Në një intervistë ekskluzive për ARGUMENTUM.al, Gjeneral Piro Ahmetaj, ekspert i lartë për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me SHBA/NATO, ish-zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe themelues i Përfaqësisë së Shqipërisë në NATO, flet për luftën 4 vjeçare në Ukrainë, rolin e NATO-s dhe perspektivat strategjike për Ballkanin Perëndimor. Ai diskuton ndryshimin nga Rendi Vjetër drejt Rendit të Ri të Sigurisë Globale, duke analizuar peshën e SHBA-ve, por dhe sfidat dhe mundësitë gjeopolitike për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Në këtë udhëkryq kritik për paqen, sigurinë dhe vlerat e qytetërimit, mbetet domosdoshmëri kritike për tu shkundur dhe transformuar rendi global,” thotë Gjeneral Ahmetaj, duke theksuar sfidat dhe mundësitë që sjell një rend i ri sigurie, i ndërtuar mbi kohezionin euroatlantik dhe fuqinë ushtarake të aleatëve.
Ai vlerëson rezistencën heroike të Ukrainës, duke treguar se vendi mban mbi 300,000 luftëtarë dhe ka zhvilluar kapacitete moderne ushtarake, përfshirë tanke, avionë, dronë dhe raketa me rreze deri 1,000 km. “Fitorja e Ukrainës do të shërbejë si mesazh force për çdo agresor si dhe do të konfirmojë vendosmërinë e SHBA/NATO për të mbrojtur sovranitetin e 32 vendeve dhe interesat Euroatlantike” thekson Ahmetaj.
Gjenerali shprehet gjithashtu për rëndësinë e aleancave dhe rolit të Ballkanit Perëndimor në sigurinë euroatlantike: “Prioriteti ynë është modernizimi dhe faktorizimi i fuqisë ushtarake, balancave demokratike të pushteteve, si dhe forcimi i bashkëpunimit strategjik me SHBA/NATO.” Ai nënvizon se “asnjë vend nuk i mbijeton dot i vetëm një përshkallëzimi fatal ose lufte moderne, por sidomos shtetet e vogla nuk e kanë luksin të bëjnë gabime strategjike.”
Z. Ahmetaj thekson se mbështetja e pandërprerë perëndimore për Ukrainën dhe kohezioni i NATO-s janë vendimtarë: “Pas katër vitesh luftë, Rusia ka humbur betejën për të minuar unitetin euroatlantik, ndërsa SHBA/NATO kanë rritur prezencën dhe mbeshtetjen ushtarake, duke përfshirë tanke, avionë, raketa dhe sisteme Patriot.” Ai gjithashtu rikujton rëndësinë e forcimit të kapaciteteve kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës si pjesë e strategjisë së përgjithshme: “Platforma ‘2 Shtete Sovrane, 1 Komb i vetëm’ dhe bashkëpunimi me SHBA synojnë të garantojnë paqen afatgjatë dhe integrimin euroatlantik të rajonit.”
Duke u ndalur te rendi global i sigurisë, Ahmetaj paralajmëron se krizat ndërkombëtare dhe sfidat e reja kërkojnë një qasje të fortë: “Rendi global i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk ekziston më. Ngjarjet në Ukrainë, ekspansioni i Kinës dhe kërcënimet bërthamore të Rusisë imponojnë nevojën për një rend të ri sigurie, të bazuar mbi fuqinë ushtarake, solidaritetin euroatlantik dhe mbrojtjen e demokracisë.”
Ndërsa referuar sulmit vdekjeprurës të ushtrisë ShBA-ve dhe Izraelite ndaj sundimtarit gjakatar (36 vjet) si dhe gadës revolucionare, në fakt terroriste të Ajatallah-ut të Iranit, në 28 shkurt 2026, Gjeneral Ahmetaj thekson se: “ky sulm është sprova e sukseshme e Rendit të Ri/Trump të Sigurisë Globale si dhe mesazh i fuqisë shkatërrimtare të Ushtrise Amerikane ndaj diktatorëve të dalldisur nga paranojat e mbi-Pushtetit (Putinit, Kim Jong, etj), shteteve dhe organizatave terroriste që kërcënojnë edhe me armë bërthamore se do i bëjnë gjemën njerëzimit”.
“Paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme. Në këtë kohë sfidash, nuk vlejnë as privilegjet politike, as lufta për pushtet, por vetëm dashuria për vendin, vizioni dhe partneriteti strategjik me SHBA/NATO,” e përmbyll këtë intervistë Gjeneral Piro Ahmetaj.
Intervistoi: Marjana Doda
Kryeredaktore| ARGUMENTUM
Znj. Marjana DODA: I nderuar Gjeneral Ahmetaj, faleminderit që pranuat ftesën për intervistë. Katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë, duket se konfliktet janë bërë edhe më të ndërlikuara, ndërsa realiteti gjeopolitik nuk ka aspak ngjashmëri me atë të katër viteve më parë. Me ardhjen e administratës së re amerikane, me në krye Presidentin Trump/2, duket se janë tronditur themelet dhe janë vënë në lëvizje linja të reja të politikës globale. Aleanca të reja po krijohen, ndërsa ato tradicionale po sfumohen gradualisht.
