike, por nuk arrin liri reale.
8. Përfundim: identiteti përmes pranimit të tjetrit
Në Fenomenologjinë e Shpirtit, zhvillimi i vetëdijes kalon nga mohimi i tjetrit te njohja e tij si kusht i vetë-realizimit. Ky mësim filozofik ka një domethënie të drejtpërdrejtë politike: një shtet nuk e humb identitetin duke e njohur tjetrin si të barabartë; ai e fiton atë në formën e tij më të pjekur.
Refuzimi i njohjes së Kosovës e mban Serbinë në një stad të papërfunduar të vetëdijes politike, të lidhur me mite historike dhe varësi gjeopolitike. Njohja reciproke do të ishte jo vetëm akt juridik, por moment dialektik i kalimit nga një identitet i ndërtuar mbi mohimin në një identitet të ndërtuar mbi lirinë.
Pa njohje reciproke si akt politik dhe filozofik, marrëdhënia Kosovë–Serbi mbetet e ngrirë në një situatë ku identitetet politike nuk mund të zhvillohen drejt lirisë së ndërmjetësuar dhe bashkëjetesës së qëndrueshme.
Në këtë kuptim, çështja e njohjes nuk është vetëm problem diplomatik; ajo është provë e pjekurisë historike të një kombi për të hyrë në fazën e lirisë së ndërmjetësuar, ku vetja realizohet përmes pranimit të tjetrit.
Në një lexim hegelian, njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë nuk është thjesht kompromis diplomatik, por kusht i lirisë së dyanshme. Shteti modern, për Hegelin, është forma ku liria bëhet objektive. Por një shtet që e ndërton identitetin mbi mohimin e subjektivitetit të tjetrit, mbetet i papërfunduar.
Prandaj, çështja e njohjes nuk është vetëm juridike dhe as vetëm gjeopolitike. Ajo është çështje e maturimit të vetëdijes politike. Dhe në këtë kuptim, deklarata si ajo e Janjiqit janë përpjekje për të menaxhuar narrativën e njohjes, por nuk mund ta zëvendësojnë aktin e saj thelbësor: pranimin e tjetrit si të barabartë, pa të cilin asnjë shtet nuk bëhet plotësisht i lirë.
