Nga: Xhelal Neziri
Prania e Kinës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të forcohet, duke mbushur hapësirën e lënë nga Rusia, e cila po vazhdon të fundoset ekonomikisht shkaku i agresionit në Ukrainë. Ndikimi i Rusisë vazhdon të bjerrë, sidomos në pjesën pranisë ekonomike, shkaku i sanksioneve të ashpra të vendosura nga ana e SHBA-ve dhe BE-së. Goditja e fundit ishte ndaj dy zgjatimeve strategjike ruse në sferën e energjisë në Ballkan – “Lukoil” dhe “Rosneft”–kompani këto që janë ndër lojtarët kyç në tregun energjetik të Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Çrrënjosja e pranisë Ruse sidomos ka për fokus Serbinë, ku SHBA ka bërë të plotfuqishme sanksionet ndaj industrisë së naftës NIS, një kompani me pronësi dominante ruse e cila bën furnizimin e Serbisë me energji. Këto sanksione, jo vetëm që godasin interesin rus në rajon, por rrezikojnë të lënë Serbinë pa energji në fillim të vitit të ardhshëm, kur edhe i mbarojnë rezervat shtetërore të furnizimit. Serbia tash është para dilemës së madhe – të zgjedhë midis Rusisë, me të cilën ka miqësi tradicionale, dhe Perëndimit – nga i cili varet ekonomia e saj. Pra, politika e dy karrigeve në këtë pikë merr fund pasi Beogradi duhet të përcaktohet se me cilin partner strategjik do të vazhdojë. Arsyeja e çon kah Perëndimi, që nënkupton nacionalizimin dhe shitjen e kompanisë NIS te një kompani perëndimore, gjë që do ta armiqësonte me Rusinë për shkak se duhet të dëbojë pronarët rusë që kanë shumicën e aksioneve. Kurse ndjenjat populiste e shtyjnë kah vëllazëria me Rusinë, një lidhje e ngushtë midis popujve me ngjashmëri të madhe etno-kulturore, që është kultivuar historikisht që nga viti 1878 kur Serbia, me ndihmën e Moskës, fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane.
KINA E PËRPLOTËSON RUSINË
Me faktin se Kina po tenton të instalojë ndikimin e saj në hapësirën e dominuar deri më tani nga Rusia, nuk nënkupton një konkurrencë midis dy fuqive të Lindjes. Përkundrazi, të dyja shtetet tregojnë një koordinim të ngjeshur përballë Perëndimit të unifikuar, që nga Ukraina e deri te luftërat në Lindjen e Mesme. Kjo sinergji midis Moskës dhe Pekinit, e pranishme edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor,ku Rusia vazhdon të ruajë ndikimin nëpërmjet kishës ortodokse ndërsa Kina shtrin ndikimin në ekonomi dhe media.
Në vitet e funditinvestimet e drejtpërdrejta kineze kanë shënuar një rritje të shpejtë, me ç’rast deri në vitin 2025 kanë arritur në 32 miliardë. Sipas të dhënave të “Geo-Power EU”, pjesa më e madhe kanë përfunduar në Serbi, duke e bërë këtë shtet një portë të rëndësishme për depërtim të kapitalit kinez në BE. Nëse i shohim numrat e vitit 2023, del se nga 5.6 miliardë eurot e investuara në rajon, 96% janë investuar në Serbi, kryesisht në industri me ndikim mjedisor dhe shoqëror problematik si metalurgji, miniera dhe prodhim të ulët teknologjik.Në vitin 2024 investimet kineze në këtë shtet arritën në rreth 9% të Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB), ndërkohë që në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor ato janë të papërfillshme, me ç’rastkapin nën 1% të PBB-së në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Edhe pse investimet e drejtpërdrejta kineze në rajon po rriten me shpejtësi, megjithatë prania e tyre mbetet modeste krahasuar me kapitalin e Bashkimit Evropian. Të dhënat e “Geo-Power EU” tregojnë se investimet kineze përbëjnë ende një pjesë të vogël të ekonomive rajonale, ndërsa BE-ja mbetet burimi dominues i kapitalit të huaj. Ndryshe nga investimet kineze, mesatarja e investimeve të BE-së në rajon është midis 23% dhe 38% të PBB-së.
Sipas analizave të Vienna Institute forInternationalEconomicStudies, rritja e pranisë ekonomike kineze reflekton zhvendosjen e Pekinit drejt sektorëve të energjisë sërinovueshme dhe prodhimittë pjesëve automobilistike.