Z. Ahmetaj, dëshiroj ta nisnim këtë intervistë ekskluzive për “Argumentum” me këndvështrimin tuaj mbi çështjet kyçe të kërcënimeve dhe sfidave ndaj paqes, sigurisë dhe gjeopolitikës?
Gjeneral ® Piro Ahmetaj: Paraprakisht, dëshiroj t’ju falënderoj për konsideratat, si dhe t’ju uroj suksese në misionin tuaj, sa kombëtar aq edhe fisnik njëherësh, për të përditësuar komunitetin e sigurisë, të gjeopolitikës, median, pse jo edhe opinionin publik, mbi kërcënimet, sfidat dhe oportunitetet gjeopolitike që po pasojnë ndryshimet radikale, për disa kaotike të rendit global, europian dhe rajonal të sigurisë.
Me këtë rast, falënderoj po ashtu median në Tiranë, Prishtinë, Kiev, Washington, Rajon, Bruksel etj., për publikimet, dhjetëra prej të cilave i janë dedikuar fushëbetejës për/me Ukrainën, ku përgjatë katër viteve kam përsëritur se: “agresioni neo-nazist i Rusisë putiniste në shkurt 2022 nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe një kërcënim serioz ndaj rendit global të sigurisë, interesave, kohezionit, kufijve dhe vlerave demokratike, si dhe ndaj fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike”.
– I nderuar Gjeneral, 4 vite pas agresionit rus në Ukrainë, a mund të themi se arkitektura e sigurisë europiane e pas vitit 1991 de facto ka përfunduar dhe a po hyjmë në një epokë që dominohet nga rivaliteti i fuqive të mëdha?
Me mirëkuptimin tuaj do doja ta nisja me një korrigjim, duke saktësuar që analiza mbi rendin e sigurisë nuk do të ishte e plotë nëse marrim për referencë 1991. Thënë këtë, jam i vetëdijshëm që pas 1990, pra me rrëzimin e Murit të Berlinit, kapitullimin e Bllokut Lindor, me Politikën e Dyerve të Hapura të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe me ndryshimet e paparashikueshme të natyrës së kërcënimeve hibride, lindjen e fuqisë së Qeverisjes së Inteligjencës Artificiale, me rikthimin e frikshëm të garës së armatimeve, edhe arkitektura e sigurisë globale, europiane, përfshi Ballkanin, ka pësuar ndryshime radikale.
Për të mos devijuar nga pyetja, më duhet të shtoj se në vend të Lidhjes së Kombeve, krijuar në 1919 (që dështoi në ndalimin e Luftës së 2 Botërore), në tetor 1945 u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB/UN), e cila ndër 80 vite është zgjeruar deri në 193 shtete. Sigurisht nuk ka munguar vullneti, përpjekjet si dhe disa arritje, por nga ana tjetër është, besoj, fakt i pamohueshëm që edhe rendi aktual (de facto i vjetri) ka keq-dështuar për të shmangur gjenocidin e Millosheviçit në Srebrenicë dhe Kosovë, rikthimin e Rusisë te lufta neo-naziste në Ukrainë; 22 vjet rezoluta apo lutje për të ndaluar Ajatollah-un në prodhimin e armëve bërthamore apo përballjen me narkoterrorizmin në Lindjen e Mesme, Venezuelë, etj.
Brenda kontekstit euroatlantik, duhet përmendur se elita gjeopolitike e kohës, e kryesuar nga Gjenerali mirënjohur David Eisenhower, më 4 prill 1949 (6 vjet para Traktatit të Varshavës), themeloi NATO-n. Pas shkrirjes së Paktit të Varshavës, oponentë me zë kërkonin shkrirjen edhe të NATO-s, por falë transformimeve, ajo vijon të mbetet jo vetëm garantuese e tërësisë territoriale për 32 vendet anëtare (neni 5), por edhe aleanca më afatgjatë, më e suksesshme si dhe më e fuqishme në historinë e njerëzimit.
Ndërsa, siç dihet, BE u krijua në 1951, që bashkë me Planin Marshall shërbyen si gjysma e arrës së NATO-s në triumfin (pa luftë) të Perëndimit ndaj Lindjes staliniste. Struktura e posaçme e sigurisë përbëhet nga: (a) Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes, e themeluar në 1992 (CSDP = Common Security and Defence Policy), ndërsa (b) në dhjetor 2017 u ngrit PESCO (Permanent Structured Cooperation), si në mars 2003 (c) Berlin Plus, të cilat së bashku shërbejnë si mekanizëm/strukturë që lejon BE-së të përdorë kapacitetet e planifikimit të NATO-s edhe për operacionet e BE-së. Gjithsesi, Europa mbetet e varur nga garancia strategjike e SHBA-së, veçanërisht nga (pa)fuqia bërthamore, por jo vetëm.
Duke shpresuar që me sa më sipër të kemi siguruar një pamje të plotë të arkitekturës së sigurisë, po theksoj se rendi aktual është në kolaps (agoni), kryesisht për shkak të krizës së rëndë të besimit mbi OKB-në, duke qartësuar që thelbi global është Këshilli i Sigurimit, i cili, në vend që të ishte një forum i ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë globale, “më së shumti ngjet me një klub të mbyllur kumarxhinjsh, ose një muze i fituesve të Luftës së 2 Botërore”, ndërsa “mekanizmi i vetos” si një murtajë morale e mosbesimit të OKB-së.
