Nga Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, profesor në Kolegjin UNI dhe bashkëpunëtor i jashtë në Institutin Shqiptar për Gjeopolitikë
Përmbledhje ekzekutive
Serbia sot vepron si një hallkë aktive e infrastrukturës hibride të Rusisë në Evropë. Ajo ofron territor, logjistikë dhe aktorë shtetërorë për operacione të ndërthurura të ndikuara nga Kremlini, që përfshijnë trajnime paramilitare për destabilizim zgjedhor, operacione false-flag me qëllim përçarjeje ndëretnike në Perëndim, si dhe përgjime të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Ky rol konfirmohet nga pesë raste të dokumentuara: (1) në Moldavi, të rinj të trajnuar në Serbi dhe Bosnjë u angazhuan në tentativa për sabotimin e zgjedhjeve dhe referendumit pro-BE; (2) Në Francë nën organizimin e GRU-së u pikturuan mbi 250 yje të Davidit, një simbol izraelit, operacion false-flag; (3) po ashtu, në Francë, qytetarë serbë u arrestuan për akte vandale antisemitike të dizajnuara si operacione false-flag për të fajësuar myslimanët; (4) në Bruksel, një përfaqësues sindikal serb me lidhje me FSB-në u infiltrua në institucionet e BE-së; dhe (5) në Kosovë, një zyrtar i qeverisë serbe u ekspozua si pjesë e operacioneve të përgjimit të zyrtarëve të BE-së në bashkëpunim me BIA-n.
Ky dokument paraqet me prova se Serbia nuk është thjesht një aleate nominale e Rusisë, por një strukturë proxy aktive që përdor mjete të inteligjencës, të krimit të organizuar dhe të propagandës për të projektuar ndikimin e Kremlinit në zemër të Evropës. Mosndërhyrja ndaj këtyre rrjeteve përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë transnacionale dhe kërkon reagim strategjik të koordinuar nga institucionet evropiane dhe partnerët transatlantikë.
Nr. | Rasti | Vendi | Aktorët kryesorë | Metodat | Objektivat | Rezultati i njohur |
1 | Sabotimi i zgjedhjeve në Moldavi | Moldavi, Serbi, Bosnjë (RS), Rusi | Prizenko, Potepkin, Golosokov, Gotko | Trajnime paramilitare, pagesa me kriptomonedha, pajisje speciale | Destabilizim zgjedhjesh pro-BE, ngritje të forcave pro-ruse | Arrestime, sekuestrim pajisjesh |
2 | Operacioni i pikturimit të Yllit të Davidit | Francë | Anatolij Prizenko, rrjeti “Doppelgänger” | Operacion false-flag, vandalizim me simbolikë antisemitike | Përçarje etnike/fetare, fajësim i rremë i myslimanëve, manipulim opinioni publik | Sanksione BE ndaj Prizenko |
3 | Vandalizimi i sinagogave dhe memorialëve hebraike nga serbët | Francë | 3 shtetas serbë (emrat jo publik) | Operacion false-flag, vandalizim i koordinuar | Përçarje etnike/fetare, fajësim i rremë i myslimanëve | Arrestime nga policia franceze |
4 | Përgjimet – briefingu i publikuar nga Politico | Belgjikë (Bruksel) | Novica Antić, Vyacheslav Kalinin | Agjent “gri”, infiltrimi përmes sindikatave | Penetrim në struktura lobuese të BE, propagandë pro-ruse, minimi i mbështetjes për NATO/BE | Takime me eurodeputetë dhe OJQ |
5 | Përgjimet e publikuara të Igor Popoviq | Kosovë, Bruksel | Igor Popoviq, Bojan Dimiq, Kompiroviq | SIGINT, infiltrimi zyrtar shtetëror, përdorim i krimit të organizuar | Mbledhje inteligjence ndaj BE, ndikim në dialog Kosovë–Serbi | Audio të publikuara, BE pa reagim publik |
- Infiltrimi me operacionet hibride i Serbisë dhe Rusisë në zgjedhjet në Moldavi
- 1 Konteksti politik dhe objektivi rus
Në vitin 2024, Moldavia organizoi në periudhën e fundit të vitit zgjedhjet presidenciale dhe pothuajse menjëherë një referendum për çështjen e integrimit evropian. Të dy këto procese ishin thelbësore për integrimin evropian të vendit, pasi në zgjedhjet presidenciale ishte një kandidat pro-rus Aleksandër Dtoianoglo dhe Presidentja Maja Sandu, pro-evropiane dhe që kërkonte një mandat të dytë.
