[Ribotim me shkas. Shkëputur nga libri Liria pa heronj – Republika në kthetrat e olhokratëve]
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Kosova në historinë e mendimit politik është shquar për konservatorizmin e saj relativ ekstrem. Në korrik 1912, mbi 30 000 kryengritës shqiptarë, kishin zbritur në kryeqytetin e vilajeti, në Shkup. Në Shkup kishin mbërritur edhe një grusht prijësish, përfaqësues nga Shqipëria e Mesme, si Abdi Bej Toptani, Mustafa Kruja e Kapedani i Mirditës, Marka Gjoni. Kryengritësve u prinin, siç dëshmon Hasan Prishtina në kujtimet e tij, liderët konservatorë, si Isa Boletini, Riza Bej Kryeziu, Bajram Daklani etj., të pasuar nga kleri sunit i Kosovës, që pamundësuan realizimin e vizionit politik progresiv të Hasan Prishtinës, që po shestonte mundësitë që pas 3-4 muajsh, pas një riorganizimi të duhur, të shpallte pavarësinë e Shqipërisë pikërisht në Shkup. [1]
Po fillonte kështu humbja e një shekulli për pothuajse gjysmën e kombit.
Në grackën e ideologëve serbë
Injoranca politike dhe konservatorizmi ekstrem do të ndikojë prapë, në një çast tjetër që afroi historia (1941-1945), që kosovarët sërish të ngelin në klasë! Duke mos i ndjekur pas, në shkallën e duhur, vizionarët e rinj politikë, si Zenel Hajdinin, Hajdar Dushin, Emin Durakun, Xhevdet Dodën etj., që ishin vënë në krye të Lëvizjes Antifashiste, kosovarët do të identifikoheshin së tepërmi me reaksionin politik, duke u rreshtuar pothuajse absolutisht prapa konservatorëve politikë dhe “nacionalistëve” cinikë. Ky rreshtim antihistorik kulmon, me krijimin e Batalionit SS “Skanderbeg” dhe me formimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, që ishte, de fakto, keqpërdorim i dyfishtë i historisë: tallje me kujtimin për Lidhjen e Prizrenit, si organizatën politiko-ushtarake më të suksesshme që nga epoka e Gjergj Kastriotit dhe vizionin e saj për krijimin e shtetit modern, por edhe manipulim me aktualitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Kulmi i kësaj qasjeje skandaloze ndaj politikës do të shpërfaqet në dy prej pjesëve tradicionalisht më kryengritëse të Shqipërisë: në Drenicë – me organizimin e kryengritjes nga Shaban Polluzha dhe në Gollak, me organizimin e mësymjeve të “Forcave Shqiptare Mbrojtëse” kolaboratore me gjermanët, nën komandën e Fuad Dibrës e Mulla Idriz Gjilanit, për gjoja mbrojtjen e Shqipërisë dhe “çlirimin ” e Ferizajt dhe Gjilanit (1944)!
Mosmbështetja e duhur e Lëvizjes Partizane edhe pas Konferencës së Bujanit (31 dhjetor 1943 – 1 e 2 janar 1944), do t’i japë mundësinë Shtatmadhorisë së Ushtrisë Partizane Jugosllave dhe udhëheqësit të saj, Titos, të luajë edhe me kartën e mobilizimit të përgjithshëm dhe, në emër të ndjekjes së kolonave në ikje të gjermanëve dhe reaksionit, ta bëjë rininë kosovare mish për top në frontin e Sremit dhe ta shndërrojë Tivarin në varr masiv për mbi 2500 shqiptarë (1. 04. 1945).
Mobilizimi i të rinjve kosovarë dhe largimi nga Kosova kishte objektiva të qartë politikë: në radhë të parë ishte realizimi i projektit të dytë të VasoÇubrilloviqit (1944) – spastrimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga elementi shqiptar, ndërkaq objektivi i dytë ishte realizimi në praktik i pushtetit ushtarak, që do të vendoset më 8 shkurt 1945 [2], me ç’rast po bëhej riokupimi i dytë i Kosovës nga Serbia, krejt në kundërshtim më Rezolutën e Bujanit dhe me parimet e Kartës së Atlantikut.
– Pse po largoheshin luftëtarët nga Kosova?
Duke marrë parasysh se operacionet luftarake kundër nazistëve gjermanë ne Luftën e Dytë Botërore kishin marrë fund aty nga mbarimi i vitit 1944, me të drejtë shtrohet pyetja: Pse i deportuan luftëtarët shqiptarë nga Kosova?
Në emër të përmbushjes së radhëve të Armatës IV të Jugosllavisë, për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut “në saje të të dhënave të publikuara, del se në mars dhe prill të vitit 1945, u deportuan 22 017 luftëtarë shqiptarë nga Kosova”[3]. Sipas të dhënave që sjell Azem Hajdini, janë 4310 veta që do të pësojnë nga ploja serbe në Tivar. Në fakt, burimet zyrtare theksojnë se, ekzekutues të këtij urdhri ishin “forcat partizane jugosllave, të Brigadës së Dhjetë Malazeze. [4]
Përgjigjja ishte e qartë, se përse planifikohej kjo plojë ndaj shqiptarëve të Kosovës; ajo po bëhej edhe në shenjë hakmarrjeje për humbjen që kishin përjetuar formacionet ushtarake të partizanëve jugosllavë ne fushëbetejat ndaj luftëtarëve të Shaban Polluzhës në Drenicë. Ndërkaq, qëllimi ishte largimi nga Kosova i atyre luftëtarëve, të cilët mund të bënin rezistencë për vendosjen e pushtetit ushtarak serb, gjegjësisht ripushtimin serb të Kosovës, në saje të vendimeve të mëvonshme. [5]
I mbetet historiografisë sonë, studiuesve të historisë politike dhe asaj diplomatike për Europën Juglindore, që të venerojnë me akribi shkencore, se a ka pasur gjasa që pala shqiptare t’u shmangej këtyre grackave me pasoja katastrofike, që duket se i kanë imponuar ideologët serbë dhe penetruesit e tyre në të dy taborët politikë shqiptarë të kohës.
Manipulimi me interesat vitalë të Kosovës
Ishte pikërisht mungesa e vizionit politik dhe sjellja prej fodullësh krahinorë feudalë, e gërshetuar me imponimin e elementëve dualistë e pa identitet, që e karakterizon klasën e autonomistëve (1974-1981), që krijoi ndarjen e thellë strukturore, ideologjike e organizative në vitin 1981-1989, por që do të imponohet edhe më keq gjatë dekadës së apartheidit, përmes shkrirjes së LKJ-së dhe levave të saj në LDK. Ndërkaq, arsyet reale që do ta linin Kosovën pa lidership real në dekadën e apartheidit (1989-1999) dhe në vitet e luftës, por që si frymë do të bartet e reflektohet në jetën politike edhe në dy dekadat e lirisë (1999-1919), janë produkt i manipulimit me interesat vitalë të Kosovës nga marionetat që iu imponuan spektrit tonë politik e ushtarak.