– A ka arritur Rusia ndonjë nga objektivat strategjike fillestare dhe a është kjo tashmë një luftë konsumimi që mund ta favorizojë Moskën në planin afatgjatë?
Para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, më duhet të risjell në vetëdijen publike se, pas 48 muajsh, udhëheqës të deformuar nga fuqia e (mbi)pushtetit dhe nostalgjikë të “lavdisë së Ushtrisë së Kuqe” në Kremlin dhe jo vetëm; politikanë të korruptuar dhe kamikazë antiperëndimorë, si dhe sekserë të interesave të oligarkisë (përfshi në Shqipëri), e mbivlerësuan fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale ose numër [tankesh; MiG-29 (ekuivalent me F-35); mbushjesh armësh bërthamore (rreth 5800 nga 5200 SHBA), etj.]. Për pasojë, parashikuan skenarin më ogurzi: “maksimumi 3 muaj, Kremlini (9 maj 2022) do ta celebronte në Kiev, me lule dhe valle, fitoren e lavdishme të pushtimit të Ukrainës si dhe triumfin ndaj NATO/BE”.
Por ja ku jemi sot. Falë rezistencës heroike të ukrainasve, si dhe falë mbështetjes së pakushtëzuar të Aleancës Euro-Atlantike, “jo pas 3, por ende pas 48 muajsh, Rusia putiniste e ka humbur me turp objektivin strategjik të luftës dhe as ka për ta zhvilluar kurrë paradën e fitores madhështore në Kiev”. Në të kundërt, pas 48 muajsh është futur e rraskapitur në llogoret e Zaporizhzhia Oblast, Klishchiivka, Bakhmut, etj., duke lënë në fushëbetejë: “mbi 1 milion të vrarë dhe plagosur rëndë; më shumë se 12 trilionë € kosto e luftës, ose mbi 4 vjet sa Prodhimi i Përgjithshëm Neto i Rusisë (2.541 trilionë € për 2025)”.
Nga ana tjetër, duhet theksuar edhe më qartë se, pavarësisht fushatave të dëshpëruara si shtet terrorist ndaj popullsisë civile, spitaleve, hidrocentraleve, tubacionit ndërkombëtar të amoniakut, avantazheve nga mbrojtja në transhe, etj, Rusia ka humbur edhe moralin e ushtrisë, epërsinë operacionale, iniciativën strategjike, krenarinë dhe kohezionin e kombit rus rreth luftës, betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale dhe fuqinë e Aleancës Euroatlantike.
Kështu, mbas 4 vjet luftimesh, Rusia putiniste gjendet edhe më e izoluar dhe më e diskredituar se asnjëherë më parë në historinë e saj. Nga 195 (përfshi Kosovën), vetëm 4 shtete (Koreja e Kim Jong-un dhe 3 shtete terroriste të Afrikës) e njohën këtë aventurë neo-naziste para 4 vitesh. Po për shkak të kësaj lufte, rrezikon potencialisht përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit, si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare është lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe më tej për të gjithë listën e gjeneralëve dhe oborrtarëve zullumqarë rreth tij
-Cili është skenari më realist për Ukrainën: “konflikt i ngrirë apo marrëveshje e imponuar”?
Para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, dëshiroj të përsëris përuljen ndaj martirëve të rënë në fushëbetejë, si dhe respektin më të thellë për përballjen stoike dhe sakrificat e ushtrisë dhe popullit ukrainas. Nga ana tjetër, dëshiroj t’i bashkohem mesazhit të mençur të ambasadorit të Ukrainës, Volodymyr Shkurov, në aktivitetin me rastin e 4-vjetorit me/për Ukrainën dhe kundër luftës së përgjakshme: “përtej solidaritetit, europianët, qytetarët e mbarë globit, duhet t’u jemi mirënjohës luftëtarëve ukrainas, pasi ata/ato po luftojnë me heroizëm jo vetëm për integritetin e kombit të tyre, por edhe për paqen, kufijtë e demokracisë, vlerat njerëzore, si dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)”!
Po ashtu, sjellim në vëmendje se pas 4 vite luftimesh të përgjakshme, me qëndresën e saj heroike dhe të paparashikuar në skenarët edhe më optimistë, ushtria ukrainase i ka surprizuar kancelaritë perëndimore dhe strategët (përfshi autorin), ndër të cilat mund të përmendim jo vetëm mbrojtjen, por edhe poshtërimet që Rusia ka pësuar nga shkurti 2022 deri në qershor 2025, të tilla si: “tërheqja me turp e forcave ruse nga rrethinat e kryeqytetit në shtator 2022; shkatërrimin e 30 % të fuqisë detare, përfshi ‘nëndetësen Moskva’, ose krenarinë e Flotës Ruse në Detin e Zi; kundërofensivën duke rimarrë territore të Kherson-it (2 herë sa territori i RSh), të vetëshpallura me bajoneta si pjesë jetike e sovranitetit të mëmës Rusi); pushtimi i Kurskut (rreth 25 km brenda territorit rus), si dhe ‘sulmin në thellësi strategjike (deri 5500 km), me drone dhe shkatërrimin e 40 bombarduesve bërthamorë’, etj.” Pra, përkundër dezinformimit, aktualisht makineria ushtarake ruse (e zvarritur dhe rraskapitur) mban të pushtuar më pak se 20 % të territorit ukrainas!
