Nga Gzim RUSHITI, PhD Kandidat
HYRJE
Qëllimi kryesor dhe sfida kryesore e këtij hulumtimi është të ndriçohet gjithçka që partitë politike e paraqesin në totalitetin e tyre.
Në këtë analizë do të analizohet në detaje definicioni i partive politike, zhvillimi historik i partive politike nga koha antike deri në ditët e sotme, ku në analizë do të analizohen partitë politike moderne që nga shfaqja e tyre e parë në Evropë në fillim të shekullit të 19-të, fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë, dhe më pas shpërndarja e tyre në potjuajse të gjithë botën deri në ditët e sotme.
Do të analizohet gjithashtu klasifikimi ose tipologjia e partive politike, sistemet partiake, fraksionet partiake, marrëdhëniet e partive politike me demokracinë moderne, si dhe një theks të veçantë në analizën e fundit të hulumtimit do t’i jepet marrëdhënieve të partive politike me shtetin modern.
PARAHISTORIA DHE ZHVILLIMI I PARTIVE POLITIKE NGA ORIGJINA E TYRE DERI NË SHEKULLIN E XVII
Partitë politike, në kuptimin e tyre sociologjik janë dukuri mjaft e vjetër. Paraqitja e tyre është ngushtë e lidhur me paraqitjen e shtetit dhe luftën për pushtet. Prandaj, nëse ato i karakterizojmë vetëm nga kjo komponentë, atëherë do të mund të pohonim se partitë, si grupe të organizuara që luftojnë për pushtet, ose kundër pushtetit, datojnë që nga koha antike. Në teorinë politike paraqitja dhe funksionimi i partive politike, me të drejtë lidhet me demokracinë si ligjshmëri e shoqërisë bashkëkohore. Në këtë drejtim, një numër teoricienësh mendon se demokracia dhe partitë politike janë aq ngushtë të lidhura mes veti sa që është e pamundur demokracia pa parti politike dhe anasjelltas, nuk mund të kuptohen partitë politike dhe qenia e tyre pa demokracinë.(1)
Për sa i përket organizimit politik të qytetarëve dhe paraqitjes së partive politike, ekzistojnë mendime pothuajse të përbashkëta në mesin e autorëve dhe studiuesve, rreth qëndrimit se partitë politike paraqiten në shoqërinë skllavopronare, që në kohërat e lashta të Antikës së vjetër.(2)
Edhe J. Blondel mendon se partitë politike për herë të parë paraqiten në Romë, ndërsa vëllezërit Grah sipas tij ndoshta kanë qenë liderët e parë me përkrahjen e vërtetë të popullit. Me shkatërimin e Republikës, partitë gjojase zhduken, që përsëri të paraqiten në Itali në kohën e Renesancës. M. Perloti thekson se vetëm romakët e kanë kultivuar idenë e partive që përputhen me konceptin e partive bashkëkohore. L. Ros-Tejlor tenton ta argumentojë ekzistimin e partive në shekullin e vjetër në veprën e tij “Politika dhe partitë në Romë në kohën e Qesarit”. Autori angazhohet në drejtim të sqarimit të kushteve në të cilat zhvillohen luftërat ndërmjet partive në Romë mes viteve të 70-50 p.e.s. çësht e vërteta edhe ky autor pranon se partitë në Romën e vjetër dallojnë nga partitë bashkëkohore.
Edhe në shoqërinë feudale nuk janë të njohura partitë politike si organizata të formuara, por vetëm disa grupacione të kohëpaskohshme, të cilat pretendonin të realizojnë qëllime të caktuara, por jo si grupacione në kuptimin e partive politike, me anëtarësi, të bazuara në program dhe platformë të caktuar.
