NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ * FATJON MALAJ **
“Ata që i nënshtrohen së keqes në emër të paqes, e kanë humbur edhe paqen, edhe nderin”. Winston Churchill
Ai ende përjeton dhimbje dhe pasiguri nga masakrat e së kaluarës. Rrënjët e konflikteve etnike dhe fetare në Ballkan përfshijnë ndërtimin e kombeve në shekullin XIX–XX mbi territore me popullsi të ndërthurur, me trashëgiminë osmane dhe jugosllave, instrumentalizimin e fesë, sidomos nga Kisha Ortodokse Serbe dhe rrjete islamike konservatore, kjo e fundit referuar edhe rasteve të këtij viti, shfrytëzuar nga shërbimi sekret serb me qëllim ndërlidhjen e shqiptarëve me radikalizmin dhe ekstremizmin edhe në vende të tjera në konflikt.
Masakra e Srebrenicës dhe gjenocidi serb në Kosovë janë plagë të thella në kujtesën kolektive. Dy marrëveshje historike ndikuan në ndaljen dhe reduktimin e konflikteve etnike dhe fetare në Ballkan pas viteve ‘90. E para është Konferenca e Dejtonit në nëntor 1995. Vendimet kryesore përfshinë ndalimin e luftës në Bosnjë pas 3.5 vitesh gjakderdhje, krijimin e një shteti të vetëm të Bosnjë-Hercegovinës, të përbërë nga dy entitete Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Srpska, si dhe vendosjen e një misioni të NATO-s për ruajtjen e paqes (IFOR/SFOR).
Megjithatë, për Bosnjën, Dejtoni solli jo vetëm paqe, por edhe një sistem shtetëror shumë të ndërlikuar dhe shpesh joefikas. Institucionet e brishta dhe ekonomia e dobët, papunësia, emigrimi, kapja e shtetit dhe mediat polarizuese e bëjnë më të lehtë keqpërdorimin etniko-fetar nga elitat. Çështjet e pambyllura, si statusi i Kosovës, mosfunksionaliteti efektiv dhe kriza-prodhues i Bosnjë-Hercegovinës, tensionet identitare në Mal të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, krijojnë terren për kriza të përsëritura në Ballkanin Perëndimorë, të cilat krijojnë kosto të rënda edhe për BE-në dhe NATO. Rritja e përplasjeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike lidhet me kthimin e rivalitetit të fuqive globale.
Ndërsa SHBA, BE dhe NATO synojnë stabilizim dhe integrim europian të Ballkanit Perëndimor, Rusia instrumentalizon çështjen e Kosovës për të relativizuar aneksimet e saj në Krime dhe Donbas. Kina synon ringjalljen e “Rrugës së Mëndafshit” dhe zgjerimin e tregjeve dhe influencave potenciale kudo në botë, me fokus BE si një konkurrent ekonomik të fuqishëm. Kina synon të rrisë influencën gjeostrategjike duke rritur investimet në infrastrukturë dhe investimet ushtarake në Ballkan dhe konkretisht me Serbinë. Turqia ndjek një diplomaci aktive me lidhje ekonomike dhe ushtarake me fokus afatgjatë rikonfigurimin e kufijve ekonomike të perandorisë osmane. Përplasjet në veri të Kosovës gjatë viteve 2023–2024, vrasja e policëve të Kosovës, provokimet e përsëritura të grupit paramilitar, i cili u lokalizua në Manastirin e Banjskës me në krye nënkryetarin pastrisë serbe të Kosovës Lista Sërbska, Milan Radoicic, janë sinjale të mjaftueshme për risqet në rritje të provokimeve me bazë etnike e fetare.
Këto risqe kanë detyruar KFOR e NATOn të forcojë prezencën e saj, duke sinjalizuar rritje të rrezikut rajonal. Konferenca e dytë, ajo e Rambujesë, u mbajt në Château de Rambouillet pranë Parisit në shkurt–mars 1999, me organizatorë SHBA, BE dhe NATO dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi ishte arritja e një marrëveshjeje politike midis shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë për të ndalur spastrimin etnik të regjimit të Millosheviçit dhe për të garantuar autonomi substanciale për Kosovën. Shqiptarët e Kosovës nënshkruan dokumentin, që parashikonte: (i) vetëqeverisje; (ii) zgjedhje të lira dhe (iii) prezencë ushtarake të NATO-s. Serbia refuzoi, duke e parë të papranueshme pranimin e forcave të NATO-s në territorin e saj. Njësoj siç refuzon sot Rusia praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë. Pas dështimit të Rambujesë, NATO ndërmori fushatën ajrore kundër Jugosllavisë (mars–qershor 1999), që solli tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare të OKB-së (UNMIK).