Për t’ju kthyer pyetjes suaj, po ndaj konsiderata strategjike mbi dy skenarët e mundshëm, si dhe nëse mund të arrihet një paqe e qëndrueshme (?).
Skenari Nr. 1: “Fitore e Ukrainës në fushëbetejë dhe kapitullim i Rusisë”. Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina arrin të çlirojë territoret e pushtuara, duke imponuar një tërheqje të plotë të ushtrisë ruse, si dhe rivendosjen e sovranitetit kushtetues dhe autoritetin shtetëror mbi të gjithë tërësinë territorial të Ukrainës.
Skenari Nr. 2, “paqe në tavolinë”. Rusia dhe Ukraina ndalin luftimet dhe nisin negociatat për t’i dhënë zgjidhje në tavolinë; pjesa më e madhe e territoreve të pushtuara (rreth 16 %) kalojnë Rusisë, ndërsa një pjesë e vogël (4 %) marrin Autonomi-Plus, pa cenuar kufijtë zyrtarë të Ukrainës. Ky opsion/skenar nuk do të shkaktonte tensione të brendshme, pasi për ukrainasit do të ishte: “dorëzim në tavolinë i sovranitetit”.
Për të qenë i drejtpërdrejtë, “skenari 2 s’ka për të ndodhur kurrë”, pasi jo vetëm vendos autoritetin e Mëmës-Rusi mbi territoret e pushtuara, Krimea, Donetsku, Luhansku, por dhe: “legjitimon pushtimin dhe dhunon Kushtetutën e Ukrainës”. Ndërsa Putinin,ose “krimineli më të keq të kohëve moderne (siç e quajti Kancelari gjerman) i vendos kurorën e fitimtarit të luftës”.?Për më tepër, në këtë skenar, jo vetëmqë SHBA/NATO/BE do të perceptoheshin si “matrazë të luftës ose roje të pushtimeve të Putinit”, por edhe do të shërbente si “Pandora” për pushtime të tjera si dhe do të ngrinte pikëpyetje serioze mbi kohezionin dhe besimin te Aleanca! Nga ana tjetër, historia e luftërave botërore ose rajonale na tregon se marrëveshjet ose dorëzimi në tavolinë i sovranitetit mund t’i kënaqin pazarxhinjtë dhe patronazhistët e kohës, por ato kurrsesi nuk prodhojnë paqe afatgjatë. Përkundrazi, një Rusi, qoftë edhe pjesërisht e fituar, do t’i zgjaste jetën sundimit të Putinit, por nuk do të prodhonte paqe afatgjatë për Ukrainën e gjakosur.
-Sa e qëndrueshme është Ukraina ekonomikisht dhe ushtarakisht në një konflikt të zgjatur, dhe a është e mundur një formulë paqeje që garanton sovranitetin territorial?
Megjithë rezistencën stoike, krahina të Ukrainës lindore, si Krimea, Donbasi, Luhansku dhe Zaporizhia (është centrali nuklear më i madh në Europë), janë pushtuar nga Rusia (në total >20 %), ndërsa në 4 vjet, mbi 1 milion ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur rëndë. Lufta 4-vjeçare ka pasur kosto të jashtëzakonshme për Rusinë (mbi 12 trilionë €), si dhe humbje të mëdha në avionë, anije, tanke, dronë, raketa, etj.
Megjithë humbjet e mëdha, moralin e ushtrisë dhe kohezionin e rrënuar të kombit për luftën, Rusia ende mban në frontin e luftës rreth 350,000 ushtarë nga mobilizimi i detyruar ose (mbi 20 %) mercenarë nga Koreja e Veriut, Mali, Kina, etj. Zotëron ende shumë tanke T-80/T-90; flotë avionësh Su-30/35; raketa balistike S-400; sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, etj.
Pa mëdyshje, edhe Ukraina ka dëmtime epokaliptike, por gjithsesi mban ende në vijën e frontit mbi 300,000 luftëtarë, tanke Leopard, Challenger, avionë Su-27/MiG-29; sisteme Patriot, HIMARS, dronë të gjeneratës së fundit, etj., si dhe ka zhvilluar një industri moderne ushtarake, p.sh. për prodhimin e mbi 5 milionë dronëve të gjeneratës së fundit, raketave me rreze deri 1000 km, etj, çka demonstron fuqinë ushtarake si dhe vendosmërinë deri në fitore, ose çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara, përfshi Krimenë.
Nga ana tjetër, lufta ka zgjatur përtej çdo parashikimi, por edhe ka një dallim thelbësor mes palëve ndërluftuese, pasi Ukraina, brenda të drejtës së vetëmbrojtjes sovrane, ka sulmuar vetëm njësi dhe infrastrukturë ushtarake të pushtuesit, ndërsa ushtria putiniste vijon sulmet barbare mbi shkollat, spitalet, pallatet e banimit, ujësjellësit, centralet elektrike dhe infrastrukturat me peshë për komunitetin.