Në Mesjetë janë të njohura lëvizjet para vendosjes së sistemit parlamentar në disa shtete të Evropës Perëndimore. Këtu para së gjithash është fjala për luftën politike ndërmjet adhuruesve të monarkut dhe sistemit monarkist nga njëra anë, dhe simpatizuesve të sistemit parlamentar nga ana tjetër. Në këtë kontekst mund të merren si shembuj gjykimet politike në Angli në momentet e fundit të sundimit të Çarlsit të Dytë, pastaj klubet politike në Francë para ngadhënjimit të Revolucionit Borgjez dhe bashkimi i fshatarëve në Gjermani etj.(3)
KONCEPTI DHE PËRKUFIZIMI I PARTIVE POLITIKE
Studimi i partive është një nga degët më të zhvilluara të sociologjisë politike. Sidoqoftë, zhvillimi i saj ishte mjaft i pabarabartë. Ndërmjet viteve 1900 dhe 1914, dy studime më domethënëse hapën rrugën: analiza e detajuar e Ostrogorskit (1903) dhe sinteza e kondensuar e Robert Michels (1913). Puna për partitë politike nuk u zhvillua në një drejtim. Në periudha të ndryshme, në vende të ndryshme, në veprat e autorëve të ndryshëm, qasja ndaj temës është gjithashtu e ndryshme. Në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, kur njerëzit flisnin për ‘parti’, ata kryesisht nënkuptonin ideologjitë dhe jo njerëzit që u referoheshin atyre ideologjive.(4)
Shprehja “parti” rrjedh nga fjala latine “pars-partis”, që do të thotë pjesë e ndarë nga ndonjë tërësi, termi “parti” do të thotë identifikim me një grup, bashkëpunim me një organizim të ve*antë. Më në fund, vetë termi parti ka domethënien e inkuadrimit të organizatave të ve*anta në tërësinë më të gjerë. Termi parti politike është mjaft i konsumuar si në literaturën shkencore ashtu edhe në jetën e përditshme. Kjo është e logjikshme në qoftë se nisemi nga fakti se partitë politike në ditët e sotme janë bartëse dhe organizatore kryesore të jetës politike pothuajse në *do vend të botës. Sot eksiston një gamë shumë e gjërë e definicioneve mbi partitë politike. Mendojmë se në këtë rast do të kishte mjaftuar që partitë politike ti definojmë si ”grupe të organizuara të njerëzve me bindje të përbashkëta politike, që angazhohen për marrjen dhe ushtrimin e pushtetit shtetërorë (në princip nëpërmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike), në tërësi ose pjesërishtë, vetë ose në koalicion me parti të tjera, me qëllim të jetësimit të pikësynimeve të tyre politike.(5)
Partia politike definohet si organizatë politike vullnetare ku qëllimi i saj është marrja dhe ushtrimi i pushtetit shtetëror, respektivisht ruajtja e pushtetit shtetëror si dhe participimi, apo ndikimi në mënyrë të vazhdueshme mbi pushtetin shtetëror me qëllim të realizimit të interesave të caktuara.(6)
Partia politike është organizim i përhershëm politik i mendimtarëve me ide të njëjta të cilët në mënyrë demokratike luftojnë për pushtet ose për ndikim në pushtet. Mund të definohet edhe si grup aktivistësh të organizuar për ti fituar zgjedhjet, për të drejtuar qeverinë dhe për të përcaktuar politikën publike.
