Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Ditë më parë në një TV të Tiranës kisha paralajmruar si mundësi që Gjykata Kushtetuese jona të rrëshqasë në veprime alogjike dhe të marrë për model për hartimin e Aktgjykimit që publikoi sot pikërisht atë më të keqin – varintet e Gjykatës Supreme të Pakistanit.
Gjykata Supreme e Pakistanit, e influencuar nga pushtetet ushtarake, shpesh duke pretenduar të ruajë pozicion pro forma të pavarur, me të drejtë është akuzuar për “juridikim” (ndërhyrje e tepërt në politikë), duke ju mbivendosur politikës, alias Parlamentit.
Me aktgjykimet e saj kjo gjykatë ka thelluar krizat politike në vend.
Pavarësia e saj në marrje të vendimeve shpesh është vënë në diskutim, me akuza për influencë nga ushtria ose elitat politike.
Në vitet 2023–2024, konflikti brenda gjykatës Supreme (midis gjyqtarëve) dhe mosmarrëveshjet për çështje si zgjedhjet ose trajtimi i Imran Khan-it kishin rritur dyshimet për neutralitetin e saj.
Gjykata jonë Kushtetuese me këtë aktgjykim [respektivisht këtë njoftim që bëri publik sot], pavarësisht pretendimeve të ligjshme për tu promovuar si një institucion me fuqi të madhe, ka rrëshqitur tërësisht në terrenin e politikës, duke shpërfaqur politizimin që ka dominuar përherë në shumicën e vendimeve që ka marrë përgjatë ekzistencës së saj.
Bartja e betejës politike nga Kuvendi tek Gjykta Kushtetuese nga ana e PDK-së dhe LDK-së flet shumë për mënyrën se si këto dy forca politike e kanë trajtuar Republikën për 20 vite rresht dhe për kuptimin pervers të demokracisë nga humbësit e zgjedhjeve.
Për njohësit e mirë të gjendjes së krijuar jo vetëm nga 9 shkurti 2025, por do të thosha nga 14 shkurti i 2021, kur përmes një plebishiti të paparë, që për shumëçka do të mund të cilësohej si një REVOLUCION I HESHTUR DEMOKRATIK, Vetëvendosja erdhi në pushtet, opozita pasi e rimori veten edhe në rrafshin emosional, filloi t’i zëvendësoi ngadalë barrikadat e veriut, respektivisht ta bëjë dislokimin e tyre nga Veriu i Republikës në Prishtinë.
Ndonëse ishte ushqyer një lloj iluzioni se Gjykata Kushtetuese duhet dhe do të jetë, jo vetëm gardian i kushtetutshmërisë, por edhe njëra nga shtyllat e sigurta mbi të cilën dhe me ndihmën e të cilës mund të funksionalizohet Republika, ky akt, pra vendimi në fjalë, këtë iluzion e shembi për dhe.
Nga vendimi mbi emblemën e qytetit të Prizrenit e deri te ai i vitit 2014 dhe ky i fundit i publikuar sot, kishin dhe do të kenë pasoja të paqarta.
Ky vendim reflekton katërcipërisht sfidat e Republikës në procesin e kalimit nga autoritarizmi që i ishte imponuar nga olhokratët, (që morën peng – gjatë luftës UÇK-në e vegjëlisë dhe pas çlirimit edhe Republikën për 20 vite rresht), drejt kalimit në demokraci të qëndrueshme.
Me këtë akt, megjithatë, ana e mirë e medaljes është se, do të fillojë rënia e idhujve dhe iluzioneve. Rënia e “idhujve” (iluzioneve ose miteve politike) mund të ketë një ndikim kompleks në demokracinë e Kosovës, veçanërisht pas krizës aktuale kushtetuese dhe politike, por është proces i domosdoshëm.
Detyrë e forcave progresive politike është që sistemi politik të hapet. Dobësimi i “idhujve” mund të çojë në apati civile (indiferencë ndaj politikës). Kjo nuk guxon të na ndodhë asesi, rrjedhimisht reformat radikale mbesin si zgjidhje e vetme. Këtë mund dhe duhet ta bëjë politika, respektivisht shkuarja në zgjedhje – kthimi tek sovrani.
Rënia e iluzioneve duhet të shoqërohet me kritikë konstruktive dhe kërkesa për llogaridhënie. Këtë mund ta bëjë më mirë se politika bota akademike. Vetëm kështu gjasat që Kosova të kalojë në një fazë më të shëndoshë demokratike janë më reale.