Prania e disa krerëve të qeverive evropiane në samitin për Ukrainën në Uashington nuk mund ta fshehë faktin se Evropa është gjeopolitikisht dytësore…?
Ky konkluzion është shumë i qëndrueshëm dhe në fakt është një prej kritikave më të shpeshta që bëhet ndaj Evropës sot dhe rolit të saj gjithnjë në rënie.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Organizimi i samitit nga Shtëpia e Bardhë dhe jo nga një kryeqytet evropian, tregon se qendra reale e vendimmarrjes për sigurinë dhe të ardhmen e Ukrainës mbetet në Washington.
Krerët evropianë morën pjesë, por roli i tyre ishte më shumë konfirmues dhe jo drejtues.
Pamjet nga Zyra Ovale flasin për një rrëfm dështimi të Europës, ku shihen pesë krerë qeverish evropiane, dikur organizatorë të konferencave globale të paqes, duken si të tkurrur në tryezën e Presidentit të SHBA-së, sikur I luten atij sa për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, po aq edhe të atyre vet.
Ky është është imazhi më real I gjendjes faktike të Europës së vitit 2025.
Pse Evropa shihet si gjeopolitikisht dytësore?
Janë disa faktorë që kanë imponuar këtë imazh të Europës sot. Por mbi të gjitha mund të nënvizohen pesë faktor qenësor:
1. Varësia nga SHBA në aspektin ushtarak: NATO, pra siguria evropiane, është de facto e mbështetur mbi forcat dhe arsenalin amerikan.
2. Fragmentimi politik: BE-ja nuk ka një politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes; vendimet varen nga konsensusi mes 27 shteteve anëtare të këtij bashkimi vullnetar politik
3. Mungesa e instrumenteve të fuqishme ushtarake: edhe pse ka ekonomi të fuqishme, vendet evropiane nuk kanë ende një forcë të integruar të besueshme që të rivalizojë ndikimin amerikan.
4. Krizat e brendshme (energji, migrim, rritja e ekstremizmit të djathtë) e dobësojnë fuqinë negociuese të BE-së.
5. Fjalët kyçe për kursin e luftës i ka Washingtoni: çfarë armësh të avancuara të dërgohen, si të menaxhohet strategjia ndaj Rusisë dhe deri ku të shkojë përfshirja.
Rrjedhimisht kemi implikime të theksuara të natyrës strategjike për që të tri palët e prekura më drejtpërdrejt.
Për Rusinë: ky realitet është konfirmim se lufta është një përballje kryesisht me SHBA-në, jo vetëm me Ukrainën.
Për BE-në: kjo varësi e thelluar e bën Evropën një aktor sekondar, duke e kufizuar rolin e saj në një hapësirë më shumë ekonomike dhe normative sesa ushtarake-strategjike.
Për Ukrainën: e ardhmja e saj më shumë varet nga zgjedhjet në SHBA sesa nga vendimet në Bruksel apo Berlin.
Prandaj konkluzioni se, pavarësisht pjesëmarrjes së disa krerëve të qeverive evropiane në takimin e Washingtonit, fakti kryesor mbetet: Evropa gjeopolitikisht mbetet tutje fuqi e rendit të dytë dhe ende nuk ka kapacitetin ta udhëheqë lojën në çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Bilanci gjeopolitik
Me luftën në ish Jugosllavi Europa ia kishte dalë që të korrigjonte ndjehsëm depërtimin rus në Europën Juglindore, duke pretenduar të kthehej në tavolinn e vendimmarrjes.
Ndërkaq me lufëtn në Ukrainë evropianët nuk kanë arritur asnjë nga qëllimet e tyre…
Në fillet e luftës ata hezituan ta ndihmonin Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit të saj. Heshtën para invazionit rus dhe aneksimit të Krimesë në vitin 2014!
Me rifillimin e luftës në shkallë të gjerë nga ana e Rusisë në vitin 2022, që për objektiv kishte pushtimin e plotë të Ukrainës, sërish pati lëkundje. Tek pas një rezistence titanike të popullit ukrainas Europa u zgjua nga ajo trandje prej somnabuli dhe filluan të angazhoheshin ta ndihmonin Ukrainën ta fitonte luftën për rivendosjen e integritetit të saj territorial, të rimerrte Krimenë.