Elementet konstituive të partive politike janë: e para, ajo është formë e përhershme e organizimit politik të qytetarëve, e dyta, ka ideologjinë personale të shprehur në program, e treta, vepron në tërë territorin shtetëror, e katërta, lufton për fitimin e pushtetit me anë të zgjedhjeve të përgjithshme ose për ndikim demokratik ndaj saj,
Partitë politike themelohen me qëllim që të ndërmjetësojnë në mes trupit zgjedhor dhe institucioneve përfaqësuese. Partia politike themelohet në kuvendin themelues të saj, vendim për themelim, program dhe statut, dhe zgjedhen organet e saj udhëheqëse. Nga momenti i regjistrimit, partia fiton status të personit juridik dhe fillon me punën e vet dhe veprimin.(7)
Funksionet e partive politike janë të shumta: shprehjen e vullnetit të grupit elektoral, selektimin dhe disiplinimin e deputetëve, trajnimin e trupit elektoral dhe informimin e tij për gjendjen shoqërore, si dhe identifikimin e problemeve në shoqëri dhe ofrimin e zgjidhjes së tyre, respektivisht krijimin e politikës në kuadër të institucioneve të pushtetit. Në funksion të marrjes së pushtetit dhe realizimit të programit të partisë, partitë politike bëjnë selektimin e kandidatëve për funksionet politike, duke qëndruar pas tyre në aktivitetet zgjedhore. Me propozimin e kandidatëve konkret, partitë realisht regrutojnë dhe krijojnë elitat politike dhe ofrojnë opcionin e tyre politik. Partitë politike i kontrollojnë kandidatët e zgjedhur dhe kërkojnë nga to që të zbatojnë programin e partisë. Në rast të mos respektimit, në partitë me disiplinë të fortë mund t’ju shqiptohet dënimi me “përjashtim” nga partia apo masa të tjera të parapara me statutet e partive.(8)
Një parti është një organizatë e aktorëve politikë aktivë shoqërorë që është krijuar për të fituar mbështetjen e popullit ndaj një grupi tjetër individësh që përfaqësojnë këndvështrime të ndryshme.(9)
Thelbësore në funksionimin e vet subjekteve politike, është organizimi, funksionimi dhe rregullimi i tyre i brendshëm por edhe raporti me votuesit.(10)
Shikuar në përgjithësi, partitë politike janë grupeshoqërore të organizuara, të cilat paraqesin formë për realizimin e interesave shoqërore të grupeve sociale.(11)
Në teori, por edhe në praktikë , ekzistojnë përzierje të nocioneve parti politike dhe grupe ose lëvizje politike. Këto ngatërresa terminologjike do të mund të sqarohen, nëse merren parasysh disa karakteristika elementare të partive politike. Sipas A. Hejvud –it, janë katër veçori, që zakonisht i dallojnë partitë nga grupet ose lë vizjet politike:
- Partitë synojnë ta ushtrojnë pushtetin qeverisës, duke fituar poste politike. Megjithatë , partitë e vogla mund t’i përdorin zgjedhjet më shumë për të fituar një platformë sesa pushtetin,
- Partitë janë trupa të organizuara me anëtarë , siç kanë karta formale. Kjo i dallon nga lëvizjet më të gjëra e më të shpërndara politike,
- Partitë , zakonisht kanë në fokus një sërë më të gjërë çështjesh, duke u marrë me secilën prej fushave madhore të politikës a qeverisë (sidoqoftë , partitë e vogla mund të kenë në fokus, një çështje të vetme, duke i ngjarë si rrjedhim grupeve të interesit),
- Në shkallë të ndryshme, partitë kanë të përbashkëta pëlqimet politike të një identiteti të përgjithshëm ideologjik.(12)
Partia është një organizatë e aktorëve politikë që janë aktivë në shoqëri, e cila formohet për të fituar mbështetje popullore në krahasim me një grup tjetër individësh që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme.(13)
PARTITË POLITIKE BASHKËKOHORE
Partitë politike në kuptimin e sotëm të fjalës në Evropë u paraqitën për herë të parë nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, në Britani të Madhe dhe Francë, e më vonë, po të njëjtin shekull edhe në vendet tjera: Gjermani, Itali, Belgjikë dhe shtetet e Evropës Lindore. Më pastaj partitë politike u paraqitën pothuajse në të gjitha vendet e botës.”Nga mesi i viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar në mbarë botën janë evidentuar mbi 800 parti të mëdha politike me mbi 100 milionë anëtarë dhe shumëfish më tepë simpatizues dhe votues”.
