Nga Ramadan GASHI / New York
Në Tianjin të Republikës Popullore të Kinës fillon samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku marrin pjesë më shumë se 20 udhëheqës, mes tyre Vladimir Putini, Xi Jinpingu, Narendra Modi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres. Ky është samiti më i rëndësishëm i viteve të fundit, që synon të demonstrojë qartë solidaritetin e Jugut Global kundër Perëndimit kolektiv.
Samiti, mes të tjerash, demonstron solidaritetin mbi kontradiktat ekzistuese. Vizita e parë e Modit në Kinë pas shtatë vjetësh është shenjë e një fillimi të ri. Ndërkohë, Kina i ka hequr sanksionet ndaj Indisë. Përmbajtja e deklaratës përfundimtare të samitit të SCO-së pritet të përqendrohet në tri pika kyçe: tregtia, lufta kundër terrorizmit dhe çështjet klimatike. Por thelbi i vlerës reale të dokumentit është bashkimi në një front të përbashkët i vendeve të pakënaqura me agjendën perëndimore.
A mund të arrihet një koordinim më intensiv dhe më i qëndrueshëm ekonomik brenda SCO-së dhe të krijohet një mjedis sigurie më konkret e afatgjatë?
Solidariteti politik është shumë i rëndësishëm, por duhen edhe mekanizma konkretë për t’u ballafaquar me probleme serioze. Si mundësia për të projektuar pushtetin, qëndrueshmëria e kanaleve të tregtisë, efikasiteti i ndërveprimit ekonomik për t’u mbrojtur nga sanksionet etj., janë tema që do të mbizotërojnë në këtë samit historik.
Antagonizmat gjeoekonomikë midis Indisë dhe Kinës paraqesin një nga sfidat kryesore të gjeopolitikës bashkëkohore aziatike. Ato janë të rrënjosura në një kryqëzim interesash territorialë, strategjikë dhe ekonomikë. Si Kina ashtu edhe India po konkurrojnë për ndikim në Azi dhe më gjerë, duke përdorur projektet e infrastrukturës dhe investimet si mjete të politikës së jashtme, shumë më tepër sesa Rusia, e cila, megjithëse gjeografikisht vendi më i madh, nuk është më e rëndësishme në aspektin demografik dhe ekonomik.
Një nga pikat e përplasjes është iniciativa e Kinës e emërtuar “Një brez, një rrugë”, e cila shihet me dyshim nga Nju Delhi për shkak të përfshirjes së Pakistanit, rivalit historik të Indisë, si dhe shqetësimeve se BRICS mund të forcojë ndikimin kinez në zona kritike si Sri Lanka dhe Bangladeshi. Po ashtu, edhe India po tenton të krijojë një qendër ekonomike alternative përmes Mianmarit dhe drejt Perëndimit me korridorin IMEC, për të promovuar bashkëpunimin me vendet e Quad-it dhe duke investuar në nisma rajonale. Kuptohet se Kina ka një avantazh konkurrues në aspektin e prodhimit, të eksportit dhe të logjistikës. Këto dallime e ndërlikojnë përpjekjen për të negociuar partneritete strategjike mbi baza interesash të përbashkëta ekonomike.
Çështjen e ndërlikuar midis Indisë dhe Kinës e bën edhe më komplekse pozita e një aktori tepër të rëndësishëm rajonal: Turqisë.
Në dekadat e fundit, Turqia ka krijuar një pozicion unik në peizazhin gjeopolitik rajonal dhe përtej. Ajo ka ndërtuar një urë midis Evropës dhe Azisë, midis NATO-s dhe Lindjes së Mesme, midis Islamit dhe sekularizmit. Megjithatë, pozicioni i Turqisë mbetet ende i kushtëzuar nga lidhjet e saj me aleancat perëndimore, veçanërisht NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Por në vitet e fundit, ndryshimet globale kanë sfiduar këto modele tradicionale, duke hapur mundësi të reja. Ndër to, afrimi gradual i Ankarasë me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait duket të jetë më i rëndësishmi. Ky nuk është një veprim i thjeshtë diplomatik, por një riorganizim strategjik me efekte potencialisht transformuese për rajonin dhe përtej.
SCO, e cila filloi si një marrëveshje rajonale sigurie midis Kinës, Rusisë dhe republikave të Azisë Qendrore, është zhvilluar në një platformë më të gjerë që integron bashkëpunimin ekonomik, luftën kundër terrorizmit dhe projektet e integrimit euroaziatik. Hyrja e Indisë dhe Pakistanit ka zgjeruar peshën e saj gjeopolitike dhe ekonomike, duke përforcuar idenë e një rendi të ri shumëpolar në zhvillim. Në këtë skenar, Turqia – një anëtare e G20-s, fuqi ushtarake dhe një qendër midis Evropës dhe Lindjes së Mesme – do të përfaqësonte një vlerë të shtuar për prestigjin në rritje të kësaj organizate.
Partneriteti i Turqisë në SCO është pasojë e vështirësive të hasura në marrëdhëniet e saj me Perëndimin: ngecja e negociatave për pranimin në BE, tensionet e përshkallëzuara brenda NATO-s për shkak të operacioneve në Siri, blerjes së sistemit raketor rus S-400 dhe mosmarrëveshjeve energjetike në Mesdheun Lindor. Ky partneritet i ofron Ankarasë një forum në të cilin mund të ndjekë interesat e saj pa kufizime ideologjike dhe me mundësinë e institucionalizimit të agjendës së saj rajonale.
Vite me radhë, intelektualët dhe politikanët turq e kanë parë me interes në rritje Lindjen, të vetëdijshëm se qendra e gravitetit të botës po zhvendoset. Roli dhe identiteti i Turqisë si shtet laik me shumicë myslimane mund të ndihmojë në kapërcimin e ndarjeve kulturore, duke rritur legjitimitetin e organizatës midis vendeve islamike.
Anëtarësimi i Turqisë në SCO do të siguronte qasje shumë të rëndësishme dhe të pashmangshme në Mesdhe, duke arritur kështu të mbyllte praktikisht 90% të Rimland-it gjeopolitik. Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi në energji, migracion, mbrojtje, ndërhyrje diplomatike në institucionet shumëpalëshe globale, si dhe një ndikim indirekt në NATO. Kufizimet ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit të njëkohshëm në NATO dhe SCO do të duhet të merren në konsideratë, por realiteti aktual gjeopolitik është ai i sferave të ndikimit që mbivendosen, jo i blloqeve të ngurta.
Ndërveprimet shumënivelëshe të luftërave hibride nuk mund të presin për reflektime të gjata; ato kërkojnë strategji të reja dhe origjinale. Shembujt e Indisë, Pakistanit dhe Kinës, aftësia për të krijuar aleanca të shumëfishta është tani një kërkesë strategjike. Partneriteti i mundshëm i Turqisë është një hap i rëndësishëm përpara, por njëkohësisht edhe një hap i rrezikshëm. Strategjia që SCO-ja me siguri do të ndjekë është të ndërtojë pjesë-pjesë një rend botëror më të ekuilibruar dhe shumëpolar. SCO dhe BRICS nuk kanë vlerë vetëm në efektivitetin institucional, por po projektojnë një qendër të re simbolike: një “rend të ri pa Perëndimin”.