Ndërhyrjet e Rusisë ishin që në krye të Moldavisë të vinte kandidati Dtoianoglo dhe forcat pro-ruse dhe këtë synonte ta bënte nëpërmjet destabilizimit të procesit zgjedhor. Në të njëjtën kohë të ndalonte edhe procesin e integrimit drejt BE-së.
Rusia këto synime filloi t’i aplikojë nëpërmjet metodave të infiltrimit dhe rekrutimit të të rinjve të cilët pas trajnimeve do të zbatonin urdhërat e drejtpërdrejt nga Kremlini.
- 2 Trajnimi dhe financimi i të rinjve moldavë në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë
Autoritetet moldave në shtator dhe tetor të vitit 2024 zbuluan se të rinj nga Moldavia, gjatë muajve gusht – tetor 2024, ishin trajnuar në Rusi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë (Republika Srpska) për të nxitur trazira gjatë zgjedhjeve dhe referendumit.
Këto kampe u drejtuan nga instruktorë të lidhur me grupin Wagner dhe grupin The Farm dhe trajnimet ishin mbajtur në Radenka në Serbi dhe në Glamoçan, afër Banja Llukës, në Republika Srpska. Aty u gjetën dhe u sekuestruan pajisje si dronë, Starlink, lëngje të ndezshme, radio, pajisje për neutralizimin e dronëve, syze VR, etj.
Rekrutët ishin paguar me kriptomonedha, për të shmangur ndjekjen financiare nga autoritetet. Këto të dhëna financiare u zbuluan pas arrestimeve të para në tetor 2024.
Këto zbulime tregun edhe një rrejt të aktorëve kryesorë të përfshirë.
Anatolij Prizenko është një oligark moldav i lidhur me biznesmenin pro-rus në ekzil Ilan Shor. Ai rezulton si një nga rekrutuesit kryesorë të të rinjve moldavë për trajnime në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë (Republika Srpska). BE e ka sanksionuar në dhjetor 2024 për rolin e tij në pikturimin e Yllit të Davidit në Paris (tetor 2023), veprim i kryer në emër të GRU-së.
Mikhail Potepkin, ishte i përfshirë po ashtu si koordinator i trajnimit, i cili del të jetë i lidhur me grupin Wagner dhe është nën sanksione nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja.
Konstantin Golosokov është një tjetër pjesëmarrës si koordinator në rekrutimin e të rinjve moldavë dhe i njëjti ishte pjesëmarrës në sulmet kibernetike kundër Estonisë në vitin 2007.
Aliona Gotko është një emër tjetër i publikuar nga inteligjenca moldave e cila është nga 13 të akuzuar për organizimin e këtyre veprimeve dhe e njëjta është seperatiste nga Transinistria dhe mban edhe nënshtetësinë ruse.
Grupi kishte për detyrë të nxiste trazira të brendshme në Chișinău, në ditët e zgjedhje dhe gjatë referendumit, për të shkaktuar kaos për të sfiduar legjitimitetin e rezultateve pro-BE.
- Operacionet hibride të Serbisë dhe Rusisë në Francë
Që Rusia dhe Serbia janë të angazhuar në shumë aksione agjitacioni, propagandë dhe destabilziimi nëpër botë, tregojnë edhe dy rastet më poshtë:
2.1 Pikturimi i Yllit të Davidit në emër të GRU-së ruse
Në tetor të vitit 2023, në Paris, u shënuan mbi 250 raste të pikturimit të Yllit të Davidit në muret dhe ndërtesat publike. Fillimisht u supozua se autorët ishin ekstremistë myslimanë. Por, hetimet e mëvonshme zbuluan se pas këtyre organizimeve qëndronte Anatolij Prizenko, qytetar moldav i lidhur me inteligjencën ushtarake ruse GRU bashkë me rrjetin pro-rus “Doppelgänger”. BE-ja e sanksionoi Prizenkon në dhjetor 2024, duke theksuar se ky ishte një operacion psikologjik dhe provokues i drejtuar nga Rusia, me qëllim për të manipuluar opinionin publik në Francë dhe për të delegjitimuar komunitetet myslimane.
Një rast i tillë përsëri ndodhi përsëri në Paris por tani nga serbët.
2.2 Vandalizimi i sinagogave dhe memorialëve hebraike nga serbët
Në qershor të vitit 2025, tre serbë u arrestuan për vandalizimin e sinagogave dhe memorialëve hebraike në Paris me qëllimin që të fajësoheshin myslimanët. Zyrtarë të sigurisë u shprehën se ka dyshime që aktet ishin të organizuara nga rrjete që operojnë në mënyrë të sinkronizuar me direktivat ruse. Metoda e veprimit, kohëzgjatja dhe simbolika e përdorur përputhen me modelin e rastit Prizenko.