Partitë politike janë fryt i formacionit shoqëror-ekonomik kapitalist, formacion në të cilin u paraqiten dallimet më të shprehura shoqërore, ekonomike, politike dhe ideore. Në qendër të diferencimit qëndronin interesat e përbashkëta dhe të kundërta të grupeve të veçanta shoqërore, që ndikuan si katalizatorë në paraqitjen dhe zhvillimin e partive politike.(14)
Partitë politike, në kuptimin e tyre bashkëkohor, në kuptimin e tyre modern janë dukuri e shoqërisë bashkëkohore. Në teorinë politike paraqitja dhe funksionimi i paritve politike, me të drejtë, lidhet me demokracinë si ligjshmëri e shoqërisë bashkëkohore. Në këtë drejtim, një numër teoricienësh mendon se demokracia dhe partitë politike janë aq ngushtë të lidhura mes veti sa që është e pamundur të kuptohet demokracia pa parti politike dhe anasjelltas, nuk mund të kuptohen partitë politike dhe qenia e tyre pa demokracinë .(15)
Edhe pse partitë e para politike lindën në SHBA, shumica e studiuesve si djep të partive moderne politike e konsiderojnë Anglinë. Format e organizimit politik nga të cilat më vonë lindën partitë politike në Angli, i hasim qysh në shek. XVII –të . Në shekullin në fjalë vepronin dy grupacione politike që identifikoeshin si Rojalistë, grupacioni që e mbështeste mbretin dhe grupacioni që angazhohej për një pavarshmëri sa më të madhe të Parlamentit, gjegjësisht Grupi parlamentar. Nga fundi i shekullit XVII rojalistët do të pagëzohen si torievë (Thory), ndërsa parlamentaristët si vigotë (Whig). Vigotët si grupacion politik angazhoheshin për një Parlament sa më të fuqishëm, ndërsa torievët për kompetenca sa më të gjëra të monarkut. Gjatë shekujve XVII dhe XVIII këta grupacione me ambicie politike ishin të paorganizuara dhe më shumë joformale.(16)
TIPOLOGJIA E PARTIVE POLITIKE
Në shkencë së paku deri më sot, nuk ekziston ndonjë klasifikim i partive politike i pranueshëm për pjesën më të madhe të studiuesve të këtyre grupeve shoqërore, të cilat pothuajse luajnë rol vendimtar në organizimin dhe funksionimin e sistemeve politike bashkëkohore. Kjo duhet kuptuar para së gjithash si pasojë e qasjeve të ndryshme shkencore dhe ideologjike në studimin e fenomenit të partive politike si dhe kushteve dhe rrethanave historike, politike dhe socio-ekonomike në të cilat ato lindin dhe e zhvillojnë aktivitetin e vet. Veprimi praktik i partive politike varet nga më shumë faktorë e para së gjithash nga niveli i zhvillimit ekonomik të mjedisit ku veprojnë, ngritja kulturore e popullatës, rrethanave politike, përbërjes fetare dhe kombëtare të popullsisë etj.(17)
Në historikun e partive politike vërehet një laramani renditjesh, që do të thotë se janë marrë një shumëllojshmëri indikatorësh. Autorë dhe studiues të ndryshëm kanë prezantuar ndarjet e partive politike sipas kritereve të ndryshme, por edhe nga qasjet e ndryshme shkencore dhe ideologjike të studimit të fenomenit të partive politike.
Nëse bëhet një radhitje e studiuesve, të cilët janë marrë me problematikën e partive politike do të duhet të fillojmë me Maks Veberin, i cili e bëri ndarjen e partive politike në tri grupe:
- Partitë e fazës,
- Partitë me njerëz me autoritet,
- Partitë bashkëkohore masive.
Ndarjen e partive politike dhe klasifikimin e tyre sipas disa kritereve e kanë theksuar edhe këta studiues të mendimit politik: M. Diverzhe, Z. Nojman, Xhovani Sartori, Klaus V. Beyme etj.
