Nga Dr. Selim IBRAIMI
Rusia po bëhet më operacionale dhe konkrete në sferën e saj të interesit. Analiza e fundit nga inteligjenca amerikane tregon se Rusia ende po ndjek politika të vjetra në Ballkan dhe Evropë.
“Shumica e vendeve evropiane e konsiderojnë Rusinë si kundërshtarin e tyre më të madh dhe më të qëndrueshëm. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, përdorimi i taktikave të zonës gri kundër industrisë dhe shoqërisë civile evropiane, dhe përpjekjet e saj për të nxitur konflikte të ngrira kanë forcuar qëndrimet evropiane në mbrojtje”.
“Shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-së janë të etura që lufta në Ukrainë të zgjidhet në një mënyrë që jo vetëm të ruhet sovraniteti i Ukrainës, por edhe të pengohet agresioni i ardhshëm rus në Evropë. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ringjallur frikën e konfliktit etnik dhe ka përforcuar linjat e përçarjes politike në Ballkanin Perëndimor midis Rusisë dhe Perëndimit. Rusia nxit paqëndrueshmëri, favorizon Serbinë mbi shtetësinë e Kosovës dhe mbështet shkëputjen e entitetit serb të Republika Srpska.
Rusia gjithashtu përdor entitete joqeveritare të sponsorizuara nga shteti për të drejtuar fushata për të minuar NATO-n dhe BE-në, duke theksuar viktimizimin serb dhe duke promovuar lidhjet me Rusinë, veçanërisht në Bosnjë – Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, të cilat kanë popullsi të mëdha etnike serbe”, shpjegon vlerësimi vjetor i kërcënimit të vitit 2026 i Komunitetit të Inteligjencës Amerikane (IC).
Raportet mbi Evropën dhe Ballkanin gjatë dy viteve të fundit kanë treguar një rënie të ndikimit rus dhe një rritje të ndikimit kinez, por Rusia me sa duket ka ndryshuar qasjen e saj, duke u bërë edhe më konkrete dhe operacionale në përqendrimin e aktiviteteve në fusha specifike të shoqërisë civile, duke organizuar fushata kundër sovranitetit të Bosnjë – Hercegovinës dhe Kosovës.
Sipas raporteve të fundit, Rusia po e përdor Serbinë si një qendër për të vepruar në Ballkan dhe në vendet e BE-së.
Një analizë krahasuese e vlerësimeve të SHBA-së gjatë viteve të fundit, tregon se komuniteti i inteligjencës amerikane po e kupton Rusinë dhe Ballkanin shumë më mirë.
Dy raportet e fundit nga komuniteti i inteligjencës amerikane, për vitin 2024 dhe 2025, theksonin se politikanët nacionalistë në Ballkan kanë gjasa të rrisin tensionet ndëretnike me qëllimin e vetëm të destabilizimit të rajonit, ku SHBA-të dhe BE-ja, përveç Ukrainës, duhet t’i kushtojnë kohë edhe Ballkanit.
Por kjo nuk ndodhi, përveç sulmit serb në Banjska të Kosovës, në vitin 2023.
Raporti i vitit 2026 nxjerr në pah Millorad Dodikun dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç si aktorë të nxitjes së tensioneve.
Vlerësimi i vitit 2026 për shfrytëzimin e situatës në Ballkan nga Moska është i njëjtë me analizat e mëparshme, duke vazhduar linjën e vjetër të paraqitjes së kërcënimeve nga Rusia, e cila mbështet armiqësitë e vjetra në Ballkan.
Siç u përmend më lart, analiza e fundit e shërbimeve amerikane për këtë vit është më e detajuar, duke emërtuar publikisht subjekte joqeveritare dhe duke u bërë më e saktë në lidhje me aktivitetet e Rusisë.
Në një kohë kur vetë anëtarët aktualë të BE-së kanë mosmarrëveshje të brendshme, dhe nga ana tjetër, shtetet e Ballkanit po ndjekin politika të dyfishta në lidhje me anëtarësimin, atëherë për Moskën, të gjitha rrethanat shkojnë në favor të saj.
Bosnja-Hercegovina është nyja më e ndjeshme, pasi interesat serbe përkojnë me ato ruse për të parandaluar federatën dhe integrimin.
Kosova, e cila që nga viti 1999 është mbështetur plotësisht në forcat paqeruajtëse të NATO-s, mbetet gjithashtu një fushë beteje për Serbinë.
Përveç incidenteve në veri të Kosovës, javën e kaluar forcat ajrore serbe u vunë re në Luginën e Preshevës pranë kufirit me Kosovën. Qeveria në Prishtinë i quajti këto veprime si provokime të reja nga Serbia. NATO deri më tani e ka vlerësuar situatën si të qëndrueshme.
Nga vlerësimet e fundit, shihet se kuadri analitik amerikan është i fokusuar në ndikimin ruso-kinez.
Ashtu si më parë, Rusia, duke shfrytëzuar identitetin etno-fetar të popujve të rajonit të Ballkanit, duke përdorur ndikimin në mediat lokale dhe organizatat joqeveritare, po vazhdon politikat e vjetra. Aksionet ruse nuk duhen nënvlerësuar nga qeveritë reformatore të Ballkanit.
Pavarësisht luftës katërvjeçare të Moskës në Ukrainë, me luftën e fundit SHBA-Iran, Rusia po fiton më shumë fuqi deri në përballjen e radhës.
Rusia, në vitet e ardhshme, do të ndjekë taktika të ndryshme. Rusia do të jetë më e fshehtë në operacionet e saj, sepse Moska nuk ka synime të pushtimit të Ballkanit, por vetëm të parandalojë procesin e reformave dhe të integrimit. Dhe këtë e ka bërë me një kosto të ulët për vite me radhë dhe do të vazhdojnë dhe në të ardhmen.
Dihet se Rusia po vepron në një zonë kronike të problemeve të pazgjidhura në Ballkan, të cilave, kur ua shtojmë edhe çështjet aktuale botërore, duket se Rusia po fiton vrull.
Megjithatë, shoqëritë dhe qeveritë e Ballkanit duhet të jenë elastike dhe proaktive ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe shumë më tepër.
Ligjvënësit amerikanë i kanë bërë thirrje qeverisë amerikane të mos kufizojë praninë ushtarake në Ballkan dhe në Evropë, duke i marrë në konsideratë kërcënimet ruse ndaj shteteve evropiane dhe aktivitetin operacional në Ballkan të nënvizuara në vlerësimin e fundit të Komunitetit Inteligjent Amerikan (IC).