Ky objektiv kishte të bënte me një straegji të re europiane që ka të bëjë me rivendosjen e rendit dhe paqes në Evropë, risngritjen e arkitekturs së re të sigurisë europiane, pasi t’i kishin shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë si ato që pësoi BRSS në Afganistan.1
Objektivat e shpallura nga Evropa ishin të qarta:
- Të ndalte Rusinë shpejt me sanksione – supozohej që ekonomia ruse do të shembej.
- Të forconte Ukrainën deri në fitoren ushtarake – duke e armatosur dhe duke e mbajtur gjallë ekonomikisht.
- Të tregonte unitet politik dhe të afirmohej si fuqi gjeopolitike – përballë krizës më të madhe të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë.
- Të zvogëlonte varësinë nga SHBA dhe të ndërtonte “autonomi strategjike”.
Përmes sanksioneve që përherë vinin duke u rritur Brukseli sikur donte të arrinte ta mbyste ekonominë ruse të luftës, ta tërhiqte bashkësinë ndërkombëtare në anën e tij, duke aplikuar strategji që bazoheshin në moral e etikë dhe duke shtuar presionin politik. Europianët donin ta përjashtonin Rusinë në plan global dhe ta shpjenin Putinin para Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe më pas ta detyronin Federatën Ruse të paguante dëmshpërblime masive.
Asgjë nga këto objektiva nuk u realizuan! Prandaj skepticizmi është i justifikuar. Bilanci gjeopolitik shkon në favor të Rusisë dhe pjesërisht edhe të SHBA-ve.
SHBA doli fituese relative: forcoi kontrollin mbi Evropën, rriti shitjet e gazit LNG dhe të armëve.
Rusia, ndonëse e dëmtuar, i mbijetoi presionit dhe mbajti territorin e pushtuar.
Ndërkaq Evropa mbeti humbësja më e madhe relative: pa strategji të qartë, pa fuqi ushtarake, me ekonomi të goditur dhe me rolin e kufizuar në krah të SHBA.
Me luftën në Ukrainë, evropianët nuk arritën as të ndalonin Rusinë, as ta fuqizonin Ukrainën deri në fitore, as të afirmoheshin si aktor i pavarur gjeopolitik. Përkundrazi, Evropa u shfaq e fragmentuar, e varur dhe e dobësuar ekonomikisht.
Rikthimi në shekullin 19-të
Profesori i Shquar i Shërbimit R. Wendell Harrison në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Çikagos, që prej vitit 1982, John J. Mearsheimer, i njohur si mbështetës i teorisë së realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, tutje beson se fuqitë e mëdha dominojnë sistemin ndërkombëtar dhe vazhdimisht përfshihen në konkurrencë sigurie me njëra-tjetrën, gjë që ndonjëherë çon në luftë.2
Në artikullin e tij të famshëm “Why the Ukraine Crisis Is the West’s Fault” (2014), Mearsheimer argumenton se zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së drejt lindjes — veçanërisht përfshirja e Ukrainës në sferën perëndimore — është shkaku kryesor i krizës. Ai e konsideron këtë një “gabim politik të klasës së parë” që e shtyu Rusinë të reagojë për të mbrojtur interesat strategjike të afërta nga kufijtë e saj. Mearsheimer e ka cilësuar luftën në Ukrainë si një “tragjedi e fuqive të mëdha” që pritet të vazhdojë dhe në të ardhmen e afërt. Ai thekson se pa një zgjidhje diplomatike, konflikti më shumë mund të ngelet i ngrirë sesa të përfundojë me një fitore të plotë.3
Kjo përballje më shumë se tre vjeçare në këtë plan mund të thuhet se ka dështuar. Ekonomia ruse e luftës mbijetoi, bashkë me të mbijetoi edhe rubla, tregjet e reja në Azi e Afrikë e zbutën efektin e sanksioneve.
Ukraina nuk fitoi terren strategjik: lufta është e ngrirë, humbjet janë kolosale dhe ndihma ushtarake nuk është e mjaftueshme.
Evropa tregoi varësi, jo pavarësi: pa SHBA-në, Ukraina do të ishte shembur; NATO u konfirmua si boshti i vetëm i sigurisë.
Kriza të brendshme: rritje e çmimeve të energjisë, inflacion, goditje për industrinë evropiane (sidomos Gjermaninë).
Rritje e ekstremizmit politik: forcat euroskeptike dhe pro-ruse po fitojnë terren në shumë vende.