Partitë politike dhe klasifikimi i tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë preokupim kryesor i studiuesit bashkëkohor amerikan, A. Hejvud, i cili bëri radhitjen e partive politike në këtë mënyrë :
- Partitë kadrovike dhe masive,
- Partitë përfaqësuese dhe integruese,
- Partitë kushtetuese dhe revolucionare,
- Partitë e majta dhe të djathta.(18)
Distinkcioni mes partive kadrovike dhe masive, i formuluar në vitin 1951, sot është pothuajse i pranuar gjerësisht. Por, nuk duhet t’i jepet një rëndësi të tepruar: ekzistojnë lloje të ndryshme të partive masive, si dhe lloje të ndryshme të partive kadrovike, dhe gjithashtu hasim në ndërmjetësi, në gjysmë të rrugës mes këtyre dy kategorive, siç janë partitë ‘indirekte’.(19)
SISTEMET PARTIAKE
Në çdo vend, për një periudhë më të gjatë ose më të shkurtër, numri i partive, struktura e tyre e brendshme, ideologjitë e tyre, madje edhe shkalla e madhësisë së tyre, aleancat e tyre dhe mënyrat e përballjes së tyre me njëra-tjetrën, tregojnë një qëndrushmëri të caktuar. Dhe kështu mund të flasim për `sistemin partiak` të ndonjë vendi në një periudhë të caktuar.
Studimi komparativ i sistemeve të ndryshme partiake na zbulon qartë ngjashmëri të shprehura midis sistemeve individuale: në këtë mënyrë mund të përcaktojmë karakteristikat e disa llojeve të sistemeve, dhe duket se këto lloje ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në strukturën dhe funksionimin e sistemeve politike.(20)
I gjithë grupi i partive në një vend formon sistemin e partive politike. Sistemi partiak reflekton strukturën e marrëdhënieve mes partive individuale në marrëdhëniet me njëra tjetrën. Sistemet partiake mund të klasifikohen nga kritere të ndryshme. Më e shpeshta është numri i partive që luftojnë për pushtet që shërben si kriter për përshkrimin e sistemeve partiake. Në këtë drejtim, ne mund të dallojmë sistemin një, dy dhe shumë partiak.(21)
PARTITË POLITKE DHE FRAKSIONET
Fraksionet partiake janë dukuri që e ndjekin funksionimin e partive politike prej paraqitjes së tyre. Ato janë rezultat i veprimit politik të partive politike dhe pasojë e interesave të caktuara të individëve dhe grupacioneve që formohen rreth tyre. Qysh në fillim duhet të përmendet se është tepër vështirë që me përpikshmëri të zbulohen shkaqet, motivet dhe faktorët që ndikojnë që të vijë deri te paraqitja e fraksioneve brenda një partie politike. Shpeshherë bartësit e tendencave fraksioniste qëllimet e vërteta (që mund të jenë edhe të karakterit personal), i fshehin me mjeshtri nga shkaku se ashtu më lehtë mund të gjejnë mbështetje të fuqishme nga bashkëmendimtarët tjerë .(22)
Me nocionin frakcion kuptojmë grupin e strukturuar në kuadër të vetë partisë politike, e cila vazhdon të udhëheqë apo ndikojë në udheheqjen e partisë .
Frakcioni pra, paraqet grupin e anëtarëve të cilët veprojnë brenda partisë dhe jo nga jashtë si entitet i veçantë politik, por si entitet që ekziston në kuadër të vetë partisë .