Por mbas 4 vitesh, Moska mbetet edhe më e izoluar, Kievi vijon të mbështetet edhe më fort nga Perëndimi, rreth 700 bilionë € (tanke, avionë, raketa, dronë, sisteme Patriot, etj.) nga SHBA/NATO/BE, çka demonstron kohezion të palëkundur dhe mbështetje të pakushtëzuar deri në fitore; e thënë ndryshe, ditë më të mira do/po vijnë për Ukrainën, ndërsa edhe më të zeza për Rusinë putiniste.
Po ashtu, vijoj të besoj fort në projektin e Presidentit Trump-2: “Paqe e imponuar nëpërmjet fuqisë së armëve”, pra në përpjekjet për të “ndaluar me çdo çmim gjakderdhjen në Ukrainë”. Për më tepër që kjo vendosmëri/qasje u konfirmua edhe nga BE, nëpërmjet Kancelarit gjerman Merz: “Kjo luftë do të përfundojë vetëm kur Rusia të jetë gjunjëzuar, ushtarakisht dhe ekonomikisht”!
-A ka dështuar apo është forcuar kohezioni i NATO-s, a janë të gatshme SHBA të mbështesin një luftë kaq të gjatë në Ukrainë, në një kohë kur duket se prioritetet po zhvendosen drejt Indo-Paqësorit, si dhe këndvështrimin tuaj për një autonomi strategjike të Europës?
Për ta filluar nga fundi, do doja të “replikoja me pyetjen tuaj” se nuk gjej asnjë referencë dhe, për rrjedhojë, pritshmëri që interesat dhe fokusi i SHBA të zhvendosen drejt Indo-Paqësorit, duke lënë marrëdhëniet euroatlantike në plan të dytë? Ndërsa, për t’u kthyer te pjesa e parë e pyetjes, mund të them me siguri se, pas 4 vitesh, është provuar katërcipërisht, ndoshta me 2-3 përjashtime nga “aktorë kontravers pa intuitë dhe pa peshë strategjike”, se Rusia putiniste, krahas luftës për pushtimin e Ukrainës martire, e ka humbur edhe betejën për të minuar kohezionin euroatlantik, pra mes SHBA/NATO dhe BE, përfshi kërcënimin cinik për të përdorur “gazin si armë gjeopolitike” apo duke kërcënuar (si shtet terrorist) me fuqinë bërthamore.
Përveç solidaritetit dhe fjalimeve, lufta ka forcuar edhe më shumë vendosmërinë e SHBA/NATO për mbështetjen ushtarake deri në fitoren e Ukrainës. Konkretisht: “mbi ½ trilion €, nga SHBA dhe të gjitha vendet e NATO-s, si tanke Abrams, Challenger, Leopard, sisteme Patriot, dronë, avionë dhe sisteme të gjeneratës së fundit, si dhe duke rritur prezencën me trupa të reagimit të shpejtë në kufijtë me Rusinë, etj.”.
Po ashtu, Rusia ka dështuar për të tërhequr Pekinin zyrtar në këtë aventurë gjeostrategjike, pra për të përfshirë Kinën në hapjen e një fronti të ri lufte ndaj Tajvanit. E thënë më qartë, kanë dështuar llogaritë e pinjollit të KGB-së (Putinit), i cili, i dalldisur nga “deliri i fitores së padiskutueshme”, as nuk e kishte konsideruar përgjigjen e ftohtë aziatike, që: “kur vjen fjala për interesa gjeopolitike, Kina nuk bën lojën e askujt, por as nuk mund të jetë kurrsesi aleate e natyrshme me Rusinë në luftën kundër SHBA dhe BE”!
Në shtesë, në 4 vjet lufte, fatmirësisht Moska ka humbur edhe betejën për të ndezur një front lufte në Ballkan, duke frymëzuar Beogradin zyrtar, grupet kriminale, ekstremiste dhe oshilacionet e Millosheviçit: “deri me agresion ushtarak (nën inspektimin e ambasadorit rus në Serbi ..), jo vetëm kundër sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe kundër prezencës së NATO/KFOR-it, pra një marrëzi!”.
Pa asnjë mëdyshje, rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve është një ogur i zi për paqen dhe sigurinë, por, ndërsa nuk ka ende zgjedhje më të mirë, askush nuk mund të bëjë Krishtin. Për referencë, shpenzimet për makinerinë e luftës po rriten në mënyrë eksponenciale. Sipas prestigjiozes “SIPRI”, shpenzimet ushtarake në 2025 kanë arritur kuotat më të larta që nga Lufta e Ftohtë (2.83 trilionë $), prej të cilave SHBA mbi 1 trilion $; Kina 300 miliardë $; Rusia 130 miliardë $ dhe BE në total 454 miliardë €.
–Z. Ahmetaj, a mund të ndani me ne konsideratat tuaja mbi rendin aktual në agoni, si dhe rendin e ri të sigurisë që, siç ju e përmendët, po themelohet?
Sigurisht, katër vjet pas agresionit neo-nazist të Rusisë putiniste ndaj një vendi sovran, Ukrainës; statu quo-së, fuqisë ushtarake dhe interesave euroatlantike; riciklimi i përballjes së përgjakshme me terroristët në Lindjen e Mesme; përleshjet mes vendeve të Azisë Juglindore, etj., e kanë tronditur rëndë rendin global të sigurisë. Sesioni i radhës, i 80-i, i Asamblesë së OKB-së, që u zhvillua në shtatorin e kaluar, do të mbetet historik “jo vetëm për incidentet me ashensorin, teleprompterin dhe mikrofonin”, dhe as për qasjen radikale (në opinionin tim shumë të drejtë) të Presidentit Trump për ta shkundur nga themelet sistemin burokratik, rendin global të sigurisë (OKB), si dhe, përkundër kakofonisë së dezinformimit, këtë qëndrim e mbështeti fort edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz në hapje të Konferencës së Mynih-ut, kur deklaroi se: “rendi global i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk ekziston më”!
