Nga Dan Gashi, Njujork
Për aksionin e befasishëm të SHBA-së në Panamë po flitet, shkruhet dhe prezantohet 24 orë në të gjitha mediat botërore. Për çdo orë ka informata plotësuese, konfuze, të pakonfirmuara dhe me qëllime politike e propagandistike. Me siguri se duhet edhe shumë kohë të kuptohet pjesërisht skenari dhe ekzekutimi i këtij sulmi kompleks dhe me pasoja gjeopolitike, por edhe me supozime e pikëpyetje nga disa aspekte, duke filluar nga ai ushtarak.
Ajo që ndodhi në Venezuelë është e ngjashme me rënien e Asadit në vitin 2024. Me një angazhim simbolik ushtarak dhe ajror të koordinuar, pa reagim të forcave kundërajrore venezueliane, pa rezistencë të armatosur, pa personel ushtarak amerikan te vrare, te kapur ose te zhdukur. Bombardimi ishte shumë i kufizuar, duke shënjestruar vetëm caqet specifike, jo aeroportin apo bazën ushtarake. Konteksti politik ishte gjithashtu i pazakontë; brenda spektrit politik të Venezuelës nuk pati reagime kolektive të menjëhershme, përpos Ministrit të Jashtëm, përfaqësuesit në Kombet e Bashkuara dhe Ministrit të Mbrojtjes. Nga jashtë pati reagime modeste. Turqia, Irani, Kolumbia dhe Bjellorusia ishin vendet e para që shprehën një qëndrim të qartë. Rusia lëshoi një deklaratë duke dënuar sulmin e Trump-it dhe duke bërë thirrje për garantimin e integritetit territorial të Venezuelës. E gjithë kjo pas largimit të personelit ushtarak rus nga bazat venezueliane dy javë më parë. Një veprim që nuk duket aspak rastësor. Në mënyrë të ngjashme, nuk pati asnjë deklaratë të fortë nga Kina, e cila vetëm 24 orë më parë kishte dërguar të dërguarin e saj të posaçëm për t’u takuar me Maduron. Nga Bashkimi Evropian, Kaja Kallas deklaroi se BE-ja po “monitoron” situatën, pasi foli me Mark Rubion dhe ambasadorin në Karakas, dhe se BE-ja vazhdon ta dënojë Maduron e dëshiron një tranzicion paqësor në Venezuelë.
Ajo që mësohet nga media dhe dëshmitë lokale, nuk ka demonstrata në favor të presidentit, e as ndonjë festim të veçantë për kapjen e tij. Kuptohet, këto të dhëna mund të ndryshojnë shumë shpejt, varësisht zhvillimeve brenda dhe jashtë Venezuelës. Interesi për naftë, ar, litium dhe pasuritë e nëntokës së Venezuelës është motivi amerikan i konfirmuar publikisht nga Trump-i dhe administrata e tij. Duhet cekur se, edhe pse Venezuela posedon rezervat më të mëdha të naftës në botë, nuk ka gjasa që ndonjë kompani e madhe amerikane të investojë miliarda në një vend që vazhdon të karakterizohet nga paqëndrueshmëri e thellë dhe qeverisje e pasigurt. Ndërkohë, qe Kina mbetet blerësi kryesor i naftës në Venezuelë, dhe një ndryshim regjimi është më tepër se aq; është një lojë komplekse me përplasje për burimet strategjike, pozicionime gjeopolitike dhe rreziqe ekonomike.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të veprojnë si mbikëqyrësi i botës. Kur u përshtatet atyre, ata eliminojnë fizikisht udhëheqësit, veçanërisht kur nuk kanë ndërmend t’i nënshtrohen rregullave të tyre. Historia e kohëve të fundit është plot me shembuj: Lumumba, Allende, Gaddafi të vrarë me armë; Maduro, Millosheviç, Huseini të kapur. Lista e ndërhyrjeve është e gjatë; vetëm në Amerikën e Jugut, SHBA-të kanë kryer 19 grushte shteti që nga viti 1904. Duhet të marrim në konsideratë një fakt shumë konkret gjeopolitik: realpolitika dhe teoria politike shpesh veprojnë me parametra të ndryshëm brenda hapësirës dhe kohës. Një botë shumëpolare përfshin ripërcaktimin e zonave të ndikimit të fuqive të mëdha si: SHBA-ja, Rusia, Kina, India e kohët e fundit edhe Turqia. Aty ku SHBA-ja duket në tërheqje, e shohim duke u përqendruar në Amerikën e Jugut, një zonë që qartësisht dëshiron ta ketë nën kontroll të plotë.
Ngritja e këtij rendi të ri botëror është një proces tragjikisht i pashmangshëm që përfshin rënien e dhimbshme dhe me pasoja të atij të mëparshmit. Kur shohim Rusinë dhe Kinën duke u zgjeruar në Afrikë, ose Indinë duke depërtuar në Evropë, Turqinë në pjesët e Lindjes së Mesme, nuk janë ndodhi spontane, por përkundrazi zbatim në hapësirë dhe kohë i politikave të projektuara në korridoret, qendrat e institutet përkatëse të fuqive relevante. Zbatimi i këtij rendi të ri botëror nuk është i lehtë e as i përsosur, por anormal, i pakonsideratë dhe plot incidente. Nocioni se hegjemonia amerikane nuk mund të ballafaqohet me një aleancë të fortë dhe të bashkuar nga aktorët e tjerë gjeopolitikë është i gabuar, ngase të gjithë vuajmë nga një sistem institucional i paqëndrueshëm që nuk kanë arritur të ndërtojnë, si dhe nga konfuzioni, skepticizmi dhe dyshimi i ndërsjellë. Në reliefin gjeopolitik, ajo që shohim të ndodhë është gjithmonë vetëm maja e ajsbergut.