2.3 Objektivat e operacionit
Qëllimi i veprimeve në territorin francez ishte:
- nxitja e përçarjeve etnike dhe fetare në shoqërinë franceze dhe shkaktim i kaosit;
- fajësimi artificial i komunitetit mysliman për sulme antisemite;
- nxitja e shtetit francez kundër myslimanëve;
- dobësimi i shtetit francez dhe shoqërisë duke e bërë më poroze ndaj ndërhyrjeve ruse
2.4 Metodologjia e veprimit
- Të dy rastet ndjekin skemën e njohur të “operacioneve nën flamur të rremë” (false-flag), ku autorët përpiqen të lënë gjurmë që fajësojnë grupe të caktuara (në këtë rast: myslimanët).
- Objektivi është të krijohen kushte për rritje të nacionalizmit të ekstremit të djathtë, përçarje sociale, dhe kërcitje të politikave të integrimit në Francë.
- Dobësimi i qëndrueshmërisë institucionale dhe krijimi i një sistemi poroz.
Megjithëse modelimi operacional dhe interesat strategjike sugjerojnë kryesisht përfshirje ruse dhe serbe, nuk mund të përjashtohet hipoteza që aktorë të tjerë shtetërorë, me interes për të frenuar diplomacinë pro-palestineze të Francës, të kenë kontribuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ose në bashkërendim me rrjete hibride.
- Sipas burimeve të sigurisë, rrjeti logjistik përdor kanale të ngjashme për trajnime, pagesa dhe pajisje teknologjike.
- Infiltrimi në institucionet e BE-së dhe spiunazhi serb në Bruksel
Në dy përgjime të ndara është zbuluar se Serbia ka qenë e përfshirë në spiunimin e zyrtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian. Në njërin rast për hesapet e Rusisë dhe në rastin tjetër për dëmtimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
3.1 Spiunazhi serb në Bruksel (1)
Novica Antić, kryetar i Sindikatës së Ushtrisë së Serbisë, rezulton të jetë një “agjent ndikimi aktiv i FSB-së”, sipas një briefingu të siguruar nga shërbime perëndimore dhe raportuar nga POLITICO.
Në tetor 2023, Antić udhëtoi në Bruksel dhe u takua me tre eurodeputetë: Viola von Cramon-Taubadel (Gjermani, Të Gjelbrit), Alessandra Moretti (Itali, Socialistët & Demokratët), Vladimír Bilčík (Sllovaki, PPE).
Ai gjithashtu realizoi takime me organizata lobiste të BE-së si EUROMIL (Federata Evropiane e Shoqatave Ushtarake) dhe EPSU (Unioni i Punonjësve të Sektorit Publik në BE).
Nuk ka dëshmi që eurodeputetët apo organizatat në fjalë kishin dijeni për lidhjet e Antić me inteligjencën ruse, çka përforcon përdorimin e metodës “agjent me mbulim profesional”.
3.2 Lidhjet me rrjetin rus
Antić ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me Vyacheslav Kalinin, një shtetas rus dhe kryeredaktor i platformës “Veteran News”, e cila është kanal informativ i lidhur me FSB-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Kalinin e ka ftuar Antić në Rusi në vitet 2019–2020 për takime me oficerë të lartë ushtarakë rusë, përfshirë pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe organizatave pro-Kremlinit.
Sipas dokumentit të inteligjencës, Rusia po përdor agjentë serbë si Antić për:
- Përhapjen e propagandës pro-ruse mbi pushtimin e Ukrainës.
- Minimin e mbështetjes për BE dhe NATO brenda institucioneve të BE-së.
- Penetrimin e sindikatave evropiane dhe strukturave të shoqërisë civile..
3.3 Metoda e operacionit: agjentët “gri” dhe infiltrimi përmes sindikatave
Rasti Antić është model klasik i një agjenti “gri” (gray agent), një figurë që operon nën petkun e një përfaqësuesi të sektorit civil, duke u infiltruar në struktura lobuese ose diplomatike të BE-së pa ngritur dyshime të menjëhershme.
Antić hyri në selinë e Parlamentit Evropian, dhe kjo zbulon vulnerabilitetin e institucioneve ndaj operacioneve të influencës, veçanërisht kur ato maskohen si përfaqësues sindikalë ose “aktivistë të pavarur”. Sindikata si EUROMIL dhe EPSU janë targetuar sepse ato ofrojnë qasje të zgjeruar në strukturat e brendshme të sigurisë dhe burokracisë evropiane, pa kontrolle të forta të sigurisë.
- BIA serbe spiunon (2) BE-në në formë të drejtpërdrejt
Në rastin e dytë BIA serbe nga përgjimet angazhohet në përgjimin e institucioneve të BE-së.