Në këtë udhëkryq kritik për paqen, sigurinë dhe vlerat e qytetërimit, mbetet domosdoshmëri kritike për tu shkundur dhe transformuar rendi global (përfshi besueshmërinë), jo vetëm për arsyet e sipërpërmendura, por edhe për të tejkaluar krizën dhe fundin pa lavdi të KS/OKB-1945, krizën e demokracisë fasadë, (pa)fuqinë burokratike të BE-së dhe shtetet e kapura/dështuara (deep state, i quan Presidenti Trump).
Ndërsa nënvizoj se shkatërrimi i bazave bërthamore të Iranit, operacioni spektakolar për arrestimin e Maduros (një gangster i dalldisur – zgjedhje të panjohura edhe nga BE), marrëveshja historike e paqes në Sharm el-Sheikh, si dhe së fundmi ngritja e Bordit të Paqes në Washington, vulosën fundin e rendit të vjetër, si dhe konfirmojnë themelimin e “Rendit të Ri të Sigurisë, të paqes së imponuar me fuqinë e armëve”, që për mua e meriton të skalitet me emrin e Presidentit Donald J. Trump.
E trajtuar në kontekstin e luftës në Ukrainë, dhe nga kjo qasje e SHBA, edhe vendet e NATO/BE “janë të dënuara” për të forcuar më tej kohezionin dhe besimin reciprok mes kërcënimeve, interesave dhe vlerave demokratike, duke mbështetur pa asnjë kompromis fitoren e Ukrainës ndaj Rusisë, si dhe duke rritur shpenzimet për modernizimin e fuqisë ushtarake (përfshi deterrence/aftësitë shkurajuese) në mbrojtje të tërësisë territoriale të 32 vendeve anëtare, rendit demokratik si dhe interesave gjeopolitike të Aleancës.
Kështu, për ta përmbyllur, sjellim në vëmendje qëndrimin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio në Konferencën e Mynihut para 3 javësh, i cili, pasi kritikoi ashpër rendin e vjetër të sigurisë, ndoshta edhe për të ç’tensionuar homologët europianë, konfirmoi se: “jemi pjesë e një qytetërimi, ndaj mbetemi të interesuar për Europë edhe më të fortë”, duke nënvizuar se “agresioni rus ndaj Ukrainës, si dhe ekspansioni i Kinës, mbeten kërcënim serioz për rendin ndërkombëtar dhe vlerat dhe interesat tona euroatlantike”. Po aty, përsëriti thirrjen për rritjen deri në 5 % të shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe rikonfirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për t’i dhënë fund gjakderdhjes: “End the Ukraine war once and for all”, ose: “t’i japim fund njëherë e përgjithmonë luftës në Ukrainë”.
Ndërsa, përtej tensionit nga “tërmeti/Trump” në politikën e jashtme amerikane, edhe shtetet europiane “diskutuan hapur edhe për autonomi më të madhe strategjike, politike, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike”, projekt që gjithsesi nuk e konkurron, por e komplementon fuqinë ushtarake të NATO-s, si dhe njëherësh konfirmuan se: “rendi global i sigurisë nuk ekziston më, ndaj mbetet kritike forcimi i kohezionit euroatlantik, si dhe vijimi i mbështetjes deri në fitoren e Ukrainës”. Gjithsesi, megjithë rritjen e shpenzimeve (rreth 500 miliardë deri në 2030), është shumë e ditur që, përtej vullnetit politik, “BE nuk ka kapacitete/fuqi ushtarake për të luajtur rol vendimtar, pra për të imponuar ndalimin e luftës gjakatare në Ukrainë, dhe as për t’u faktorizuar më vete si aktor global në fushën e sigurisë”.
Thënë këto, mbetem besimplotë se: “ngritja e Bordit të Paqes, e mirë-integruar me (super)fuqinë ushtarake të pakonkurueshme të SHBA/NATO, si dhe nën udhëheqjen e Presidentit Trump, do të bëjë që jo lufta gjakatare, por paqja, rendi i ri global, vlerat e qytetërimit dhe demokracia të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, si dhe mbi shtetet e dështuara dhe organizatat narko-terroriste”.
–Duke u ndalur te rajoni ynë. Cilat janë implikimet për paqen, sigurinë dhe stabilitetin demokratik në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e luftës në Ukrainë, si dhe rendit të vjetër/ri global të sigurisë?
