Konflikti me Iranin tashmë ka marrë një hov jashtëzakonisht të madh, duke e lënë presidentin e SHBA-së të pafuqishëm për të kontrolluar se si – dhe kur – do të përfundojë ai.
Nga David Blair [The Telegraph]
Komentator Kryesor për Çështjet e Jashtme
Publikuar më 10 mars 2026
Si një drejtues i përsosur i emisioneve “reality show”, Donald Trump po e mban audiencën në ankth rreth asaj se kur saktësisht mund t’i japë fund luftës kundër Iranit. Të hënën, pas një bisede njëorëshe me Vladimir Putinin, ai njoftoi se konflikti ishte “pothuajse i përfunduar”. Por ideja se ky vendim do të jetë i tij, dhe vetëm i tij, është një iluzion i pastër.
Një arsye pse “Operacioni Furitë Epike” (Epic Fury) meriton të mbahet mend si “Operacioni Fasko Epike” është se Trump nuk ka fuqinë për të ndalur atë që ka vënë në lëvizje. Edhe nëse ai ndërpret operacionet luftarake amerikane, pse Irani duhet t’i bindet duke ndalur breshërinë e raketave dhe dronëve që kanë shkaktuar kaos në tregun global të energjisë dhe kanë çuar çmimin e naftës në rreth 100 dollarë për fuçi?
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) iu përgjigj deklaratës së Trump-it se fushata po i afrohej fundit, duke thënë: “Jemi ne ata që do të përcaktojmë fundin e luftës.” Ata shtuan: “Ekuacionet dhe statusi i ardhshëm i rajonit janë tani në duart e forcave tona të armatosura.”
Udhëheqësit e rreptë që drejtojnë Iranin do ta shohin faktin që presidenti i SHBA-së po shqyrton publikisht ndërprerjen e sulmit – edhe pse udhëheqja e Republikës Islamike është e paprekur dhe pushteti ka kaluar nga i ndjeri Lider Suprem, Ali Khamenei, te djali i tij, Mojtaba Khamenei – si provë se ata janë në avantazh.
Për Gardën Revolucionare, rritja e çmimit të naftës është sukses më vete. Demonstrimi i fuqisë së tyre mbi Lindjen e Mesme duke bombarduar çdo shtet të Gjirit me raketa dhe dronë “kamikazë” është gjithashtu një sukses. Dhe për regjimin, thjesht mbijetesa është fitore.
Nëse komandantët e Gardës besojnë se janë përpara, pse duhet të ndalen? Kur lideri i armikut luan publikisht me dy mendje, kjo është pikërisht koha për të shtypur më fort. Mbi të gjitha, Garda Revolucionare do të jetë e vendosur të qëllojë plumbin e fundit.
Ka ende pragmatistë në regjimin e Iranit që frikësohen se duke goditur të gjitha shtetet e Gjirit, ata kanë bërë një llogari shumë të gabuar. Masoud Pezeshkian, presidenti, madje ka kërkuar falje publike për këto sulme. Ai mund të besojë se hakmarrja maksimale e Iranit do të kthehej në bumerang duke tjetërsuar fqinjët, duke zgjatur krizën dhe ndoshta duke vërtetuar argumentin e Trump-it se lufta ishte e nevojshme për të shkatërruar kërcënimin që vjen nga raketat dhe dronët iranianë.
Por linja e ashpër e Gardës Revolucionare dhe Mojtaba Khamenei – vetë një veteran i Gardës – janë ata që tani marrin vendimet. Një pasqyrë e mendësisë së tyre u dha nga Mohsen Rezaee, një figurë veterane ushtarake: “Trump dhe Netanyahu janë bllokuar në thertoren e Gjirit Persik,” tha ai. “Gabimi i madh që bënë ishte se projektuan një luftë afatshkurtër, por nuk e kuptuan se kjo mund të kthehej në një luftë afatgjatë. Edhe fuqitë më të mëdha ndërkombëtare, nëse planifikojnë një luftë të shkurtër dhe ajo rrugës kthehet në afatgjatë, do të mposhten.”
Mbi parimin se nuk duhet të luftosh kurrë ashtu siç dëshiron armiku, Garda Revolucionare mund të jetë e vendosur t’i japë Trump-it një luftë shumë më të gjatë nga sa ai kishte parashikuar.
Por Rezaee mund të ketë gjykuar gabim palën tjetër ndërluftuese në këtë konflikt. Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, do të vendosë gjithashtu se kur përfundon lufta, dhe prioriteti i tij do të jetë dobësimi i Iranit në të gjitha frontet. Raz Zimmt, nga Instituti për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, thotë se objektivi i Izraelit është “të shkatërrojë sa më shumë që të jetë e mundur aftësitë strategjike të Iranit”, veçanërisht raketat e tij balistike.
Shkatërrimi i vendeve të ruajtjes nëntokësore dhe i lëshuesve të lëvizshëm do të marrë më shumë kohë se 11 ditët që kjo luftë ka zgjatur deri më tani. Pasi Trump njoftoi publikisht mundësinë e ndërprerjes së operacionit, Netanyahu deklaroi hapur: “Ne nuk kemi përfunduar ende.”
Edhe pa Amerikën, Izraeli ka fuqinë të vazhdojë bombardimin e Iranit. Netanyahu dëshiron të imponojë vonesën më të gjatë të mundshme përpara se regjimi i Khameneit të rindërtojë arsenalin e tij dhe programin bërthamor. Mos harroni se Netanyahu filloi sulmet mbi impiantet bërthamore të Iranit qershorin e kaluar pa pritur Amerikën.
Sidoqoftë, Hezbollahu, lëvizja terroriste me bazë në Liban, hapi një front të ri duke i ardhur në ndihmë Iranit dhe duke lëshuar raketa drejt Izraelit më 2 mars. Netanyahu u përgjigj duke dërguar forca tokësore izraelite në Libanin Jugor dhe duke kryer sulme ajrore në të gjithë vendin, përfshirë Bejrutin.
Ky shpërthim i ri në Liban nuk e përfshin drejtpërdrejt Amerikën. Pavarësisht se çfarë bën në Iran, Trump nuk ka fuqi ta ndalojë Hezbollahun dhe Izraelin nga rinovimi i konfliktit të tyre. Duke sulmuar Iranin, ai shkaktoi këtë raund të ri gjakderdhjeje në Liban – por ai nuk mund të ndalë atë që nisi pa dashje.
Trump kënaqet duke e portretizuar veten si “mjeshtër i ceremonive” në çdo rast. Por lufta që ai ka nisur në Lindjen e Mesme ka marrë një fuqi monstruoze të veten. Ka pak gjasa që ai të gëzojë kënaqësinë e të qënurit ai që qëlloi i fundit. [Përktheu: Dan GASHI]