Moska tani mund të zbatojë atë që ishte e paimagjinueshme vetëm vitin e kaluar: që të vazhdojë tutje me pushtim territoresh, derisa në Zyrën Ovale në Uashington zhvillohen negociata, që të diskutohet për lëshimet territoriale si në shekullin e 19-të dhe që një palë ndërluftuese të mos jetë as në tryezën e negociatave.
Këto skena lexuesit shqiptar nuk ka se si mos t’ia rikujtojnë dy konferencat europiane – atë të Berlinit [1878] dhe atë të Londërs [1913], kur Shqipëria, përmes rridhjes nga të katër anët të gjeografisë së saj, po shndërrohej në torzo, madje pa prnain e shqiptaërve në ato konferenca.
Rikthimi tek kjo logjikë e organizimit dhe rrjesdhës së konferencave pasqyron rënien rënien e shpejtë të autoritetit të rregullave që supozohej se janë të përjetshme. Këto rregulla u ishin imponur palëve dhe zbatoheshin vetëm për aq kohë sa të gjithë aktorët i përmbahen atyre. Shih për këtët, që nga mesi i viteve 1970, ashtu si me Konferencën e Helsinkit, konfliktet ndërkombëtare janë negociuar në mënyrë shumëpalëshe, idealisht para gjykatës së bashkësisë ndërkombëtare, të shoqëruara nga konferenca për shtyp dhe transparencë mediatike. Ky rend tashmë po përmbyset.
Ky rend është gërryer nga globalizimi, vetëbesimi i ri i Jugut Global, revanshizmi rus dhe standardet e dyfishta perëndimore.4 Në dekadën aktuale, ai po çmontohet, me të gjitha pasojat e tij të shëmtuara. Bluza e BRSS-së që kishte veshur Ministri i Jashtëm rus pas mbërritjes së tij në Alaska është dëshmia më e mirë e shembjes së atij rendi. Pretendimi ishte I qartë: Rusia pretendon të kthehet aty ku ishte Joseph Stalini në Jaltë. Në kushte të barabarta.
Kthimi i realpolitikës dhe diplomacisë sekrete
Në realitet, realpolitika e bazuar në interesa dhe diplomacia sekrete, që dikur mendohej se ishin kapërcyer, tani shihet katërcipërisht se po dominojnë.
Lufta në Ukrainë ka rikthyer realpolitikën klasike – interesat kombëtare, marrëveshjet e fshehta dhe pazaret strategjike – duke i vënë në hije idealet e shpallura të demokracisë, solidaritetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Pasojat për sigurinë në Europë janë të gjera dhe afatgjata.
Me këtë rast marrin fund iluzione e “rendit liberal”. Europa pas 1991 besonte se e ardhmja ndërtohej bazuar në bashkëpunim, në të drejtën ndërkombëtare dhe institucione (OKB, OSBE, BE). Lufta në Ukrainë tregoi se këto mekanizma nuk pengojnë dot një fuqi bërthamore si Rusia. Realpolitika po e zë vendin e normativizmit, duke e kthyer kontinentin në një arenë rivalitetesh klasike fuqish.
Në këto rrethana rikthimi i militarizimit të kontinentit të vjeëtr nuk mund të mbes pa pasoja. Në këtë garë Serbia mbetet lider për më gjatë se dhjetë vite. Ndërkohë, siç njofton The Jerusalem Post, Serbia thellon distancën duke nënshkruar një marrëveshje të re prej 1.6 miliardë dollarësh me kompaninë izraelite të elektronikës së mbrojtjes Elbit Systems Ltd.5
Javën e kaluar, kompania izraelite e elektronikës së mbrojtjes Elbit Systems Ltd. njoftoi se një vend evropian kishte nënshkruar një kontratë prej 1.63 miliardë dollarësh për furnizimin e një game zgjidhjesh mbrojtëse, për dorëzim gjatë një periudhe pesëvjeçare. Globes ka mësuar se klienti është në Serbi. Porosia përbëhet nga dy grupe produktesh.
Grupi i parë përfshin sisteme artilerie-raketash me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi dhe një spektër të gjerë sistemesh zbulimi pa pilot dhe luftimi ajror të lëvizshëm, nga poligonet operative deri te ato taktike, duke përfshirë edhe dronët e drejtuar personalisht.
