Kjo është Maqedonia e shqiptarëve të përçarë të cilët luftën e fraksioneve të një partie e kanë zbritur nga qendra në nivel lokal. Nëse dje përçarja ishte një lojë politike e brendshme, sot është e kombinuar me lojëra gjeopolitike dhe me një terren të brishtë institucional. Sot, përçarja nuk është më vetëm problem shqiptarësh me njëri-tjetrin, por edhe mundësi për tu implikuar fuqitë e jashtme.
Nga Dijana TOSKA
Kur dikush e pyeti ish-Presidentin, Kiro Gligorov, se si u lejuan shqiptarët të krijojnë parti politike dhe të faktorizohen, ai u përgjigjj: “ Lëreni, le të mendojnë kinse po bëjnë diçka sepse shumë shpejtë do të përçahen”. Fatkeqësisht, parashikimi i tij u bë realitet.
Ishte viti 1994 kur nga Shqipëria u hodh një “bombë denigruese” kundër udhëheqësve të Partisë për Prosperitet Demokratikë me të cilat u lëkundën themelet e kësaj lëvizjeje të parë politike shqiptare dhe u krijuan kushte për lindjen e një krahu tjetër politikë nga e njëjta parti, por tani me njerëz krejtësisht të ri dhe mendësi tjetër veprimi e organizimi. Pas disa vitesh, PPD-ja u shua krejtësisht. Por, sëmundja e përçarjes mbeti si një ADN e politikës shqiptare.Lindën parti të vogla e të mëdha, fraksione mbi fraksione, një identitet politik i mbështetur jo mbi unitet, por mbi ndarje.
Sot kemi një ndarje tjetër, dy blloqe partish shqiptare të rreshtuara në pozitë dhe opozitë. Në një demokraci të avansuar kjo do të ishte normale, bashkimi bën fuqinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por, a është kështu në realitet?
Opozita shqiptare, me BDI në krye, prej më shumë se 20 vitesh në pushtet nuk arriti juridikisht ta avansojë statusin e popullit shqiptar. Përkundrazi, u zhyt në korrupsion duke krijuar një elitë milionerësh të imponuar si “vlera kombëtare”, ndërsa dosjet e tyre presin të hapen kurdoherë që do ti nevojiten UDB-ës, apo partive maqedonase për qërim hesapesh me këto struktura.
Pozita shqiptare, e formuar nga fraksionet e quajtur VLEN, funksionon si një trup i paformë, pa lider të qartë në krye, i padefinuar mirë, me fuqi të dobët dhe si strukturë veprimi ad-hok në një koalicion me VMRO-në e fuqishme,që në start paralajmëroi se nuk është një partneritet i duhur, por më shumë një koalicion nënshtrues për të mbetur në pushtet.
VMRO-ja, me Mickovskin në krye, e ka kthyer anijen e shtetit kah Serbia dhe Rusia, ndërkohë që me kredi kineze e hungareze po mban rregullin e brendshëm. Përballë BE-së po tregohet krejtësisht indiferente duke e kthyer shpinën ndaj kërkesave të saj. Shqiptarët mbeten pasagjerë pa bileta, të toleruar, por jo të respektuar.
Në tetor priten zgjedhjet lokale dhe gjasat janë shumë të mëdha që VMRO-ja të dalë përsëri fituese, duke e thelluar humbjen e BDI-së dhe duke e detyruar të tkurret e përçahet pas zgjedhjeve, në një përballje midis figurave të korruptuara dhe atyre në lista të zeza, me anëtarë të cilët kanë punuar me nder, por pa ndonjë ndikim substancial në parti.
Blloku VLEN, sot i shërben më shumë strategjive të huaja se interesit shqiptar.Disa liderë mbrojnë interesa fetare mbi ato kombëtare, duke stimuluar një identitet kulturor të huaj që zhvesh shqiptarët nga rrënjët e lashta të tijë në këto troje, duke zbatuar kështu në përpikmëri strategjinë qindravjeçare të akademisë serbe. Një pjesë e popullatës janë futur thellë në këto ujëra, me vetëdije ose pa të duke rrezikuar kombin shqiptar të humb atë pak identitet që ka ruajtur, dhe kjo, jo nga armiku, por nga vetë duart e veta.
Ndërkohë që vetë shteti ka stimuluar këtë program serbomadh duke lejuar të shkilen postulatet e shtetit laik, të ndërtohen mbi 900 xhami vend e pa vend, të qarkullojnë me miliona euro nëpër bankat e shtetit nga Arabia e Irani, kinse në emër të bamirësisë. Të shkatërojë shumë familje shqiptare duke i shtyrë fëmijët e tyre drejt drogës e më pas drejt xhamisë në emër të shpëtimit. Në faktë kjo është rruga që u trasua plot 35 vjet për ardhmërinë e fëmijëve tanë, ti shohin të nënshtruar, të hutuar, të humbur në kohë, ndërkohë që kanë rezervuar hapësira në xhamiat e lagjes që frika nga jeta dhe Zoti ti bëj bashkë.
Kjo është Maqedonia e shqiptarëve të përçarë të cilët luftën e fraksioneve të një partie e kanë zbritur nga qendra në nivel lokal. Nëse dje përçarja ishte një lojë politike e brendshme, sot është e kombinuar me lojëra gjeopolitike dhe me një terren të brishtë institucional. Sot, përçarja nuk është më vetëm problem shqiptarësh me njëri-tjetrin, por edhe mundësi për tu implikuar fuqitë e jashtme.
Çairi është shndërruar në skenë të një lufte mes, Izetit e Bujarit, apo llojit të njejtë të BDI-së. Po zhvillohet si një tragji-komedi e vogël që pasqyron lojën e madhe. Shqiptarët nuk zgjedhin më vetë. Kësaj rradhe zgjedh, jo vota, por bindjet fetare. Për ta do të vendosë shteti dhe shërbime të huaja, andaj dhe përçarja do të realizohet si ogur i zi i Gligorovit që e parashikoi dje, ndërsa sot përçarja është më e rrezikshme për shkak të kontekstit gjeopolitik, BE-së, ndikimit rus e kinez, turk e arab.
Sot, jemi më keq se dje. Nevojë imperative kemi për një parti të re. Për një elitë intelektuale pa hipoteka nga e kaluara që do të dijë të ndërtojë strategji e përcaktime në interes kombëtarë dhe të vendos vija të kuqe me partnerët e ardhshëm në koalicion.
Shkup, 15 shtator 2025