Vitet ’70-të dhe sidomos ato ’80-të do ta karakterizojnë Kosovën si vend ku, krahas oportunitetit politik të autonomistëve dhe vasalitetit të tyre ekstrem në raport me Beogradin, gëlon njëkohësisht edhe politika rinore radikale, që qe kurorëzuar me krijimin e një numri të madh grupesh ilegale dhe, nga viti 1987, me një organizatë të strukturuar mirë (LPK). Produkt i kësaj veprimtarie dhe, shto këtu edhe rrethanat objektive historike, do të jenë demonstratat e pranverës historike të vitit 1981, që Ukshin Hoti, me të drejtë, do t’i cilësojë si ngjarje që determinuan “kthesën historike”, “nyja, pa zbërthimin e së cilës nuk do të ecej përpara”. [6]
Por, në vend që në vitet ’90-të, ato ngjarje të na shërbenin si leksion historie dhe, për rrjedhojë, të demonstronim pjekuri politike, duke i dhënë shtrirjen e duhur horizontale e vertikale organizimit tonë politik, që do të garantonte përballje më të lehtë me fashizmin serb gjatë gjithë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kosovë dolën në skenë pasuesit politikë të “Xhymityrrietit”, ndërkaq ilegalja ende nuk po arrinte të rehabilitohej nga arrestimet masive që UDB-ja kishte ushtruar në dhjetor të 1984-ës dhe në janar 1985.
Është pikërisht mungesa e vlerësimit të rolit dhe frymës, që sollën në jetën politike demonstratat e vitit 1981, si dhe keqpërdorimi i saj nga klasa autonomiste që do të krijonte LDK-në, faktori që ndikoi drejtpërdrejt në ndërprerjen e proceseve të iniciuara, (Ibrahim Rugova në vitet 1989-1999 dhe Hashim Thaçi në vitet 1999-2019), “duke e vënë veten në krye pa ndonjë meritë të veçantë”, siç do të pohonte Ukshin Hoti. Si njëri, edhe tjetri, duke u shndërruar në marioneta tipike të qendrave vendimmarrëse politike të huaja, pasi kishin neglizhuar forcën e popullit, projektin për ndërtimin e shtetit e kishin dorëzuar tek europianët apo amerikanët, duke komprometuar tërë procesin deri në shkallë të absurditetit, pa çarë kokën se kështu po manipulonin me interesat vitalë të kombit.
Ka një prirje të theksuar në botën akademike për ta cilësuar këtë frymë recidive të politikës ndër ne, vetëm si produkt i bajraktarizmit ose rrjedhojë e injorancës politike, (kjo do të ishte gjithsesi e keqja më e vogël), por të dhënat arkivore, jo rrallë, flasin se prapa këtyre sjelljeve e qëndrimeve janë agjendat politike të Beogradit dhe aleatëve të tyre.
Le të potencojmë dy fakte kokëforta:
1. Në krye të shtetit dhe institucionit më të lartë të Sigurisë (Shërbimit Informativ Kombëtar) në Tiranë, në prag të luftës, fillimisht kishim Sali Berishën dhe Bashkim Gazideden. Ndërkaq, ata do të pasohen gjatë viteve 1998-’99 me Fatos Nanon dhe Fatos Klosin. Ku i kishin kryer specializimet në rrafshin profesional e shtetëror kjo katërshe e famshme? Në Francë. E rastësishme? Vështirë e besueshme!
2. Në krye të puçit ndaj LPK/UÇK-së ishte katërshja e famshme: Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla. Ky i fundit se ç’na lidhet me vrasjen e Ibush Kllokoqit zyrtari i lartë i shërbimit serb në Prishtinë në vitet 1979-1999!
Ndërlidhja e Hashim Thaçit me Shërbimin Ushtarak frëng tashmë është sekret publik. Ndërkaq, fuqia që kishte Xhavit Haliti për ta degdisur brenda 48 orësh Kryesinë e LPK-së nga Tirana dhe Shqipëria në maj 1998, ishte si rezultat i lidhjeve të tij të shumëfishta me Fatos Klosin dhe urdhërdhënësit e Fatosit. Marrja e UÇK-së nën kontrollin e plotë të kësaj katërsheje ishte çështje e kryer. Fakt notar! Pasojat dihen.
– Ku i kishin kryer këta pjesëtarë të kësaj katërsheje të famshme specializimet para e pas luftës? Në Francë! Është edhe ky fakt i rastësishëm? Vështirë të jetë e besueshme!
Nuk ka nevojë të ndalemi tek arsyet që ndikuan në ngritjen në fetish të personit të Ibrahim Rugovës, meqë roli i tij gjatë luftës, e sidomos në Konferencën e Rambujesë, do të jetë minor, i papeshë. Ndërkaq, mënyra se si ai erdhi në krye të LDK-së dhe si e përse qe shndërruar në lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Kosovë, është tashmë temë e ezauruar.
Dilemat e klasës politike
Si ndodhi që, në çastet kur pritej strukturimi i kënaqshëm i ilegales idealiste, pasi kishte dështuar krijimi i ushtrisë nën udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes së qeverisë “Bukoshi” në ekzil, pra pikërisht kur po merrte trajtë “riinkarnimi” i “Lidhjes së Prizrenit” në trupin e LPK/UÇK-së, ajo të mbetej pa ideologun e saj real, Ukshin Hotin, pa pasuesit e tij eminent, Afrim Zhitinë [7] e Behadin Hallaqin?
Si ndodhi katapultimi i injorancës në Drejtorinë Politike të UÇK-së dhe, më pas, në krye të institucionit të Republikës?!
Pse Gjykata Speciale, që qe votuar nga legjislatura e pestë, është gjithashtu produkt i mendësisë nënshtruese, mercenarizmit politik, injorancës e cinizmit politik?
Vetëm duke veneruar pozitën e Qeverisë së Nolit (1924), pasi kisha lexuar librin e profesor Arben Putos “Demokracia e rrethuar” , ku na shpërfaqet insistimi i gjithë aparatit shtetëror serb për ta rikthyer e instaluar feudalin e Matit në krye të qeverisë në Tiranë, në janar të 1925-ës, do ta kemi më të qartë se si dhe pse ndodhi që në krye të Republikës së Kosovës, për gati 20 vite rresht, duke përjashtuar qeverinë “Kurti”, u mbajtën qeveritë e stërmbushura me injorantë politikë e marioneta të ngjyrave nga më të ndryshmet!
Pse një politikan konservator e tepër dinak nga Mati kishte arritur të bëhej bartës i kundërrevolucionit të dhjetorit 1924 dhe ta rrëzojë qeverinë më liberale të kohës në Europë, e njëkohësisht ta detyrojë kryeministrin nga më eruditët që kishte ndonjë shtet europian i kohës, siç ishte Fan. S. Noli, të merrte arratinë?
Çfarë rirreshtimesh na presin në përplasjet e pritshme mes ish-aleatëve perëndimorë dhe çarjes së thellë që po pëson aleanca euroatlantike (Turqi – SHBA, Britani e Madhe – Francë – Gjermani, Poloni – Gjermani, Turqi – Greqi etj.,) dhe cili do të duhej të ishte në këtë kuadër pozicioni më i mirë për Kombin tonë?
