4 prill 2026
Nga Nicholas Kristof [The Times Opinion]
Kolumnist i Opinionit, duke raportuar nga Tel Avivi
Në natën e Vitit të Ri 1977, Presidenti Jimmy Carter e përshëndeti Iranin si “një ishull stabiliteti” dhe ngriti dolli për shahun për “dashurinë që populli juaj ju jep”. Pak më shumë se një javë më vonë, filluan protesta masive që përfundimisht e detyruan shahun e përçmuar të largohej.
Ambasadori amerikan, William Sullivan, sugjeroi në vitin 1978 se Ajatollah Ruhollah Khomeini, arkitekti brutal i Revolucionit Islamik të vitit 1979, mund të luante një “rol të ngjashëm me atë të Gandit”. Andrew Young, ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, sugjeroi në fillim të vitit 1979 se Khomeini do të “ishte disi shenjtor”.
Tani, edhe një herë, kemi hyrë keq në një rrugë pa krye me Iranin dhe gjatë këtij procesi duket se pa dashje kemi forcuar forcat më të rrezikshme dhe ekstreme në atë vend. Presidenti Trump ka të drejtë që ne kemi degraduar ndjeshëm forcat ajrore, detare dhe sistemet raketore të Iranit — por anasjelltas, Irani ka fituar ndikim duke kontrolluar kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Pra, një rezultat i çuditshëm i luftës është se Irani tani po fiton pothuajse dyfishin e të ardhurave ditore nga nafta sesa para luftës, pjesërisht për shkak të çmimeve më të larta të naftës, sipas The Economist.
Është normale që Presidenti Trump po flet për përfundimin e luftës së tij në Iran: “Ne do të largohemi shumë shpejt”, tha Trump. Problemi është se, ndërsa Presidenti Trump mund ta fillojë luftën, ai nuk mund ta përfundojë atë vetë; Irani ka të drejtë vote për këtë.
Trump tani po mburret më pak për pushtimin e Ishullit Kharg, por ai ende ruan mundësitë për përshkallëzim të pamatur dhe kënaqet me retorikën për bombardimin e Iranit “deri në epokën e gurit”. A e kupton Trump se (a) shënjestrimi i infrastrukturës civile ka të ngjarë të jetë një krim lufte, dhe (b) përgjigja e Iranit ndaj sulmeve të tilla mund të jetë kundërsulmi ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit dhe impianteve të shkripëzimit në të gjithë rajonin?
Pasi nisi luftën që çoi në mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit, Trump tani po e paraqet rihapjen e saj si një detyrë për kombet e tjera. “Ne nuk do të kemi asnjë lidhje me të”, tha ai në një moment. Ai gjithashtu i këshilloi vendet e tjera: “Shkoni merrni naftën tuaj”.
Nëse Trump e lë Iranin të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit, duke vendosur taksa të larta dhe duke ndaluar kalimin e anijeve të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose partnerët e saj ushtarakë, ai do ta ketë kthyer ndjeshëm mbrapsht ekonominë globale, do të ketë dobësuar Shtetet e Bashkuara dhe do të ketë forcuar Iranin. Dhe anijet amerikane do të mbeten të bllokuara, të paafta për t’u larguar.
Reuters vlerësoi se Irani mund të fitojë 500 miliardë dollarë gjatë rreth katër viteve vetëm nga taksat e vëna mbi anijet që kalojnë kufirin. Nëse kjo shumë do të ndahej për armatime, Irani do të kishte një nga pesë buxhetet më të mëdha ushtarake në botë.
“Kjo luftë, në terma të përgjithshëm, mendoj se është një sukses operacional, por një dështim i madh strategjik”, tha Danny Citrinowicz, ish-analist për Iranin në agjencinë e inteligjencës ushtarake të Izraelit.
Ndoshta përshkrimi më i përshtatshëm i politikës së Trump ndaj Iranit është një “labirint i paqëndrueshëm” — një frazë që Pete Hegseth e përdori në vitin 2016 për politikën e jashtme të Barack Obamës. I humbur në labirintin e tij, Trump i dha lehtësim sanksionesh Iranit edhe kur e bombardoi atë, dhe u tërhoq nga kërcënimet për krime lufte nëse Irani nuk do ta hapte ngushticën, duke sugjeruar se ngushtica nuk ishte shqetësimi ynë.
Një hap i gabuar themelor mund të ketë qenë strategjia për vrasjen e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, një tetëdhjetëvjeçar thellësisht jopopullor, së bashku me një ndihmës të lartë të sigurisë, Ali Larijani. Të dy burrat, ndonëse përgjegjës për vdekje të panumërta, konsideroheshin brenda sistemit iranian si relativisht pragmatikë dhe të kujdesshëm; zëvendësuesit e tyre duken më agresivë.