PSE BALLKANI PERËNDIMOR?
Ky rajon i përbërë nga gjashtë shtete të vogla dhe me një popullsi të përgjithshme prej afër 18 milion banorësh, duket i papërfillshëm dhe joatraktiv për një shtet të fuqishëm ekonomik. Por, jo edhe për Kinën. Ballkani mbetet interes i lartë strategjik pasi është pjesë e nismës “Një brez, një rrugë”,një mega-projekt i Kinës që ka për qëllim të lidhë Azinë dhe Evropën me interesin e saj për t’u shndërruar në hegjemon. Matjet e opinionit publik tregojnë se vendet e rajonit kanë një perceptim më miqësor për Kinën, që buron nga koha bashkëpunimi i ndërsjellë gjatë periudhës 1945-1990.
Qeveritë e vendeve të rajonit janë joshur nga angazhimi i Kinës pasi kanë parë se ai u sjell përfitime të menjëhershme ekonomike, si: investime, projekte infrastrukturore dhe teknologji. Sipas të dhënave publikisht që qasshme, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë pranuar hua kineze për projekte infrastrukturore dhe nuk janë bërë pjesë e mega-projektit të saj. Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar dy nisma kryesore të financuara nga Kina: termocentrali në Tuzëll dhe autostrada në Republika Srpska. Por, të dyja projektet nuk kanë arritur të përfundohen shkakuimosrespektimit të standardeve mjedisore dhe financiare të BE-së. Meprojektine autostradës Bar-Podgoricë, Mali i Zi ka marrë kredi kineze në vlerë prej 975 milionë euro, duke rritur ndjeshëm borxhin publik. Ky është rasti më i dukshëm i “kredive kurthe”, të cilatrrezikojnë sovranitetin financiar të huamarrësve për shkak të arbitrazhit që përjashton institucionet e vendit apo ato evropiane dhe i nënshtrohet juridiksionin kinez.Maqedonia e Veriut ka përfituar 909 milionë euro nga kreditë kineze për ndërtimin e autostradave Miladinovci–Shtip dhe Kërçovë–Ohër, me të njëjtat klauzola si mali i Zi dhe me po të njëjtat rreziqe. Aq më tepër që projektet janë shoqëruar me vonesa, tejkalim kostosh dhe akuza për korrupsion. Pas disa vonesash, autostrada Kërçovë-Ohër ende nuk ka përfunduar dhe llogaritet si një nga rrugët më të shtrenjta në Evropë. Përveç rekordit në investimet kineze, Serbia është edhe përfituesja më e madhe e kapitalit kinez në rajon. Ajo ka një hua prej mbi 7.7 miliardë euro nga banka kineze, të cilat i ka shfrytëzuar për projekte në energji, transport dhe në sektorin e mbrojtjes.
Këtë ndihmë zhvillimore që ua ofron Kina vendeve të rajonit, nuk është vetëm i karakterit ekonomik,por paraqet edhe një instrument të fuqishëm për qëllime diplomatike dhe strategjike. Këto qëllime përfshijnë shndërrimin e Ballkanit Perëndimor në një port të madh kinez në kontinentin e Evropës, i cili paraqet tregun më të madh në numër dhe potencial në Botë. Një tjetër qëllim, jo më pak i rëndësishëm, është edhe promovimi i narratives për “Një Kinë” në të gjithë Botën, gjë që nënkupton parandalimin dhe sanksionimin e vendeve të rajonit që do të guxojnë të lidhin marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, shtetin ishull të cilin Pekingu e konsideron pjesë të saj. Nëpërmjet bankës së saj “EximBank”, Kina ofron hua joshëse me interes të ulët (3%), por me kushte që kompani kineze të realizojnë projektet dhe përjashtim të juridiksionit të shteteve përfituese.
Në këtë mënyrë, investimet kineze shndërrohen jo vetëm probleme ekonomike, por edhe gjeopolitike. Duke përjashtuar ligjet dhe institucionet e shteteve ku investon, Kina pamundëson harmonizimin e ligjeve dhe normave të vendeve aspirantë me ato të BE-së. Në këtë mënyrë, Kina shndërrohet edhe në një aktor me ndikim që pengon integrimin ne BE të Ballkanit Perëndimor për shkak se dëshiron të mbrojë investimet e saja dhe ta ruajë rajonin si port drejt Evropës./The Geopost/