Çfarë roli luan islami politik në krejt këto ndeshtrasha të kohës në raport me të ardhmen e Kombit tonë?
Ç’leksion historik po u jepet forcave progresive (dhe atyre revolucionare) në Europë përmes krijimit të Gjykatës Speciale, që për objekt trajtimi ka UÇK-në, duke i lënë anash, nën çlirim, krimet serbe?!
Janë këto pyetje e dilema të parashtruara në formë tezash, që kërkojnë shpjegime të hollësishme, nëse duam të kemi konkluzione racionale e të dobishme për të ardhmen e Kombit.
Nëse klasa jonë politike e stërmbushur me mujsharë, injorantë e cinikë të llojit të vet, që janë të krahasueshëm vetëm me Fushenë, nuk duan e nuk dinë të nxjerrin konkluzionet e duhura, atëherë, ajo pjesë e saj e dëshmuar për atdhedashuri e dije, tok me botën akademike, do të duhej jo vetëm të kishin përgjigjet e duhura në këto e dilema të parashtruara në trajtë tezash, me të cilat po na konfronton realiteti politik, por edhe ta kishin tashmë platformën politike që unifikon Kombin dhe mundëson përballjen, duke i garantuar atij (Kombit) perspektivë europiane.
***
Në verën e hershme të vitit 1989, fill pas një takimi të niveleve të larta mes Bonit dhe Moskës, ishte bërë publike një deklaratë e Ministrisë së Jashtme Gjermane, ku theksohej roli i pazëvendësueshëm i SHBA-së për Europën. Pak javë pas kësaj deklarate, siç thekson Hans- Dietrich Genscher (ish-ministri i Jashtëm gjerman) në kujtimet e tij, ai ishte pyetur drejtpërsëdrejti nga Jaçeues Delors, atëbotë president i Komisionit të BE-së, lidhur me qëndrimin që do të duhej të kishte Brukseli në raport me Berlinin Lindor (DDR), në atë vlug ndryshimesh që po ndodhnin në Gjermaninë Lindore.
A do të duhet që Brukseli të mbante pozicionin që garanton përafrim gradual me Republikën Demokratike Gjermane (DDR), duke i ofruar asaj mundësinë e të qenit shteti i 13-të i BE-së, apo…? (Atëbotë BE-ja kishte 12 anëtarë. S. R.)
Ministri i Jashtëm gjerman, H. D. Gensher, pa ekuivokë, i jep përgjigjen e duhur kolegut të tij, duke vazhduar pothuajse mendimin aty ku ai e kishte ndërprerë: “Nuk është fjala këtu, që Republika Demokratike Gjermane (DDR) të jetë shteti i ri anëtar i BE-së, por Republika Federale Gjermane duhet të zgjerohet më tej, duke përfshirë brenda saj RDGJ-në si pjesë e Gjermanisë së Bashkuar e, me këtë, ajo, DDR-ja, do të ishte automatikisht pjesë edhe e BE-së”. “Këtë qëndrim të etabluar tashmë të Bonit zyrtar, – përfundon H. D. Gensher, – Delors e miratoi plotësisht. [8]
Klasa jonë politike edhe pas 20 vjetësh të çlirimit të Kosovës nga Serbia dhe po kaq vitesh përpjekjeje për integrim të Shqipërisë dhe shqiptarëve në BE, nuk ka një qëndrim dinjitoz, meritor për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në BE! Do të mjaftonte ky paragraf i shkurtër, i cituar këtu nga libri me kujtime i H. D. Gensherit, thjesht të “kopjohet”, respektivisht të merret për model, që ta kemi të qartë se dialogu i mirëfilltë për integrim të Shqipërisë e shqiptarëve në BE, e në këtë kuadër edhe i Kosovës, që do të pasojë qartësimin e këtyre raporteve, respektivisht para ose njëkohësisht në hap me integrimin e Kosovës si pjesë integrale e Shqipërisë (si Federatë shqiptare) në BE.
Meqë Shqipëria politike tashmë është pjesë e strukturës euroatlantike, ristrukturimi i Shqipërisë në Federatë do të konsiderohej thjesht si zgjerim, respektivisht bashkim i Kosovës me trungun e saj natyror, krejt ngjashëm me rastin e Gjermanisë.
Prandaj deklaratat e tipit se “ne bashkohemi në Bruksel” janë, më e pakta që mund të thuhet, shprehje e dilentatizmit politik dhe e injorancës.
Kur mungon kauza politike
Dy republikat shqiptare, ndërkohë, po jetojnë epokën e tranzicionit shoqëror politik të tejzgjatur. Shteti i së drejtës mbetet më tej ideali i papërmbushur. Republika e Kosovës kaherë është shndërruar në peng të llojit të vet, i një strukture që ka kapur shtetin. Ajo strukturë herë identifikohet me akronimin SHIK e herë PDK, megjithëse është e njëjta përmbajtje. Në qarqet europiane kjo strukturë, jo rrallë, identifikohet me mafien politike. Për pasojë, në dhjetor 2014 dhe janar 2015 kishim eksodin masiv, i krahasueshëm me atë të epokës së Millosheviqit!
Por, a mund të venerohet edhe gatishmëria për ikje nga liria, si produkt vetëm i injorancës politike, apo më shumë edhe si mungesë e kauzës politike, që e shquan këtë brez të të rinjve tanë? Gjithsesi, injoranca politike e brezit paraprak, e prindërve dhe e mësuesve të të rinjve të lindur në prag të luftës, respektivisht në dekadën e fundit të shek. XX dhe kjo e lindura fill pas luftës, respektivisht në agsholin e lirisë, që përkon me fillimin e dekadës së parë të shek. XXI, është ajo që ka prodhuar mungesën e kauzës politike.
Nëse brezi i idealistëve progresivë pas LDB-së, e sidomos ai pas rënies së A. Rankoviqit (1966, ministër i Brendshëm i Jugosllavisë), kishte shndërruar në kauzë mbijetesën, që nënkuptonte idealin për ruajtjen e vazhdimësisë shqiptare në Kosovë e vise shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, pra aty ku ishin ata autoktonë, ndërkaq pas Plenumit të Brioneve (1966) do të fillonte beteja politike e iluzioniste e autonomistëve për “barazi politike” brenda sistemit politik të RSFJ-së. Por, atëbotë, Kosova ishte pjesë e Federatës Jugosllave, krahas idealistëve autonomistë, një krah i të cilëve mund të cilësohen si nacionalistë institucionalë (shih studimin e Qani Mehmedit me titull “Shtetformimi i Kosovës”, Prishtinë 2011). Krahas kësaj pikëpamjeje e rryme politike, do të thellohej e zgjerohej veprimtaria e idealistëve nacionalistë progresivë të ilegales, që kulmoi me krijimin e bazave të shëndosha të ilegales, e që e kishin shndërruar në kauzë të vetën bashkimin e kombit, që ishte një lloj amalgame e dy brezave: atij të 1968-ës, që nuk ishte kënaqur vetëm me statusin e autonomisë kulturore dhe brezi i idealistëve të viteve 80-të, që së bashku do ta shndërrojnë në kauzë Republikën.
