11.02.2026
Kërkesat dhe kërcënimet amerikane po e vënë kulturën evropiane të kompromisit nën presion. Si duhet të reagojë BE ndaj ambicieve të Donald Trumpit për Groenlandën? Rreziku për BE-në qëndron në faktin se sinjale dobësie po dërgohen si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.
Dr. Stefanie Walter [NZZ]
Pretendimi i Donald Trumpit për Groenlandën dhe kërcënimet e tij të ripërtërira për tarifa po e përballin përsëri Evropën me një sjellje të hapur jobashkëpunuese. Mosbashkëpunimi nuk është asgjë e re në marrëdhëniet me Donald Trumpin; duket se është mënyra e tij e preferuar për të drejtuar politikën e jashtme amerikane. Megjithatë, situata aktuale ngre përsëri pyetjen për Evropën se si t’u përgjigjet kërkesave dhe kërcënimeve të Trumpit.
Idealisht, në politikën ndërkombëtare, ka dy mënyra se si aktorët mund të reagojnë ndaj mosbashkëpunimit nga shtetet tjera: Ata mund të akomodojnë aktorin jobashkëpunues dhe të përpiqen të ulin tensionin me lëshime. Ose mund të zgjedhin një linjë të ashpër dhe pa kompromis.
Kostot e konfrontimit
Të dyja strategjitë vijnë me kosto të konsiderueshme. Një linjë e ashpër rrezikon fitimet ekzistuese në bashkëpunim, veçanërisht nëse konflikti përshkallëzohet dhe bllokon rrugën e kthimit drejt bashkëpunimit të dobishëm reciprokisht. Nëse kostot e pritura të konfrontimit janë të larta, gatishmëria për të bërë kompromise edhe të pafavorshme dhe për të shpërblyer në mënyrë efektive sjelljen jobashkëpunuese rritet. Një shembull është gatishmëria e Zvicrës për të pranuar një marrëveshje tarifore të pafavorshme në mënyrë që të shmangë një përshkallëzim të mosmarrëveshjes tregtare me tarifa edhe më të larta amerikane dhe tarifat e veta hakmarrëse.
Megjithatë, alternativa ndaj një linje të ashpër nuk është pa të metat e veta. Gatishmëria për kompromis sinjalizon dobësi dhe për këtë arsye mbart rreziqe të konsiderueshme për reputacionin, pasojat e të cilave zakonisht bëhen të dukshme vetëm në afat të mesëm dhe të gjatë, por më pas mund të rezultojnë edhe më të kushtueshme.
Një sinjal i tillë dobësie mund të përforcojë vendosmërinë e aktorit jobashkëpunues për të vazhduar të ndjekë konfrontimin. Kjo krijon një mekanizëm vetë-përforcues në të cilin lëshimet inkurajojnë kërkesa të mëtejshme. Për më tepër, sinjali nuk kufizohet vetëm te partneri i menjëhershëm i konfliktit: edhe shtetet e tjera e perceptojnë atë dhe mund të tundohen të fitojnë avantazhe në kurriz të aktorit pajtues përmes sjelljes së tyre jobashkëpunuese, i cili si pasojë e gjen veten gjithnjë e më shumë përballë situatave të tilla të vështira. Me kalimin e kohës, kjo rrit ndjeshëm kostot.
Sjellja jobashkëpunuese i përball shtetet e prekura me një dilemë: rezistenca e vendosur është e kushtueshme në afat të shkurtër, por lëshimet janë të rrezikshme në afat të gjatë.
Evropa aktualisht po përballet pikërisht me një dilemë të tillë. Për shkak të varësisë së saj të madhe nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë dhe teknologjisë, si dhe lidhjeve të saj të ngushta ekonomike, kostot e mundshme të një konflikti të hapur janë të larta. Kjo krijon stimuj të fortë për të kërkuar një zgjidhje kompromisi me Uashingtonin – një qasje që është gjithashtu thellësisht e rrënjosur në ADN-në politike të BE-së. Në veçanti, shqetësimi se një përshkallëzim mund ta përkeqësonte në mënyrë drastike situatën e sigurisë në Ukrainë dhe në Evropë në tërësi përmes një tërheqjeje të mundshme të sigurisë së SHBA-së e shtyu BE-në, pavarësisht dominimit të saj ekonomik, të binte dakord për një marrëveshje të pafavorshme tarifore me SHBA-në në verën e vitit 2025.
Një sinjal i rrezikshëm dobësie
Në të njëjtën kohë, qëndrimi pajtues i shteteve evropiane ka përforcuar vlerësimin e Donald Trump se Evropa nuk është një homologe serioze. Pretendimet amerikane për Groenlandën, si dhe moskokëçarja me të cilën hidhen poshtë paralajmërimet evropiane, pasqyrojnë gjithashtu pritjen se Evropa do të dorëzohet përsëri. Për më tepër, ekziston rreziku që aktorë të tillë si Rusia ose Kina ta interpretojnë trajtimin e Trump nga Evropa si një ftesë për të testuar edhe kufijtë e Evropës.
Ajo që është veçanërisht e rrezikshme për BE-në është se ky sinjal dobësie ka edhe një ndikim të brendshëm. Ai shqetëson popullsinë e vet në një kohë stanjacioni ekonomik dhe trazirat eë thella gjeopolitike, të cilat tashmë po gërryejnë vetëimazhin evropian dhe po ngrejnë dyshime nëse shtetet anëtare të BE-së janë në të vërtetë më të forta së bashku. Ndryshe nga procesi i Brexit, ku linja e ashpër e BE-së u perceptua si një shprehje e aftësisë së saj për të vepruar përmes përqëndrimit rreth forcës së saj, dhe rriti mbështetjen publike për Bashkimin, reagimi aktual ka potencialin të prodhojë efektin e kundërt. Mungesa e vendosmërisë përballë sulmeve të vazhdueshme nga SHBA-të gjithashtu forcon narrativën e aktorëve euroskeptikë që vënë në pikëpyetje në thelb vlerën e BE-së. Në afat të mesëm, kjo mund të zhvillohet në një krizë ekzistenciale për BE-në.
Kështu, Evropa është e zënë në një dilemë: Një përgjigje e fortë është jashtëzakonisht e kushtueshme për shkak të varësisë së Evropës nga SHBA-ja, megjithatë rreziqet për reputacionin e një paqësimi të vazhdueshëm po rriten. Nëse Evropa reagon pa vendosmëri ndaj provokimeve aq të gjera sa aneksimi i Grenlandës nga Trumpi, ajo rrezikon të humbasë besueshmërinë – me Uashingtonin, me vendet tjera dhe me popullsinë e vet. Pasojat afatgjata do të ishin katastrofike.
Shënim: Dr. Stefanie Walter është profesoreshë e rregullt e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekonomisë politike në Universitetin e Cyrihut [Ch].