Në kuptimin e teorisë politike moderne frakcioni kuptohet si një lloj subgrupi i partisë i cili formohet rreth një qëllimi dhe interesi të caktuar, apo rreth një udhëheqësi konkret në kuadër të vetë partisë, apo më thjeshtë(23) frakcioni paraqet grupin e ndarë në kuadër të vetë partisë ku veprimi dhe ekzistimi i saj dallon nga ai i partisë.(24)
Nga vetë definimi i fraksioneve partiake mund të nënvizojmë se bëhet fjalë për grupe që veprojnë brenda partive politike. Ato veprojnë si të tilla me vetëdije. Vetë dukuria e ekzistimit të fraksioneve ka të bëjë me tendencat e grupeve që të marrin pozitë udhëheqëse në parti dhe në qoftë se kjo nuk është e mundshme, atëherë së paku të krijojnë pozicione që të kenë ndikim në udhëheqjen me partinë . Fraksionet dhe lufta politike midis tyre herë ka formë të hapur e herë të fshehur, herë ka intensitet më të ulët e herë më të shprehur, por në raste të caktuara ajo e arrin kulmin e acurueshmërisë që zakonisht rezulton me formimin e partisë së re nga ana e grupit i cili supozon se është mjaft i fuqishëm, i mobilizuar dhe i organizuar, por që i ka harxhuar të gjitha mundësitë për krijimin e pozicioneve brenda partisë ekzistuese. Një gjë e tillë mund të jetë progressive ose reaksionare varësisht nga kushtet dhe rrethanat konkrete, por edhe nga qëllimet e fundit të grupit që formon parti të re.(25)
ANËTARËSIMI NË PARTITË POLITIKE
Në bazë të programit dhe të organizimit të vet, partitë e bëjnë përcaktimin e pozitës që duhet të ketë anëtari i partisë . Në frymën e kësaj pikëpamjeje Veberi flet për tri shtresa të anëtarësisë politike:
- Anëtarë aktiv (udhëheqës),
- Më pak aktiv (suita) dhe
- Pasivë (Anëtarësia pasive nuk vendos, por është e nënshtruar).
FINANCIMI I PARTIVE POLITKE
Financimet partiake janë ndër faktorët më të rëndësishëm për veprimtarinë partiake. Ato mundësojnë organizimin më të mirë të punës, sigurimin e teknikës në kryerjen e punëve në administratë, si dhe të kontakteve që një parti duhet t’i vendos me partinë tjetër dhe me institucionet tjera shoqërore. Burimet financiare nuk sigurohen vetëm nga ana e anëtarësisë , por edhe nga ndihmat vullnetare që i ofrojnë individët dhe grupet e ndryshme, donacionet endryshme,(26) ndihmat buxhetore që është i obliguar t’i japë shteti dhe nga burime të tjera.(27)
PARTITË POLITKE DHE DEMOKRACIA
Demokracia ka pamje të ndryshme në çdo shtet dhe në çdo shoqëri. Forma konkrete e rendit demokratik varet nga historia, tradita, dhe kultura kombëtare si dhe nga veçoritë shoqërore, etnike dhe fetare të një shoqërie, potenciali i saj ekonomik, pesha e faktorëve rajonal, dhe më shumë. Megjithatë, ekzistojnë disa elemente bazë që duhet të jenë të pranishme në çdo sistem demokratik.
Pavarësisht organizimit të demokracisë në vende të ndryshme, demokracia ka nevojë për institucione që sigurojnë konsolidimin e saj, stabilitetin dhe projektimin dhe të cilat mbrojnë demokracitë e “reja” nga kontestimi apo pengesat e mëdha. Shansi për stabilizim dhe konsolidim të demokracisë varet nga mënyra se si urdhrat përkatës të demokracisë janë institucionalizuar dhe se çfarë niveli i potencialit ofrohet nga institucionet demokratike për të përmbushur sfidat e ndryshimeve politike dhe sociale dhe se si ato sigurojnë legjitimitet për sistemin politik.
Pa marrë parasysh se si demokracia është organizuar në çdo rast individual dhe në çdo sistem politik, partitë politike janë institucionet kryesore të demokracisë. Pa parti nuk mund të ketë demokraci.(28)
Partitë politike zënë vend shumë të rëndësishëm në shoqërinë bashkëkohore. Ato janë faktorë pa të cilë t s’mund të paramendohet zhvillimi shoqëror. Partitë politike janë mjaft aktive sidomos në krijimin dhe përparimin e demokracis.(29)
Partitë politike dhe demokracia moderne zhvillohen në një varshmëri të ndërsjellë. Ato e afrimojnë, kushtëzojnë dhe avancojnë njëra tjetrën. Shikuar në përgjithësi, partitë politike e ndohmojnë demokracinë moderne në dy segmente mjaft të rëndësishme. Segmenti i parë ka të bëjë me zgjedhjet e lira dhe demokratike, domethënë në aspektin tekniko-organizativ, ndërsa segmenti i dytë nënkupton angazhimin e partive në drejtim të krijimit të opinionit publik.