Kjo kauzë do të jetë flamur i rezistencës për gati dy dekada, derisa të merrej vendimi për krijimin e UÇK-së.
Vendimin për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e afirmuar me akronimin UÇK, do ta marrë Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore të Kosovës, më 27 korrik 1993, mbajtur në Prishtinë (në shtëpinë e prindërve të njërit prej drejtuesve të saj, Fatmir Brajshorit). “Meqë gjatë vitit 1994 ishin bërë një mori sulmesh e aksionesh guerile, kryesia e LPK-së, në mbledhjen e saj në 17 nëntor 1994, do të vendoste që ta emërtonte formacionin ushtarak si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke filluar të lëshonte komunikata me sigël dhe emblemë të saj, shkruan Ibrahim Kelmendi, një nga tre themeluesit e LPK-së. Këtë fakt e pohojnë edhe anëtarët e tjerë të kryesisë së LPK-së.
Kauza për Republikë do të shndërrohet ndërkohë në kauzë për liri e vetëvendosje deri në shkëputje, të cilën do ta bëjnë realitet armët e UÇK-së më 12 qershor 1999. Ndërkaq asaj kauze ky brez do t’i bashkëngjiste edhe kauzën për demokraci.
***
Brezi aktual i të rinjve nuk po arrin ende ta shndërrojë në kauzë të tij ndërtimin e Shtetit të së Drejtës, me çka do të kontribuonte në funksionalizimin e Republikës, por edhe selitjen më tej të kauzës për bashkim kombëtar. Duket se zgjedhjet e 6 tetorit 2019 sinjalizuan pikërisht këtë gjakim të këtij brezi, duke mëtuar që ta shndërrojnë atë në kauzë politike.
Ky brez nuk guxon assesi, qoftë edhe instinktivisht e në heshtje, ta pranojë logjikën e nënshtrimit dhe të marrë arratinë! Kështu, ai do të merrte si barrë edhe mallkimin historik. Rilindja e nacionalizmit progresiv urban, e trupëzuar tashmë te Lëvizja “Vetëvendosje”, më mbush me shpresë se ky mallkim do të shmanget.
Fashizmi i epokës sonë në ngritje
Shkrimtari italian me origjinë hebreje, Primo Levi, i mbijetuari i Holokaustit, kishte shkruar, siç duket në çaste dëshpërimi e reflektimi racional për epokën pas LDB-së, se “secila epokë ka fashizmin e vet”. Në kapitullin e 15 të librit të saj, me titull sinjifikativ “Fashizmi – paralajmërim”, ish-sekretarja e Jashtme e SHBA-së, Medlin Ollbrajt (Madeleine Olbright), në vitet kur UÇK-ja po shënonte kthesën e madhe në historinë e Kombit, teksa shkruan për presidentin aktual (D. Tramp), me dhimbje pohon se, “po pajtohet me gjykimin e Levit, duke shprehur kështu shqetësimin e saj edhe publikisht për praninë e frymës së fashizmit edhe në SHBA, që reflektohet përveç të tjerash, edhe përmes “mungesës së respektit për të vërtetën nga ana e Presidentit”. [9]
Të indinjuarit në Spanjë, Greqi, Itali… në Europën Jugore e Juglindore, për disa vite radhas, në dekadën e dytë të shek. XXI tronditën e përmbysën skenën politike (rasti i fitores së SYRIZ-it ishte më emblematiku), por ata nuk ia arritën dot të krijonin struktura të qëndrueshme politike për përballje e beteja politike afatgjata. Jo rrallë, kjo masë e të indinjuarve u përfaqësua nga palaçot politikë (rasti i Italisë më herët, ky aktuali në Ukrainë etj.), do të shoqërohen gjithsesi me frustrime politike. Indinjimi i përshkallëzuar në përmasa të zemërimit politik, pa një organizim të mirëfilltë politik dhe duke e ndalur angazhimin politik para se të arrihet masa kritike, nuk prodhon dot rezultatet e duhura në lëvizjet politike. Rrjedhimisht, na duhet të rikthehemi te roli i individit në lëvizjet shoqërore, në rastet e shënuara historike, nëse duam ta kemi më të qartë raportin në trekëndëshin: individ-shoqëri-shtet i së drejtës.
Roli i individit në çastet e veçanta historike
Në historinë tonë politike nuk e kemi të vështirë të nxjerrim konkluzione të qëndrueshme, se si do të mund të ishte rrjedha e historisë dhe vetë fati i Kombit në shek. XX, nëse i analizojmë me objektivitet maksimal dy epoka të saj nga më të jashtëzakonshmet, e që ndërlidhen me fatin e Kosovës, këtij krahu të Shqipërisë Verilindore:
1. Kryengritja gjithëpërfshirëse për pavarësi (1910-1912) dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, a do të bëhej dot pa kontributin kolosal të Hasan Prishtinës, respektivisht nëse ai brez idealistësh nuk do të përfaqësohej nga ky korife i kombit? A do të ishte organizuar kryengritja masive në Kosovë?
– A do të marshonin ashtu të disiplinuar deri në shkallën e madhështisë ata 30 000 luftëtarë të lirisë, kryengritës të mbledhur në Ferizaj, drejt kryeqendrës së vilajetit, Shkupit, në korrikun e vitit 1912, nëse atyre nuk do t’u printe Hasan Prishtina?
– Kjo kryengritje, a do të kurorëzohej më 28 nëntor me aktin e shpalljes së pavarësisë, pa aktivitetin diplomatik të orëve të fundit, që ndërlidheshin aq shumë edhe me orët e fundit të historisë, pa të urtin Ismail Qemaili?
– A do ta kishim Shqipërinë, a do të mbijetonte Kombi, pa këto dy personalitete të tij në ato orë të liga të historisë?
2. Pa ruajtjen dhe selitjen e strukturës atdhetare të fshehtë (ilegale, siç është cilësuar me gjasë gabimisht) të atyre grupeve e organizatave, brenda së cilave vepronin atdhetarë eminentë, përkushtimi i të cilëve do të kurorëzohej më 17 janar 1982 me themelimin e LPK-së nga treshja e njohur Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla e Ibrahim Kelmendi (që do të pasohej më 1994 edhe me krijimin e UÇK-së), ku do të ishte Kosova sot?
– Pa rolin e veçantë që pati ideologu i këtij krahu politik, Ukshin Hoti e timoteu i kësaj epoke, Adem Jashari, cili do të ishte fati i Kosovës sot?
Duke analizuar këto epoka të historisë sonë, të çliruara prej çfarëdo ngarkesash ideologjike, ne do të kemi mundësinë ta ndërtojmë të tashmen dhe të parashikojmë të ardhmen tonë. “Është krejtësisht e vërtetë ajo çka e thotë filozofia, se duhet ta kuptojmë jetën edhe duke e njohur të kaluarën, por nganjëherë harrohet fjalia tjetër e këtij mendimi të artë filozofik, se “ne duhet të jetojmë të sotmen dhe të ardhmen,”[10] rezonon Kierkegardi.
