Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ndërsa rajoni i Ballkanit, edhe me ndihmën e BE-së, po përpiqet të ndryshojë, shpresa e vetme mbetet që lidershipi të sjellë ndryshimin e kërkuar nga jashtë dhe brenda. A do të jetë në gjendje lidershipi aktual të bëjë më shumë për të përqafuar të ardhmen? Kjo është çështja që ka mbetur e hapur prej vitesh, e cila nuk është zgjidhur as me paratë e taksapaguesve evropianë dhe as me vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë në Ballkan.
Në veçanti në Maqedoninë e Veriut, me qeverinë e re, çështjet politike të brendshme dhe të jashtme nuk po zgjidhen, dhe këtu disa probleme nuk kanë të bëjnë me evropianët. Forcimi i çështjeve etnike dhe të identitetit nga qeveria në Shkup shihet si një mënyrë për të ngadalësuar reformat që, siç dihet, po zbatohen me shumë vështirësi.
Krahasuar me vendet fqinje, Maqedonia e Veriut ka ngecur në shumë mënyra në fillimin e bisedimeve me BE-në. Tani nuk janë më vetëm problemet e hapura me Bullgarinë. Për të huajt duket absurde se si çështja e ndryshimeve kushtetuese mund të pengojë, për shembull zgjidhjet praktike të problemeve të hapura ndëretnike; Si mund të vazhdojë të mbetet vetëm në premtime autostrada apo rruga që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën; Si është e mundur që Korridori 8 vazhdon të mbetet në një gjendje të tmerrshme; Le të mos shkruajmë asgjë për lidhjen Tetovë – Prizren; Le të mos zgjerohemi më tej në sektorin e shëndetësisë, ku mjekët arrijnë të përfitojnë shuma të larta pa ia dedikuar pacientëve kujdesin, dhe ku, në ato raste të rënda të shkeljeve të praktikave shëndetësore, gjyqësori ka dështuar.
Me vështirësitë që hasin qytetarët në shërbimet publike, ku për një problem kërkohet raporte miqësore dhe, sigurisht, burime financiare, është ana tjetër e problemeve. Gjendja e institucioneve arsimore dihet. Për sa kohë që vazhdon e vjetra, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me Evropën, as me standardet.
Është e dukshme se shpresa për të mirën është humbur, pasi kaosit i është dhënë hapësirë, së bashku me mungesën e zbatimit të ligjit.
Sondazhet e fundit në Maqedoninë e Veriut tregonin se besimi i popullsisë maqedonase në BE është rritur.
Ndryshimi është një shenjë e mirë, por siç tregojnë trendet, qeveria në Shkup nuk është e interesuar të çojë gjërat përpara. Qeveria ka hapur në mënyrë të paarsyeshme një front të ri në marrëdhëniet e brendshme, i cili mund të devijojë integrimin në BE duke u marrë me problemet anësore.
Kur BE-ja, pavarësisht luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe rënies ekonomike, ka treguar interes për të bërë më shumë për Ballkanin, veçanërisht përmes Procesit të Berlinit dhe Planit të Rritjes, qeveritë në Ballkan, veçanërisht Maqedonia e Veriut, ka ngecur dhe, sipas vlerësimeve në Shkup, sikur haptazi nuk dëshiron të ecë përpara.
Tani çfarë tjetër mund të bëjë BE-ja?
Kancelari gjerman Friedrich Merz në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë tha: “Ne duhet të rihapim një strategji të re se si t’i afrojmë këto vende me BE-në”.
Absurditeti është se edhe gjërat e vogla qeveritarët nuk janë të gatshëm t”i bëjnë, sepse mendjet e tyre janë te korrupsioni dhe veprat e këqija. Gjëja më e keqe është se në opinionin publik, të njëjtët zyrtarë dhe ish-zyrtarë paraqiten si njerëz të mirë.
Kur gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur dhe premtimet kanë mbetur vetëm në fjalime të thata parazgjedhore, njerëzit në qeveri që morën përgjegjësinë nuk kanë shumë për të thënë. Për shembull, megjithëse marrëdhëniet me Sofjen nuk kanë treguar ndonjë përparim, qeveria ka çështje të tjera që mund t’i përmirësojë, siç është zbatimi i ligjeve që mbrojnë marrëdhëniet midis dy komuniteteve, grupeve të cenueshme, etj.
Nëse punohet tani me përkushtim dhe drejtësi, kur të vijë koha për të hapur kapituj me BE-në, atëherë qeveria do të jetë gati.
Në fund të fundit, nuk duhet të punohet për BE-në; angazhimi duhet të jetë për veten tonë.
Ka shumë për të folur për arsimin në gjendje të tmerrshme, kushtet në sistemin e kujdesit shëndetësor, sistemin e pensioneve dhe veprime të tjera të paligjshme.
Prandaj, BE-ja nuk duhet të vijë tek ne; ne duhet të punojmë për të qenë një vend normal. Zyrtarët e zgjedhur janë për këtë, por dilema mbetet nëse po i përmbushin detyrimet e tyre siç duhet.
