Nga Dr. Selim IBRAIMI
Tensionet në mes Serbisë dhe Kosovës kanë eskaluar duke ndjekur një varg deklaratash nga zyrtarët serb. Ish- kryespiuni i Serbisë, Aleksandar Vulin (BIA), në intervistën e fundit për Televizionin Kombëtar Serb (RTS) ka paraqitur disa kërcënime serioze ndaj politikanëve të Kosovës.
Ai ka përdour analogji me mënyrën se si Izraeli vepron ndaj armiqëve. “Nëse Izraeli mund ta bëjë, nëse Mossadi mund ta bëjë, pse nuk mundemi ne?”, tha Vulin. “E kemi bërë këtë më parë. E dimë se si bëhen këto gjëra”, shtoi ai.
Më vonë, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, iu kundërpërgjigj ish- zyrtarit serb duke i quajtur komentet e tij “thellësisht kërcënuese”.
Po ashtu ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një postim në Facebook tha: “Kosova është Serbi. Ka qenë dhe do të jetë.”
Valët e kërcënimeve nga Serbia tregojnë se Beogradi, në të ardhmen e afërt, mund të fillojë operacione të tilla të fshehta kundër Kosovës dhe politikanëve të tjerë në Ballkan.
Agjenda kohore e kërcënimeve serbe dhe stili i operacioneve të fshehta janë të rëndësishme. Koha konsiston në luftën në Lindjen e Mesme, ku janë publikuar raporte të reja të rreme dhe valë historish që i bëjnë thirrje Iranit të sulmojë bazën amerikane në Bondsteel të Kosovës.
Në veçanti, rasti ka ngritur shqetësime pas raportimeve se Ambasada Serbe në Teheran është goditur nga sulmi i fundit ajror nga SHBA-të dhe Izraeli. Nga ana tjetër, kërcënimet mund të jenë strategjia e Serbisë për të dekoncentruar opinionin serb nga humbja e një partneri strategjik në Lindjen e Mesme, si raportet me Iranin.
Në këtë kontekst të deklaratave të zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe të ish -inteligjencës, nuk duhet të habitemi aq shumë, sepse historikisht marrëdhëniet serbo-kosovare kanë qenë të këqija dhe të dyja shtetet po jetojnë në armiqësi të thella.
Më parë parë dhe pas rënies së Perandorisë Osmane dhe pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroate- Sllovene (SKS), atentatet dhe aksionet operative në Ballkan kanë sjellë fatkeqësi individuale e kombëtare, madje edhe fillimin e luftërave ballkanike e botërore.
Vrasja e Archduke Franc Ferdinandit në Sarajevë në vitin 1914 nga nacionalisti serb Gavrillo Princip, u bë një ndër shkaqet që atentatet më vonë të përhapen në Kosovë e më gjerë.
Në këto rrethana të reja të krijuara, Kosova dhe liderët në Prishtinë duhet të kenë kujdes nga paralajmërimet e fundit nga zyrtarët e Serbisë, pasi nuk duhet nënvlerësuar këto kërcënime të hapura që në etapa kohore kanë gjetur mbështetje nga qeveritë e kaluara në Beograd.
Ashtu siç paralajmëroi edhe ish- kryespiuni serb Aleksandar Vulin, në të kaluarën si në Kosovë dhe në diasporë, sipas dokumenteve të deklasifikuara, Beogradi ka organizuar atentate ndaj personaliteteve shqiptare të Kosovës.
Kur serbët kanë organizuar atentate kundër figurave të tyre politike siç ishte ndaj themeluesit të Partisë Demokratike (DS) Zoran Xhingjiq në vitin 2003, është më e lehtë të arsyetohen veprimet ndaj politikanëve të vendeve fqinjë ose të njëjtat të mbeten sekrete.
SHBA dhe BE kanë kërkuar nga të dyja palët që të përmbahen nga ndërmarrja e aksionve ushtarake dhe e retorikës luftënxitëse.
Historikisht, marrëdhëniet Serbi-Kosovë kanë qenë të këqija dhe vazhdojnë të mbeten të njëjta aq më shumë kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Kërcënimet e fundit nga Serbia duhet të shihen gjithashtu si një përpjekje e Serbisë për të krijuar një destabilizm të ri në Kosovë ku po atje janë krijuar rrethanat nga politika kosovare për ndërhyrje apo përzierje të Serbisë në politikën e brendshme të Kosovës.
Në ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u takua me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff.
Ai theksoi rëndësinë e KFOR-it për paqen dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë. Ai këmbënguli në respektimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244.
“Theksova se dialogu i rregullt dhe besimi i ndërsjellë mbeten çelësi i stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Serbia mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit përmes programit të Partneritetit për Paqe, duke respektuar interesat dhe sovranitetin e saj kombëtar.”
Përkundër deklarimeve të tilla protokollare që duken paqësore, Kosova nuk duhet të qendrojë e qetë.
Duke pasur parasysh përpjekjet ushtarake dhe paraushtarake serbe ndaj Kosovës, si sulmi në Banjskë në vitin 2023, dhe duke qenë të njohura reagimet serbe në vazhdimësi, qeveria në Prishtinë duhet të punojë ngushtë me forcat e KFOR-it.
Paralelisht, organet e Kosovës duhet të rrisin vigjilencën, gjithnjë në sigurinë publike, atë të zyrtarëve të lartë, të kufijve etj.
Kosova është njohur nga 101 shtete anëtare të OKB-së. Kosova nuk është njohur nga Serbia, Rusia, Kina etj., dhe pesë shtete anëtare të BE-së. Kosova dhe Serbia, deri në një farë mase, janë në bisedime nën nd[rmjetësimin e BE-së por pa sukses. Kosova po pret që të hiqen të gjitha sanksionet nga BE-ja. Komuniteti ndërkombëtar po pret që Kosova të formojë AKS-në dhe Serbia gjithashtu të ndalojë pengesat ndaj Kosvës.
Nën presidencën e re të Trumpit, disa thonë se shanset janë të larta për të filluar bisedime të reja midis dy vendeve.
Përderisa lufta në Lindjen e Mesme po merr një kurs të rrezikshëm, hapa konkretë nuk janë parë nga Uashingtoni për një raund të ri bisedimesh në mes Prishtinës dhe Beogradit.