Por, që të arrijmë në konkluzione të kësaj natyre kritike, dashurisë ndaj historisë dhe personaliteteve që kanë bërë kthesa epokale në historinë e kombit, kemi nevojë t’ia nënshtrojmë mendimit metodik, si një produkt i ndërlidhjes dhe i marrëdhënieve tona edhe nga largësia (kohore) me idetë ndriçuese të personaliteteve të dijes, qofshin ato edhe nga e kaluara e largët.
Injoranca politike dhe arrivizmi për pushtet i elitës dhe klerit sunit islam të Kosovës (1912) e pengoi shumë misionin e Hasan Prishtinës; kjo injorancë jo vetëm politike, por edhe gatishmëria për kolaborim me pushtuesin për një çikë pushtet (qoftë edhe në shtetin e pushtuar!), e verboi një pjesë të madhe të të ashtuquajturit “krah nacionalist” gjatë LDB-së, duke u rreshtuar prapa fashizmit dhe kundër rrjedhës së natyrshme të historisë. Është pikërisht injoranca politike e krerëve të LDK-së, sado e maskuar me tituj akademikë (kryesisht letrarë), por edhe arroganca e olhokratëve anarkistë të LPK-së, që ushtruan puçin brenda LPK/UÇK-së (maj 1998, e që bashkë, të mbështetur nga segmente të fuqishme të konservatorëve europianë, që duket se kanë të përbashkët shumëçka të ndjesisë së Hitlerit kundruall socialdemokracisë (gjermane) që pat shpërfaqur ai në vitin 1933, që do ta shndërrojnë Republikën e Kosovës në shtet jofunksional, rrjedhimisht buzë dështimit, madje edhe pas mrekullisë – çlirimit (1999) dhe shpalljes së pavarësisë (2008).
Këto teza të parashtruara në këtë ese, gjithsesi kanë nevojë për zbërthim të shumanshëm nga studiuesit tanë me integritet intelektual e moral.
Brezi i studiuesve të rinj që po vjen, duke marrë në konsideratë konkluzionet e studimeve multidisiplinare për këto çështje të shtruara këtu, pa dilemë, do t’i kontribuojnë shumë historisë sonë politike, të sotmes dhe të ardhmes së Kombit.
Shqiptarët nuk janë beduinë arabë
Shqiptarët që në epokën e Rilindjes kishin përvetësuar vlera të demokracisë liberale, duke i inkorporuar në platformat politike. Sami Frashëri në veprën e tij të njohur “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” shprehet hapur kundër monarkisë, si rend juridiko-kushtetues dhe merr në konsideratë mendimin politik autokton mbi Pleqësinë, si formë e udhëheqjes kolektive, demokratike, duke rikujtuar mendimin e Strabonit mbi këtë formë të qeverisjes që ai kishte veneruar tek ilirët.
Idetë demokratike, antimonarkike të Samiut nuk ishin të rastësishme. Le të kujtojmë një fakt: është pikërisht Samiu, ai që më 22 qershor 1878 do të publikojë esenë mbi socializmin si rend shoqëror e politik. [11] Kjo ese do të hyjë në histori si e para e shkruar nga një autor shqiptar mbi socialdemokracinë, pra si kontributi i parë teoriko-politik mbi të majtën politike ndër shqiptarë.
Ndërkaq, në vitet pas Kongresit të Lushnjës, demokracia liberale si sistem politik ishte aplikuar në jetën politike dhe parlamentare. Statuti i Lushnjës i jepte Senatit de fakto kompetenca të parlamentit të vendit, ndërkaq Statuti i Zgjeruar i Lushnjës sanksiononte një tjetër parim të njohur: atë të pavarësisë së gjykatave.
Qeveria e Nolit në programin e saj të publikuar e miratuar më 19 qershor 1924, parashihte një varg reformash, që synonin futjen e vendit në rrugën e zhvillimit demokratik. Ndonëse Qeveria e Nolit nuk arriti të hartojë asnjë nga kodet e parashikuara, fryma demokratike për legjislacionin e ardhshëm shqiptar spikati si në dekretligjet që nxori, ashtu edhe në idetë e projektet e saj për reformat
juridike. [12]
Pas pothuajse gjashtë dekadash nën diktaturë (dhe pushtim), Shqipëria dhe e gjithë hapësira shqiptare nën Jugosllavi, me shembjen e BRSS-së (1992), po i rikthehej demokracisë liberale të ndërprerë në dhjetor 1924.
Në Kosovë, por edhe në hapësirën tjetër shqiptare në ish-Jugosllavi, gjakimi për demokraci po lindte bashkë me idealin për liri. Duke qenë se Kosova mbetej tutje, edhe pas rënies së sistemit komunist jugosllav, koloni e Serbisë, nuk mund të flitej për ndonjë farë demokracie e as për demokraci liberale, meqë parimet e lirisë dhe shtetit të së drejtës, institucionet që do të dilnin nga zgjedhjet e lira në funksion të realizimit të vullnetit politik të popullit, Beogradi i ndalonte rreptësisht. Sidoqoftë, një lloj improvizimi i jetës politike bazuar në organizimin e shumë partive politike, kishte krijuar iluzionin se Kosova po bënte hapat e parë të rendit demokratik liberal, meqë po “bënte jetë institucionale” të shtetit paralel! Ky tip i institucionalizimit të jetës politike, të cilit i printe LDK-ja, për fat të keq rezulton të ketë qenë i koordinuar mes Beogradit dhe Perëndimit, para së gjithash me mbështetjen e nën mbikëqyrjen e Francës dhe Austrisë. Kjo formë e organizimit politik të “shtetit” kuaziparalel, me kushtin që të ruhej rendi juridik, siguria dhe stabiliteti politik, fundja ishte i pranueshëm për Beogradin, meqë ishte në përputhje me agjendën politike dhe vetë strategjinë e tij, që do ta aplikojë gjatë gjithë dekadës së fundit të shek. XX, fillimisht me sigurimin e zgjerimit drejt Perëndimit (krijimit të Republikës Sërbska në Bosnjë), e pastaj me nënshtrimin total të Kosovës, respektivisht aplikimin e planit “Patkoi”, që nënkuptonte shndërrimin e Kosovës në Toplicë të dytë.
Këtë trajtë të organizimit politik, nën petkun e lirive fetare e etnike, Serbia ua kishte toleruar një kohë edhe liderëve të tipit të Ferhat Dragës dhe “Xhamhurietit”, forcë e cila mblidhte shqiptarët, boshnjakët dhe turqit (si entitete etnike myslimane), që jetonin në shtetin serb, e që pati arritur t’i ketë një kohë 14 deputetë në Parlamentin serb, fjalimet e ndonjë mocion [13] i të cilëve, pavarësisht motiveve të mira, nuk kishin kurrfarë efekti praktik. Por, në çastin kur ajo organizatë (Xhamhurieti) po mëtonte të mëvetësohej, duke iu kundërvënë projektit shtetëror për shpërnguljen shqiptarëve për Turqi, shteti serb reagon ashpër, duke vrarë Nazmi Gafurrin, njërin prej aktivistëve më të veçantë të “Xhamhurietit”.
