Nga Dr. Selim IBRAIMI
Pavarësisht bisedimeve dhe lajmeve të mira nga takimi i fundit në Skoci midis SHBA-së dhe BE-së mbi tarifat e arsyeshme, të martën, SHBA-të kërcënuan përsëri BE-në me tarifa më të larta për shkak të rregullave evropiane të ekonomisë digjitale. Por zyrtarë të lartë të BE-së thanë të kundërtën, duke shpjeguar se qeveria amerikane po ekzagjeron duke vendosur tarifa të reja kundër BE-së për shkak të Aktit të Tregut Digjital (DMA), dhe Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).
“Është e drejtë sovrane e BE-së dhe shteteve të saj anëtare të rregullojnë aktivitetet ekonomike në territorin e saj”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Paula Pinho. Zëdhënësi i teknologjisë i BE-së, Tomas Regnier, tha më tej se BE-ja e “hedhë poshtë me vendosmëri” idenë e promovuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, se rregullat synojnë vetëm kompanitë amerikane.
“Akti i Shërbimeve Digjitale nuk merr parasysh ‘ngjyrën’ e një kompanie, juridiksionin e një kompanie”, tha Regnier. Ai theksoi se tre vendimet e fundit të zbatimit të ligjit BE-së ishin kundër kompanive me seli në Kinë, me fokus gjigantin Ali Express, Temu dhe TikTok. Por çfarë është saktësisht ekonomia digjitale dhe çfarë përfaqësojnë këto akte që BE po përdor kundër SHBA-së, Kinës dhe kompanive që synojnë, në disa raste, të promovojnë praktika të këqija kundër konsumatorëve dhe vendeve evropiane?
Në BE, Akti i Tregut Digjital dhe Akti i Shërbimeve Digjitale hynë në fuqi në vitin 2022 për të rregulluar këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë së këtij shekulli. Aktet synojnë të mbrojnë ekonomitë e vendeve të BE-së nga konkurrenca e padrejtë nga kompani të fuqishme amerikane si Apple, Amazon, Google dhe ato kineze. Ndërsa Akti i Shërbimeve Digjitale dhe Akti i Tregut Digjital iu paraqitën ligjvënësve evropianë në të njëjtën kohë, me qëllime të ndryshme.
Aktet përfshijnë të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e shteteve evropiane ndaj kompanive të huaja në tregun evropian. Përndryshe, Akti i Tregut Digjital përqendrohet në promovimin e konkurrencës së drejtë në tregjet digjitale, ndërsa Akti i Shërbimeve Digjitale, i jep përparësi transparencës, sigurisë së përdoruesve dhe llogaridhënies për platformat online”.
Sipas një raporti të Komisionit Evropian, qëllimi kryesor i Aktit të Tregut Digjital është të rregullojë sjelljen e të ashtuquajturave kompani të mëdha teknologjike brenda tregut evropian dhe më gjerë. Sipas rregullores, Akti mbulon tetë sektorë të ndryshëm, të cilët i quan shërbime bazë të platformës. Për shkak të pranisë së tyre, Komisioni Evropian i ka konsideruar motorët e kërkimit online si Google Search si mjaft të pranishëm duke filluar nga shërbimet ndërmjetëse online Google Play Store, Apple’s App Store); rrjetet sociale (p.sh. Facebook, X, Linkedin); platformat e ndarjes së videove (p.sh. YouTube etj); platformat e komunikimit (p.sh. ëhatsApp, Gmail); shërbimet e reklamimit (p.sh. Google Ads); sistemet operative (p.sh. Android, iOS); shërbimet cloud, etj. Në këtë drejtim, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së mori gjithashtu disa masa duke eliminuar të gjithë praninë e aplikacioneve kineze në shërbimet cloud të mbrojtjes.
Pra, është një përpjekje e madhe në këtë fushë, jo vetëm midis SHBA-së dhe BE-së, por edhe Kinës për të depërtuar thellë jo vetëm në ekonominë digjitale, por edhe në fushën e sistemeve të sigurisë së shteteve kundërshtare të Kinës. Për më tepër, Akti i Tregut Digjital në epokën e inteligjencës artificiale do ta bëjë ekonominë online edhe më të vështirë.
Sipas një raporti të publikuar nga Qendra Evropiane për Ekonomi Politike Ndërkombëtare (ECIPC), të dy aktet e rregullimit evropian, imponojnë kosto të konsiderueshme, të vlerësuara në 71 miliardë euro për bizneset evropiane dhe deri në 97 miliardë dollarë për firmat amerikane, duke supozuar një rritje prej 5 përqind të shpenzimeve për teknologji. Këto kosto, sipas raportit, rrjedhin nga kërkesa të tilla si transparenca në algoritme, moderimi i përmbajtjes dhe ndryshimi i modeleve të biznesit.
Për të balancuar kërkesat amerikane dhe evropiane, Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë (TTC) SHBA-BE u krijua vite më parë për të promovuar bashkëpunimin dhe për të shmangur keqkuptimet midis Uashingtonit dhe Brukselit. Masat e rënda që vijnë nga rregullat evropiane për rregullimin e tregut digjital shihen si proteksioniste nga disa kompani amerikane dhe vetë qeveria amerikane. Ndërkohë, BE-ja, sipas raporteve të fundit, i ka injoruar kritikat amerikane.
Në një kohë kur Kina dhe India po përballen me tarifa të larta të vendosura nga SHBA-të, vizita që kryeministri indian Narendra Modi pritet të bëjë në Kinë është një paralajmërim për SHBA-në dhe BE-në. Forcat e përbashkëta mund të parandalojnë diçka më të keqe në të ardhmen për marrëdhëniet transatlantike; përndryshe, Kina dhe India do të ndryshojnë gjithçka, madje edhe në këtë ekonomi digjitale që po i konkuron SHBA-së dhe shteteve evropiane.
Ndërsa në Ballkan, vërejmë disa përpjekje për t’u përafruar me politikat e BE-së në këtë fushë, dhe për të promovuar rëndësinë e rregullave të akteve të lartpërmendura, por në realitet, shtetet janë larg zbatimit të rregulllave për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët.