Nga Dr. Selim IBRAIMI
Dronët ruse janë parë përsëri mbi aeroportet e vendeve të NATO-s. Provokimet e Rusisë nuk kanë të ndalur. Ndërkohë, NATO ende nuk ka gjetur një përgjigje të përshtatshme ndaj Rusisë. Këtë herë, u prekën edhe bazat ushtarake. Ditë më parë, aeroporti i kryesorë i Kopenhagës u mbyll.
Nga të gjitha aktivitetet e fundit të Rusisë në krahun lindor të NATO-s, dronët janë më shumë sesa thjesht një gabim nga Moska. Ndërsa dronët rusë vazhdojnë të shkelin hapësirën ajrore të anëtarëve të NATO-s, aleanca vazhdon të mbetet e ndarë në përgjigjen ndaj Rusisë. Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Beseetn, i kërkoi Evropës të bëjë më shumë.
“Lufta Ukrainë-Rusi është në oborrin e tyre të shtëpisë”, tha Beseetn gjatë një interviste dhënë rrejtit televiziv Fox News. Në ndërkohë, paqartësitë dhe dallimet në mes anëtarëve të NATO-s u shfaqën në forma të ndryshe javën që shkoi në Bruksel. Debati në mes anëtarëve të aleancës, kulmoi gjatë një takimi urgjent të Këshilit të Atllantikut të Veriut (NAC). Zyrtarë nga disa shtete, përfshirë Poloninë dhe Estoninë, dëshironin që deklarata e përbashkët e anëtarëve të NATO-s kundër Rusisë të sqaronte se “çdo shkelje shtesë nga dronët e ushtrisë ruse, përfshirë atë nga avionët me pilot, do të përballen me forcë”.
Anëtarë të tjerë të aleancës shfaqën drojë nëse duhet që deklarata të përmbante një gjuhë të ashpër ndaj Moskës. CNN raportoi se gjenerali amerikan për Evropën, Alexus Grynkewich, i cili shërben edhe si Komandant Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, nuk shpejtoi, por u la më shumë kohë disa shteteve anëtare të aleancës. Ai tha se inkursioni rus në Estoni ka të ngjarë të ketë qenë aksidental duke pasur parasysh mungesën e përvojës dhe trajnimin e pamjaftueshëm të pilotëve rusë.
Dallimet gjatë takimit të Këshillit të Atllantikut të Veriut vazhduan, pasi shtetet e Balltikut dhe Polonia kërkonin më ngulm që përfundimisht NATO të ndërmer aksione konkrete ndaj Rusisë. Në fund u vendos që deklarata përfundimtare, e miratuar po nga 32 shtetet anëtare të aleancës të jetë e balancuar. Deklarata thotë: “NATO dhe aleatët do të përdorin, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe jo-ushtarake për të mbrojtur veten dhe për të penguar të gjitha kërcënimet nga të gjitha drejtimet”.
“Ne do të vazhdojmë të përgjigjemi në mënyrën dhe kohën që zgjedhim ne”. Disa vende të NATO-s, veçanërisht ato të krahut lindor të aleancës duke nisur nga Estonia, Lituania dhe Letonia, mendojnë pak më ndryshe se anëtarët tjerë që nuk kufizohen me Rusinë. Kërcënimet ruse, shtetet e përmendura i vlerësojnë si serioze. Zyrtarët e shteteve balltike besojnë se Rusia duhet të përballet me pasoja për sjelljen e saj të rrezikshme. Në këtë drejtim presidenti çek Petr Pavel tha të martën e kaluar se duhet të reagohet ndaj Rusisë në mënyrë të përshtatshme, duke përfshirë ndoshta rrëzimin e avionëve rusë.
Mirëpo, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, kundërshtoi fuqishëm tërheqjen në “kurthin e përshkallëzimit” të Rusisë dhe kërkoi qetësi në përgjigjen e NATO-s. Nga ana tjetër, Varshava zyrtare ka reaguar duke bërë të njohur se Polonia do të mbrojë territorin e saj.
