Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Në diplomaci, ndryshimet e rëndësishme rrallë ndodhin përmes deklaratave dramatike. Ato shpesh shfaqen në mënyrë të heshtur, përmes detajeve procedurale, formulimeve burokratike ose ndryshimeve në praktikën institucionale. Një zhvillim i tillë duket se po ndodh edhe në raportin e BE-së me Kosovën: largimi gradual i të ashtuquajturës “fusnotë” nga disa dokumente dhe komunikime të strukturave të BE-së.
Në pamje të parë, bëhet fjalë për një çështje teknike. Në realitet, kjo ka një domethënie më të gjerë politike dhe diplomatike, sepse fusnota ishte për më shumë se një dekadë simboli më i dukshëm i neutralitetit statusor të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Këtë akt të Komitetit të Rajoneve të BE-së rrjedhimisht mund ta cilësojmë edhe si një paralajmrim i ndryshimit esencial të qëndrimit të Brukselit ndaj Kosovës, që do t’i jap fund pozicionimit asimetrik në relacionin Bruksel-Prishtinë-Beograd
Origjina e një kompromisi diplomatik
Fusnota u krijua në vitin 2012 si pjesë e marrëveshjeve teknike të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Formulimi i saj ishte rezultat i një kompromisi diplomatik që ju imponua Kosovës e që synonte të mundësonte pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizma rajonalë pa detyruar shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj ta ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Teksti i fusnotës i referohej Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në thelb, ajo ishte një formulë juridiko-diplomatike për të mbajtur bashkë dy realitete politike kontradiktore: njohjen e Kosovës nga shumica e shteteve të BE-së dhe refuzimin e kësaj njohjeje nga disa të tjerë.
Në atë kohë, fusnota u paraqit si një zgjidhje pragmatike për të zhbllokuar pjesëmarrjen rajonale të Kosovës. Por shumë shpejt ajo u shndërrua në një simbol të ambiguitetit evropian ndaj statusit të Kosovës. Ky pozicionim i BE-së pati asoja dhe vazhdon të ketë edhe sot, meqë shkonte në dobi të strategjis serbe për trajtimin e Kosovës si shtet i dështuar ose së paku në dështim e sipër.
Evolucioni i realitetit politik
Që nga viti 2012, konteksti politik në Evropë dhe në rajon ka ndryshuar ndjeshëm. Kosova është integruar gradualisht në një numër gjithnjë e më të madh instrumentesh dhe mekanizmash të Bashkimit Evropian. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, liberalizimi i vizave dhe pjesëmarrja në programe të ndryshme evropiane kanë krijuar një realitet të ri institucional.
Ndërkaq në planin e brendshëm, shtrirja e sovranitetit në veri të Republikës, ka përmbysur shumë plane që kishin të bënin me mundësinë e ndarjes së veriut dhe aneksimin e tij Serbisë.
Në këtë realitet, fusnota ka filluar të duket gjithnjë e më shumë si një relike e një faze të mëhershme diplomatike. Për shumë zyrtarë dhe burokratë evropianë, përdorimi i saj në dokumente teknike apo administrative është bërë jo vetëm i panevojshëm, por edhe artificial.
Pikërisht këtu duhet kuptuar rëndësia e zhvillimeve të fundit. Në disa dokumente dhe komunikime të strukturave të Komisionit Evropian, emri i Kosovës është përdorur pa fusnotën e zakonshme. Ky nuk është një ndryshim formal i politikës së BE-së, por është një tregues i qartë i një transformimi gradual të praktikës institucionale.
Politika që ndryshon përmes praktikës
Në Bashkimin Evropian, ndryshimet e politikës shpesh ndodhin në mënyrë graduale. Për shkak të nevojës për konsensus mes 27 shteteve anëtare, institucionet evropiane shpesh preferojnë të ndryshojnë fillimisht praktikën administrative përpara se të ndryshojnë formulimet politike.
Në rastin e Kosovës, pengesa kryesore për një ndryshim të plotë formal mbetet fakti se pesë shtete të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e saj: Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Kjo do të thotë se një ndryshim formal në politikën e BE-së ndaj Kosovës kërkon konsensus unanim, gjë që mbetet politikisht e ndërlikuar. Megjithatë, realiteti institucional i Bashkimit Evropian shpesh evoluon edhe pa një vendim të tillë formal.
Në këtë kuptim, largimi i fusnotës nga disa dokumente mund të shihet si një korrigjim i heshtur dhe I mirëseardhur i praktikës diplomatike të BE-së.
Mesazhi politik i këtij zhvillimi
Ky zhvillim dërgon disa mesazhe të rëndësishme politike.
Së pari, ai reflekton faktin se për shumicën e institucioneve evropiane Kosova po trajtohet gjithnjë e më shumë si një partner institucional i zakonshëm, jo si një entitet me status të paqartë.
Së dyti, ai tregon se neutraliteti statusor i BE-së po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u ruajtur në praktikë. Sa më shumë që Kosova integrohet në politikat dhe programet e Bashkimit Evropian, aq më artificial bëhet përdorimi i formulimeve që sugjerojnë neutralitet ndaj statusit të saj.
Së treti, ky zhvillim pasqyron edhe një realitet më të gjerë gjeopolitik: në një kohë kur stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është bërë çështje strategjike për Evropën, Bashkimi Evropian ka gjithnjë e më pak interes të ruajë formulime që krijojnë paqartësi politike.
Një ndryshim i vogël me domethënie të madhe
Natyrisht, nuk duhet ekzagjeruar domethënia e këtij zhvillimi. Largimi i fusnotës nga disa dokumente nuk përbën një njohje të re të Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe as një ndryshim formal të politikës së tij.
Megjithatë, në diplomaci simbolika ka rëndësi. Fusnota ishte për më shumë se një dekadë simboli i kompromisit dhe i ambiguitetit. Zbehja e saj në praktikën institucionale tregon se ky kompromis po humb gradualisht funksionin e tij.
Në këtë kuptim, ajo që po ndodh sot mund të përshkruhet si një korrigjim i heshtur i realitetit diplomatik evropian ndaj Kosovës. Dhe shpesh në politikën ndërkombëtare, korrigjimet e heshtura janë ato që paralajmërojnë ndryshimet më të mëdha.