***
I ashtuquajturi “fenomen i pluralizmit politik” në epokën e apartheidit në Kosovë (1989-1999), për ironi të fatit, merr konotacionet që kishte demokracia liberale 250 vite më parë, në agsholin e saj, pikërisht në djepin e saj, në Britaninë e Madhe. “Sistemi politik i vendeve si Britania e Madhe dhe SHBA-ja, nuk ishte themeluar me qëllim që të aplikojë demokracinë si rend politik, por me qëllim që ta pengojë atë”, – shprehet shqeto Yascha Mounk. [14] Teksa më pas, kur institucionet që ngriti sistemi politik në fjalë, vetë do të insistojnë që ta zbatojnë gradualisht vullnetin politik të qytetarëve, do të fillojë të vihet në jetë demokracia liberale që njohim sot.
Pavarësisht ndarjes së hekurt të Kombit (1913), projekteve për zhdukje e asimilim, të jetës së rëndë nën mynxyrën e kolonializmit të egër që po aplikonte Beogradi, madje as edhe në epokën e apartheidit në vitet ’90-të, as nga LDK-ja e as nga kolaboratorët e hapur, aparati shtetëror i Serbisë nuk ia kishte dalë dot të krijojë një qeveri kuislinge, madje edhe atëherë kur i duhej shumë për shmangien e presionit dhe pezullimin e çfarëdo vendimi për ndërhyrjen e pritshme të NATO-s. Ndërkaq, me idenë që ta çajë Kombin më dysh, përmes krijimit të të ashtuquajturit “Komb kosovar”, kishte pësuar fiasko të plotë.
Çuditërisht, kjo prirje e të ashtuquajturit “Komb kosovar” do të rikthehet sërish në jetë, pikërisht pas luftës, atëherë kur ajo do të duhej të konsiderohej si e vdekur! Duke e risjellë këtë projekt në agjendën e tij, përmes një grupi injorantësh politikë dhe kozmopolitësh e kuislingësh modernë të paguar mirë, Beogradi sërish po dëshmonte se nuk hiqte dorë nga projektet hegjemone të tij, nëse e kërkon nevoja edhe duke “riinkarnuar” sindromën esadiste te një pjesë e elitës politike kosovare.
***
Një vend cilësohet demokratik, atëherë kur mekanizmat institucionalë i ka të aftë që të implementojnë pikëpamjet politike të qytetërimeve në mënyrë të prekshme e të ndjeshme. Por, në një varg shtetesh, ku në këto dy dekadat e para të shek. XXI sistemi politik po rrëshqet nga ai i demokracisë liberale në demokraci iliberale (Poloni, Hungari etj.), përfshirë këtu edhe dy republikat tona, madje edhe në sferat ku kushtetuta i garanton popullit se duhet të jetë zot i fatit të tij dhe i atdheut, ndikimi i popullit mbi qeverinë e tij zvogëlohet ose pezullohet tërësisht.
Ky fenomen po shtrihet edhe në sferat e interesit jetik (në mbrojtjen e pavarësisë dhe të integritetit të Republikës), te mekanizmat institucionalë (Parlamenti, AKI-ja, Policia, Gjyqësori etj.), pra mbi ato institucione që do të duhej të ishin garantuese të mbrojtjes së atij vullneti politik. Kjo po ndodh, meqë ndërhyrja nga jashtë e mekanizmave dhe e grupeve të interesit është evidente.
Produkt i këtij degjenerimi moral e institucional ishin marrëveshjet me Serbinë (2013; 2015; 2018). Kjo e fundit, që është përafruar dhe mbahet sekrete, cenon rëndë integritetin, meqë bëhet fjalë për ndarjen e vendit, respektivisht aneksimin e Veriut nga ana e Serbisë! Si e tillë ende mbetet e fshehtë, por me mundësi të mëdha që t’u imponohet mekanizmave institucionalë të Republikës për legjitimim dhe formalizim në çastet e favorshme për Serbinë. Ky imponim do të jetë edhe më i mundshëm, në rast se edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, me akrobacione politike dhe me mbështetje nga jashtë, “Blloku i së keqes” (PDK/LDK me shokë) i imponohen Republikës, degradimi politik dhe dështimi i shtetit do të jetë pothuajse akt i kryer!
Që nga viti 2010, Kosova, sipas parametrave matës të demokracisë liberale, ka rrëshqitur vazhdimisht në terrenin e “diktaturave kompetitive”. [15] Në këtë grup shtetesh, zgjedhjet me pjesëmarrje të shumë partive zhvillohen vazhdimisht, duke ruajtur më tej kuptimin se përse organizohen. Por, njëkohësisht, qeveria i siguron vetes përparësi në garë dhe ajo, pra gara, assesi nuk u nënshtrohet rregullave dhe procesit të lirë. Këtë tip demokracie Yasha Mounk, profesor në Universitetin e Harvardit, e cilëson si “Oligarki kompetitive”, që i përshtatet më së miri rastit tonë.
***
Ndarja e Kombit dhe e Atdheut (1913) kishte lënë pasoja të thella në procesin e unifikimit dhe forcimit të shtet-kombit, ndërkaq te pjesa e pushtuar dhe në formimin e pjekurinë politike. Vetëm falë vullnetit të madh për liri e arsim, asaj fryme iluministe që e shquante një pjesë të mirë të Kombit që nga epoka e Rilindjes, gjakimi për liri dhe bashkim kombëtar mbeti përherë flakadan i pashuar, që qe trupëzuar tek ilegalja jonë.
Sidoqoftë, injoranca politike, jo rrallë e paketuar dhe e lidhur me fjongo ari (edhe në formë diplomash), ka mbërthyer jetën politike, kulturore, por edhe moralin e shoqërisë… edhe tashti, dy dekada pas gëzimit të Lirisë! Ajo shfaqet kudo: në institucionet politike, në ato të arsimit, në kulturë, në sferën e religjionit… kudo!
Përmes doktrinës politike të islamit fashist, injoranca dhe cinizmi, ndërkohë, kanë depërtuar edhe në familje! Thellësia strategjike e neootomanëve ka pushtuar institucionet shtetërore e shoqërore në përmasa tepër të frikshme. Tendencat e hapura për të kërkuar aleatë në Lindje, rrjedhimisht për t’ia kthyer shpinën Perëndimit në emër të ruajtjes së pushtetit, janë produkt jo vetëm i injorancës dhe i cinizmit politik, por edhe përpjekje e hapur e ambalazhimit ideologjik të tradhtisë. Krejt kjo bëhet në ditën me diell dhe në emër të rirreshtimit gjeostrategjik, që gjoja po na e imponuaka Perëndimi!
Neootomanëve tanë duhet t’u kundërvihet Kombi si tërësi, elita kulturore e tij në radhë të parë, duke e bërë të qartë se interesat jetikë të shqiptarëve nuk janë e nuk mund të jenë të ndarë nga interesat e Europës dhe të Perëndimit. Përkundrazi, ata janë identikë.
