Nga Dr. Selim IBRAIMI
SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë si një mënyrë për ta sjellë presidentin rus Vlladimir Putin në tryezën e negociatave. Por disa analistë paralajmërojnë se Rusia mund të tërhiqet për momentin, dhe sanksionet e reja do ta mbajnë Moskën jashtë marrëveshjeve, me mundësi të larta për të vazhduar luftën ndryshe në Ukrainë për një kohë të pacaktuar.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së javën që shkoi, vendosi sanksione për herë të parë ndaj Rusisë që kur administrata e re e presidentit Donal Tramp erdhi në pushtet në janar të këtij viti. Vendimi ishte si rezultat i mungesës së angazhimit serioz të Rusisë ndaj procesit të nisur nga SHBA për t’i dhënë fund luftës afro katër vjeçare në Ukrainë. Sipas Departamentit të Thesarit, veprimet ameirkane do ta rrisin presionin mbi sektorin e energjisë të Rusisë dhe do ta dobësojnë aftësinë financiare të Moskës për luftë.
Në kumtesën e Departamentit të Thesarit thuhet se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje paqësore të luftës. Një paqe e përhershme varet tërësisht nga gatishmëria e Rusisë për të negociuar me mirëbesim. Sipas njoftimit të Departamentit të Thesarit, SHBA ka vendosur zyrtarisht sanksione të plota ndaj kompanisë së gazit të quajtur Rosneft dhe Lukoil. Sipas njofitmeve të shtypit, sanksionet do të prekin jo vetëm kompanitë kryesore, por edhe dhjetëra degë të tyre, duke përfshirë rafineritë e naftës, kompanitë e minierave, firmat logjistike, qendrat teknologjike etj.
“Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”, tha Sekretari i Departamentit të Thesarit, Scott Bessent.
“Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Vlladimir Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë luftën e Kremlinit”. “Departamenti ynë është i përgatitur të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme për të mbështetur përpjekjet e presidentit Tramp për t’i dhënë fund një lufte tjetër. Ne i inkurajojmë aleatët tanë të bashkohen me ne në respektimin e këtyre sanksioneve.” tha Scott Bessent.
SHBA dhe BE për herë të parë pas marrjes së detyrës nga presidenti Tramp, po veprojnë bashkë kundër Rusisë. Kështu, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një bisede telefonike me Sekretarin amerikan të Thesarit Scott Bessent, tha se ky është një sinjal i qartë nga të dyja anët e Atlantikut se do të vazhdojmë presionin kolektiv mbi agresorin.
Shtetet e BE-së menjëherë pas vendimit amerikan e miratuan paketën e 19-të të sanksioneve kundër Moskës, që përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm rus, njoftoi të mërkurën në një kumtesë presidenca daneze e radhës e BE-së. Sipas paketës të sanksioneve evropiane, ndalimi i LNG-së (Gazi Natyror i Lëngshëm) do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh dhe kontratat afatgjata nga 1 janari i vitit 2027. Ndalimi i plotë vjen një vit më herët se plani i propozuar i Komisionit Evropian për t’i dhënë fund varësisë së BE-së nga lëndët djegëse ruse. Paketa e re e BE-së përfshinë gjithashtu kufizime të reja udhëtimi për diplomatët rusë dhe radhit 117 anije të tjera nga flota e Moskës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në rrjetin X shkruajti se shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë. “Ne po e mbajmë presionin të lartë mbi agresorin. Për herë të parë, po godasim sektorin e gazit të Rusisë – zemrën e ekonomisë së saj të luftës”. “Ne nuk do të dorëzohemi derisa populli i Ukrainës të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ndërkohë, reagimet ruse ishin të forta po të enjten. Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha: “SHBA-të janë kundërshtari ynë dhe ‘paqebërësi’ i tyre i folur – që do të thotë Tramp – “tani ka marrë plotësisht rrugën e luftës me Rusinë”. “Ne e shohim këtë hap si thjesht kundërproduktiv”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zakharova në një konferencë për shtyp. “Nëse administrata aktuale amerikane vendos të ndjekë shembullin e paraardhësve të saj”, tha ajo, “rezultati do të jetë saktësisht i njëjtë: Një dështim, si politikisht në vend ashtu edhe i dëmshëm për stabilitetin ekonomik global”, nënvizoi Zakharova.