“Patjetër që kemi një ndryshim regjimi, siç tha Trump, por një ndryshim regjimi shumë, shumë të keq”, tha Citrinowicz. Ai e përshkroi vrasjen e Khameneit si “një gabim të madh”, duke thënë se nëse udhëheqësi suprem do të kishte vdekur natyrshëm, djali i tij i vijës së ashpër, Mojtaba, do të kishte pak shanse për ta pasuar atë. Në vend të kësaj, pasardhësi mund të kishte qenë dikush si Hassan Khomeini ose Hassan Rouhani, të dy të perceptuar si disi më të hapur ndaj ndryshimit.
Siç më tha Vali Nasr, eksperte për Iranin në Universitetin Johns Hopkins: “Ne në thelb larguam të gjithë njerëzit që ishin ende një pengesë brenda sistemit dhe i zëvendësuam ata me njerëzit më agresivë.”
Udhëheqja e re është e orientuar drejt Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, kështu që mund ta shohim Iranin të evoluojë në një drejtim edhe më ushtarak. Kjo është frika ime: E kemi futur Iranin në rrugën për t’u bërë një Kore e re e Veriut.
Kjo do të thotë një shtet që drejtohet më pak nga klerikët dhe më shumë nga gjeneralët, të cilët duken edhe më represivë dhe të vendosur për të pasuruar armë bërthamore. Nëse Trump largohet nga kjo luftë pa një marrëveshje paqeje — pra pa inspektime bërthamore dhe kufizime në pasurimin e uraniumit — unë shqetësohem se Irani do të pajiset me armë bërthamore gjatë pesë viteve të ardhshme.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane vlerësuan vitin e kaluar se ish-udhëheqësi suprem mbështeste pasurimin e uraniumit, por nuk autorizoi ndërmarrjen e hapit tjetër për prodhimin e armëve bërthamore. Kjo me sa duket ndodhi sepse ai donte të shmangte sanksionet dhe izolimin që kishte pësuar Koreja e Veriut.
Por udhëheqja e re mund ta shohë atë vetëpërmbajtje si një gabim historik dhe mund të preferojë modelin e Koresë së Veriut: Pasurimi i uraniumit nga Irani çoi gjithsesi në sanksione dhe luftë, pa pasur fuqinë parandaluese dhe respektin e detyruar që vjen me një arsenal të vërtetë bërthamor. Askush nuk ngacmohet me Korenë e Veriut.
Në fakt, disa nga të njëjtët zyrtarë të inteligjencës amerikane dolën në përfundimin vitin e kaluar se “udhëheqësit iranianë ka të ngjarë të kalonin drejt prodhimit të një bombe nëse ushtria amerikane sulmonte impiantin iranian të pasurimit të uraniumit në Fordo, ose nëse Izraeli vriste udhëheqësin suprem të Iranit”, siç shkruante The Times në atë kohë. Trump dhe homologu i tij izraelit, Kryeministri Benjamin Netanyahu, i bënë të dyja.
“Irani nuk mund të besohet kurrë me armë bërthamore”, tha Trump të mërkurën, por ai nuk ofroi asnjë plan për të parandaluar këtë rezultat katastrofik, ashtu siç nuk ofroi asnjë plan për të rihapur ngushticën (“Ajo do të hapet vetvetiu natyrshëm”, pretendoi ai). Çdo mision komando për të provuar rikuperimin e uraniumit të pasuruar nga nën rrënojat në Iran do të ishte një bixhoz i pamatur me jetët e amerikanëve.
Ndoshta humbësit më të mëdhenj janë iranianët e thjeshtë. Ishun protestat e tyre pro-demokracisë në janar dhe masakrat që pasuan ato që çuan tërthorazi në këtë krizë — dhe ata tani durojnë një shtypje më të madhe në një vend të shkatërruar nga bombat, ndërsa mbajnë zi për viktimat e pafajshme të luftës, ku përfshihen nxënëse shkolle dhe lojtare volejbolli. Si një shenjë e zgjerimit të shtypjes, familjarët e avokates heroike të të drejtave të njeriut, Nasrin Sotoudeh, thonë se ajo u arrestua të mërkurën dhe u dërgua në një vendndodhje të panjohur.
Opsioni më pak i keq për t’i dhënë fund kësaj lufte është përpjekja për të negociuar një marrëveshje paqeje me Iranin, duke përdorur si bazë planin konstruktiv të paqes me pesë pika që kanë paraqitur Kina dhe Pakistani. Por Irani duket se beson se e ka avantazhin dhe negociatat do të jenë të vështira.
Teksa shoh këtë luftë, mendja më shkon te një proverb i vjetër: Një i marrë mund të hedhë një gur në pusetë, por 100 të urtë nuk mund ta nxjerrin dot atë. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Nicholas Kristof u bë kolumnist për gazetën The Times Opinion desk në vitin 2001 dhe ka fituar dy çmime Pulitzer. Kujtimet e tij të reja janë “ Duke ndjekur shpresën: Jeta e një gazetari ”.