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, por statusi i saj si vend anëtar i OKB-së bllokohet nga vetoja e Rusisë dhe Kinës, që janë dy anëtarë të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova njihet nga 115/195 vende nga 195 vende anëtare të OKB-së. Njihet nga 22 nga 27 vende të BE-së, ndërkohë që Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro nuk e kanë njohur. Ajo njihet nga 27 vende nga 33 vende anëtare të NATO. Njohja e plotë e Kosovës do të lehtësonte anëtarësimin në NATO dhe do të përforconte paqen dhe stabilitetin në rajon. Eksperienca e pushtimit të territoreve të Ukrainës dhe arritja e paqes, duke lejuar pushtimin e territoreve si opsioni vetëm për ndaljen e luftës dhe arritjen e paqes është apeli i përgjakur për eliminimin e vonesave të integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Rritja e buxhetit ushtarak të Serbisë është një sinjal dhe shqetësim i qartë. Buxheti i mbrojtjes i Serbisë në 2023 arriti 2.14 miliardë dollarë, me një rritje prej 23.92% nga viti 2022. Së bashku me Marrëveshjen me vlerë 2.7 miliardë për blerjen e 12 avionë luftarakë “Rafaele” nga Franca, e bënë buxhetin ushtarak të Serbisë të jetë më afër një “buxheti lufte” se sa “buxhet vetëmbrojtës”. Aktualisht një “pushtim” nga Serbia i disa zonave në veri të Kosovës pengohet nga; (a) prania e KFOR-it; (b) kostoja politike për bllokimin e integrimit euro-atlantik të Serbisë dhe (c) mungesa e bazës ligjore ndërkombëtare, pasi më 22 korrik 2010, “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” konkludoi se “shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk shkel të drejtën ndërkombëtare”. Rreziku real dhe i shtuar i Serbisë në Ballkanin Perëndimor vjen nga metodat hibride, akte sabotimi dhe provokime spontane në veri të Kosovës, që mund të përshkallëzohen.
Çështja e ndryshimit të kufijve me shkëmbim territoresh është e ndjeshme. BE-ja kundërshton fuqishëm opsionin e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, duke paralajmëruar se hapja e “Kutisë së Pandorës” do të nxisë kërkesat zinxhir në Bosnje, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. SHBA-të kanë lënë një hapësirë ambiguiteti, por fokusin e saj e kanë te stabiliteti dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese. Paqartësitë dhe pasiguritë e shtuara në Ballkanin Perëndimor, rajonin historikisht më të varfër të Evropës dhe ku thëngjijtë e konflikteve etnike dhe fetare nuk janë shuar kurrë, do t’i krijonte kosto të rënda ekonomike e financiare edhe për vetë Europën. Ky skenar do të dobësonte peshën gjeopolitike dhe gjeostrategjike si edhe kredibilitetin ndërkombëtarë të BE-së.
Referuar zhvillimeve globale, konkretisht takimit të pritshëm sipas gjasave ndërmjet presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë nën ndërmjetësimin e Presidentit të SHBA-ve për të përfunduar luftën në Ukrainë me opsionin e ndryshimit të kufijve, Kosova ndodhet në një pozicion të ndërlikuar gjeopolitik dhe gjeostrategjik për shkak të një kërkese për t’u aplikuar edhe në territorin e saj ndryshim i ngjashëm, i cili në rastin e Kosovës mund të sjellë efekte negative. Rritja e shpenzimeve ushtarake të Serbisë dhe diversifikimi i furnizimeve me armë kërkojnë një reagim të kujdesshëm dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Paqja e qëndrueshme është e vetmja zgjidhje, por nuk mund të arrihet nëse krijohen precedentë të rrezikshëm të ndryshimit me forcë të kufijve. Çdo tentativë për rishikim territorial brenda Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në dëm të Kosovës, do të ndezë një zinxhir pasigurie rajonale dhe globale, duke e bërë angazhimin e NATO-s dhe BE-së edhe fuqinë e tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
* Studiues i integrimit europian dhe gjeopolitikës.
** Studiues dhe ekspert në sigurinë kombëtare. Lektor, Universiteti i Gjirokastrës