Në grupin e dytë janë aftësitë e sofistikuara ISTAR, duke përfshirë sistemet SIGINT, COMINT dhe të luftës elektronike. Do të dorëzohen gjithashtu sisteme të aktivizuara të mbledhjes dhe përpunimit të inteligjencës, së bashku me sisteme të përparuara elektro-optike (E/O) dhe të shikimit natën, përmirësime të automjeteve luftarake dhe sisteme mbrojtëse.
Përveç kësaj, Elbit Systems do të ofrojë dixhitalizim gjithëpërfshirës ushtarak dhe Zgjidhje Luftarake në Rrjet, bazuar në gjeneratën më të fundit të softuerëve dhe pajisjet e komunikimit harduerik të teknologjisë së fundit. Kjo përfshin zgjidhje inteligjence nga paketa e aplikacioneve të komandës dhe kontrollit C4ISR.6 Në këtë frymë po veprojnë edhe vendet e BE-së, të cilat po rrisin buxhetet e mbrojtjes në nivele të papara që nga Lufta e Ftohtë. Gjermania shpalli Zeitenwende (ndryshim epokal), por zbatimi është i ngadalshëm dhe i kushtueshëm. Evropa po kthehet nga një projekt ekonomik e normativ në një hapësirë të militarizuar ku siguria dominohet mbi zhvillimin social.
Rikthimi i realpolitikës dhe diplomacisë së fshehtë askund nuk është më e dukshme sesa në valën e paqësimit të konflikteve ndërkombëtare të shkaktuara nga administrata Trump. Qoftë në Kaukazin Jugor midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, në Azinë Jugore midis Indisë dhe Pakistanit, apo në luftën e Ukrainës: diplomacia e anijes në stilin e Henry Kissinger dhe konferencat për shtyp pa pyetjet e gazetarëve. Presidenti amerikan po praktikon rimarrjen brutale të lirisë politike të veprimit përmes politikës, konkludon analisti gjerman Thomas Fasbender.7
Fragmentim dhe gara për aleanca të fshehta
Përtej retorikës së unitetit, vendet europiane po veprojnë sipas interesave të tyre. Hungaria, Sllovakia e Serbia koketojnë me Moskën. Franca po teston “kanale të veçanta” për negociata me Rusinë. Polonia e shtetet baltike e shohin sigurinë vetëm përmes SHBA dhe NATO-s. Shqipëria politike, Republika e Kosovës dhe Kroacia e shohin të nevojshme të nënshkruajnë marrëveshjen historike për krijimin e të parës aleancë ballkanike që mund të përballet me Serbinë.
Kjo e bën politikën e jashtme evropiane të fragmentuar dhe të paqëndrueshme.
Përfundim
Rikthimi i realpolitikës dhe diplomacisë sekrete përmes luftës në Ukrainë ka si pasoja: militarizimin e kontinentit, fragmentimin politik, dobësimin e arkitekturës së sigurisë dhe varësinë ekstreme nga SHBA.
Europa, në vend se të afirmohet si aktor i pavarur, po rrëshqet drejt një gjendjeje të pasigurisë së përhershme dhe të pazareve të fshehta mes fuqive, si në shekullin XIX.
Pavarësisht rrjedhës së negociatave në relacionin Moskë-Uashington rreth Ukrainës, mungesa e fuqisë realpolitike europiane do të vihet gjithnjë e më shumë në pah. BE-ja vazhdon të mbetet tutje në rrafshin politik, e veçmas në atë ushtarak e gjeopolitik: një xhuxh i lloit të vet.
Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë (CFSP) e evropianëve, e miratuar më shumë se 30 vjet më parë, nuk po rezulton asgjë më pak se një dështim.
_____________________
1. https://www.berliner-zeitung.de/politik-gesellschaft/geopolitik/washington-gipfel-zur-ukraine-europaeer-sind-nur-statisten-am-spielfeldrand-li.2350184
2. https://www.mearsheimer.com/
3. https://www.mearsheimer.com/wp-content/uploads/2019/06/Why-the-Ukraine-Crisis-Is.pdf
4. https://www.berliner-zeitung.de/politik-gesellschaft/geopolitik/washington-gipfel-zur-ukraine-europaeer-sind-nur-statisten-am-spielfeldrand-li.2350184
5. https://www.jpost.com/defense-and-tech/article-864525
6. Po aty
7. https://www.berliner-zeitung.de/politik-gesellschaft/geopolitik/washington-gipfel-zur-ukraine-europaeer-sind-nur-statisten-am-spielfeldrand-li.2350184