E nderuar Marjana, siç edhe kemi bashkëbiseduar, para pak muajsh, në kuadër të një projekti me Komisionin mbi-partizan (Senat/Kongres) për Sigurinë dhe bashkëpunimin Europian, kam prezantuar një përmbledhje që po e përsëris edhe për revistën tuaj, pasi nuk ka askush dyshim që: “harta politike e Ballkanit reflekton agoninë e rendit të vjetër (1918) si dhe të tij aktual (1945), jo vetëm për shkak të ambicjeve ose kërcënimeve ruse për hegjemoni në rajon, apo përpjekjeve për expansion ekonomik kinez, por mbi të gjitha me shkak të rikthimit të frikshëm të garës së armatimeve (kryeson Serbia me buxhetin e mbrojtjes 2 herë më shumë se së bashku RSh, Kosova, Bosnja, Mali i Zi, M-V); për shkak të demokracisë fasadë dhe shteteve të dështuara, korrupsionit të politikanëve të lartë; interesat e oligarkisë së nënëdheshme dhe krimit të organizuar, si dhe mungesa e besimit te demokracia funksionale dhe ardhmëria euroatlantike”.
Ndërsa për sa tmerrin që e ka mbërthyer z. Vučiç nga “Shqipëria e Madhe” apo marrëveshjen Kroaci – Kosovë – RSH në fushën e mbrojtjes, apo paqisjen e FSK me Javelins, etj., mbeten ende pa përgjigje disa pyetje fare të thjeshta: “Ndërkohë që Serbia nuk kërcënohet nga asnjë vend i rajonit (kurrësesi nga RSh/Kosova), përse shpenzon më shumë se 3 miliard € në vit (përfshi rreth 1.64 miliard € me Izraelin dhe 2 miliardë me Kinën), për t’u armatosur ‘deri në dhëmbë’, me 18 Mig/29, 12 Rafale, Mi-35, raketa, drone” (?) kryesisht nga Rusia; dhe përse 3/4 e fuqisë ushtarake i mban në kufijtë shtetërorë të Kosovës!?
Gjithësesi, jo vetëm për neo-millosheviçët në Beograd dhe putinistët në Moskë, e përsëris edhe më fortë: “Përsa kohë të ketë prezencë të SHBA/NATO në terren, agresioni ushtarak kundër sovranitetit të Kosovës, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë, mbetet mision tërësisht i pamundur”. E thënë ndryshe, riciklimi i maktheve të Millosheviçit, 26 vjet mbas humbjes turpëruese me NATO-n, mund të ushqejë agjendën e radikalëve në Beograd, interesat e Kremlinit dhe krimit të organizuar, apo dhe sorrat rreth liqenit Ujmanit, por kurrësesi nuk trembin kombin shqiptar, si dhe as fuqinë e sprovuar (në 1999) të Aleancës trans-atlantike.
Ndërsa për sa i përket konkretisht krahasimeve me rastin e Ukrainës, ose oscilacioneve staliniste të Putinit, Lavrovit, Vuçiçit, etj., e përsëris edhe më fortë se: “Kosova ishte e pushtuar dhe përgjakur në shekuj nga Serbia dhe u çlirua nga USA/NATO/UÇK. Lufta përfundoi me ndërhyrjen e trupave tokësore të NATO-s më 12 qershor 1999, ndërkohë që tre ditë më parë (datë 9) në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja ushtarake ndërmjet ‘palës humbëse’ Ushtria e Millosheviçit si dhe një ‘palës fitimtare’ USA/NATO”!
–Gjeneral Ahmetaj, në këtë situatë të ndërlikuar të zhvillimeve gjeopolitike, si e lexoni apo rekomandoni Ju pozicionin e RSh dhe Kosovës, për të garantuar jo vetëm integritetin territorial dhe interesat mbarë-kombëtare, por edhe rolin në stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Rajonit?
E dashur Marjana, të falënderoj për pyetjen, edhe pse e gjej tërësisht të pamundur të jap një përgjigje shteruese. Për t’u kthyer te pyetja juaj e mënçur, pra hartën gjeopolitike, qofte të gjysmimit të kombit nga Konferenca e Versajës 1919 (falë SHBA, se për/nga europianët do ishim fshirë fare); qofte edhe kur, përtej pazareve kriminale për pushtet të diktatorit, Enver Hoxhës, ku prapë falë USA u rreshtuam me kampin e fitimtareve; apo qofte në 1999, kur u çlirua Kosova dhe u faktorizuam gjeopolitikisht si një komb i vetëm, kam përsëritur thirrjen për të skalitur në memorjen kombëtare: “mirënjohjen ndaj SHBA-ve”.
Edhe me mirëkuptimin Tuaj, pyetjes së fundit, por sigurisht të parën nga rendësia, në vend të përgjigjes në vijim po rendis: “pesë gjetje si dhe reciprokisht pesë rekomandime strategjike”:
Së pari, mbas peshimit të dy skenarëve të sipërpërmendur, e përsëris se mbetem besimplotë që Rusia putiniste po rrokulliset drejt humbjes me turp të luftës për pushtimin e Ukrainës, si dhe të përballjes me vlerat perëndimore, interesat dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Transatlantike! Nga ana tjetër, fitorja e Ukrainës do të shërbejë edhe si mesazh force ndaj Putinit të shpërfytyruar nga krimet, që: “nëse do të guxonte të sulmonte cilindo nga 32 vendet e NATO-s, do të mposhtej dhe do të ndëshkohej ne mënyrë shëmbullore nga fuqia e pakonkurueshme ushtarake e SHBA-së si dhe Aleancës/NATO”.