Në Prishtinë, ndërkohë, nuk guxojmë ta përsërisim çoroditjen me efekte negative në orientimin gjeostrategjik, siç i kishte ndodhur elitës sonë ne korrik të 1912-ës në Shkup. Hapja e dyerve hape-krah për neootomonët ndërkohë, është po aq e rrezikshme, në mos edhe më shumë, se tendenca për marshim nga Shkupi drejt Selanikut në korrik 1912! Por, nëse tendencën e hapur për “shkatërrimin e shpirtit” nga ana e pushtuesve turq e kishte veneruar Pjetër Bogdani, prandaj edhe e potenconte në shenjë alarmi në një prej relacioneve të tij nga më të njohurit [16], injoranca politike sot i fut veshët në lesh e kokën në rërë, si struci, përballë penetrimit publik të frymës neootomone gjithandej në institucione shtetërore e, madje, edhe në familje!
Bogdani në kohën e tij i kundërvihej këtij objektivi strategjik turk, duke këmbëngulur që, “me çdo kusht të sigurojmë ndonjë libër “, pra përmes arsimit të të rinjve dhe popullit përgjithësisht, me qëllim që “misionarët dhe priftërinjtë në këto vende do të ngadhënjenin mbi errësirën e injorancën”. [17] Pushtetarët tanë u japin leje veprimi lloj-lloj shoqatash e shkollash turke e arabe për ushtrimin e ndikimit të tyre ideologjik e politik, me prirje të hapura për të na kthyer sërish “në errësirën e injorancës”. Por, nëse Pjetër Bogdani, si një ndër mendjet më të ndritura të Kombit, jo vetëm në kohën e tij, e si atdhetar i mirëfilltë, me veprën e tij ishte “nisur nga parimet e ngritjes së vetëdijes kolektive të popullit”, me qëllim të qartë që të hapë shtigje dinjitoze “kah vlerave europiane”, ndryshe po veprojnë një pjesë intelektualësh vasalë të ditëve tona.
Ndërkaq, disa prej liderëve tanë politikë dhe sidomos krerët e bashkësive islame (në Shkup, në Prishtinë e në Tiranë), pjesa dërmuese e tyre, pas gati katër shekuj, të mbytur në injorancën politike dhe dogmën ideologjike, të yshtur për pushtet, janë në gjendje të shndërrohen në vasalë të neootomanëve e në marioneta të Beogradit, pa e vrarë mendjen për dëmin që po i bëjnë Atdheut! Këto veprime nuk do të duhej të toleroheshin.
– Por, a janë të izoluar këta liderë politikë dhe udhëheqës të klerit sunit ndër ne nga elita jonë kulturore dhe populli, siç do të duhej të ishin?
Fatkeqësisht, duhet ta pranojmë, jo!
***
Sipas filozofit gjerman Sloperdik, ky lloj cinizëm ka nisur me elitën.
E njëjta gjë duket se ka ndodhur dhe po ndodh edhe me elitën tonë. Kjo elitë politike jona sillet si çdo “egoist mendjendritur”. [18]
Trajtimi i këtyre fenomeneve politike me përgjegjësi dhe arsye të ftohtë, do t’i ndihmonte jo vetëm përballjes sonë me intencat e imperializmit kulturor e ideologjik të neootomanëve, por edhe për vetëdijesimin lidhur me urgjencën për integrim të brendshëm kombëtar. Qëndrimi pa ekuivokë në pozicionet autentike ideologjike do të gjejë mbështetje te faktorët gjeopolitikë të Perëndimit, që duket se janë irrituar nga injoranca e disa prej liderëve tanë politikë dhe cinizmi i tyre banal.
Intenca për ta nënvlerësuar takimin e Berlinit, i iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, ishte shpërfaqja më e çuditshme e këtij cinizmi banal.
Në këto rrethana që po kalojmë, është më se urgjente, që në krye të dy republikave tona të sjellim personalitete politike me dinjitet, nacionalistë progresivë me dije, por edhe orientim të qartë perëndimor.
***
Gjatë procesit të ribashkimit të dy Gjermanive, mendjet e kthjellëta politike të Gjermanisë Federale për të siguruar mbështetjen e aleatëve perëndimorë, para se gjithash të SHBA-së, Francës dhe Anglisë, jo vetëm në dokumentet bazë që saktësojnë strategjinë gjermane, por edhe në takimet kokë më kokë, theksonin faktin se Gjermania e bashkuar mbetej fuqishëm e lidhur me Perëndimin, institucionet e sigurisë që kishte krijuar Perëndimi – NATO-n, e njëkohësisht edhe pjesë aktive e Bashkimit Europian, si struktura garantuese e paqes dhe e sigurisë. [19]
Vetëm duke i lexuar kujtimet e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, që cilësohet si më i suksesshmi në historinë e diplomacisë gjermane, mund ta kuptojmë diferencën e thellë që ka elita gjermane me atë shqiptare në rrafshin e ndërtimit dhe aplikimit të strategjive me interes jetik nacional.
Gensheri, p.sh., në takimin që kishte me ministrin e Jashtëm britanik, Sir Douglas Hurd, më 29 nëntor 1989, mori përgjigjen e drejtpërdrejtë nga ai, duke pohuar se zgjerimi i proceseve integruese, respektivisht “udhëheqja e përbashkët e Europës, në këtë plan, nuk mund ta anashkalojë Gjermaninë” [20], që de fakto nënkuptonte çështjen e bashkimit të saj. Por pavarësisht këtij qëndrimi të z. Hurd, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Theçër, kishte rezervat e saj lidhur me bashkimin e Gjermanisë. Atëbotë ajo nuk ngurronte së përsërituri faktin, se “ndryshimi i status quo-së kërkon qasje të kujdesshme”!
Sidoqoftë, ky fakt nuk e zmbrapste fare Gensherin nga idealet e tij, duke këmbëngulur më tej për shfrytëzimin e çastit historik që po u afrohej gjermanëve për ribashkim.
Por, nëse Europa atëbotë nuk mund të merrej me mend që të zgjerohej drejt Lindjes, duke anashkaluar ribashkimin e Gjermanisë, si ka mundësi sot që të integrohet Europa Juglindore, duke ua imponuar shqiptarëve ndarjen në dy republika të brishta dhe duke qenë ata elementë shtetformuesë në Maqedoninë Veriore e minoritet në Mal të Zi e Serbi?
Nuk ka mundësi reale që dinamika e brendshme e proceseve të ristrukturimit dhe thellimit të integrimit brenda BE-së, ta injorojë nevojën imanente të shqiptarëve për integrim. Shqiptarët nuk janë beduinë arabë a ardhacakë sllavë të Mesjetës së hershme, që nuk zinin dot vend për një periudhë afatgjatë askund. Shqiptarët janë popull autokton dhe me civilizim të lashtë. Ne i përkasim civilizimit perëndimor, rrjedhimisht jemi të përcaktuar ta ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë si komb brenda shoqërisë demokratike europiane.