“Nuk do të lejojë më që dronët rusë të vazhdojnë të shkelin hapësitën polake. Polonia do të reagojë gjithmonë në mënyrë adekuate dhe është e gatshme të mbrojë territorin e saj”, tha presidenti polak Karol Nawrocki gjatë paraqitjes në OKB-së, duke shtuar se “populli polak, si dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, nuk kanë frikë nga dronët rusë”.
Zyrtarët rus kanë mohuar përfshirjen me dronë.
Gjatë konferencës për shtyp, zëdhënësi rus Dmitry Peskov tha se akuzat për përfshirje ruse ishin të pabaza. Peskov ka deklaruar se bërja e akuzave të pabaza vazhdimisht vetëm sa çon në faktin se deklarata të tilla nuk duhet të merren më seriozisht. Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se shtetet e NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë që shkelin territorin e tyre. Nuk është e qartë nëse deklaratat e tilla nga Uashingtoni mund të jenë shenja të një ndryshimi të politikës amerikane kundër Rusisë apo jo. Uashingtoni dhe aleatët evropianë deri më tani nuk e kanë zgjidhur këtë dilemë, gjë që është një pengesë e madhe për NATO-n që t’i kundërpërgjigjet Rusisë. Zyrtarët rusë kanë deklaruar se çdo sulm nga NATO ndaj avionëve ushtarakë rus do të thotë një luftë e NATO-s kundër Rusisë.
Ndonëse gjendja e sigurisë në Balltik dhe përrreth është përkeqësuar, tre dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit (1995), Ballkani është ende i prekshëm prej aktorëve të jashtëm. Serbia, një shtet jo-anëtar i NATO-s dhe i BE-së, shihet si një vend që mund të nxisë konflikte në rajon. Beogradi zyrtarë i ka mohuar zërat që akuzojnë Serbinë si shtet destabilizues. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se dronët nga Serbia janë parë në Kosovë.
Në Jugun e Evropës, në Ballkan, hapësira ajrore mund të shkelet lehtësisht për shkak të mungesës së forcave ajrore dhe aftësive të tjera mbrojtëse, p.sh., Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, edhe pse anëtare të NATO-s varen nga siguria kolektive, dhe në rast lufte, ushtritë e tyre janë të papërgatitura për një shkallë të gjerë konflikti. Pavarësisht kontributit të përgjithshëm të tyre në NATO dhe në mbrojtje kombëtare, ushtritë dhe degët e tjera nuk duhet të varen tërësisht nga strategjia kolektive.
Aktivitetet ruse në Balltik, tregojnë se provokime të tilla mund të ndodhin një ditë kudo në hapësirën ajrore të shteteve anëtare të aleancës dhe atyre mike. Për tu mos u gjetur të papërgatitur, fuqitë evropiane dhe anëtarët e NATO-s në Ballkan duhet të mendojnë tani para se të jetë tepër vonë nesër. Ngërçi në çështjet politike e të sigurisë në NATO mund të ndikojë në efektivitetin e mbrojtjes jo vetëm të reputacionit të aleancës, por edhe ndaj Perëndimit.
Debati se si t’i veprohet ndaj Rusisë, duhet të përfundojë me një politikë të qartë dhe hapa konkretë nga NATO. Në këtë linjë, mediat gjermane kanë raportuar se NATO ka filluar një stërvitje ushtarake tre ditore e quajtur si “Stuhia e Kuqe Bravo”. Vlerësohet si stërvitja më e madhe që nga shembja e Murit të Berlinit (1989). Nëse kjo do të jetë përgjigja kundër Rusisë, atëherë do të duhet më shumë se një stërvitje ushtarake për të testuar kapacitetin e aleancës. Takimi i javës që vjen në Danimarkë, mbetet si fillim nëse zyrtarët e NATO-s do të pajtohen për më shumë masa ndaj Rusisë.