Sead Zimeri / Filozof
Shumë qytetarë dhe bashkëkombës shqiptarë, në Kosovë dhe në Shqipëri, duket se e kanë pranuar me lehtësi, madje me një lloj kënaqësie, faktin që Albin Kurti nuk arriti të formojë qeverinë e re. Por kjo nuk është një arsye për gëzim. Nuk është mirë as për shtetin e Kosovës, as për qytetarët e saj, as për kulturën politike shqiptare në përgjithësi. Sepse për herë të parë kishim një mundësi reale për të bërë ndryshime që do ta orientonin kulturën tonë politike drejt një shteti demokratik që përfaqëson të gjithë qytetarët e vet. Të mos e shohim këtë si humbje është të mos kuptojmë se çfarë është në rrezik: jo thjesht një qeveri, por vetë drejtimi moral e politik i kombit tonë. Humbëm një mundësi të rrallë për pjekuri demokratike, e cila është vendimtare për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të një kulture politike që di të shohë përtej rezultateve të menjëhershme. Pa një kulturë të tillë, institucionet demokratike as nuk do të funksionojnë, as nuk do të kenë legjitimitet moral. Kjo është humbja e vërtetë për ne: jo thjesht një dështim politik, por një regres i kulturës sonë politike shqiptare në tërësi.
Dua të argumentoj se një nga arsyet që mund të shpjegojnë këtë humbje, përveç faktit se opozita u ndje e kërcënuar nga çdo përparim i politikës së Kurtit, është se ne jemi kulturalisht të prirur të preferojmë rezultatet e menjëhershme mbi proceset e gjata të ndërtimit. Kjo prirje për të gjykuar politikën sipas shpejtësisë së rezultateve dhe jo sipas qëndrueshmërisë së reformave shpjegon pjesërisht pse, në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje mori rreth 41 % të votave – një rezultat i fuqishëm, por jo i mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme. Kjo mjaftueshmëri e pamjaftueshme u shndërrua në avantazh për partitë e vjetra, të cilat u bashkuan jo sepse kishin një vizion të përbashkët për vendin, por sepse i bashkonte frika e përbashkët ndaj një reforme të vërtetë.
Në këtë mënyrë, kultura jonë e durimit të shkurtër dhe frika e interesave të vjetra u takuan në një pikë fatale: sabotimin e çdo përpjekjeje për të ndryshuar rrënjësisht sistemin.
Për ta kuptuar më mirë këtë regres, duhet të shohim përtej politikës së përditshme, tek mënyra se si vetë kultura jonë politike e përfytyron suksesin dhe ndryshimin. Një gjë duket se i bashkon shqiptarët, në Shqipëri e në Kosovë: kultura e shpërblimit të menjëhershëm, prirja për t’u mahnitur nga pamja më shumë se nga përmbajtja. Kjo prirje ka prodhuar një mënyrë të re të të menduarit politik, ku rëndësi merr jo ajo që arrihet realisht, por ajo që duket si arritje. Në disa vende kjo ka marrë formën e një politike të spektaklit, ku performanca dhe imazhi zëvendësojnë përmbajtjen. Në Kosovë, e njëjta logjikë kulturore ka bërë që mungesa e spektaklit në qeverisjen e Albin Kurtit të përkthehej në perceptimin e mungesës së rezultateve. Në një kulturë të tillë, serioziteti shihet si dobësi dhe durimi si paaftësi.
Kurti është përpjekur të merret me diçka shumë më pak të dukshme, por shumë më të domosdoshme: të luftojë korrupsionin endemik dhe të ndërtojë institucione që mund të mbajnë shtetin. Asnjë vend nuk konsolidohet pa institucione të forta dhe të besueshme. Por të tilla nuk ndërtohen brenda natës, sidomos në një mjedis ku interesat e vjetra nuk dorëzojnë privilegjet pa luftë. Ata kundërshtojnë me para, me ndikim, me kontroll mbi median që ka qenë pothuajse tërësisht kundër Kurtit.
Të luftosh korrupsionin pa u bërë vetë i korruptuar do të thotë të luftosh me mjete ligjore. Por ligji është i ngadalshëm, sidomos kur prokuroria dhe gjyqësori janë të papërgjegjshëm ose armiqësorë. Të luftosh ndershëm, brenda kufijve të ligjit, është betejë e ngadalshme dhe e pasigurt. Por është e vetmja mënyrë për të ndërtuar kulturën e respektit ndaj ligjit. Kjo është kufizimi i parë i tij: ai mund të vepronte vetëm përmes institucioneve, dhe kjo kërkon kohë. Kufizimi i dytë është kulturor: objektivat e tij kërkojnë durim, ndërsa kultura jonë politike shpërblen menjëhershmërinë.