Sa do të jenë partitë politike në shërbim të demokracisë varet nga më shumë faktorë, në radhë të parë nga niveli i zhvillimit ekonomik, funksionimi i shtetit juridik, natyra e sistemit politik, numri i partive politike, emancipimi i masave të gjera popullore etj.(30)
PARTITË POLITIKE DHE SHTETI
Marrëdhëniet parti-shtet kanë zgjjuar dhe edhe më tutjë zgjojnë interes, të veçantë te politologët, sociologët dhe profilet tjera të ngjashme. Kjo duhet të kuptohet si dukuri normale, e dobishme dhe do të thoja e domosdoshme, në qoftë se merret parasysh fakti se në shoqëritë bashkëkohore shteti është shndërruar në organizatë mbi organizatat, në një organizatë të gjithë fuqishme, ndërsa partitë politike janë të vetmet organizata që e provojnë fuqinë me të , garojnë që ta marrin përparësinë në rrafshin politik dhe njëkohësisht t’i ndajnë në mes vete privilegjet e shumta. Si do të ndahen privilegjet, por edhe obligimet varet nga kushtet dhe rrethanat konkrete, por para se gjithash nga fuqia e vërtetë që e posedojnë partia politike dhe shteti. Në shikim të parë, ndoshta në aspektin teorik, raportet ndërmjet partive politike dhe shtetit duken shumë të kthjellta dhe të qarta, sikurse çdo gjë midis tyre është mirë e definuar dhe në përpikshmëri e rregulluar, mëgjithatë praktika pothuajse e të gjitha shteteve në botën bashkëkohore jep shumë dëshmi se marrëdhëniet midis partive politike dhe shtetit janë mjaft komplekse.(31)
Partitë dhe shteti kanë një marrëdhënie të dyanshme. Siç e pamë tashmë, në funksionimin përmes procesit zgjedhor, partitë i lidhin qytetarët me shtetin. Ata gjithashtu ofrojnë udhëheqje politike që plotësohet me emërime si dhe me shërbimet zgjedhore të qeverive dhe propozojnë programe veprimi që duhet të ndiqen. Në vlerësimet më pozitive, partitë huazojnë legjitimitet për të qeverisur, duke garantuar se njerëzit vetë zgjedhin rrugën që duhet të ndjekë qeveria. Pasi pothuajse të gjithë ligjvënësit dhe zyrtarët ekzekutivë në demokracitë moderne mbajnë etiketa partiake, politikat qeveritare janë politika të krijuara nga partitë. “Në të vërtetë, partitë politike krijojnë politikën, demokracia është e paimagjinueshme pa partite”. Së fundmi, duke përdorur perspektivën e zgjedhjes racionale (të arsyeshme), ai i paraqiti partitë si krijime të politikanëve ambiciozë, të cilët më pas mund të arrijnë qëllimet e tyre brenda partive. Por ata e bëjnë këtë në një mënyrë që zgjidh tre probleme që janë të brendshëm për qeverisjen demokratike: sigurimi që politika mbështetet në zgjedhje publike, që ligjvënësit miratojnë politika publike dhe që problemet mbahen në një numër me të cilin mund të përballen. Duke siguruar baza për veprime kolektive, edhe pse të papërkryera, partitë inkurajojnë qytetarët të votojnë dhe politikanët të bashkëpunojnë, ndërsa kufizojnë agjendat legjislative me të cilat duhet të përballen.(32)
PËRMBLEDHJE E KONKLUZIONEVE NGA HULUMTIMI
Partia politike, në përgjithësi, është një bashkësi njerëzish me orientim dhe botëkuptim të njëjtë ose të ngjashëm: politik, social, ekonomik, e cila ka si qëllim të ndikojë në jetën shtetërore.