4.1 Zyrtar i qeverisë serbe në shërbim të BIA-së dhe operacioneve të përgjimit
Igor Popoviq, zëvendësdrejtor në Zyrën për Kosovën dhe “Metohinë”, një strukturë zyrtare e Qeverisë së Serbisë, u arrestua në Kosovë në korrik 2025 nën akuza për nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe propagandë destabilizuese (shkelje e rëndë kushtetuese dhe penale). Ai ka pranuar fajësinë pas një marrëveshje me Prokurorinë Speciale.
Mirëpo, hetimet që pasuan pas arrestimit të tij zbuluan diçka shumë më të rëndë: Popoviq ishte i përfshirë në operacione të përgjimeve ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me BIA-në. Në pjesët e zbuluara për publikun, ai me 17 shtator 2020 dëgjohet duke vendosur dhe aktivizuar përgjues në zyrat e BE-së së bashku me një person tjetër që bazuar në zërin e saj është i gjinisë femërore.
4.2 Lidhja vertikale me BIA-n dhe krimin e organizuar
Në një material tjetër të publikuar, Popovic dëshmohet të jetë një bashkëpuntor i drejtpërdrejt i Bojan Dimiq, kreut të Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion (BIA). Në mesazhet e publikuara të bisedës ndërmjet Popovic dhe Dimiq zbulohet një fakt i cili vërteton se BIA serbe vazhdon të angazhojë persona të krimit të organizuar në funksione të ndjeshme të shtetit të Serbisë. Në bisedat e publikuara dëshmohet kjo nëpërmjet rastit të Kompiroviq, një figurë e përmendur me rol në logjistikën operative të përgjimeve.
4. 3 Forma klasike e SIGINT në funksion të diplomacisë hibride
Ky rast është i ndryshëm nga rastet e “agjentëve gri” apo të “lobimit të maskuar”:
Këtu kemi një strukturë zyrtare shtetërore, që përmes zyrtarëve të saj, kryen operacione të mirëkoordinuara të mbikëqyrjes dhe përgjimit ndaj përfaqësuesve të BE-së;
Aktivitete që sipas çdo standardi perëndimor do të konsideroheshin si akt agresiv inteligjence ndaj një blloku ndërkombëtar aleat. Megjithatë, BE nuk dha koment publik mbi audio-incizimet, çka tregon mungesë transparence në adresimin e incidentit. Ky reagim sugjeron se çështja po trajtohet brenda kanaleve të mbyllura, duke shmangur ekspozimin publik të dobësive të sigurisë institucionale dhe implikimeve diplomatike që mund të rrjedhin prej tyre.
Konkluzione
Të pesë rastet e analizuara, nga sabotimi i zgjedhjeve në Moldavi, operacionet false-flag në Francë, infiltrimi në institucionet e BE-së deri te përgjimet e drejtpërdrejta Bruksel, tregojnë një model të integruar të agresionit hibrid rus, ku Serbia shërben si platformë operacionale dhe në raste tjera përdor teknikat e njëjta vetëm për interesat e veta. Elementët e përbashkët përfshijnë përdorimin e rrjeteve kriminale dhe paramilitare, financimin përmes kanaleve joformale, operacionet e maskuara përmes aktorëve “gri” dhe shfrytëzimin e infrastrukturës shtetërore për mbledhjen e inteligjencës. Ky bashkëpunim është një strategji e mirëfilltë për të dobësuar dhe infiltruar strukturat shtetërore e shoqërore, derisa ato të bëhen të kontrollueshme. Objektivi final është çmontimi i elementëve që garantojnë sigurinë dhe kohezionin e Evropës. Kjo e lë kontinentin më të brishtë ndaj ndikimit dhe presionit të jashtëm.
Rekomandimet:
- Sanksione të synuara ndaj individëve dhe entiteteve që veprojnë si hallka kyçe në këto rrjete (reagim nga BE-ja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar).
- Task-Force BE–NATO për identifikimin dhe çmontimin e operacioneve të influencës ruse që përdorin territorin dhe infrastrukturën serbe.
- Protokolle sigurie në BE për filtrimin e aktorëve të jashtëm që hyjnë në institucionet e saj përmes OJQ-ve ose sindikatave (Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian).
- Ekspozim publik i rrjeteve logjistike për të ulur aftësinë e tyre për të operuar nën radar dhe për të rritur koston politike të mbështetjes që marrin nga Beogradi.
Çdo vonesë veprimi jo vetëm që e rrit cenueshmërinë e rendit demokratik evropian dhe perëndimor, por e vendos vetë BE-në dhe gjithë perëndimin në pozitën e një fushebeteje të hapur për operacionet hibride ruse.