Për më tepër, konteksti ndërkombëtar në të cilin vepron Kosova është thellësisht i pafavorshëm. Për shkak të ndryshimeve gjeopolitike, Evropa dhe Amerika duken më të përkushtuara ta afrojnë Serbinë sesa ta konsolidojnë sovranitetin e Kosovës. Dhe për sa kohë që Kosova nuk është e pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, sovraniteti dhe territori i saj mbeten të negociueshëm. Terreni ku Kurti qeveris është thellësisht armiqësor, i shtruar me kufizime që nuk varen prej tij. Pavarësisht kësaj, ai ka arritur ta mbajë kursin e shtetit pa e komprometuar integritetin e tij. Ai është ndoshta i vetmi politikan që ka tentuar ta drejtojë Kosovën me dëmin më të vogël të mundshëm, duke ruajtur integritetin e saj politik dhe moral. Sovraniteti kërkon pikërisht këtë: ta forcosh aq shumë sa të mos jetë më i hapur për pazare e negociata. Në këtë kuptim, Kurti e ka drejtuar Kosovën mes Shilës dhe Karibdës – mes presionit të jashtëm dhe durimit të brishtë të brendshëm.
Kurti nuk premtoi kurrë të ishte si politikanët e mëparshëm. Vizionin e tij e përkufizonte sovraniteti i vërtetë: një Kosovë që qëndron mbi institucionet e veta, jo mbi vullnetin e jashtëm të të tjerëve. Vetëm kur shteti funksionon pavarësisht se kush e drejton mund të ketë barazi para ligjit, dhe vetëm atëherë mund të ndalet korrupsioni e arbitrariteti. Pa këto themele nuk ka drejtësi ekonomike, as mbrojtje të punëtorëve, as mirëqenie të qëndrueshme; ka vetëm kaos të oportunizmit të veshur si sukses.
Kritikët e tij po gëzohen shumë herët. Puna që ai nisi sapo ka filluar, dhe ajo që do të dëmtohet tani nuk është Kurti, por vetë shteti. Ndoshta ai mund të kishte qenë më fleksibël politikisht, por brenda kufizimeve që kishte ai bëri aq sa mund të bëhej pa shkelur parimet e tij. Humbja e tij, në këtë kuptim, është humbja jonë e përbashkët. Do të kthehemi në gjendjen nga e cila aq shumë donim të shpëtonim: sundimin e rrjeteve të privilegjit dhe spektaklit në vend të sundimit të ligjit.
Nëse nuk ndërtojmë institucione të forta, do të vazhdojmë të ndërtojmë flluska. Në vend të etikës së punës do të kemi etikën e shmangies së punës, të fitimit të shpejtë pa mund, të përgjegjësisë së shmangur. Pa institucione të pavarura qytetarët do të mbeten të pambrojtur përballë kapitalizmit grabitqar që shfrytëzon pasigurinë e tyre dhe lavdëron nënshtrimin e tyre. Sundimi i ligjit është minimumi moral i një shoqërie të denjë. Historia e tregon qartë se përparimi ndjek ligjin, jo anasjelltas. Nuk ka shembull në histori të një kombi që ka lulëzuar pa vendosur më parë sundimin e ligjit dhe respektin për të.
Prandaj pyetja e vërtetë nuk është pse Albin Kurti nuk arriti të formojë qeverinë, por pse ne si popull nuk arritëm të shohim çfarë ishte në lojë. Vazhdimisht ngatërrojmë dukjen me realitetin, spektaklin me thelbin. Ndoshta kemi pritur shumë nga një njeri i vetëm, kur ajo që duhej ishte një transformim kulturor. Politikanët nuk mund të ndryshojnë vlerat e një shoqërie me dekret. Kjo është detyrë e intelektualëve: të kultivojnë një kulturë durimi, të arritjes racionale, të respektit për përparimin e ngadaltë por të qëndrueshëm.
Vetëm atëherë do të ndalojmë së ngatërruari karizmën me karakterin, dhe spektaklin me përmbajtjen. /Nistori/