Përfundim
Shqipëria e gjymtuar është produkt i konferencës së Londrës (1913) dhe e përplasjeve ideologjike mes superfuqive të kohës, siç do të ndodhë edhe me Gjermaninë pas LDB-së. Prandaj zbutja, në mos shërimi i plotë i asaj gjëme të madhe, përmes korrekturave graduale, nënkupton fillimisht integrimin e brendshëm në një entitet shtetëror-juridik, siç do të ishte Federata Shqiptare, me sistem kushtetues federal. Ky imperativ mbetet çështje e hapur dhe imanencë strategjike e kohës.
Që të arrihet ky vullnet politik, duhet të funksionalizohet tërësisht Republika e Kosovës, rrjedhimisht, duhet ndërtuar shteti i së drejtës në të dyja republikat ekzistuese. Kjo nuk mund të bëhet, nëse ne si popull, si qytetarë, tolerojmë që tej që Republika të sundohet nga olhokratët.
Në çdo epokë ku sundon primitivizmi, e sidomos ai politik, i gërshetuar me injorancën dhe cinizmin, të urtit, të diturit përndiqen. Olhokratët aplikojnë politika të tilla, pasi, siç do të thoshte Shën Jeronimi, “kush synon të merret me shkrim apo me gojëtari, do të ketë kundër vetes aq shumë gjykues, sa edhe lexues”. [21]
Formimi politik i munguar i një pjese të mirë të popullit, në njërën anë, por edhe injoranca e jo pak aktivistëve në skenën politike për gati tri dekada (198-2019), ia mundësoi merimangës së SHIK-ut që gjatë dy dekadave në liri, ta shpërfaqë natyrën reale, primitivizmin e pashembullt, ndërkaq përmes cinizmit, ta imponojë arbitraritetin dhe autoritarizmin vulgar si formë të qeverisjes. Të gjitha këto cilësi bashkë, të shoqëruara me psikologjinë e fashizmit, nëse do të huazojmë shprehjen nga teoricieni austriak Vilhelm Rajh (Wilchelm Reich), do ta shoqërojë skenarin për përndjekjen time, por edhe atë për nxjerrjen me çdo kusht të Lëvizjes “Vetëvendosje” si forcë të jashtëligjshme. Ky skenar duket të jetë shkruar në zyrat e Presidencës. Si i tillë, ai më kujton operacionin “Kondar”, një program i vrasjes kolektive në Argjentinën e viteve të diktaturës, kur qe instaluar dhuna shtetërore sipas modelit të Gestapos së Hitlerit, që kishte projektuar dhe ekzekutuar “heqjen qafe të disidencës së majtës”, e që, de fakto, nënkuptonte socialdemokratët. [22] Sidoqoftë, epoka e zgjimit politik po vjen, rrjedhimisht me këtë edhe fundi i injorancës dhe i cinizmit politik.
Burgu i Lipjanit[2018]- Prishtinë, shtator 2020
Fusnotat & Shënimet
[1] Hasan Prishtina, Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare 1921” (Shkodër 1921), ku përshkruan rrethanat e kryengritjes së Kosovës së 1912-ës. Shkëputur nga libri i Robert Else & Bejtullah Destani, Kosova – Një histori dokumentare, Prishtinë 2019, f. 138.
Shënim – Duke gjykuar gjendjen e krijuar pas insistimit të Riza Beg Kryeziut e Isa Boletinit për marshim drejt Selanikut, me qëllim çlirimin e Sulltan Hamitit, që xhonturqit e kishin burgosur, që të mos krijoheshin rrethana të pakëndshme mes kryengritësve shqiptarë, Hasan Prishtina jep urdhrin e shpërndarjes së forcave kryengritëse.
Në një bisedë me delegacionin nga Shqipëria e Mesme, që dukej se ishin dëshpëruar keq nga “shkalla e fanatizmit të Riza Begut, të Isa Boletinit e të shokëve të tij”, ai thekson në kujtimet e tij, se “u pata shtue se ndër këta tre a katër muej do ta përhapshim organizimin tonë ma gjansisht edhe do t’i bajshim të pakenun, n’emën të interesit së Shqypnis, disa vetë të cilët mujshin me kenë nji pengim për t’arrijtun qëllimin e shpejtë”.
[2] Shih më gjerësisht: Azem Hajdini, “Tragjedia e Tivarit“, Prishtinë 1998.
[3] Dr. Nail Draga, Masakra e Tivarit dhe rishkrimi i historisë,
Burimi: http://plavaeguciasot. com/masakra-e-tivarit-dhe-rishkrimi-i-historise/
[4] Dr. Nail Draga, po aty.
[5] Dr. Nail Draga, Po aty.
Burimi: http://plavaeguciasot. com/masakra-e-tivarit-dhe-rishkrimi-i-historise/
[6] Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Tiranë 1995, f. 75.
[7] Shënim – Janë irrituese deklaratat e funksionarëve të lartë të Republikës në përvjetorin e rënies së Afrimit, kur më tej vazhdojnë të manipulojnë opinionin, se gjoja ishin forcat serbe ato që vranë Afrimin. E vërteta është e hidhur, por ajo duhet të thuhet shqeto. Vrasësit e Afrim Zhitisë, si dhe vetë urdhërdhënësi, ishin të gjithë shqipfolës, nga ish-sekretari krahinor i punëve të brendshme e deri te komandanti dhe policët e njësisë speciale që ekzekutoi vendimin. Është koha që për këtë akt vandal të bëhet hetim zyrtar dhe të nxirren përfundime të qarta, së paku politike. Ngjashëm do të duhej të vepronin institucionet e Republikës edhe me rastin e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, ndërkaq i mbetet gjykatës të sqarojë në detaje rastin e Behadin Hallaqit.
[8] Hans Dietri Genscher, Erinerungen, München 1997, f. 647.
[9] Madeleine Albright, Faschismus – Eine Warnung, Berlin 2018, 262.
[10] Soren Kierkegaard, Was auf dem spiel Steht, Munchen 2019. f. 13.
[11] Kristo Frashëri, Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së / 1878-1941, Tiranë 2006, f. 279.
[12] Shih më gjerësisht: Universiteti Luarasi, Historia e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, botimi i katërt, Tiranë 2007, f. 335-355.
[13] Robert Elsie & Bejtullah Destani, Kosova në histori dokumentare, Prishtinë 2019, f. 366-369.
[14] Yascha Mounk, “Der Zerfall der Demokratie“, München 2019. f. 79.
[15] Steven Livitsky dhe Lucan Way: Competitive Authoritarianisu. Hybrid Regimes After the cold war, Cambridge 2010, f. 12.
[16] Pjetër Bogdani, Çeta e profetëve, Prishtinë 1990, f. 21-22.
[17] Po aty f. 22
[18] Slavomir Sieraboruski, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe anëtar i Këshillit të Lartë për Marrëdhënie me Jashtë, Koha ditore, 18/07/ 2019.
[19] Hans Dietri Genscher, Erierunggen, Munchen 1997, f. 676.
[20] Po aty, f. 678.
[21] Pjetër Bogdani, Çeta e profetëve, Prishtinë 1990, f. 87.
[22] Adolf Hitler, Mejn Kopf, Tiranë 2012, f. 259.