Partitë si formacione të grupeve me lidhje të dobëta kanë ekzistuar gjithashtu në qytetet-shtete të kohës antike, në Romën republikane, si dhe në lëvizjet politike dhe fetare të shekullit XVI dhe XVII.
Partitë moderne, si organizata të strukturuara dhe përgjithësisht të qëndrueshme, u shfaqën në shekullin e 19-të fillimisht në Angli dhe Francë, dhe më pas u përhapën në të gjitha vendet e botës.
Qëllimi i një partie ose grupi partish në koalicion është të fitojë ose të mbajë shumicën në parlament dhe në këtë mënyrë të fitojë një ndikim politik dominuese, me të cilin qeveris.
LITERATURA:
- Kurtesh Saliu, E drejta kushtetuese, Libri I Botimi i tretë, Tetovë, 2002, f, 174
- Jonuz Abdullai, Politika dhe politikat publike, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 78
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 19
- Александар Јованоски, Социологија на политика, Зборник на текстови, Тетово, 2016, f, 148
- Etem Aziri, Sociologjia, Arbëria Design, Tetovë, 2007, f, 336
- Mersim Maksuti, E drejta kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 146
- Abdulla Azizi, Etem Aziri, Zemri Elezi, Fjalor shumëdimensional i termave dhe shprehjeve administrative, politike, sociale dhe të diplomacisë, Shkup, 2009, f, 139
- Mersim Maksuti, E drejta kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 147
- Александар Јованоски, Социологија на политика, Зборник на текстови, Тетово, 2016, f, 183
- Bekim Baliqi, Politikat Publike dhe Qeverisja, Fondacioni-Konrad-Adenauer në Republikën e Kosovës, Prishtinë, 2017, f, 101
- Jonuz Abdullai, Politika dhe politikat publike, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 78
- Jonuz Abdullai, Politika dhe politikat publike, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 79
- Александар Јованоски, Социологија на политика, Зборник на текстови, Тетово, 2016, f, 183
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 20
- Kurtesh Saliu, E drejta kushtetuese, Libri I Botimi i tretë, Tetovë, 2002, f, 174
- Etem Aziri, Sistemet politike, Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, 2012, f, 120
- Etem Aziri, Sociologjia, Arbëria Design, Tetovë, 2007, f, 340
- Jonuz Abdullai, Politika dhe politikat publike, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 82
- Александар Јованоски, Социологија на политика, Зборник на текстови, Тетово, 2016, f, 149
- Александар Јованоски, Социологија на политика, Зборник на текстови, Тетово, 2016, f, 163
- Wilhelm Hofmeister, Karsten Grabow, Partitë politike Funksioni dhe organizimi në shoqëritë demokratike, Botimi i dytë, Fondacioni Konrad Adenauer në Republikën e Kosovës, Instituti i Prishtinës për Studime Politike – Prishtinë, Prishtinë, 2020, f, 17
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 116
- Mersim Maksuti, E drejta kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 147
- Mersim Maksuti, E drejta kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Arbëria Design, Tetovë, 2010, f, 148
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 117
- Ferat Polisi, Ali Musliu, Dispensë nga lënda sociologjia juridike, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Fakulteti Juridik, Tetovë, 2009, f, 66
- Ferat Polisi, Ali Musliu, Dispensë nga lënda sociologjia juridike, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Fakulteti Juridik, Tetovë, 2009, f, 67
- Wilhelm Hofmeister, Karsten Grabow, Partitë politike Funksioni dhe organizimi në shoqëritë demokratike, Botimi i dytë, Fondacioni Konrad Adenauer në Republikën e Kosovës, Instituti i Prishtinës për Studime Politike – Prishtinë, Prishtinë, 2020, f, 68
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 154
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 159
- Etem Aziri, Partitë politike dhe demokracia, Logos A, Shkup, f, 151
- Александар Јованоски, Социологија на политика, Зборник на текстови, Тетово, 2016, f, 211
