Nga Dr. Selim IBRAIMI
Rënia në vetë-kurthin e politikës së jashtme ka qenë një temë e hershme ose mund të themi se ka qenë një shqetësim i hershëm, që nga kohërat e lashta. Me zhvillimin teknologjik, veçanërisht me përhapjen masive të inteligjencës artificiale dhe rritjen e dezinformimit, paraqitja e vet-kurthit në këtë fushë është bërë i zakonshëm. Dhe është aty që vendimmarrësit politikë të pavëmendshëm vuajnë më shumë dhe do të vazhdojnë të bëjnë gabime. Ekzistojnë një numër faktorësh që ndikojnë në përsëritjen e gabimeve ose rënien në kurthin e politikave që vetë shtetet i ndërtojnë, dhe përpiqen t’i vënë në veprim.
Presioni psikologjik, paragjykimet dhe vendimet e gabuara të bazuara në parashikime të pasakta mund të jenë ndër faktorët e rënies në kurth nga zyrtarët gjatë zbatimit të politikës së jashtme dhe diplomacisë, qofshin me shtetete miqësore apo armiqësore. Meqenëse procesi dhe vendimmarrja në politikën e jashtme është e ndërlikuar dhe kërkon një mendje të mprehtë dhe të shëndoshë, shmangia mund të jetë e lehtë nëse njohja e rrethanave dhe ngjarjeve nuk shtrembërohet nga udhëheqësit politikë. Një temë përafërsisht të njëjtë e kemi trajtuar edhe më parë, ndërsa këtë herë artikulli merret kryesisht me rënien e lehtë në vetë- kurthet e politikës, të përgatitura nga brenda ose nga jashtë, dhe në veçanti, lidhet me kurthin që qeveritë i bëjnë vetes. Qeveritë mund të bëjnë llogaritje dhe gjykime të gabuara duke nënvlerësuar aftësitë e shteteve të tjera bazuar në informacione të përgjysëmuara.
Dezinformimi dhe keqinterpretimet zakonisht lindin kur udhëheqësit e shteteve të ndikuar nga perceptime të gabuara etnike, fetare, kulturore dhe ideologjike bien në kurthe të ndryshme që kanë pasoja fatale. Për më tepër, mund të kujtojmë luftërat e përgjakshme në Ballkan gjatë shekullit të kaluar.
Në nivel global, ishte Lufta e Ftohtë, e cila u shoqërua me një garë armatimesh midis SHBA-së dhe BRSS-së, e lidhur me perceptimin se një sulm bërthamor mund të ndodhte nga kundërshtari. Mund të jepen shembuj të tjerë që lidhen me perceptimin dhe dilemën e sigurisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sa i përket ngjarjeve të shekullit 20-21, mund të përmendim si shembull politikat e NATO-s, ku nëse një vend sulmohet, atëherë e gjithë aleanca duhet të hyjë në luftë për shkak të neneve 4 dhe 5 të Traktatit të NATO-s. Një politikë e tillë ka ngjashmëri me zhvillimet e shekullit të kaluar, edhe atë para fillimit të Luftës së Parë Botërore, ku mbështetja gjermane për Austro-Hungarinë përshkallëzoi luftën në Evropë dhe Ballkan. Çelësi i politikës së shtetit të atëhershëm gjerman ishte pikërisht kjo politikë e pakushtëzuar ndaj Austro-Hungarisë, e cila po përjetonte ditët e fundit të kollapsit.
Ndërsa në dinamikën globale të sotme, Samiti i 25-të midis BE-së dhe Kinës mund të nënvizohet si rast studimi, ku përfaqësuesit e BE-së dhe Kinës ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin, por nuk ka asnjë garanci se marrëdhëniet midis dy palëve do të mbeten të njëjta nëse SHBA-të vazhdojnë me politikat e tyre të tarifave të larta ndaj Kinës, dhe reflektimi i tyre në marrëdhëniet BE-SHBA, pavarësisht marrëveshjes së fundit të arritur në Skoci, nuk do t’i trondisë këto marrëdhënie në të ardhmen. Këtu, kemi të bëjmë me një lëvizje të përbashkët që duhet të vlerësohet në të ardhmen për shkak të rritjes së tensioneve midis tre aktorëve gjeopolitikë të lartpërmendur. Samiti i fundit BE-Kinë ka një logjikë, pasi bazohet në shmangien e kurtheve të papritura që mund të lindin nga faktorë të panjohur.
Prandaj, samitet dhe takimet kanë anët e tyre pozitive ku diskutohen çështje, dhe mund të arrihen përfundime që kanë një qëllim të përbashkët. Por, në një botë kaq komplekse dhe konkurruese, nuk ka gjasa që kurthet të mos përsëriten në politikën e jashtme.
Si një shembull tjetër në nivel rajonal, mund të marrim vendet e Ballkanit, dhe si zakonisht këtu shfaqen Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat, për shkak të politikave të tyre, hasin në kurthe në politikën e jashtme, me gabime që ndikojnë në aftësinë e qeverive për të funksionuar normalisht me vendet e tjera dhe brenda vendit. Për shembull, qeveria në Shkup, njësoj si në kohën e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, po ndeshet me kurthe, e vetëdijshme për pasojat afatgjata. Këtu nuk po flasim për “Kurthin e Tukididit” (Historia e Luftës së Peloponezit) në terma klasikë, por për stimulimin e politikave agresive ndaj vendeve të tjera dhe rënien në humnerë, e cila konsiderohet një politikë e vetë- kurthit me njohuri paraprake të pasojave. E vetmja mënyrë për të parandaluar mosmarrëveshjet dhe kurthet, është të aplikohen politika të ndryshme, duke punuar me qeveritë për të minimizuar keqkuptimet dhe frustrimet.
Një shembull tjetër është Kosova, e cila, për shkak të çështjeve të brendshme dhe mosmarrëveshjeve politike, nuk ka konstituar një parlament të ri, dhe një situatë e tillë ka bllokuar aftësinë e vendit për t’u marrë në mënyrë efektive me të tjerët. Kështu çdo qeveri është e destinuar të bjerë në kurthin e saj nëse ndjek politika të panjohura.
Prandaj, është e kuptueshme që shtetet, për shkak të forcave të brendshme dhe të tjera, kanë tendencë të ndërmarrin veprime të nxitura në politikën e jashtme. Kurthe të tilla në procesin e vendimmarrjes mund të shmangen me fleksibilitet dhe dialog.
Por në kushtet ballkanike dhe të tjera, është shumë e vështirë të pretendohet një gjë e tillë. Edhe më keq mund të jetë në rastin e Maqedonisë së Veriut, ku Parlamenti Evropian në një raport, theksoi si një rrezik të lartë, ndikimin e jashtëm në Maqedoninë e Veriut nga aktorë të tjerë gjeopolitikë dhe “bota serbe”, të cilin qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe partneri shqiptar i përbërë nga partitë e Vlen-it e njohin mirë. Vazhdimi në të njëjtin drejtim do të përfaqësonte një rast klasik të një kurthi që shtetet dhe zyrtarët tashmë e kanë njohur. Dhe në fund, përsëritja e të njëjtave politika që rezultojnë me rënine në kurth, mund t’i shtyjë zyrtarët të përballen me opsione të këqija në çështjet e jashtme dhe të brendshme. Në fund, duhet të kuptohet se zyrtarët e zgjedhur nuk janë të përsosur, por në politikë, ata duhet të ndjekin disa hapa konkretë, ku fuqia dhe bashkëpunimi mund të parandalojnë më të keqen për të gjithë.