Në këtë drejtim, disa analistë i shohin sanksionet e SHBA-së si simbolike, por disa të tjerë kanë pikëpamje të ndryshme duke theksuar vendosmërinë e SHBA-së që një marrëveshje paqje duhet të arrihet me lëshime nga Ukraina dhe Rusia. Stujart Rollos, studiues në Qendrën për Studime Ndërkombëtare të Sigurisë në Universitetin e Sidneit, për BBC-në tha se sanksionet shërbejnë për dy qëllime kryesore: “të ndikojnë materialisht në kapacitetin industrial të Rusisë për të zhvilluar luftë dhe ta detyrojnë përfundimisht Rusinë të pranojë kushtet e paqes nga frika e ndikimeve në rritje të sanksioneve në ekonominë dhe shoqërinë e tyre”.
Majkëll Raskana, analist i lartë në Programin e Transformimeve ushtarake në Universitetin Teknologjik Nanyang të Singaporit, mendon se në një proces afatshkurtër, sanksionet e reja kundër Rusisë “nuk kanë gjasa të ndryshojnë ekuilibrin ushtarak në Ukrainë”. “Ndërsa kufijtë e fitimit tkurren, Rusia do të përballet me kompromise të vështira të stabilitetit socio-ekonomik” tha ai për BBC-në.
Në frontin e sanksioneve ndërkombëtare, qeveritë e Ballkanit, të cilat iu janë bashkuar politikave të BE-së, pavarësisht dallimeve, kanë qenë nën presion për të pranuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Serbia dhe serbët e Bosnjës nuk i kanë mbështetur sanksionet e SHBA-së dhe BE-së. Kompania kryesore e naftës serbe, NIS e cila deri në 45 përqind është në pronësi të kompanive ruse të gazit, nga sanksionet e fundit amerikane është detyruar të shikojë zgjidhje të tjera se si të vazhdohet më tej. Sanksionet amerikane kanë ngjallur frikë në qeverinë serbe për të ardhmen jo vetëm të kompanisë, por edhe të sigurisë energjetike serbe.
Që nga shkurti i 2022-ës, importet serbe nga Rusia kanë rënë dhe me sanksionet e reja, varësia pritet të marrë një drejtim tjetër. Plani i Rritjes së BE-së dhe alternativat e tjera do ta shtyjnë Serbinë drejt objektivave të tjera gjeopolitike të cilat do të kenë ndikim në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën. Disa analistë të tjerë të Ballkanit thonë se paketa e fundit e BE-së dhe sanksioneet e reja të SHBA-së, nuk do të ndryshojë aq shumë realitetin e krijuar në Ukrainë dhe aq më pak në Ballkan. Rusia do të jetë në gjendje të vazhdojë luftën dhe madje të rrisë tensionet në krahun lindor të anëtarëve të NATO-s dhe më gjerë në Ballkan.
Një samit paqeje në mes SHBA-së dhe Rusisë ishte paralajmërur të organizohet në Budapest të Hungarisë, por për arsye të mospajtimeve ruso-amerikane, samiti u anulua duke ju lënë vend saknioneve të reja kundër Rusisë. Një fakt është shumë i qartë se Rusia, në plan afatgjatë, duhet të gjejë një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës. SHBA që nga nga janari me presidentin Donald Tramp është vënë në funksion të paqes me kritika dhe mbështetje në BE, Ukrainë, Rusi e më gjerë. Bashkëpunimi i fundit SHBA-BE është vlerësuar si i papritur, duke i marrë në konsideratë raportet e tendosura transatlantike të shoqëruara sipas kritikëve me veprime të shpejta të administratës së presidentit Donald Tramp.
Sipas një raporti të CNBC-së, nga sinkronizimi i fundit transatlantik, të ardhurat vjetore Rusisë do t’i ulen. Më parë, fitimet ruse nga shitjet e naftës arrinin deri në 100 miliardë dollarë. Uniteti SHBA-BE në këtë moment duhet të jetë me siguri një shqetësim tjetër për Moskën dhe aleatët e saj.