Së dyti, asnjë vend nuk i mbijeton dot i vetëm një përshkallëzimi fatal ose lufte modern. Prandaj e përsëris se për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare na duhen: “aleanca të forta, kontribute modeste (por të spikatura) si dhe diplomaci aktive”. Për më konkretisht, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore”, për t’i dhënë jetë Platformës: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke e konfirmuar në Washington, Bruksel etj., që ky projekt nuk kërcënon asnjë vend (përfshi Serbinë), por do të kontribuojë si një balancë racionale për paqen afatgjatë, si dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa edhe për shkak të angazhimeve me personalitete/kolegë në Washington, siguroj se kjo “platformë e vonuar” do mbështetet nga USA, pasi përtej “dashurisë për pushtetarët e radhës”, interesat amerikane i gjej të ndërthurura me mbajtjen e supremacisë dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike në Rajon.
Së treti, ndërsa sulmin vdekjeprurës të ushtrisë amerikane ndaj sundimtarit gjakatar të Iranit, e vlerësoj si prova për të shkundur nga themelet rendin e vjetër te sigurise, tejkaluar agoninë e demokracisë fasadë, konflikteve/pazareve të vjetra si dhe mendjeve të ndryshkura europiane; nënshkrimin nga 2 shtetet Sovrane (RSh/Kosovë) të Bordit Trump të Paqes e çmoj si shans historik, privilegj të merituar, por dhe kontribut të shtuar për forcimin e besimit strategjik mes RSh/Kosovës dhe SHBA-ve. Po ashtu, paisja e FSK me raketa Javelins, amendamenti i Kongresmenit Republikan Brian Mast për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në NATO si prioritet të politikës amerikane në Ballkan, etj., “janë po ashtu prova të vendosmërisë se USA për të mbrojtur statuskuonë, supremacinë ushtarake dhe interesat gjeopolitike të SHBA-ve në Ballkan”.
Së katërti: “Përveç solidaritit për angazhimet në interes të sigurisë kolektive dhe mbështetje të Ukrainës, RSh/Kosovë do duhet të promovojë edhe peshën që mbartin në partneritetin me SHBA/NATO; rolin lider në projektet e përbashkëta si dhe procesin e integrimit euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Me këtë rast, sigurisht meriton të riduartrokitet pjesëmarrja e RSh/Kosovës si: “marrëveshja mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh-së në fushën e mbrojtjes; ndërtimi i Bazës Ajrore Kuçovë; angazhimi për Korridorin 8”.
Prioritet Nr.1 mbetet: “modernizimi dhe faktorizimi i fuqisë ushtarake, balancave demokratike të pushteteve, si dhe forcimi i bashkëpunimit strategjik me SHBA/NATO”. Ndërsa konkretisht, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga 2% në 5% deri në 2030 nuk është kurrësesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump (!), por domosdoshmëri kritike për të transformuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSh, dhe rritur fuqinë ushtarake, si duke përditësuar dhe modernizuar aftësitë operacionale të FARSh-së në përmbushje të misionit kushtetues: “mbrojtjen e integritetit territorial (neni 5); zhvillimin e interesave kombëtare, promovimin e vlerave euroatlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO”!
Së pesti, shpresoj që mesazhet e kësaj interviste të shërbejnë aktorëve shtetërore, komunitetit të sigurisë kombëtare si dhe elitave mendjehapura në RSh/Kosovë, për të risjellë në kujtesën kolektive thirrjen ulëritëse: “njerëz, qëndroni vigjilentë; paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme (as nga SHBA). Por në këto sfidë mbarëkombëtare nuk vlejnë: “as privatizimi i dashurisë për mëmëdhenë dhe as i agjendës euroatlantike; as gajasja me opozitën/kompaninë private të falimentuar, të neveritur dhe të refuzuar përgjithmonë nga shqiptarët, si dhe as shpërdorimi i institucioneve kushtetuese si infermieri (pa)shërimi nga sëmundja ballkanike e të gjithë-pushtetshmit”, por vetëm dashuria për vëndin, vizioni, përulësia dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarëkombëtare, besimi në vlerat demokratike, si dhe “bekimi” nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBA-në.
Së fundmi, duke ju falënderuar për këtë intervistë të parë (besoj jo të fundit), dëshiroj të përsëris respektin për: “sakrificat sublime, integritetin, përulësinë dhe përkushtimin shembullor” të ushtarakëve, punonjësve të Policisë, Inteligjencës, kibernetikës, emergjencave civile, dhe cilindo të angazhuar në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, si dhe thirrjen ndaj Qeverisë që ata/ato meritojnë të trajtohen me dinjitet.
Ndërsa si përgjigje e sforcuar ndaj paragjykimeve partiake, më duhet ri-konfirmoj se mbetem ushtar i të djathtës ku: “Familja, Atdheu, Zoti, liria, vota, prona, tregu, interesat kombëtare dhe orientimi Euroatlantik”, mbeten vlera, shpresa dhe misioni ynë i përbashkët që RSh/Kosova të bëhen si gjithë Europa, edhe për inat të politikanëve zullumqarë, shtetarëve kusarë si dhe sekserëve të gjithëpushteteve që kanë pushtuar, vjedhur dhe sundojnë Shqipërinë edhe në 35 vitet e fundit.
Duke shpresuar të kenë marrë përgjigje pyetjet Tuaja, Ju falënderoj edhe njëherë për intervistën.
