Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar asnjëherë përmbajtja e atyre bisedimeve, fakti që Dodik u kthye pa asnjë pasojë gjyqësore, përkundër ekzistencës së një urdhërarresti, hap hapësirë për dyshime mbi një ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike izraelite.
Nga Hamza Memišević / PhD/Sarajevë
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e nënshkruar në Washington më 4 shtator 2020, është konsideruar gjatë si një kompromis teknik dhe politik nën patronazhin amerikan. Megjithatë, një segment i saj ngjalli vëmendje të konsiderueshme, obligimi i ndërsjellë i Serbisë dhe Kosovës për të hapur ambasada në Jeruzalem.
Strategjia e thellë
Ky akt, i cili bie ndesh me konsensusin ndërkombëtar mbi statusin e Jeruzalemit, tregon për një strategji më të thellë gjeopolitike dhe ideologjike të Izraelit: promovimin e cionizmit kristian brenda botës ortodokse, si dhe fitimin e mbështetjes nga një vend musliman si Kosova përmes njohjes simbolike të Jeruzalemit si kryeqytet izraelit.
Politika e jashtme izraelite pas vitit 2020 karakterizohet nga qasja e re e të ashtuquajturave “Marrëveshjet e Abrahamit”, përmes të cilave u normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa vendeve arabe (Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani, Maroku). Bëhet fjalë për një strategji të “shmangies së Palestinës” dhe krijimit të një kornize gjeopolitike ku Izraeli ndërton marrëdhënie dypalëshe me vendet muslimane, pa detyrimin për zgjidhjen e çështjes palestineze.
Njëkohësisht, Izraeli përdori marrëveshjen Serbi-Kosovë për të çuar përpara dy qëllime paralele: afrimin me një vend musliman (Kosovën) që ka aspirata për integrime në NATO dhe BE, dhe futjen e sionizmit kristian në qarqet ortodokse, duke filluar nga Serbia.
Pragmatizmi fetar
Nga ana tjetër, marrëveshja solli një fitore të rëndësishme për Izraelin edhe në frontin musliman. Duke njohur Izraelin, Kosova u bë vendi i parë me shumicë muslimane që e bëri këtë pa kushtëzimin paraprak palestinez apo një zgjidhje gjithëpërfshirëse paqeje. Edhe pse identiteti politik i Kosovës është laik, fakti demografik dhe kulturor i një popullsie shumicë muslimane mbart peshë simbolike.
Kështu, përmes një marrëveshjeje, Izraeli arriti një qëllim të dyfishtë: forcoi pozicionin e tij brenda botës ortodokse përmes Serbisë dhe depërtoi në frontin musliman përmes Kosovës. Me këtë, Marrëveshja e Washingtonit u bë instrument kyç në zgjerimin e agjendës rajonale izraelite.
Serbia si eksperiment
Ndonëse Serbia më vonë hoqi dorë nga hapja e ambasadës në Jeruzalem, presioni i strukturave amerikane dhe izraelite tregoi një qëllim të qartë: krijimin e një precedenti në botën ortodokse. Nëse Serbia ortodokse do të njihte statusin e Jerualemit si eksperimentatusin e Jeruzalemit, ky do të ishte një ndryshim i fuqishëm simbolik që mund të ndikonte në hapa të ngjashëm në vende të tjera ortodokse.
Pikërisht këtu shihet përpjekja për të futur sionizmin kristian si një narrativë politike të pranueshme brenda komuniteteve ortodokse, të cilat tradicionalisht kanë qenë dyshuese ndaj sionizmit dhe shpesh me orientim pro-rus. Përmes retorikës së luftës së përbashkët kundër “islamizmit” dhe promovimit të identitetit fetar, Izraeli po tenton të ridefinojë aleancat e tij brenda ortodoksisë.
Bota Ortodokse
Sionizmi kristian, edhe pse i lidhur kryesisht me lëvizjet evangjeliste amerikane, po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në mjediset ortodokse, ku po formësohet si një matricë politike dhe eskatologjike për krijimin e një fronti të përbashkët me Izraelin. Në vendet ortodokse, veçanërisht në Greqi dhe Serbi, sionizmi kristian nuk vjen përmes teologjisë, por përmes gjeopolitikës si një narrativë mbi “armikun e përbashkët qytetërues” (Islami, Turqia, e majta laike) dhe nevojën për forcimin e aleancës me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-në dhe Izraelin.
Serbia, si një vend ortodoks që mban lidhje të forta me Rusinë, por synon edhe legjitimimin perëndimor, bëhet hapësirë ideale për promovimin e këtyre ideve. Zhvendosja e ambasadës në Jeruzalem edhe pse më vonë u pezullua ishte një sinjal i qartë. Ky akt nuk është vetëm një gjest diplomatik, por një shfaqje simbolike e gatishmërisë së Serbisë për të marrë pjesë në një aleancë më të gjerë fetaro-politike me Izraelin cionist, nën patronazhin e SHBA-së.
Diplomacia e heshtur izraelite
Megjithëse Serbia në fund nuk e realizoi zhvendosjen e ambasadës, marrëdhëniet izraelito-serbe nuk kanë rreshtur së forcuari. Serbia vazhdoi eksportin e armëve drejt Izraelit, duke konfirmuar aspektin ushtarako-teknologjik të bashkëpunimit. Kjo dinamikë tregon qartë se gjesti simbolik nuk është forma e vetme e ndikimit izraelit në mjediset ortodokse, por se bëhet fjalë për një rrjetëzim më të thellë politiko-ekonomik dhe sigurie.
Përveç kësaj, ekzistojnë një sërë indikacionesh serioze për ndërhyrjen izraelite në proceset e brendshme gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë. Milorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnjës dhe aleat i ngushtë i Beogradit, po përballej me hetime dhe një urdhërarrest brenda sistemit gjyqësor të BeH. Megjithatë, dihet se në atë moment kyç ai qëndroi në Izrael, ku pati një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Bashkëpunimi ushtarak
Edhe pse zyrtarisht nuk u konfirmua kurrë përmbajtja e bisedimeve, fakti që Dodik u kthye pa asnjë pasojë gjyqësore, pavarësisht urdhërarresti, lë vend për dyshime për ndërmjetësim të drejtpërdrejtë politik izraelit.
Kjo lloj mbështetjeje përforcon tutje tezën se Izraeli nuk ndërton marrëdhënie në rajon ekskluzivisht për njohje apo diplomaci, por përdor leva të ndryshme të fuqisë përfshirë bashkëpunimin ushtarak, kanalet tregtare dhe mbrojtjen politike për të forcuar pozicionin e tij mes aktorëve ortodoksë dhe muslimanë. Kjo dëshmon se sionizmi kristian në botën ortodokse nuk është vetëm një shtrirje ideologjike, por edhe një instrument i agjendës së realpolitikës. [Përktheu: Dan GASHI]
